Ndryshimi mes inspektimeve të "Lidhja e Prizrenit"

Pas disa ndeshjeve sporadike kufitare, që ndodhën gjatë tetorit, knjaz Nikolla vendosi më në fund të kalonte në sulme të hapura. Më 31 tetor dhe 1 nëntor 1879 forcat malazeze, duke dashur të tërheqin vëmendjen e Fuqive të Mëdha dhe, njëherazi, të matnin pulsin e shqiptarëve, kryen dy inkursione kundër vijës mbrojtëse të forcave të Lidhjes, të parin në fshatin Pepaj dhe të dytin në fshatin Arzhanicë. Në këtë të fundit vranë në befasi 30 fshatarë dhe dogjën mjaft shtëpi, por pas disa orë luftimesh u dëbuan nga forcat e Lidhjes. Në të vërtetë këto qenë sulme demonstrative, të cilat shqiptarët i përballuan pa ndonjë vështirësi. Edhe pse dështoi, sulmi malazez nxiti një valë të madhe mobilizimi në të katër anët e Shqipërisë. Me mijëra vullnetarë të tjerë vrapuan në krahinat e Gjakovës, të Pejës, të Dibrës e të Shkodrës. Gatishmëria e shqiptarëve qe aq masive, sa Shtabi Ushtarak i Lidhjes së Prizrenit, i vendosur në Guci, u detyrua të pengonte nisjen e tyre drejt frontit, pasi nuk ua ndiente nevojën dhe nuk kishte mundësi për t’i sistemuar.
Në fillim të muajit dhjetor forcat kryesore malazeze qenë rreshtuar gjatë vijës kufitare, në fshatrat Murinë, Pepaj, Arzhanicë e Velikë, kurse forcat shqiptare përballë tyre në fshatrat Guci, Kolenivicë, Martinaj, Plavë e Nokshiq. Midis forcave malazeze dhe shqiptare në sektorin verilindor kalonte lumi Lim vetëm me një urë prej druri. Zona malazeze ishte kryesisht malore, ndërsa në atë shqiptare dominonte pllaja e Plavës.
Më 4 dhjetor 1879, pjesa më e mirë e ushtrisë malazeze prej 4 mijë ushtarësh, nën komandën e Mark Milanit, ndërmori një sulm të furishëm në sektorin e Nokshiqit, në drejtim të Plavës e të Gucisë. Shtabi ushtarak i Lidhjes, i përbërë nga Ali pashë Gucia (kryetar), Jakup Ferri, Sulejman Vokshi, [[Haxhi Zeka]],Kadri Bajri (Bajraktari i Rugovs),Mal Dula [Bajraktari i Bytyçit], Filip Çeka, Jusuf Sokoli e të tjerë, midis të cilëve kishte edhe disa oficerë të karrierës, u përgjigj duke hedhur në sulm rreth 2 mijë luftëtarë. Luftimet më të ashpra u bënë në luginën e Nokshiqit, ku u angazhuan forca të shumta malazeze. Luftëtarët u përleshën aq ashpër me njëri-tjetrin, sa që të dy palët lanë mënjanë hutat dhe nxorën jataganët, duke u përleshur trup me trup. Përleshja vazhdoi disa orë me radhë. Forcat vullnetare të Lidhjes ndalën sulmin e ushtrisë malazeze dhe i shkaktuan asaj disfatë në Nokshiq, duke e detyruar të tërhiqej brenda kufijve të Malit të Zi. Edhe pse të dhënat për humbjet e të dy palëve janë kontradiktore, mund të nxirret si përfundim se nga malazezët pati 300 të vrarë e të mbytur në lumë gjatë tërheqjes, ndërsa nga shqiptarët 300-400 veta. Në këto luftime u vra edhe një nga komandantët e shquar të ushtrisë së Lidhjes, Jakup Ferri.
Vendosmëria e shqiptarëve për të qëndruar deri në fund dhe këmbëngulja e Cetinës për të vazhduar më tej luftën alarmuan si Fuqitë e Mëdha, ashtu edhe Perandorinë Osmane. Nga frika e ndërlikimeve të reja, Porta e Lartë vendosi ta zgjidhte me çdo kusht dorëzimin e dy krahinave kufitare. Për këtë qëllim ajo nisi menjëherë për në Kosovë mareshal Ahmet Muhtar pashën, i cili atë kohë ishte komandanti i Armatës osmane të Rumelisë me qendër në Manastir. Mareshali, i shoqëruar nga 11 batalione (rreth 6 000 ushtarë), sapo arriti në Prizren thirri në takim anëtarët e Komitetit Kombëtar të Lidhjes për t’i bindur që t’i nënshtroheshin vendimit të sulltanit. Por ata nuk pranuan. Më 14 dhjetor 1879 lëshoi një shpallje, me të cilën u kërkonte shqiptarëve që të merrnin në konsideratë gjendjen kritike të Portës së Lartë dhe të mos pengonin dorëzimin e dy krahinave kufitare, pasi me qëndresën e tyre po shkaktonin shkatërrimin e Perandorisë Osmane, por as lutjet, as kërcënimet nuk dhanë rezultat. Më 15 dhjetor 1879 u mblodh në Guci Kuvendi i përfaqësuesve të Komitetit Ndërkrahinor të Kosovës, i cili vendosi që ta kundërshtonte me armë deri në fund dorëzimin e kalasë së Gucisë. “Ne, banorët e Plavës e të Gucisë, - thuhej në memorandumin e miratuar nga Kuvendi, - nuk i njohim traktatet e shteteve evropiane që u japin malazezëve tokat e trashëguara nga prindërit tanë. Ne do ta kundërshtojmë me armë dorëzimin e tokave tona”.
Sipas porosisë që kishte dhënë Porta e Lartë, Ahmet Muhtar pasha mori masa ushtarake për të penguar vajtjen e vullnetarëve shqiptarë në Plavë e në Guci. Për këtë qëllim ai solli nga Mitrovica edhe 7 batalione të tjera, të cilat i vendosi nëpër shtigjet e rrugëve. Pas kësaj u nis për në Gjakovë, ku gjeti një gjendje më të acaruar se në Prizren. Gjakovarët e paralajmëruan se, po ta vazhdonte më tej rrugën drejt kufirit, do të pësonte fatin e Mehmet Ali pashë Maxharit. Kur pa se edhe [[Peja]] e kishte bllokuar rrugën për në Plavë e në Guci, mareshali osman e ndërpreu misionin e vet, hoqi dorë nga vajtja në Guci dhe u kthye në Prizren.
Anonymous user