Lidhja e Prizrenit: Dallime mes rishikimesh

[redaktim i pashqyrtuar][redaktim i pashqyrtuar]
Content deleted Content added
U kthye versioni 1267000 i bërë nga Dritanhalili (diskutimet)
wikify
Rreshti 14:
==Komiteti i Stambollit dhe platforma e tij politike==
Qëndresa osmane e Plevnës vazhdoi pesë muaj. Ndërkohë patriotët shqiptarë, edhe pse bisedimet e Janinës u ndërprenë, nuk hoqën dorë nga ideja e kryengritjes çlirimtare kundërosmane. Ata i vazhduan përpjekjet për t’i shkrirë komitetet shqiptare lokale në një komitet kombëtar, për formimin e komitetit qendror kombëtar dhe për përgatitjen e kryengritjes së armatosur. Por, ndërsa në malet Ballkan dhe në sektorin e Kaukazit ushtritë osmane ndalën përparimin e ushtrisë ruse, në frontin malazez, në Shqipërinë e Veriut në gusht 1877, mbrojtja turke u thye dhe ushtria osmane filloi të tërhiqej drejt jugut. Kjo ngjarje tronditi opinionin publik në Shqipërinë e Veriut. Në këto rrethana u formua në Shkodër një komitet shqiptar i përbashkët për qytetarët myslimanë e katolikë, i kryesuar nga Pjetër Gurakuqi. Në memorandumin e këtij komiteti kërkohej të formohej një shtet kombëtar më vete nën vasalitetin e sulltanit, siç ishin në atë kohë Serbia dhe Rumania. Por gjendja në frontin me Malin e Zi u stabilizua shpejt. Përparimi i ushtrisë malazeze u ndal.
 
Gjatë vjeshtës së vitit 1877 patriotët shqiptarë i kushtuan kujdes edhe fushatës së zgjedhjeve për parlamentin e dytë osman. Megjithëse zgjedhjet qenë indirekte dhe u zhvilluan nën diktatin e valinjve, nën trysninë që vinte nga poshtë dolën deputetë edhe disa personalitete atdhetare, ndër të cilat ishte edhe [[Abdyl Frashëri]].
Çeljen e parlamentit në dhjetor të atij viti patriotët shqiptarë, sidomos antarët e Komitetit të Janinës, e shfrytëzuan për të organizuar në kryeqytetin perandorak një takim në shkallë kombëtare. Për këtë qëllim, përveç deputetëve të parlamentit, u thirrën në Stamboll edhe personalitete të njohura shqiptare që përfaqësonin pothuajse të gjitha krahinat e Shqipërisë. Në mbledhjen e parë, që u mbajt më 18 dhjetor 1877, u miratua forumi i organizatës atdhetare revolucionare me emrin Komiteti Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, ose siç u quajt shkurt Komiteti i Stambollit. Kryetari i Komitetit u zgjodh Abdyl Frashëri. Megjithëse nuk dihet ende përbërja e plotë e këtij Komiteti, janë njohur tanimë si anëtarë të tij [[Pashko Vasa]], [[Jani Vreto]], [[Ymer Prizreni]], [[Zija Prishtina]], [[Sami Frashëri]], [[Ahmet Koronica]], [[Mihal Harito]], [[Iljaz Dibra]], [[Mehmet Ali Vrioni]], [[Seid Toptani]], [[Mustafa Nuri Vlora]], [[Mane Tahiri]] [[Kadri Bajri]] etj.
Në programin politik të Komitetit të Stambollit përfshihej teza mbi organizimin me ngutësi të kryengritjes së armatosur kundërosmane dhe krijimin e shtetit kombëtar shqiptar. Komiteti vendosi gjithashtu që të zhvilloheshin bisedime me Greqinë për të arritur një aleancë shqiptaro-greke sipas platformës së parashtruar nga Abdyl Frashëri.
 
Ndërkohë ngjarjet në front pësuan një kthesë rrënjësore. Më 10 dhjetor 1877 qëndresa e Plevnës u thye. Ushtritë ruse filluan të përparonin përmes maleve Ballkan. Serbia e Mali i Zi morën zemër nga përparimi rus dhe rifilluan veprimet luftarake kundër Turqisë. Perandoria Osmane tani dukej se ishte në pragun e katastrofës së plotë. Në këto rrethana qeveria e Athinës e pranoi propozimin e ri të paraqitur nga patriotët shqiptarë për të rifilluar bisedimet dypalëshe që ishin ndërprerë në fund të korrikut.
 
