Përdoruesja:Mirsije Halilaj/Gjeografia e kukësit: Dallime mes rishikimesh

Content deleted Content added
Faqe e re: <gallery> </gallery> {{Qytet në Shqipëri | EMRI = Kukësi | EMRIIPASHQUAJTUR = Kukës | Trajtat = | Kukësi *, Kukës ** |* e shquar, ** [...
(Pa ndryshime)

Versioni i datës 30 mars 2015 22:30

Stampa:Qytet në Shqipëri

Kukësi (shqip: Kukës) shtrihet në pjesën verilindore të Shqipërisë dhe përfshin në administrimin e tij 1 Bashki dhe 14 Komuna .[1] [2]


Rrethi Kukës

Rrethi Kukës përfshin në administrimin e tij 1 Bashki dhe 14 Komuna, të cilat janë:

  1. Bashkia Kukës
  2. Komuna Arren
  3. Komuna Bicaj
  4. Komuna Bushtricë
  5. Komuna Gryke-Çajë
  6. Komuna Kalis
  7. Komuna Kolsh
  8. Komuna Malzi
  9. Komuna Shishtavec
  10. Komuna Shtiqën
  11. Komuna Surroj
  12. Komuna Tërthore
  13. Komuna Topojan
  14. Komuna Ujmisht
  15. Komuna Zapod [3] [4]

Pozita gjeografike

 
Harta kukes

Kukësi shtrihet në pjesën verilindore të Krahinës Malore Qëndrore në pellgun me të njëjtin emër, vendosur në gjërësinë gjeografike veriore ndërmjet 41°17'29 dhe 42°05'09 dhe në gjatësinë gjeografike lindorë nga 19°23'30 dhe në 20°23'23.

Kukësi ka formën e një shumkëndëshi me gjatësi, veri-jug 26 km dhe gjerësi 35 km, sipërfaqja 956 km², ndërsa vija kufitare është 156 km.

Nga veriu kufizohet me rrethin e Hasit me vijën kufitare 34 km, nga lindja me vijën kufitare shtetërore 41 km, nga jugu me rrethin e Peshkopisë 40 km dhe nga perëndimi me rrethin e Rrëshenit 21 km dhe rrethin e Pukës 20 km. [5] [6]

Ndërtimi gjeologjik

Gjeologjikisht rrethi i Kukësit përfshihet në kontaktin e përplasjes së tre zonave tektonike, të Mirditës , Alpeve dhe zonës së Gashit, që në reliev përfaqësohen me vargje malore në trajtë horsti: vargu qëndror dhë lindor. Këto vargje ndahen nga njësia grabënore Kashnjet-Burrel dhe Kukës-Dibër.

Ndërtohet nga shkëmbinj sendimentarë, magmatikë dhe metamorfikë të vendosur e të mbivendosur nga tektonika, veçanërisht ajo vertikale e diferencës e Tërciarit të vonshëm. Përhapja e tyre është kryesisht ndërmjet Gjinajt dhe Gjegjanit, ndërsa depozitimet më të reja në moshë mbulojnë fundin e pellgut dhe luginat kryesore lumore (Drini i Bardhë dhe Drini i Zi).

Gëlqerorët kanë shtrirje të konsiderueshme, prandaj i japin tonin kryesor morfologjisë së relievit që ndërtojnë vargun malor lindor (Koritnik-Gjallicë-Lumë). Në këtë të fundit janë të zhvilluara shpellat, puset dhe format e tjera karstike mbi e nëntokësore me interes të veçantë dhe në fushën e turizmit. Sizmika e zonës është relativisht aktive.

Fuqia sizmike e hasur ka arritur në madhësinë 508 ballë dhe intensitet 9 ballë. Rol të madh në amortizimin e valëve sizmike luan bazamenti shkëmbor gëlqeror që kap sipërfaqen më të madhe të rrethit. [7] [8]

Relievi

Mali i Gjallicës

 
Mali i Gjallices

Gjalica është mali më i lartë i rrethit Kukës, 2489m mbi nivelin e detit. Bën pjesë në vargun malor të Korabit (vargmal në skajin lindor të Shqipërisë, midis rrethit të Kukësit e atij të Dibrës) dhe shtrihet në skajin veri-lindor të këtij vargu, midis pellgut të Kukësit në veri-perëndim dhe pllajës së Shishtavecit në jug-lindje. Në veri-lindje Gryka e Vanave e ndan nga mali i Koritnikut,kurse kanioni i Bicajt në jug-perëndim e ndan nga mali i Kolesjanit.

