Wikipedia:Fillimi (Redaktimi)/sandbox: Dallime mes rishikimesh
Content deleted Content added
No edit summary |
Mariglen Verli |
||
Rreshti 1:
Mariglen Verli: Shqipëria dhe Kosova, në arkivat ruse të viteve 1946-1962
Historiografisë shqiptare i shtohet një vëllim mjaft i rëndësishëm. Libri më i fundit me dokumente të panjohura më parë në hapësirat shqiptare, ka të bëjë me këndvështrimin e Bashkimit Sovjetik për Shqipërinë e Kosovën e viteve 1946-1962. Marenglen Verli, historian dhe recensent i librit që hedh dritë mbi dokumentet e Moskës, na tregon gjatë një interviste, risitë e librit historik. Ndërkaq, në promovimin që i është bërë në Prishtinë botimit, njëri nga autorët e këtij libri Ethem Çeku ka thënë se me dokumentet e të publikuara, studiuesve iu krijojnë mundësi për ta parë dinamikën e zhvillimeve brenda shqiptare, dinamikën e marrëdhënieve brenda bllokut komunist dhe në veçanti trekëndëshit Shqipëri-Jugosllavi-BRSS. "Në vitet e fundit janë hapur shumë debate mbi çështjen se cili ishte roli i shtetit shqiptar për çështjen e Kosovës në fazën e fundit të Luftës së Dytë Botërore. Dokumentet e publikuara tentojnë të japin një pamje rreth asaj çështjeje për historiografinë e Kosovës. Sigurisht këto dokumente ofrojnë dëshmi më të plota, ndërsa interes të veçantë paraqesin stenogramet e takimeve të Stalinit me Titon dhe qëndrimi i këtij të fundit për çështjen e Kosovës", - ka thënë Çeku. Sipas tij, ky libër paraqet një përpjekje serioze për të trajtuar raporte të brendshme shqiptare nga pozita të ndryshme politike dhe shoqërore pas ndikimit të sferave gjeostrategjike në çështjen tonë kombëtare dhe rolin e personaliteteve të politikës së kohës në përcaktimin e rrugëtimit të çështjes sonë nacionale. "Bisedat e bëra mes përfaqësuesve të Bashkimit Sovjetik dhe atij Jugosllav rreth vizitës së Enver Hoxhës në Beograd për çështjen e Kosovës dhe letra e Hoxhës drejtuar Stalinit japin një pamje mjaft reale për lojërat politike të bërë nga qeveritarët sovjetik dhe atyre Jugosllav për fatin e Kosovës dhe të kombit", - ka shpjeguar më tej Çeku. Autori tjetër Hamit Kabashi ka thënë se arkivat e ish-Bashkimit Sovjetik përmbajnë materiale mjaft të rëndësishme për historinë tonë kombëtare. Sipas tij, dokumentet për Kosovën nuk janë në atë masë sa janë për Shqipërinë dhe se ato përfshijnë dokumente mjaft të rëndësishme sidomos për vitet 1946-48, por edhe në periudhat e mëvonshme. Libri është botuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike i Institutit të Historisë në Tiranë dhe Shtëpia botuese në "Brezi", në Prishtinë.
Së fundmi është botuar një libër historik mbi Shqipërinë e Kosovën para viteve 1990. Si recensent i botimit, cilat janë pikat kyçe të tij?
Vëllimi me dokumente ruse, që lidhen me marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike në periudhën 1946-1962, faza e parë kjo e Luftës së Ftohtë midis dy blloqeve, i paraqitur nga autorët H. Kaba dhe E. Çeku, është një nismë e mirëseardhur që plotëson një boshllëk të konstatuar prej kohësh në fushën e botimeve dokumentare. Nga ana tjetër bashkëpunimi i dy autorëve, në kuadër të veprimtarive shkencore të Institutit të Historisë me bashkëpunëtorë të jashtëm, ku bën pjesë edhe Dr. E. Çeku, tregon vijimin e një rruge të mbarë të bashkërendimit të veprimtarisë së forcave shkencore shqiptare në rrafsh mbarëkombëtar. Qysh në fillim mund të theksohet se dokumentet janë përzgjedhur e përkthyer me kujdes nga arkiva e botime dokumentare ruse për të përcjellë te lexuesit shqiptarë një informacion autentik e me një gjuhë të pastër shqipe. Në këtë drejtim autorët kanë bërë më të mirën e mundshme.
Çfarë përmbajnë dokumentet?