Turi i dytë i bisedimeve shqiptaro-greke u zhvillua në Stamboll gjatë gjysmës së dytë të muajit dhjetor 1877. Këtë radhë qeverinë greke e përfaqësonte Stefanos Skuludhi, deputet në parlamentin e Greqisë. Abdyl Frashëri, i cili kryesonte përsëri delegacionin shqiptar, tani nuk përfaqësonte Komitetin Ndërkrahinor të Janinës, por Komitetin Kombëtar të Stambollit. Abdyli i parashtroi Stefanos Skuludhit planin e hollësishëm të shpërthimit të kryengritjes shqiptare, e cila do të fillonte në Shqipërinë e Jugut. Menjëherë pas saj do të formohej qeveria e përkohshme e Shqipërisë, që do të njihej nga Greqia, e cila do të hynte gjithashtu në luftë kundër Perandorisë Osmane në Thesali. Kryengritja do të shtrihej në Gegëri e në Kosovë. Greqia do t’i ndihmonte shqiptarët me armatime. Projekti i Abdyl Frashërit ishte i leverdishëm për të dyja palët. Shqipëria siguronte tërësinë territoriale, duke përfshirë në kufijtë e saj edhe vilajetin e Janinës (Epirin), ndërsa Greqia hiqte dorë nga Epiri, por do të aneksonte pa luftë Thesalinë, me ndihmën e oficerëve shqiptarë që komandonin ushtrinë osmane. Abdyli u përpoq edhe një herë ta bindte qeverinë e Athinës, se ishte në interes të Greqisë që ajo të kishte si aleate, kundër Perandorisë Osmane e kundër rrezikut rus, një Shqipëri të fortë, prandaj nguli këmbë që aleanca dypalëshe të ndërtohej sipas parimit të njohjes së një principate të pavarur shqiptare në kufijtë e saj etnikë, në krye të së cilës mund të vihej edhe një princ me origjinë nga dinastia që mbretëronte në Greqi. Por pala greke nuk hoqi dorë as këtë radhë nga pretendimet ndaj Shqipërisë. Si rrjedhim, në ditët e fundit të dhjetorit, me urdhrin telegrafik të ardhur nga Athina, bisedimet shqiptaro-greke u ndërprenë përsëri.
 
Në fillim të vitit 1878 situata në front u përmbys plotësisht. Pasi kaluan malet Ballkan, ushtritë ruse filluan të përparonin me shpejtësi në drejtim të jugut, pa ndeshur ndonjë rezistencë serioze nga ana e ushtrive osmane. Më 4 janar 1878 ato pushtuan Sofjen, më 18 janar Edrenenë dhe më 28 janar arritën në fshatin Shën-Stefan, në periferi të Stambollit. Nga paniku që pushtoi Perandorinë Osmane përfituan ushtritë serbe, të cilat marshuan pa vështirësi drejt vilajetit të Kosovës dhe, pasi morën Pirotin, Nishin, Kurshunlinë dhe Vranjën, në fund të janarit arritën në Gjilan. Po ashtu, ushtritë malazeze pushtuan më 10 janar [[Tivari]]n, më 19 janar Ulqinin dhe një javë më vonë dolën në brigjet e [[Liqeni i Shkodrës|liqenit të Shkodrës]] e të lumit të [[Buna|Bunës]].
 
Disfata e plotë e ushtrive osmane i shqetësoi të gjitha Fuqitë e Mëdha. Në mënyrë të veçantë ajo tronditi Britaninë e Madhe, e cila, për të penguar hyrjen e ushtrive ruse në Stamboll, dërgoi flotën e saj luftarake në detin Marmara. Në të njëjtën kohë, me nxitjen e saj, Porta e Lartë i kërkoi komandës ruse armëpushim. Duke parë se Anglia ishte e vendosur të mbronte me çdo kusht kryeqytetin osman, Rusia nënshkroi në Edrene, më 31 janar 1878, armëpushimin me Perandorinë Osmane dhe filloi bisedimet për të përfunduar Traktatin e Paqes me të.
 
Situata e re ndërkombëtare, që u krijua pas disfatës së plotë turke, e detyroi Komitetin e Stambollit ta rishikonte programin e vet. Sipas tij, shpërthimi në këto rrethana i kryengritjes kundërosmane në Shqipëri do të ishte një hap i dëmshëm, që do ta lehtësonte përparimin e ushtrive serbe, malazeze e greke në brendi të trojeve shqiptare dhe do t’u jepte rast monarkive fqinje që ta sanksiononin me anën e fitores ushtarake aneksimin e viseve të pushtuara prej tyre. Për këtë arsye Komiteti hoqi dorë përkohësisht nga projekti i kryengritjes së armatosur dhe hartoi një program të ri politik për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.
 
Programi i ri, i cili u përpunua në ditët e para të vitit 1878, përmbante ndryshime taktike e jo strategjike. Udhëheqësit e Komitetit të Stambollit nuk hoqën dorë nga synimi i tyre i mëparshëm, nga formimi i shtetit kombëtar shqiptar. Por tani para Shqipërisë qëndronte si detyrë e ngutshme ruajtja e tërësisë së saj tokësore. Përveç kësaj, ata mendonin se në kushtet e reja pavarësia kombëtare e Shqipërisë ishte e parealizueshme, pasi ajo nuk gëzonte asnjë mbështetje në arenën ndërkombëtare. Për më tepër, tani që kishte filluar pushtimi i trojeve shqiptare nga ushtritë fqinje, rreziku i copëtimit të Shqipërisë ishte bërë shumë serioz. Në këtë gjendje të re shqiptarët u kthyen përsëri në programin e mëparshëm. Në vend të pavarësisë së plotë kombëtare, ata vendosën të kërkonin bashkimin e trojeve të tyre amtare në një vilajet autonom shqiptar në kuadrin e Perandorisë Osmane. Udhëheqësit e Komitetit të Stambollit shpresonin se krijimi i një vilajeti të tillë do të gjente përkrahës në arenën ndërkombëtare, të paktën mbështetjen e atyre Fuqive të Mëdha që nuk e dëshironin shpartallimin e plotë të Perandorisë Osmane. Veç kësaj, për të mbrojtur tërësinë territoriale, shqiptarët do të luftonin të veçuar nga Perandoria Osmane, do të hynin në betejë kundër rrezikut sllav, grek, austriak ose italian në emër të interesave kombëtarë të Shqipërisë. Ata ishin të bindur se një luftë e tillë, si edhe formimi i vilajetit autonom shqiptar, do ta sanksiononte në plan ndërkombëtar ekzistencën e shqiptarëve si komb dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë. Këto fitore do të shërbenin si bazë për ta kthyer vilajetin autonom shqiptar, në rrethana koniunkturale më të favorshme, në një shtet të pavarur shqiptar. Për të arritur bashkimin politik dhe organizativ të mbarë vendit rreth kësaj platforme, udhëheqësit e Komitetit të Stambollit vendosën të formonin një lidhje shqiptare me karakter kombëtar, ku të përfaqësoheshin të gjitha shtresat shoqërore dhe të gjitha krahinat shqiptare që bënin pjesë në të katër vilajetet perëndimore të Gadishullit Ballkanik. Projektin për formimin e saj e përgatiti qysh në fillim të vitit 1878, Pashko Vasa, që në atë kohë ishte këshilltar i valiut të Kosovës.
 