Pjesa kulmore formon një kreshtë të mprehtë, që bie pingul mbi grykën e Vanave, kurse shpatet janë mjaft të pjerrëta duke formuar rrëpira të dukshme tektonike në gëlqerorët e pjesës së poshtme të tyre. Ka formë vezake(11 x 5 km) me drejtim veri-lindor dhe jug-perëndimor, me shpate shumë të pjërreta që bien thikë mbi lumin Lumë, pëllgun e Kukësit dhe pllajën e Shishtavecit.

Nga ana perëndimore, nga të gjitha pikat, me një vështrim mund të përceptohet e gjithë përmasa e Gjalicës që ngrihet si një piramidë gjigande mbi Rrafshën e Lumës, skematikisht në formën e një trekëndëshi të stërmadh gati dybrinjëshëm me një bazë prej afro 11km (Gryka e Vanave-Kanioni i Bicajve) dhe lartësi mbi 2100m.

Në rreth 90% të perimetrit të Gjalicës dallohet lartësia prej më se 2000 metër dhe sipërfaqet e shpateve nga rrëza deri në majë, dukuri që nuk hasen te asnjë mal i vargmalit të Korabit, Alpeve të Shqipërisë apo gjetkë. [9]

Shtrirja në lartësi nga niveli i detit

Rrethi i Kukësit, në përgjithësi, dallohet për disnivel të dukshëm të relievit ku thuajse e gjithë pjesa lindore dhe juglindore përshkohet nga zgjatimi i vargut lindor të Koritnik-Gjallicës deri te mali i Kallabakut dhe i Tërfojës në jug.

Sipërfaqet e ulëta janë të lokalizuara në gropën e Kukësit dhe tarracat lumore të Drinit të Zi dhe te Drinit të Bardhë në lartësi deri në 300-600 m mbi nivelin e detit. Relievi malor zë pjesën më të madhe të territorit nga 800-1000 deri në 2496 m (Gjallica) që arrin pikën më të lartë të rrethit të Kukësit.

Në skajin lindor dhe verilindor vërehen dhe maja të tjera të tilla si : mali i Koritnikut (2394 m ), mali i Kollovozit (1672 m) dhe Tërfojës (2105 m). Në brezin mbi 1000 m rritet shumë pjerrësia e shpatëve, prandaj ndërhyrjet në shfrytëzimin e pyjeve kërkojnë kujdes të veçantë, sepse krijohen kushte të përshtatshme për proceset dinamike të shpatit, të tilla si : erozioni i fuqishëm, shkarje dhe rrëshqitje masive të tokës.[10]

Pjerrësia e shpateve

Relievi i Kukësit mbizotërohet nga ai kodrinor dhe sidomos malor me shpate që kanë pjerrësi të ndryshme.

Në shpatet malore, kryesisht në formacionet gëlqerore të maleve të larta, shpatet kanë pjerrësi që ndryshon midis 30-45° që bien gati pingul qoftë mbi gropën e Kukësit në perëndim dhe në pllajën e Shishtavecit në lindje dhe verilindje. Në një sipërfaqe të vogël, në gropën e Kukësit, pranë qytetit pjerrësia është 4-6°.

Relievi kodrinoro-malor në rrethinat e pellgut të Kukësit dhe në periferinë malore të vargut lindor dhe pllajës së Shishtavecit, pjerrësia e shpateve vjen duke u rritur gradualisht nga 8-10° deri në pjerrësi maksimale 45°. Prandaj pjerrësia e shpateve është një element i rëndësishëm që duhet vlerësuar mirë në të gjitha ndërhyrjet në mjedis qoftë në infrastrukturë e urbanistikë dhe në planifikimin hapsinor të territorit. [11]

Ekspozimi i shpateve

Relievi i rrethit të Kukësit, përgjithësisht, është i ekspozuar në pernëdim dhe jugperëndim. Sektorë të veçantë të tij si luginat lumore janë të ekspozuara më shumë nga veriperëndimi.

