Principata e Zenebishëve: Dallime mes rishikimesh

[Redaktim i kontrolluar][redaktim i pashqyrtuar]
Content deleted Content added
v Robot: ndryshime kozmetike
Added content
Etiketat: Redaktim nga celulari Redaktim në versionin web nga celulari
Rreshti 1:
{{Faqe e palidhur|data=shtator 2012}}
Emri i Zenebishëve, si një ndër familjet fisnike më të shquara të Shqipërisë së Poshtme, përmendet krahas dyerve më në zë shqiptare në një dokument të vitit 1304. Familja Zenebishi e kishte origjinen nga krahina e Zagorise midis Gjirokastres dhe Permetit. Shkëlqimin më të madh kjo familje e arriti pas gjysmës së dytë të shek. XIV, kur në krye të saj ishte sebastrokratori Gjon Zenebishi (?-1418). Kryeqendra e këtij të fundit ishte kështjella e Gjirokastrës, e cila përmendet për herë të parë pikërisht në këtë kohë si rezidencë e Zenebishëve. Në vitet 70 të shek. XIV zotërimi i Zenebishëve përfshinte, veç Gjirokastrës dhe rrethet e saj, luginën e Drinos, Delvinën dhe një pjesë të mirë të zonës së pasur të Vagenetisë (Çamërinë e Sipërme), deri në derdhjen e poshtme të lumit Gliki, ku zotërimet e Gjon Zenebishit kufizoheshin me ato të vjehrrit dhe aleatit të tij, Gjin Bua Shpatës së Artës. Së bashku me këtë të fundit, Gjon Zenebishi ndërmori inkursione të vazhdueshme kundër kështjellës së Janinës, ku sundonte despoti serb Thoma Preljuboviçi, armik i betuar i shqiptarëve, i cili, siç është theksuar tashmë, i thirri për herë të parë osmanët në këto anë më 1380 kundër shqiptarëve. I mbështetur dhe nga një pjesë e parisë serbo-bizantine të Janinës, Thomai mundi ta ruante sundimin brenda mureve të Janinës, deri në vrasjen e përgjakshme të tij, në vitin 1386.
 
Despoti i ri i Janinës, italiani Ezau Buondelmonti Açajuoli (1386-1411), i cili mori pushtetin në Janinë si përfaqësues i interesave të huaja në atë qytet e në krejt Epirin, ndoqi që në fillim një politikë agresive ndaj sundimtarëve shqiptarë të kësaj treve, veçanërisht ndaj Gjon Zenebishit. Me ndihmën e reparteve osmane ai i mori këtij të fundit portet dhe tregjet e rëndësishme të Sajadhës e Kastrovilës, buzë detit Jon (Çamëri e sotme). Por në pranverën e vitit 1399, ushtria e Zenebishit u shkaktoi forcave të despotit Ezau një disfatë fatale gjatë një beteje në Dhivër (Mesopotam), ku vetë despoti i Janinës u zu rob nga sundimtari shqiptar, që sakaq e mbylli në burgun e kështjellës së tij të Gjirokastrës. Të gjithë aleatët e Ezaut, nga komuna e Firences, që e kishte qytetar të vetin, Mbretëria e Napolit, Republika e Venedikut e deri te komandanti osman i Thesalisë, ndërhynë te Gjoni për lirimin e tij. Të njëjtën gjë i kërkoi Zenebishi edhe aleati e vjehrri i tij, Gjin Bua Shpata i Artës. Ezau u lëshua kundrejt një shpërblimi të majmë prej 10 mijë copë florinjsh. Gjithsesi, ai pushoi së qeni një shqetësim për zotërimet e Zenebishit, i cili shtiu përsëri në dorë limanet dhe tregjet bregdetare nga Sajadha e Kastrovila e deri në Pargë. Porse mbajtja e këtyre vendeve bëri të pashmangshëm një konflikt të ri me Republikën e Venedikut. Përleshjet e para të Gjon Zenebishit me Venedikun ishin regjistruar që në vitin 1386, kur ky i fundit, pasi shtiu në dorë ishullin e Korfuzit, i rrëmbeu Zenebishit edhe disa nga qendrat kryesore ushtarake e ekonomike të bregdetit, si Butrintin, Ksamilin dhe Sajadhën. Kjo e fundit u rimor prej Gjonit aty nga viti 1400. Për Sajadhën, veçanërisht për kriporet me famë të atij vendi, të cilat konkurronin rëndë kriporet veneciane të Korfuzit, u luftua me këmbëngulje si nga Venediku, ashtu edhe nga Zenebishi. Në një letër, që i çonte për këtë çështje Senatit të Venedikut në qershor 1401, Gjon Zenebishi bënte të qartë se "paqja e tij me Republikën do të sigurohej vetëm kur Venediku të hiqte dorë nga përpjekjet për të shtënë në dorë kullën dhe kriporet e Sajadhës, që ai i kishte trashëguar nga të parët dhe që ishin buka e tij".