Udhëheqësit e Komitetit të Stambollit shpresonin se me programin e tyre të ri, i cili e përjashtonte përkohësisht konfliktin e armatosur shqiptaro-turk, Porta e Lartë nuk do ta pengonte formimin e Lidhjes Shqiptare. Kjo liri veprimi kishte rëndësi të veçantë për ta, pasi u jepte atyre mundësi që ta shpejtonin formimin e lidhjes kombëtare dhe organizimin e forcave të saj të armatosura. Për këtë qëllim Komiteti i Stambollit ngarkoi një komision të posaçëm, të kryesuar nga Pashko Vasa, për të nxjerrë lejen përkatëse nga Porta e Lartë. Për një kohë të gjatë Stambolli nuk dha asnjë përgjigje.
 
Gjatë muajit shkurt 1878 tensionin politik të shqiptarëve e rriti edhe më shumë ekspedita që organizoi qeveria greke kundër trojeve kombëtare të Shqipërisë. Që ta vinte Rusinë para faktit të kryer dhe të merrte parasysh aspiratat e saj territoriale, qeveria e Athinës e detyroi Komitetin e Korfuzit që, para se të nënshkruhej Traktati i Paqes me Turqinë, të provokonte në Shqipërinë e Jugut një kryengritje të armatosur kundërosmane dhe të nxiste kryengritësit vendas që të kërkonin bashkimin e krahinave të tyre me Mbretërinë e Greqisë. Sipas planit të saj të përgatitur me kujdes, më 12 shkurt 1878 një bandë e madhe greke me rreth 600 “vullnetarë” të ashtuquajtur epirotë, të rekrutuar në Greqi, midis të cilëve kishte edhe disa mercenarë të huaj, të pajisur me armë e topa të ushtrisë helenike dhe të komanduar nga oficerë grekë, zbarkuan nga ishulli i Korfuzit në fshatin Lëkurës, në afërsitë e Sarandës. Pasi ngritën këtu flamurin e Greqisë, shpallën fillimin e kryengritjes “greke” në viset e Epirit. Të nesërmen, më 13 shkurt, internacionalistët grekë pushtuan Sarandën; pastaj një pjesë e tyre u drejtua për në fshatin Çukë, pjesa tjetër për në fshatin Gjashtë, duke shpresuar se aksioni i tyre do të ishte sinjali për shpërthimin e kryengritjes së përgjithshme nga ana e popullsisë vendase.
 
Ndërkaq popullsia shqiptare vendase jo vetëm nuk u bashkua me bandën greke, por, përkundrazi, u ngrit në këmbë kundër saj. Nën thirrjen e krerëve lokalë, me mijëra vullnetarë shqiptarë rrëmbyen armët për mbrojtjen e vendit. Përparimi i forcave greke u ndal në kodrat e Gjashtës. Më 17 shkurt vullnetarët shqiptarë, së bashku me forcat turke që erdhën nga Janina, u shkaktuan atyre dy disfata të rënda, njërën në Karalibej, tjetrën në Gjashtë, dhe i detyruan të tërhiqeshin me humbje të mëdha në Lëkurës. Pas një luftimi tjetër, që u zhvillua më 23 shkurt 1878 në Lëkurës, banda u shpartallua plotësisht. Komandanti i tyre mundi të shpëtonte së bashku me 110 veta, duke u tërhequr gjatë bregdetit, derisa u hodh në Korfuz. Të tjerët u vranë ose u zunë robër gjatë luftimeve.
 
== Themelimi i Lidhes së Prizrenit ==
Shqipëria dhe Traktati i Shën-Stefanit (3 mars 1878)
 
Një muaj pas armëpushimit të Edrenesë u nënshkrua në Shën-Stefan, më 3 mars 1878, Traktati i Paqes ndërmjet [[Perandoria Ruse|Perandorisë Ruse]] dhe [[Perandoria Osmane|Perandorisë Osmane]].
 