Shpatet malore, pjesërisht ato të Koritnik-Gjallicës, Kolesianit, të pllajës së Shishtavecit janë të ekspozuara në lindje dhe verilindje. Shpatet e ekspozuara drejt perëndimit dhe jugperëndimit përbëjnë zonat e kultivimit të drithërave të bukës dhe pemëtarisë. [12]

Ndërhyrja e njeriut në reliev

Diferencimet e shumta hipsometrike me amplitudë të madhe në distancë tepër të shkurtër shprehen qartë në energjinë e relievit dhe coptimin horizontal. Analiza e përbashkët e këtyre treguesve kryesorë morfometrikë kallëzon për kujdesin e madh që duhet treguar në ndërhyrjet në reliev, sepse me të gjitha këto tregues janë të lidhur faktorë të tillë natyrorë si : proceset dinamike të shpatit.

Një dukuri e tillë natyrore është shfaqur, shumë vite më parë (1996), në fshatërat Domje, Shtiqën, etj., ku ndodhen rrëshqitje të mëdha të tipit me rrokullisje, çarje të mureve të shtëpive, shembje e dëmtime të shtëpive në këtë zonë, etj. Këto rreziqe duhet të llogariten mirë në organizimin e hapsirës dhe mundësinë e zhvillimit të qëndrueshëm të parqeve apo rezervateve pyjore, si dhe të mbrojtjes së zonave të ndjeshme ekologjike që kanë rëndësi të veçantë në drejtimin e biodiversitetit.

Pasuritë natyrore të rrethit të kukësit dallohen edhe për hapsira të gjera turistike. [13] [14]

Klima

Rrethi i Kukësit ndodhet kryesisht në zonën e klimës mesdhetare paramalore dhe malore, nën zona veriore dhe lindore, zonë mjaft e përshtatshme për zhvillimin ekonomiko-social, turistik, sidomos dhe në zhvillimin e sporteve dimërore, ngjitjeve alpinistike, rrëshqitjeve në borë. Klima është mesdhetare malore, gjë që pasqyrohet qartë në temperaturat, karakterin dhe shpërndarjen e reshjeve, sasinë dhe formën e rënies së tyre dhe zgjatjen e shtresës së barës, erërat dhe rrezatimin diellor si dhe elementët e tjerë klimatikë.

Ajo është një prej faktorëve ekologjikë që ka ndikim të drejtpërdrejtë në ekuilibrin, drejtimin dhe organizimin e punëve në bujqësi, blektori dhe bimësi duke influencuar në lidhjen midis bimësisë dhe kushteve edafike. [15] [16]

Diellzimi

Shpërndarja e rrezatimit te përgjithshëm në këtë rreth varet nga kushtet e motit dhe vranësira.

Në Kukës sasia e përgjithshme e rrezatimit diellor në vit është 1422.28 kwh/m² .

Maksimumi i rrezatimit të përgjithshëm është në muajin korrik me vlera 189.20 kwh/m². Zgjatja faktike e diellzimit për rrethin e Kukësit është nga 61 orë në janar deri në 312 orë në muajin korrik. Vlerat më të vogla të sasisë së orëve me diell, për të gjithë territorin e rrethit, vërehen në muajin dhjetor, që përkon me zgjatjen më të vogël astronomike të ditës. [17]

Temperatura e ajrit

Sipas vrojtimeve të fundit del se temperatura mesatare vjetore është 11.8°C dhe amplituda vjetore 21.5°C, që ka dhe temperaturë mesatare më të ulët, kjo për shkak të lartësisë dhe pozicionit.

Maksimumi absolut i temperaturës në Kukës është shënuar në gusht 1957 që ka arritur vlerën 39.5°C, kurse minimumi absolut është shënuar në 27 janar 1963 që ka arritur vlerat 21°C. Periudha e vegjetacionit për bimët në këtë rreth është plotësisht e mundshme për rritjen normale të drithërave të bukës dhe të pemëve frutore, pasi dita zgjat 9-15 orë. [18]

Mesatarja faktike e temperaturës së tokës në Kukës është 13.8°C, duke u luhatur nga 5°C në janar deri në 22.7°C në korrik.

Lagështia e ajrit

Lagështia e ajrit është një tjetër element i rëndesishëm i klimës në këtë rreth.

Shperndarja e tensionit të avujve të ujit, në rrethin e Kukësit, varet nga temperatura e ajrit. Në Kukës mesatarja vjetore e tensionit të avujve të ujit arrin 908 mb. Ne janar është 5.3 mb dhe në korrik 14.7 mb.

