Hape menynë kryesore

Changes

 
Perandori i fundit që u mor seriozisht me këtë çështje ishte Bazili II, vendosja e të cilit në fron e kishte përfshirë perandorinë në një luftë të kushtueshme dhe të hidhur kundër familjeve aristokratike Skleri dhe Foka. Në 996 Bazili nxorri me dekret një legjislacion ndëshkues kunër familjeve pronare, duke urdhëruar rikthimin e tokave të blera fshatarëve që nga 922 dhe duke kërkuar prova për pronësinë e tokave të tjera deri në 1000 vite në disa raste. Më tej, sistemi i përgjegjësisë kolektive për pagimin e taksave të jashtëzakonshme i njohur si “allelengyon” tanimë nuk binte mbi pjesën tjetër të komunitetit të fshatit, por mbi pronarin e madh më të afërt, qoftë normal apo klerik. Pushtimi i Bullgarisë nga Bazili e ndryshoi në një farë mënyre trendin shoqëror dhe ekonomik të perandorisë, sepse u krijuan tema të reja atje ku nuk kishte traditë të gjatë të një aristokracie pronare si në Anadoll. Pas vdekjes së tij në 1025, të fuqishmit goditën mbrapsht dhe qeveria në Konstandinopojë nuk ishte më e aftë për të kontrolluar thithjen e pronarëve të vegjël të lirë nga pronarët e mëdhenj dhe si pasojë, feudalizimin e perandorisë.
 
Ky proces qe sidomos shkatërrues për klasën ushtarake. Suksesi dhe prestigji i Perandorisë Bizantine në periudhën maqedonase i detyrohej shumë efektivitetit të parivalizueshëm të ushtrisë së saj në Anadoll. Duke qenë një forcë profesionale, që megjithatë ishte kryesisht vendase dhe drejt për së drejti e shqetësuar për mbrojtjen e tokës së saj, ajo nuk kishte të barabartë si në botën perëndimore, si në atë arabe gjatë asaj kohe. Megjithatë, qe në këtë institucion që farat e gërryerjes dhe çintegrimit morën rrënjë, sepse shumica e komandantëve të ushtrisë vinin nga pronarët e mëdhenj të Anadollit, të cilët kishin marrë pasuritë e tyre duke dobësuar strukturën ekonomike dhe shoqërore në të cilën varej rekrutimi. Bazili II i kishte kufizuar me një dorë kaq të hekurt, saqë reagimi ishte i pashmangshëm pas vdekjes së tij. Në fakt, është e dyshimtë nëse shoqëria bizantine mund të toleronte një tjetër Bazil II, megjithë triumfet e tij. I thartuar nga shumë vite lufte civile në fillim të sundimit të tij, asketik dhe i pakulturuar nga natyra, Bazili përfaqësonte tiparet më pak tërheqëse të aristokracisë bizantine. Disa e kanë cilësuar perandorinë më të madh. Por virtyti i bamirësisë, që bizantinët e vlerësonin dhe e përgëzonin tek çdonjë prej sundimtarëve të tyre, nuk ishte pjesë e madhështisë së tij; cilësitë që e rafinonin karakterin bizantin, ndërmjet tyre dashuria për të mësuar dhe artet, nuk u përkrahën gjatë sundimit të tij. Megjithatë, ndërsa Bazili ishte i zënë duke fituar nofkën Bullgaroktoni (“Vrasësi i Bullgarëve”), Shën Simeoni eksploronte dashurinë e Zotit për njeriun në disa nga predikimet më poetike të letërsisë mistike.
 
== Referenca ==