Traktati i Shën-Stefanit i shkëpuste Perandorisë Osmane rreth 80% të zotërimeve të saj në [[Ballkan|Gadishullin Ballkanik]]. Me shpresë se do të shmangte kundërshtimin e fuqive të tjera të mëdha, Rusia nuk mori për vete asgjë nga këto territore. Ajo u kufizua vetëm duke i shkëputur Rumanisë, të cilën e kishte aleate në luftën që fitoi, krahinën e Besarabisë në veri të lumit Pruth dhe duke aneksuar disa krahina që zotëronte Perandoria Osmane, në jug të Kaukazit (Kars, [[Ardahan]], Bajazid e Batum). Synimet e saj hegjemoniste në Evropën Juglindore Rusia cariste do t’i siguronte kryesisht nëpërmjet Bullgarisë së madhe autonome që u krijua me Traktatin e Shën-Stefanit. Bullgaria do të ishte një principatë autonome me qeverinë e saj, tributare ndaj sulltanit. Formimi i saj ishte në vetvete një hap pozitiv, pasi e çlironte popullin bullgar nga zgjedha shekullore osmane. Por, Rusia krijoi një Bullgari të madhe, të cilën ajo do ta kishte si një satelite të saj me qëllim që të vendoste nëpërmjet saj zotërimin e vet në Gadishullin Ballkanik. Në kufijtë e saj do të përfshihej shumica dërrmuese e tokave që i shkëputeshin Perandorisë Osmane. Kjo do të shtrihej në lindje deri në Detin e Zi, në jug deri në detin Egje, në veri deri në Danub dhe në perëndim deri në malet e [[Voskopojë]]s. Sado që Bullgaria e madhe do të mbetej nën sovranitetin e sulltanit turk, Porta e Lartë nuk do të kishte të drejtë të vendoste brenda kufijve të saj asnjë garnizon ushtarak osman. Pjesa tjetër e territoreve perandorake do t’i jepej Rumanisë, Serbisë dhe Malit të Zi, që ktheheshin nga principata autonome në shtete të pavarura. Greqia nuk përfitonte asgjë. Ajo do të mbetej ashtu siç ishte, një shtet i pavarur brenda kufijve të saj të paraluftës.
 
Traktati i Shën-Stefanit nuk e zinte fare në gojë Shqipërinë, e cila për Rusinë nuk ekzistonte si subjekt të drejtash politike. Sipas Traktatit të Shën-Stefanit, gati gjysma e trojeve shqiptare u jepej shteteve sllave ballkanike. Bullgaria do të merrte, përveç të tjerave, krahinat shqiptare të Korçës, të Bilishtit, të Pogradecit, të Strugës, të Dibrës, të Kërçovës, të Gostivarit, të Tetovës, të Shkupit, të Kaçanikut etj. Serbia, e cila do të shtrihej kryesisht drejt jugperëndimit, do të aneksonte edhe viset veriore e verilindore të [[Kosova|Kosovë]]s, deri në afërsi të [[Mitrovica|Mitrovicë]]s. [[Mali i Zi]], sipërfaqja e të cilit do të rritej më tepër se tri herë, do të përfshinte brenda kufijve të tij gjithashtu një varg krahinash shqiptare, si atë të [[Ulqini]]t, të [[Kraja|Krajë]]s, të [[Anamali]]t, të [[Hoti]]t, të [[Gruda|Grudë]]s, të [[Tuzi]]t, të [[Kelmendi]]t, të [[Plava|Plavë]]s, të [[Gucia|Gucisë]] dhe të [[Rugova|Rugovës]]. Pjesa tjetër e Shqipërisë do të mbetej nën sundimin e Perandorisë Osmane. Si rrjedhim, me Traktatin e Shën-Stefanit trojet shqiptare do të copëtoheshin ndërmjet katër shteteve të huaja. Perandoria Ruse e gjymtonte kështu rëndë tërësinë tokësore të Shqipërisë dhe e vështirësonte në kulm luftën e popullit shqiptar për krijimin e shtetit kombëtar.
 
Zemërimin e thellë që shkaktoi në Shqipëri Traktati i Shën-Stefanit e rriti më tej terrori i ushtrive serbo-malazeze mbi shqiptarët e viseve të pushtuara prej tyre dhe shpërngulja me dhunë nga këto krahina e dhjetëra mijë familjeve shqiptare, të cilat vërshuan si muhaxhirë në krahinat e papushtuara nga ushtritë ballkanike. Vetëm në vilajetin e Kosovës endeshin rreth 100 mijë burra, gra e fëmijë, të shpërngulur nga zona e pushtimit serb. Gati 38 mijë veta të dëbuar nga ushtritë ruse e bullgare qenë shpërndarë, sipas konsullit anglez Blunt, në viset e vilajetit të Manastirit. Sipas të dhënave të konsullit austro-hungarez Lipih (Lipich), mbi 26 mijë shqiptarë, të dëbuar nga zona e pushtimit malazez, ishin vendosur në vilajetin e Shkodrës. Por numri i shqiptarëve të shpërngulur ishte më i madh, po të kemi parasysh se jo pak prej tyre mërguan në vilajetet e [[Selaniku]]t, të [[Stambolli]]t, të [[Izmiri]]t, të [[Adana]]së e të [[Siri]]së.
 
Zemërimi kundër Traktatit të Shën-Stefanit përfshiu të gjitha shtresat e popullsisë shqiptare, që nga fshatarët e zejtarët e deri te qarqet çifligare e tregtare. Ky zemërim i shqiptarëve nuk drejtohej vetëm kundër Perandorisë Ruse dhe aleatëve të saj ballkanikë, por edhe kundër Perandorisë Osmane, e cila kishte nënshkruar një akt të tillë, që e dënonte me vdekje atdheun e tyre. Fakti se asnjë nga fuqitë e tjera të mëdha nuk e ngriti zërin për të drejtat kombëtare të Shqipërisë, i bindi përfundimisht shqiptarët se ata tashmë ishin krejtësisht vetëm.
 