Amplituda mesatare vjetore arrin vlera të larta (20-30%), kurse në ultesirën bregdetare, kjo amplitudë lëkundet ndërmjet 13-20% . Një rëndësi të vecantë merr numri mesatar i ditëve me lagështi më të vogel ose të barabartë me 30% dhe 50% që për Kukësin janë 11.3 ditë dhe 17.5 ditë. Mesatarja vjetore e deficitit të lagështirës për Kukesin është 6.9 mb. Ne jaanr është 1.6 mb dhe në gusht është 14.4 mb. [19]

Vranësira

 
Liqeni i Fierzës

Veprimtaria ciklonike është më intensive në stinën e dimrit, sidomos në muajin dhjetor ku vranësirat arrijnë deri në 7.8 ballë që përbën dhe treguesin më të lartë dhe per gjithë vendin.

Për rrjedhoje, rrethi i Kukësit dallohet për ditët e pakëta të kthjellëta, mesatarisht 76.6 ditë në vit, kur në muajin janar ka vetëm 3.2 ditë dhe në gusht 14.4 ditë.

Numri mesatar i ditëve të vranëta në Kukës arrin 131.1 ditë, nga 18.5 ditë ne janar dhe 3.2 ditë në korrik. [20]

Reshjet atmosferike

 
Qyteti Kukës në dimër

Reshjet atmosferike në rrethin e Kukësit janë të përqëndruara më tepër në shpatet perëndimore dhe jugperëndimore të vargmaleve dhe më pak në shpatet lindore.

Sasia mesatare shumëvjeçare e reshjeve në Kukës arrin shumën 946 mm, ku mbi 70% e tyre është e përqëndruar në muajt e vjeshtës dhe të dimrit (570 mm) dhe vetëm 15% gjatë stinës së verës (143 mm).

Në stinën e dimrit një pjesë e reshjeve bie në formën e borës që fillon nga muaji tetor deri në prill. Trashësia e borës arrin nga 80 cm deri në 1 m. Numri i ditëve me borë arrin mesatarisht në 24 ditë, më shumë ajo zgjat në janar deri në 10.4 ditë. Breshëri në Kukës është një fenomen i rrallë dhe zgjat 1-2 ditë vetëm për pak minuta (3-5 min). [21]

Era

Erërat veriore së bashku me ato verilindore, në dimër përbëjnë 23.6% të të gjitha rasteve, në pranverë 23.3 %, në verë 22.2% dhe në vjeshtë 19.4%. Erërat lindore dhe perëndimore, të marra së bashku, në dimër dhe në vjeshtë kanë një rastisje 0.8-01.9%, kurse në verë dhe pranverë 2.2-2.8%.

Kështu, Lugina e Drinit të Bardhë luan rolin e një korridori me rëndësi për hyrjen e masave ajrore të ftohta kontinentale në territorin e Shqipërisë. Shpejtësitë e mëdha të erës në orën 14°° janë rezultat i konveksionit të fuqishëm që vërehet në orën e mesditës duke arritur shpejtësinë 6.6 m/sek.

Shpejtësia maksimale e erës në Kukës ka arritur vlerën 59.5m/sek , me rastisje një herë në 2.5,10,20 dhe 50 vjet. [22]

Hidrografia

Rezervat ujore të rrethit të Kukësit përfaqësohen nga ujrat sipërfaqësorë dhe nëntoksorë, të cilat janë të shumta dhe të pashtershme. Hidrografia e rrethit të Kukësit përfaqësohet nga rrjedhja e poshtme e Drinit të Zi dhe Drinit të Bardhë, gjithashtu dhe degëve të tyre, si lumi i Lumës, i Bushtricës, përrenjve të shumtë dhe një numër i madh burimesh nëntokësore kryesisht burime karstike. Janë zbuluar ujëra nëntokësore që nevojiten për të pirë dhe për ujitje në fshatra Llugaj, Kam etj. Rrjedhja ujore e Drinit të zi dhe Drinit të Bardhë formohen si rezultat i reshjeve që bien në pellgun e tyre, ndërsa Drini i Zi ushqehet direkt nga Liqeni i Ohrit. [23]

Liqeni i Fierzës

 
Liqeni i Fierzës

Liqeni artificial i Fierzës është krijuar në shtratin e lumit Drin në vitin 1978, në funksion të hidrocentralit të Fierzës.