Dokumentet përmbajnë material të seleksionuar me shumë vlerë për historinë e Shqipërisë në periudhën e Pasluftës së Dytë Botërore. Kjo vlerë buron nga fakti se autorët kanë qëmtuar raporte, vendime dhe dokumente të tjera, që e kanë burimin në produktin analitik të organeve dhe personaliteteve zyrtare më të lartë në të dy vendet, si në rrafshin partiak ashtu edhe atë shtetëror diplomatik. Këndvështrimi sovjetik rreth situatës në Shqipëri plotëson kështu më tej kuadrin për të analizuar ecuritë e zhvillimeve politike në Tiranën zyrtare në vitet 40-50. Nga ana tjetër përmes dokumenteve të paraqitura mund të shihet edhe pesha reale që kishte Shqipëria në Ballkan, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, në kuadër të gjeostrategjisë së superfuqisë komuniste të Bllokut Lindor. Informacioni për imigracionin që hynte në Shqipëri nga Jugosllavia, shqiptar dhe jo shqiptar, me prirje të majta, si edhe të dhënat për emigracionin antikomunist nga Shqipëria drejt vendeve fqinje, janë një drejtim tjetër me mjaft risi, që afrojnë dokumentet e përzgjedhura në këtë vëllim.
Për çfarë ishte më e interesuar Moska?
Natyrisht informacioni më i plotë nga këndvështrimi i Moskës, lidhet me zhvillimet politike në radhët e PKSH (PPSH) partisë në pushtet, në Shqipëri, ku portretizohen individët më të shquar dhe raportet midis tyre. Vitet kur orientimi i Shqipërisë ndërroi kahjen nga Beogradi drejt Moskës, plotësohen me të dhëna e analiza interesante, që krijojnë profilin e plotë të individëve (si Koçi Xoxe etj.), duke ofruar informacion deri te orientimet, nivelin e tyre arsimor e kulturor etj. Gjithashtu jepen të dhëna interesante edhe për mënyrën e ndikimit apo orientimit në vijën politike përmes udhëzimeve partiake që "vëllai i madh" i dërgonte "të voglit". Dokumentet e vëllimit që kanë përgatitur autorët Kaba e Çeku informojnë edhe për sfera të tjera, me të dhëna të domosdoshme për të krijuar tablonë e plotë të kohës, sikurse janë marrëdhëniet që Shqipëria kishte me vendet përtej "Perdes së hekurt", pra me vendet perëndimore. Informacioni është i tillë që ka të bëjë si me raportet diplomatike, ashtu edhe me çështje të tjera konkrete, si p.sh. në rastin e incidentit të Kanalit të Korfuzit, të përkrahjes së të majtës në Luftën Civile në Greqi etj.
Cilat janë disa prej 'temave' të nxehta për të cilat flasin dokumentet?
Në vëllimin e paraqitur ka informacion për përmasat e ndikimit sovjetik në Shqipëri, për varësinë e kontrollin sovjetik në fusha nga më të ndryshmet, edhe përtej linjës së drejtpërdrejtë politike, mandej për "ftohjen" e marrëdhënieve në vitet 1958-60 dhe për problemet rreth Bazës ushtarake të Vlorës, më tej për raportet shqiptaro-jugosllave e shqiptaro-greke, gjithashtu për çështjen e Kosovës, me ç'rast mësojmë për qëndrimet e PKSH ndaj kësaj çështjeje të madhe për kombin tonë, më tej akoma për çështje të natyrës fetare, sikurse janë të dhënat që kanë të bëjnë me përpjekjet e regjimit për të vënë nën kontroll Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare etj.
Cila është rëndësia e këtij botimi, sa i takon historiografisë shqiptare?
Duke lexuar dokumentet e vëllimit konstatohet lehtë se Moska zyrtare, përkatësisht Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik, ka ndjekur me vëmendje çka ndodhte në Shqipëri e në rajon dhe ka monitoruar të gjithë raportet e Shqipërisë me të tretët. Në këtë mënyrë, e përsëris, na jepet mundësia të kemi në duar një material dokumentar shumë interesant e me vlerë për të studiuar historinë e Shqipërisë e më gjerë në periudhën e përmendur 1946-1962. Renditja kronologjike e dokumenteve, pajisja e tyre me shënimet e nevojshme, përkthimi e redaktimi i mirë i tyre, vendosja e titujve me informacionin e domosdoshëm e konciz në funksion të informimit sa më të saktë fillestar për dokumentin, paraqitja po kështu e plotë e titujve apo kokave të dokumenteve në pasqyrën e lëndës, realizimi pra cilësor i të gjithë atyre elementeve që tregojnë profesionalizëm shkencor për autorët prof. H. Kabën dhe E.Çekun të një vëllimi dokumentar, na japin të drejtë të vlerësojmë e përgëzojmë për punën e kryer.
Botimi i këtij vëllimi, i realizuar në kuadrin e vëllimeve dokumentare që ka botuar e planifikon të botojë Instituti i Historisë, në kuadrin e synimit për të ndriçuar historinë tonë kombëtare, sjell një kontribut në shërbim të historiografisë shqiptare e më gjerë, kontribut ky për një periudhë shumë të rëndësishme të historisë së Shqipërisë e të rajonit. Vëllimi do të jetë në shërbim të studiuesve, studentëve dhe gjithë lexuesve të interesuar. Krahas suksesit të autorëve ai është edhe një arritje institucionale
redaktor arton morina
|