Gjendja e re që u krijua nga vendimet e Shën-Stefanit dhe nga ngjarjet që rrodhën më pas, në mars-prill 1878, kur u duk qartë se Fuqitë e Mëdha perëndimore ishin të vendosura të mbronin me çdo kusht sundimin e Perandorisë Osmane në Ballkan dhe si rrjedhim nuk ishin të prirura të merrnin parasysh të drejtat kombëtare të shqiptarëve, Komiteti Qendror i Stambollit arriti në përfundimin se si kryengritja e armatosur kundërosmane, ashtu edhe kërkesa për pavarësinë e Shqipërisë nuk mund të qëndronin më si pika kryesore të programit të tij politik. Tani që copëtimi i trojeve shqiptare filloi të vihej në jetë dhe doli në plan të parë detyra e mbrojtjes së tërësisë tokësore të Shqipërisë, kryengritja e armatosur kundër Perandorisë Osmane jo vetëm që nuk e zgjidhte çështjen shqiptare, por e ndërlikonte edhe më keq atë e fatin e atdheut. Në rrethana të tilla ndërkombëtare, Komiteti Shqiptar i Stambollit adaptoi, për aq kohë sa do të vijonte kjo gjendje e ndërlikuar, një platformë të re politike, e cila kërkonte mobilizimin e mbarë vendit për plotësimin e dy detyrave kryesore: për të kundërshtuar me luftë të armatosur, në emër të kombësisë shqiptare, çdo vendim që do të merrnin Fuqitë e Mëdha, qoftë edhe me pëlqimin e Perandorisë Osmane, në dëm të tërësisë territoriale të Shqipërisë dhe, në të njëjtën kohë, për të arritur bashkimin e të gjitha trojeve të atdheut në një vilajet të vetëm shqiptar, të pajisur me disa të drejta autonomiste, që mund të realizoheshin pa hyrë në konflikt me Portën e Lartë.
 
Përmbushja e këtyre objektivave bënte të nevojshëm formimin e një fronti të vetëm politik mbarëshqiptar dhe pranimin nga ana e këtij fronti të platformës politike të përpunuar nga Komiteti Kombëtar i Stambollit.
 
Për krijimin e frontit të bashkuar politik, që do të kishte formën e një lidhjeje kombëtare shqiptare, kishte tashmë në Shqipëri një truall deri diku të përgatitur edhe nga pikëpamja organizative. Qysh në dhjetor të vitit 1877, në krahinat periferike të Shqipërisë, kur ato filluan të kërcënoheshin nga pushtimi serb e malazez, ishin organizuar besëlidhje shqiptare krahinore ose, siç quheshin në disa vise, komisione lokale të vetëmbrojtjes, të cilat u përpoqën të mobilizonin shqiptarët për të hyrë në veprim sapo të lëshohej kushtrimi. Traktati i Shën-Stefanit i dha një nxitje të fuqishme krijimit të besëlidhjeve të reja. Por me evolucionin ekonomik, shoqëror, politik e kulturor që kishte pësuar Shqipëria, gjatë dekadave të fundit, ndryshe nga periudhat e mëparshme, ndërgjegjja e bashkësisë krahinore ishte tejkaluar tanimë te shqiptarët. Çdo krahinë kishte filluar ta ndiente veten si gjymtyrë e një trupi të vetëm, si pjesë e një atdheu të përbashkët. Ky evolucion në ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve ishte një faktor i favorshëm për veprimtarinë e Komitetit Kombëtar të Stambollit, të cilit tani i takonte detyra t’i bashkonte besëlidhjet krahinore në një trup të vetëm organizativ dhe me një platformë të vetme politike.
 
Derisa të shkriheshin në një organizatë kombëtare, përballë besëlidhjeve krahinore qëndronin tri detyra themelore: të mobilizonin shtresat e gjera popullore në lëvizjen e madhe të protestës kundër vendimeve të padrejta të Traktatit të Shën-Stefanit; të përgatiteshin ushtarakisht për të kundërshtuar me armë copëtimin e trojeve shqiptare, në rast se vendimet e Traktatit do të mbeteshin në fuqi; të kujdeseshin për të ndihmuar dhe për të sistemuar rreth 150 mijë muhaxhirët shqiptarë, të grumbulluar në vilajetet e Kosovës, të Shkodrës e të Manastirit, të cilët kishin mbetur pa bukë e pa strehë.
 
Ndërkaq, në prill të vitit 1878, opinioni publik shqiptar u informua nga shtypi ndërkombëtar për kundërshtimin që kishte gjetur Traktati i Shën-Stefanit në fuqitë e tjera të mëdha. Në të vërtetë, kundërshtimin më të rreptë ai e pati nga Anglia dhe nga Austro-Hungaria, të cilat u shqetësuan së tepërmi nga rritja e shpejtë e ndikimit të Rusisë në Gadishullin Ballkanik nëpërmjet Bullgarisë së Madhe. Për këtë arsye, me këmbënguljen e tyre, u vendos që kushtet e përcaktuara në Traktatin e Shën-Stefanit të rishikoheshin nga një kongres i posaçëm i Fuqive të Mëdha, i cili, sipas vendimit që u mor më vonë, do të mblidhej në Berlin më 13 qershor 1878.
 