Ky është një liqen oligotrof dhe ka një bosht gjatësor prej 70 kilometër dhe me një sipërfaqe maksimale prej 7 mijë hektarësh, ku 5 mijë hektarë merren në konsideratë për qëllimin e rritjes dhe kultivimit të peshkut. Ky liqen ka lartësi 167 metra, sipërfaqe të pasqyrës së ujërave prej 72,5 km², thellësinë më të madhe prej 128 metra dhe një vëllim prej 2,7 miliardë metër kub ujë. Sipërfaqja e përgjithshme e pellgut ujëmbledhës është 11.829 km². Kapaciteti maksimal ujëmbajtës i Liqenit të Fierzës, arrin rreth 3,2 miliardë metër kub ujë, ndërkohë që kapaciteti minimal, i cili mund të shkaktojë edhe situatat më kritike të prodhimit të energjisë elektrike, është rreth 1,2 miliardë metër kub ujë.

Liqeni shërben edhe si nyje lidhëse mes banorëve të rretheve Kukës, Tropojë, Has dhe Pukë. Gjithashtu, ky hidrocentral shërben si rregullator i furnizimit me ujë për dy hidrocentralet e ngritura në kaskadën e Drinit, atë të Vaut të Dejës dhe Komanit. [24]

Shtresa vjetore e reshjeve

Në pellgun e Drinit të zi dhe Drinit të Bardhë shtresa vjetore e reshjeve është përcaktuar në bazë të të dhënave të vendmatjeve gjatë periudhës 35 vjeçare(1951- 1985). Ndryshimet morfohidrografike që vihen re në rrjedhjen e Drinit të bashkuar, bëjnë të mundur të dallohen tre sektorë: ai i sipërm, i mesëm dhe i poshtëm. Sektori i sipërm përbëhet nga rrjedhjet e Drinit të Zi dhe të Drinit të Bardhë deri sa derdhen në liqenin artificial të Fierzës. Drini Zi( 149 km i gjatë) buron nga liqeni i Ohrit (694 m mbi nivelin e detit) dhe derdhet ne Liqenin e Fierzës. Drini i Bardhe (134 km i gjate ) buron nga malsia e Zhlebit në rrëzë të majës Ruseli (Bjeshkët e Namuna të Kosovës) dhe derdhet po ashtu në Liqenin e Fierzës. Vargmalet që shtrihen në dy shpatet, qoftë të Drinit të Zi dhe të Bardhë, marrin sasira të mëdha reshjesh, mbi 2000 mm, të cilat ushqejnë dy lumenjtë me reshje të bollshme që kanë ndikim në rrjedhjen ujore dhe shpërndarjen e tyre. Shtresa e borës është një burim tjetër ushqimi me ujë për Drinin e Zi dhe të Bardhë.

Shpërndarja vjetore e rrjedhës

Në shpërndarjen vjetore të rrjedhjes ujore pasqyrohet ndikimi i faktorëve të ndryshëm fiziko-gjeografikë, sidomos ndryshimi gjatë vitit, i reshjeve atmosferike dhe i temperaturës së ajrit, si pasojë edhe avullimit. Lumenjtë Drini i Zi dhe Drini i Bardhë dallohen për tipin mesdhetar të shpërndarjes së rrjedhjes ujore brenda vitit. Të dy lumenjtë sipas vendmatjes në stacionin e Kukësit, derdhin në Drinin e bashkuar përkatësisht 38.6m³/sek dhe 19.5m³/. Prurja mesatare e Drinit të Zi është 118m³/sek dhe Drinit të Bardhë 68.8m³/sek. Në lumin Drin janë ndërtuar 3 hidrocentrale të mëdha (Vau i Dejës, Komani dhe Fierza) me fuqi të përgjithshme të instaluar prej 1 350.000 kw. Rëndësi të veçantë për Qarkun e Kukësit ka hidrocentrali i Fierzës, ndërtuar në afërsi të fshatit Fierzë i cili filloi të ndërtohet në nëntor të viti 1971 dhe u vu në shfrytëzim më 1978. Diga ka krijuar një rezervuar liqeni 2.7 miliard m³ ujë.

Burimet nëntokësore

Rethi i Kukësit ka potencial të konsiderueshëm të ujërave nëntokësore sidomos të burimeve karstike. Burimet dalin në rrëzë të maleve, brenda kanioneve apo në kontaktin e shkëmbinjve të përshkueshëm me ata të papërshkueshëm në lartësitë mbi 600-800 m deri në 1000 m. Burimet përbëjnë një pasuri të madhe në rrethin e Kukësit. Ata janë furnizuesit kryesorë të qendrave të banuara rurale me ujë të pijshëm. Qyteti i Kukësit që merr ujë për 24 orë e siguron atë nga burimet masive të Bjeshkëve të Kolosjanit.