Shqiptarët ishin të bindur se Fuqitë e Mëdha, ndonëse e kundërshtuan Traktatin e Shën-Stefanit, përsëri nuk ishin të prirura që t’i merrnin parasysh interesat kombëtarë të Shqipërisë. Megjithatë, pezullimi i tij deri në thirrjen e kongresit të Berlinit u jepte në dorë patriotëve shqiptarë një kohë të çmueshme për ta organizuar më mirë qëndresën politike e ushtarake. Por, nga ana tjetër, leja që kishte kërkuar Komiteti i Stambollit për të formuar një lidhje shqiptare, ndeshi më në fund në kundërshtimin e Portës së Lartë. Në parim qeveria osmane nuk e shihte me sy të keq lëvizjen e protestës së popullsive të saj kundër Traktatit të Shën-Stefanit, por ajo nuk e pranonte në asnjë mënyrë që kjo lëvizje të zhvillohej e të organizohej ashtu siç e kuptonte Komiteti i Stambollit, si një lëvizje kombëtare shqiptare. Porta e Lartë kërkonte që shqiptarët të protestonin kundër Traktatit të Shën-Stefanit si nënshtetas myslimanë, që nuk donin të shkëputeshin nga Perandoria Osmane dhe nga sulltani i saj halif. Patriotët shqiptarë, të cilët nuk mund të pajtoheshin me këto kushte, vendosën që ta formonin lidhjen shqiptare duke u mbështetur në lëvizjen popullore dhe në besëlidhjet lokale.
 
== Rrymat politike dhe protestat shqiptare ==
Gjatë pranverës së vitit 1878, krahas hovit që mori lëvizja e protestës kundër Traktatit të Shën-Stefanit, ngadhënjeu edhe ideja për të kundërshtuar me armë vendimet që mund të merreshin në [[Kongresi i Berlinit|Kongresin e Berlinit[[ në dëm të tërësisë tokësore të shqiptarve. Në këto rrethana, kërkesa për të formuar një lidhje të përgjithshme u bë mjaft popullore. Megjithatë forcat e ndryshme atdhetare të lëvizjes kombëtare nuk e konceptonin njësoj karakterin dhe programin që duhej të kishte kjo lidhje e përgjithshme. Qarqet atdhetare shqiptare, të përfaqësuara, në përgjithësi, nga Komiteti Kombëtar i Stambollit, që formuan grupimin ose, siç u quajt nga vëzhguesit e huaj të kohës, rrymën radikale, synonin të themelonin një lidhje shqiptare, e cila duhej të mobilizonte popullsinë e vendit në emër të të drejtave kombëtare të Shqipërisë dhe ta drejtonte atë në luftë për ruajtjen e tërësisë tokësore të atdheut, duke kërkuar në të njëjtën kohë krijimin e një vilajeti autonom shqiptar ose, po ta lejonin rrethanat ndërkombëtare, të një shteti shqiptar autonom. Sipas udhëheqësve të kësaj rryme, lidhja shqiptare duhej përgatitur për të luftuar, në përshtatje me rrethanat që do të krijoheshin, jo vetëm kundër shteteve shoviniste fqinje, por edhe kundër Perandorisë Osmane. Një grupim ose rrymë e dytë në lëvizjen kombëtare ishte ai i të moderuarve, siç u cilësua po nga bashkëkohësit, që përfaqësohej nga personalitete të njohura atdhetare, si [[Ali bej Gucia]], [[Iljaz pashë Dibra]], [[Abedin pashë Dinoja]], [[Mahmud pashë Biçaku]], [[Omer pashë Vrioni]] etj. Ashtu si radikalët, edhe të moderuarit kërkonin që lidhja e përgjithshme të kishte karakter kombëtar. Ata e pranonin në parim edhe idenë e një vilajeti të bashkuar autonom shqiptar, të pajisur me një autonomi administrative e kulturore. Por, ndryshe nga elementët radikalë të Komitetit të Stambollit, këta nuk e shikonin vilajetin e bashkuar shqiptar si një hallkë, si një shkallë për të shkuar më tej drejt një shteti të bashkuar e të pavarur shqiptar. Përveç kësaj, të moderuarit nuk ishin gjithashtu të prirur për t’iu kundërvënë Portës së Lartë. Ata shpresonin se vilajeti shqiptar mund të krijohej me pëlqimin e vetë sulltanit, të cilin, besonin se do ta bindnin, pasi, sipas tyre, krijimi i këtij vilajeti ishte në interesin e vetë Perandorisë Osmane.
 
Përgjithësisht qarqet e moderuara, duke pasur parasysh rrezikun e jashtëm, prireshin ta kufizonin lëvizjen vetëm me mbrojtjen e territoreve të kërcënuara, vetëm me luftën kundër copëtimit të vendit. Si rrjedhim, ata e përfytyronin besëlidhjen shqiptare jo si një front politik kombëtar të veshur me atribute shtetërore, por si një federim ose aleancë krahinash të krijuar vetëm për të luftuar bashkërisht kundër shovinistëve fqinjë.
 
Megjithatë, ndërmjet platformës së qarqeve radikale dhe platformës së të moderuarve kishte mjaft pika takimi, siç qe ajo e karakterit kombëtar shqiptar të lidhjes së përgjithshme dhe pranimi në parim i formimit të një vilajeti autonom shqiptar. Në situatën dramatike, që u krijua në pranverën e vitit 1878, këto pika të përbashkëta merrnin rëndësi të dorës së parë përballë pikëpamjeve të ndryshme që kishin ato për kohën e mënyrën se kur dhe si duhej të sendërtohej ky vilajet, të cilat mund të zgjidheshin pas formimit të lidhjes shqiptare. Në këto rrethana, u arrit bashkëpunimi i të dy rreshtimeve politike për formimin e një lidhjeje shqiptare me karakter kombëtar, që do të udhëhiqte luftën e popullit shqiptar kundër copëtimit territorial të atdheut dhe do të parashtronte nevojën e bashkimit administrativ të mbarë viseve shqiptare në një vilajet autonom shqiptar.
 
Jashtë këtyre dy grupimeve atdhetare, që përfaqësonin Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, në jetën politike të Shqipërisë vepronte edhe një rreshtim i tretë sulltanist, i udhëhequr nga nëpunësit turkomanë të administratës së vilajeteve, nga elementë feudalë e klerikë turkomanë, të cilët e identifikonin veten me qarqet sunduese perandorake, anonin plotësisht nga vija politike e Portës së Lartë dhe i shërbenin asaj. Të interesuar për të kundërshtuar vendimet e Traktatit të Shën-Stefanit, edhe pasuesit e këtij grupimi u bashkuan me lëvizjen për organizimin e qëndresës së armatosur nëpërmjet “lidhjes” së përgjithshme, e cila duhej të vepronte sipas orientimeve të sulltanit. Ata nuk ishin për një lidhje shqiptare, por për një lidhje islamike, ku të merrnin pjesë të gjitha popullsitë myslimane të Gadishullit Ballkanik, pavarësisht nga kombësia e tyre, nga e cila, logjikisht, do të përjashtoheshin shqiptarët e krishterë, si ortodoksë, edhe katolikë. Veç kësaj, sulltanistët, siç u quajtën në atë kohë, nuk e pranonin as në parim idenë e një vilajeti shqiptar, sepse ky vilajet, sipas tyre, do t’i ndante shqiptarët myslimanë nga “vëllezërit” myslimanë të Gadishullit Ballkanik dhe të Perandorisë Osmane.
 
Këto qëndrime u kundërshtuan nga atdhetarët shqiptarë, radikalë e të moderuar, që nuk mund të pajtoheshin me platformën e qarqeve sulltaniste dhe në mënyrë të veçantë me idenë konservatore të një lidhjeje islamike, e cila po të krijohej do ta shuante emrin e Shqipërisë. Në të vërtetë, qarqet sulltaniste nuk kishin ndonjë mbështetje në shtresat e gjera të popullsisë shqiptare. Veprimtarinë e tyre e udhëhiqnin valinjtë e katër vilajeteve shqiptare, që zbatonin me besnikëri udhëzimet e Portës së Lartë. Megjithatë, ato luanin ende një rol të rëndësishëm në jetën politike të vendit, pasi kishin në dorë aparatin shtetëror - administratën, ushtrinë, xhandarmërinë, financat dhe mjetet e telekomunikacionit që lidhnin krahinat me njëra-tjetrën. E vetmja pikë që dukej sikur i afronte sulltanistët me qarqet atdhetare, ishte gatishmëria e tyre për të luftuar me rrugë jashtëqeveritare, kundër shkëputjes së zotërimeve perandorake në Ballkan, pra edhe kundër shkëputjes së trojeve shqiptare, ndonëse këtë luftë ata kërkonin ta zhvillonin nën flamurin islamik.
 
Për të mos shkaktuar në atë çast kritik përçarjen e forcave politike të vendit, Komiteti i Stambollit dhe rrethet e tjera atdhetare të vendit iu shmangën përkohësisht luftës së hapur kundër qarqeve sulltaniste. Madje, duke u kapur pas gatishmërisë që tregonin këto qarqe për të luftuar kundër Traktatit të Shën-Stefanit, udhëheqësit atdhetarë mendonin se, me një punë të mëtejshme sqaruese, do ta tërhiqnin masën e tyre në platformën e lidhjes shqiptare.
 
Platformën e vet politike Komiteti i Stambollit e ngriti gjatë pranverës edhe në arenën ndërkombëtare. Qysh në muajin mars, kur përmbajtja e Traktatit të Shën-Stefanit ende nuk ishte shpallur, Pashko Vasa i paraqiti ambasadorit britanik në Stamboll një promemorje në emër të popullit shqiptar, në të cilën lufta kundër copëtimit territorial të Shqipërisë lidhej organikisht me kërkesën për autonominë e saj administrative. Shqiptarët, shkruante ai, nuk mund të kënaqen me administratën e kalbur osmane. Ata janë të bindur se Porta e Lartë, as nuk dëshiron dhe as nuk është në gjendje t’u japë atyre një administratë më të mirë se atë që u ka dhënë deri sot. Shqiptarët, theksonte patrioti rilindës, janë të vendosur t’i këputin të gjitha lidhjet që i bashkojnë me Turqinë dhe nuk duhet të përjashtohen nga ajo e drejtë që kanë popujt sllavë të Ballkanit për të formuar shtete të pavarura ose autonome. Megjithatë, përfundonte Pashko Vasa, shqiptarët kërkojnë një administratë autonome që t’u përgjigjet më shumë nevojave dhe traditave të tyre.
 
Një vend të veçantë në veprimtarinë politike që zhvilloi Komiteti i Stambollit gjatë pranverës së vitit 1878 zënë shkrimet e Abdyl Frashërit, të cilat ai i botoi në shtypin e huaj, brenda dhe jashtë Perandorisë Osmane. Në një artikull të botuar në muajin prill në gazetën turke “Basiret” (Stamboll), ai i tërhiqte tërthorazi vëmendjen Portës së Lartë që të mos pranonte asnjë lëshim në kurriz të trojeve të Shqipërisë dhe t’u njihte shqiptarëve të drejtat e tyre kombëtare. Askush, pra, as Perandoria Osmane, shkruante kryetari i Komitetit të Stambollit, nuk ka të drejtë t’u japë të tjerëve tokat që u takojnë shqiptarëve. Duke evokuar luftën që zhvilluan shqiptarët në shek. XV kundër Perandorisë Osmane, Abdyl Frashëri u linte të nënkuptonin qeveritarëve të Stambollit se Shqipëria ishte gati të përsëriste epopenë e Skënderbeut, në rast se nuk do t’i njiheshin të drejtat e saj kombëtare.
 