Tokat

Tokat e rrethit të Kukësit janë formuar mbi depozitimet e kuaternarit,shistet argjilore, konglomeratet e molasat, gelqerorët dhe ultrabazikët. Në përgjithësi, tokat dallohen për përmbajtje të ulët të lëndëve ushqimore. Kjo lidhet me kushtet e formimit te tyre, me praninë e fenomenit të erozionit dhe kushteve natyrore gjeofitoklimatike të rrethit. Sipërfaqja e tokës së punueshme zë 16% të rrethit. Për shkak të shtrirjes së territorit të qarkut dhe përbërjes gjeologjike të shkëmbit amnor gjenden të 4 tipet kryesore të tokës për sa i përket shtrirjes vertikalë si:toka të hinjta kafe, të kafejta, të murrme pyjore dhe livadhore malore. Tokat e kafenjta malore gjenden në lartësitë 1000m mbi nivelin e detit të përhapura në Shishtavec, Lusnë, Kollovoz, Morinë, Borje etj Tokat e hijta kafe shtrihen thuajse në pjesën kodrinore 6000-8000m dhe pikërisht përreth pellgut të Kukësit dhe në shtretërit e luginës së Drinit të Zi dhe Drinit të Bardhë. Tokat e murrme pyjore gjenden në zonat e larta malore mbi 1000 m. Tokat livadhore malore shtrihen në sipërfaqe të shkëputura në të dy anët ë lumenjve Drini i Zi dhe Drini i Bardhë si dhe degët e tyre. Përgjithësisht, të gjitha llojet e tokave dallohen për potencial biologjik të mirë në drejtim të bimësisë së kultivuar, të frutikulturës dhe nga ana tjetër për kapacitete mbrojtëse kullosore te konsiderueshme në lloje të bimësisë me interes shkencor,studimor dhe çlodhës. [25] [26]

Flora dhe Fauna

Flora

Rrethi i Kukësit është mjaft i pasur në bimësi si në lloje ashtu edhe në shtrirje. Në qarkun e Kukësit takohen territore me mikroklimë të ashpër malore, ku rriten dhe zhvillohen pyje fletorë dhe halorë. Si rrjedhojë, mbulesa bimore përbëhet nga dy grupe kryesore, që dallohen mirë nga njëra-tjetra. Bimësia me mbizotërim të elementeve floristik që zhvillohen në zonat me lartësi si (Koritniku, Gjalica, Kolesjani, Zepa, Alpet, Pashtriku etj.) dhe bimësia e tipit mesdhetar, e cila me ndërprerje depërton nëpërmjet luginave lumore të Drinit të bashkuar deri në qytetin e Kukësit. Bimësia është e përhapur në kate, por kufiri i tyre është i vështirë të dallohet. Për shkak të karakterit malor të territorit bimësia shkallëzohet vertikalisht në breza të ndryshmëm. E fillon me brezin e shkurreve, vazhdon me atë të dushkut, ahut dhe përfundon me kullotat alpine. Për arsye të ndikimit të klimës lokale dhe formave të ndryshme të relievit në të njëjtin kat vërehen përzierje bimësh.

Brezi i shkurreve përfshin një sipërfaqe prej 3160 ha. Në Kukës dhe disa zona të ulta të Tropojës gjenden shkurre si bushi, frashëri i bardhë, cërmëdella, shkoza e zezë, lajthitë etj.

Brezi i dushkut shtrihet në lartësitë 800-1200 m mbi nivelin e detit ku bëjnë pjesë lloje të ndryshme panjash, frashëri i bardhë të cilat takohen në kurrizet e shpatet e kodrave, në rrëzën e maleve etj.

Brezi i ahut shtrihet në lartësinë 1500-1800 m mbi nivelin e detit kryesisht në shpatet lindore dhe veriore të maleve. Ata formojnë masive pyjore në malin e Gjalicës, Kallabakut, Kolesianit etj. Brenda pyjeve të ahut rriten edhe lloje të tjera drurësh gjethegjerë si shkoza e bardhë, panja e malit, panja si rrap, kurse nga drurët halorë takohet bredhi i bardhë, pisha e zezë dhe arneni. Brezi i ahut nuk formon një brez të vetëm e të pandërprerë, por është i ndërprerë nga halorët në lartësinë 1600-800 m.