Në një seri artikujsh të botuar gjatë prillit e majit në organin austriak “Messager de Vienne” (“Mesazher dë Vjenë”), Abdyl Frashëri argumentonte para opinionit publik evropian të drejtat politike që i takonin popullit shqiptar, si një nga kombet më të lashta të Evropës, me gjuhë, me territor, me kulturë, me ndërgjegje dhe me histori të përbashkët mijëravjeçare. Kombi shqiptar, nënvizon ai, nuk aspiron asgjë tjetër, veçse të jetojë i lirë, të dalë nga prapambetja dhe të zërë vendin që meriton në radhët e kombeve të qytetëruara të Evropës. Në rast se Fuqitë e Mëdha, theksonte Abdyli, do ta dënojnë këtë popull trim e liridashës të mbetet në robëri dhe ca më keq të copëtohet ndërmjet shteteve fqinje, Gadishulli Ballkanik nuk do të ketë kurrë qetësi, sepse shqiptarët nuk do të pushojnë asnjëherë së luftuari për të fituar pavarësinë e tyre kombëtare. Përkundrazi, në rast se shqiptarëve do t’u njihen të drejtat e tyre kombëtare, Shqipëria do të bëhet faktor i paqes dhe do të kthehet në një digë kundër ekspansionit carist, i cili rrezikon jo vetëm Gadishullin Ballkanik, por edhe Kontinentin Evropian.
 
Në të njëjtën kohë anëtarët e Komitetit të Stambollit e shtuan veprimtarinë e tyre politike edhe brenda në Shqipëri. Por këtu ata ndeshën në pengesat e qarqeve sulltaniste, të cilat, duke shfrytëzuar terrorin që po ushtronin organet ushtarake serbe-malazeze kundër shqiptarëve në veri dhe provokacionet që po kurdisnin agjentët shovinistë grekë në viset shqiptare jugore, përpiqeshin ta vështirësonin organizimin e popullit shqiptar në shkallë kombëtare dhe t’i nxisnin shqiptarët që të hidheshin në një luftë të parakohshme e të paorganizuar kundër shteteve fqinje.
 
Anëtarët e Komitetit të Stambollit dhe atdhetarët e tjerë i bënë ballë me sukses, në shumicën e krahinave të vendit, këtij presioni të qarqeve qeveritare e sulltaniste. Ata arritën të shmangnin konfliktet e parakohshme që ishin gati të shpërthenin, sidomos në veri, në sektorin shqiptaro-malazez. Me këtë rast Komiteti i Stambollit e shpalli edhe një herë publikisht platformën e vet. Me një proklamatë drejtuar më 30 maj 1878 popullit shqiptar dhe, për njoftim, opinionit ndërkombëtar, ai shprehte keqardhjen që në një çast aq kritik për Shqipërinë, vendi po u nënshtrohej sulmeve fatkeqe dhe persekutimeve të shëmtuara nga qeveria malazeze, serbe e greke, veçanërisht nga fqinjët malazez. Megjithatë, Komiteti i Stambollit, thuhej në proklamatë, e “konsideron të ngutshme nevojën për të ndalur një luftë midis dy popujve (shqiptarëve dhe malazezëve - shën. i aut.), të cilët kanë pasur mjaft raste ta matin fuqinë dhe trimërinë e tyre, dhe për të larguar kështu rreziqe të reja për paqen në Lindje”. Proklamata përfundonte: “Ne dëshirojmë nxehtësisht të jetojmë në paqe me të gjithë fqinjët tanë, Malin e Zi dhe Greqinë, Serbinë dhe Bullgarinë. Ne nuk kërkojmë, nuk dëshirojmë asgjë prej tyre, por jemi krejtësisht të vendosur të mbajmë me këmbëngulje çdo gjë që është jona. T’u lihet pra shqiptarëve toka shqiptare!”
 
Shqetësimi që pushtoi shqiptarët për fatin e atdheut, u shpreh me një lumë protestash, që shpërthyen gjatë muajve prill e maj 1878 nga të katër anët e vendit kundër Traktatit të Shën-Stefanit. Pothuajse në çdo qendër kazaje u zhvilluan mbledhje popullore, në të cilat u morën vendime për të kundërshtuar me çdo kusht copëtimin e trojeve shqiptare. Në shumicën e rasteve, në përfundim të këtyre mbledhjeve u hartuan protesta me shkrim drejtuar Fuqive të Mëdha, në të cilat shprehej vendosmëria e shqiptarëve për të mbrojtur deri në njeriun e fundit çdo pëllëmbë të tokës amtare. Funksionarët e admnistratës dhe përkrahësit e tyre sulltanistë ushtruan në këto mbledhje presion të fuqishëm për t’i detyruar pjesëmarrësit që t’i nënshkruanin protestat e tyre jo si banorë shqiptarë, por si nënshtetas islamikë të lidhur me Perandorinë Osmane. Por këto presione nuk dhanë rezultat. Në asnjë nga krahinat shqiptare, pjesëmarrësit e mbledhjeve nuk pranuan ta cilësonin veten e tyre si banorë islamikë. Në të gjitha aktet drejtuar Fuqive të Mëdha banorët myslimanë dhe të krishterë, protestonin si shqiptarë, si pjesëtarë të një kombi të vetëm. Madje, në shumë raste, pjesëmarrësit e mbledhjeve popullore hartuan peticione drejtuar Portës së Lartë, me anën e të cilave kërkonin reforma autonomiste për Shqipërinë.