Brezi i kullotave alpine shtrihet mbi lartësine 2000-2400 m. Ato zënë një sipërfaqe së bashku me livadhet prej 12410 ha. Kullotat shtrihen kryesisht në malin e Koritnikut, Gjalicës, Lumës, Shishtavecit, Kollovozit, Kolesianit dhe Pashtrikut.

Fauna

Bota shtazore e qarkut të Kukësit me gjithë dëmtimet, ka përfaqësuesit e vet në të gjitha rrethet. Nga gjitarët grabitqarë (karnivore) që takohen në këto rrethe janë: ujku, dhelpra, rrëqebulli, macja e egër, kunadhja, zardafi, qelbësi, ariu, vjedulla etj. Nga gjitarët jograbitqarë janë: baldosa, derri i egër, lepuri, ketri, kaprolli, urithi, iriqi dhe më rrallë dhia e egër. Ndër shpendët grabitqarë janë: sorrat, laraskat, kukumjaçka, bufi, hutini, harabeli, gala, skifteri, fajkoi dhe shqiponja e malit. Midis shpendëve jograbitqarë janë: pëllumbi i egër, turtulli, gjeli i egër, shkurta, shapka dhe thëllëza e malit. Nga kafshët e ujit takohet: lundra (vidra) e cila jeton si në tokë ashtu edhe në ujë, rosa e egër, lloje të ndryshme peshqish, bajza, pulbardha dhe rrallë lejlekë. [27] [28]

Pasurite natyrore dhe menaxhimi i tyre

Rrethi i Kukësit është një ndër rrethet e pasura me minerale të dobishme. Minerali i bakrit. Më 1962, në Gjegjan, është ngritur miniera e bakrit.

Bakri gjendet në formacionet magmatike, ka një përmbajtje të madhe metali. Shtresa mineralmbajtëse të bakrit fillojnë në sipërfaqe dhe shkojnë deri në thellësi të tokës. Minerali i bakrit përmban kryesisht kalkopirit, kalkozinë, kovelinë, bornit, malahit dhe azurite. Minerali i kromit: Rezervat nëntokësore të kromit llogariten në 15 milion ton nga të cilat 1 milion janë me cilësi të mirë me mbi 36-40%CL 203. Disa nga minierat e kromit në nivel qarku janë: miniera e Kamit ndodhet në rrethin e Tropojës, minierat e Kalimashit që gjenden në rrethin e Kukësit, miniera Vlahen dhe e Qafë Perollit të cilat ndodhen në rrethin e Hasit.

Minerali i hekur-nikeli: Vendburimet e hekur nikelit ndodhen në koren e prishjes së shkëmbinjve ultrabazik. Ato janë të përhapur në Vlahën, Vranisht, Trull-Surroj-Mamëz. Minerale jometalore: Janë të njohur rreth 11 lloje minerale jometalore dhe shkëmbinj industrialë, disa prej tyre janë: asbesti (Fshati Gegaj në rrethin e Tropojës), olivinitet (Lugu i Zi Qafë Luzhë, Kepenek, Zogaj etj), argjilat (Tropoje-Shumicë dhe Babinë-Sopot) qymyret, kuarci (Fshati Kërrnajë nga i cili ka marrë edhe emrin), gurët gëlqerorë qyteza e Fierzës), mermerët (Fshati Shumicë në Bajram Curr), rëra (formohet në lumenj si: Drini, Valbona, lumi i Tropojës, i Krumës etj) dhe zhavorri (Koj-Margegaj-Koçanaj-Shoshan dhe Begaj), gurët natyralë të ndërtimit(në Topojë dhe Has) dhe veshjes dekorative.

Pyjet

Në shkallë qarku rreth 107852 ha janë sipërfaqe pyjore, kullota 48290 ha, sipërfaqe e punueshme rreth 28159 ha, sipërfaqe e zhveshur 12470 ha dhe jo produktive rreth 21513 ha.

Lloji i bimës Sipërfaqja
Pisha e zezë 4560 ha-493000 m³
Bredh 460 ha-105000 m³
Halorë të tjerë 2170 ha-573000 m³
Ah 7020 ha- 874000 m³
Dushk 16210 ha-75530 m³
Gështenjë 650 ha-57000 m³
Plep 70 ha-10000 m³
Akacie 260 ha-3000 m³
Panjë 200 ha-20000 m³
Frashër 20 ha
Shkozë 1800 ha-14000 m³
Shqemë 10 ha
Bush 1000 ha
Lajthi 850 ha-23000 m³
Të tjera 4340 ha-32700 m³

[29] [30]

Gjuetia

Gjuetia sot shihet si një ndër elementet kryesorë qe nxit dhe favorizon turizmin malor dhe atë sportiv ne Qarkun e Kukësit si dhe burim të ardhurash për sektorin e pyjeve dhe biznesin vendas në përgjithësi.

Si e tillë, përveç përmirësimeve ligjore kërkojnë më shumë interesim dhe sensibilizim të publikut për mbrojtjen e kësaj pasurie shumë të rëndësishme për biodiversitetin në vendin tonë si dhe rritjen e bashkëpunimit midis të gjithë aktorëve, shoqata e gjuetarëve, mjedisore, policia e rendit, doganat, pushteti lokal etj.[31]

shih edhe

Referencat

  1. ^ 2011 census results
  2. ^ Webpage “ http://sq.wikipedia.org/wiki/Kuk%C3%ABsi
  3. ^ Webpage “ http://www.kqk.gov.al/"
  4. ^ Webpage “ http://www.kukesi.gov.al/bashkia/"
  5. ^ Libri “ Qarku i Kukesit fq nr/13 "-Nasip Meqaj & Maxhun Dida
  6. ^ Libri “ Te njohim vendlindjen fq nr/9 "-Ali Domi
  7. ^ Libri “ Qarku i Kukesit fq nr/16 "-Nasip Meqaj & Maxhun Dida
  8. ^ Libri “ Te njohim vendlindjen fq nr/12 "-Ali Domi
  9. ^ Webpage“https://commons.wikimedia.org/wiki/File:Kukesi_perfshire_Gjallicen_,_Fierzen_....jpg
  10. ^ Libri “ Qarku i Kukesit fq nr/18 "-Nasip Meqaj & Maxhun Dida
  11. ^ Libri “ Qarku i Kukesit fq nr/19 "-Nasip Meqaj & Maxhun Dida
  12. ^ Libri “ Qarku i Kukesit fq nr/20 "-Nasip Meqaj & Maxhun Dida
  13. ^ Libri “ Qarku i Kukesit fq nr/24 "-Nasip Meqaj & Maxhun Dida
  14. ^ Libri “ Te njohim vendlindjen fq nr/15 "-Ali Domi
  15. ^ Libri “ Qarku i Kukesit fq nr/25 "-Nasip Meqaj & Maxhun Dida
  16. ^ Libri “ Te njohim vendlindjen fq nr/27 "-Ali Domi
  17. ^ Libri “ Qarku i Kukesit fq nr/26 "-Nasip Meqaj & Maxhun Dida
  18. ^ Libri “ Qarku i Kukesit fq nr/26 "-Nasip Meqaj & Maxhun Dida
  19. ^ Libri “ Qarku i Kukesit fq nr/28 "-Nasip Meqaj & Maxhun Dida
  20. ^ Libri “ Qarku i Kukesit fq nr/29 "-Nasip Meqaj & Maxhun Dida
  21. ^ Libri “ Qarku i Kukesit fq nr/30 "-Nasip Meqaj & Maxhun Dida
  22. ^ Libri “ Qarku i Kukesit fq nr/32 "-Nasip Meqaj & Maxhun Dida
  23. ^ Libri “ Te njohim vendlindjen fq nr/34 "-Ali Domi
  24. ^ https://commons.wikimedia.org/wiki/File:Liqeni_i_Fierz%C3%ABs.jpg
  25. ^ Libri “ Qarku i Kukesit fq nr/38 "-Nasip Meqaj & Maxhun Dida
  26. ^ Libri “ Te njohim vendlindjen fq nr/39 "-Ali Domi
  27. ^ Libri “ Qarku i Kukesit fq nr/41 "-Nasip Meqaj & Maxhun Dida
  28. ^ Libri “ Te njohim vendlindjen fq nr/42 "-Ali Domi
  29. ^ Libri “ Qarku i Kukesit fq nr/44 "-Nasip Meqaj & Maxhun Dida
  30. ^ Instuticioni “ Drejtoria Rajonale Pyjore e Kukesit"-Te dhena statistikore
  31. ^ Libri “ Qarku i Kukesit fq nr/55 "-Nasip Meqaj & Maxhun Dida