Lidhja e Prizrenit: Dallime mes rishikimesh

[redaktim i pashqyrtuar][redaktim i pashqyrtuar]
Content deleted Content added
→‎Konteksti: heqje e materialit te tejngopur lidhur me sfondin, i pareferencuar
heqje e paragrafit lidhur me Kararnamene, duhet te kete faqen e vet ai informacion
Rreshti 69:
 
Krijimi i organeve të larta të Lidhjes së Prizrenit dhe pajisja e tyre me funksione pushtetore ishin një fitore tjetër që korrën forcat atdhetare, pasi me anën e tyre u hodhën themelet për krijimin në Shqipëri të një pushteti të veçuar nga ai i Portës së Lartë. Kjo fitore u përforcua me caktimin në krye të organeve të larta të personaliteteve që militonin në Komitetin e Stambollit (Abdyl Frashëri e Sulejman Vokshi), ose që u takonin qarqeve të moderuara (Iljaz pashë Dibra e Haxhi Shaban Prizreni). Për fitoren e plotë të krahut patriotik nuk mbetej tjetër hap, veçse pajisja e besëlidhjes me një statut ose kanun, siç quhej në atë kohë, të ndërtuar mbi platformën rilindëse.
== Kanuni dhe Urdhëresa (17 qershor 1878) ==
Aktet e para të Kuvendit të Përgjithshëm ishin: një peticion për çështjen shqiptare, dërguar Kongresit të Berlinit, një peticion, dërguar Portës së Lartë, Kararnameja (Akti i Vendimeve-Kanuni) dhe Talimati (Urdhëresa).
Të dyja peticionet u miratuan më 15 qershor 1878. Ato u pajisën me nënshkrimet e disa mijëra përfaqësuesve të popullsisë shqiptare në të gjitha krahinat e Shqipërisë. Me anën e tyre kërkohej nga Kongresi i Berlinit dhe nga qeveria turke që të mos i jepnin shteteve të huaja asnjë pëllëmbë tokë nga atdheu i tyre. Edhe në këto dokumente të Kuvendit të Lidhjes shprehej vendosmëria e përfaqësuesve shqiptarë për të luftuar deri te njeriu i fundit për të kundërshtuar çdo vendim që do të cenonte tërësinë territoriale të atdheut. Veç kësaj, në peticionin që iu dërgua Portës së Lartë, parashtrohej edhe kërkesa për të bashkuar të gjitha trojet shqiptare në një vilajet të vetëm shqiptar ose, siç thuhet në peticion, në një “vilajet të bashkuar” (Tevhidi vilajet) me një “kuvend të bashkuar” në krye dhe me administratë, buxhet e ushtri të veçantë, pra të pajisur me autonomi administrative e kulturore.
Por ky program i autonomisë (krijimi i vilajetit të bashkuar me autonomi administrative) nuk u përfshi në të dy dokumentet e tjera që u miratuan nga Kuvendi, më 17 qershor 1878, në Kararnamenë dhe në Talimatin. Kjo shpjegohet me ndikimin e qarqeve konservatore në punimet e vendimet e Kuvendit, të cilat nuk ishin të interesuara për ndryshime të raporteve të Shqipërisë me Perandorinë Osmane. Ndikimi i këtyre qarqeve, me të cilat qenë bashkuar edhe delegatët boshnjakë, u forcua, përkohësisht, në krahasim me atë të grupimit të delegatëve autonomistë kosovarë, edhe për shkak se në Kuvendin e Përgjithshëm nuk kishin arritur ende delegatët e krahinave të tjera të Shqipërisë, sidomos ata të vilajeteve të Shkodrës e të Janinës, të cilët ishin të gjithë përkrahës të autonomisë. Por, veç këtij faktori, në mungesën e kërkesës në Kararname të një vilajeti të bashkuar shqiptar, me autonomi administrative, ndikoi edhe rreziku i jashtëm, ai i copëtimit të Shqipërisë, që nxirrte në plan të parë dhe si detyrë më të ngutshme mbrojtjen e tërësisë së trojeve shqiptare.
Në këto rrethana, qarqet konservatore, të nxitura edhe nga qeveritarët osmanë, u përpoqën t’i impononin Kuvendit të Përgjithshëm një platformë me ndikime sulltaniste dhe islamike. Por këto orvatje dështuan, sepse ndeshën në kundërshtimin e rreptë të përfaqësuesve të vijës patriotike të Kuvendit.
Kanuni i Lidhjes, me emrin Kararname (Akti i Vendimeve) sanksionoi formimin e Lidhjes si organizatë politike shqiptare dhe përcaktoi detyrat e saj më të ngutshme. Megjithëse ky dokument nuk iu shmang dot disa formulimeve kontradiktore, me këmbënguljen e delegatëve atdhetarë aty u përfshinë dispozita të tëra, që i shërbenin Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe që binin ndesh me interesat e Portës së Lartë. Kështu, në nenin 1 thuhej se qëllimi i Lidhjes së Prizrenit ishte të mbronte tërësinë tokësore të Perandorisë Osmane, me të cilën Lidhja nënkuptonte edhe mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë, kurse në nenin 6 shpallej në formë edhe më të qartë e më të prerë, se Lidhja do të kundërshtonte vetëm lëshimet tokësore në favor të Bullgarisë, të Serbisë dhe të Malit të Zi (pra, jo kundër tokave që do të merrte Rusia dhe Austro-Hungaria), që do të thoshte se ajo do të luftonte vetëm për mbrojtjen e tërësisë së trojeve shqiptare. E vështruar nga kjo pikëpamje, Kararnameja i përgjigjej detyrës së parë e kryesore që qëndronte para Lidhjes dhe Lëvizjes Kombëtare Shqiptare: lufta për mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut, të Shqipërisë. Po ashtu, ajo shprehte synimet vetëqeverisëse të shqiptarëve. Nga njëra anë thuhej se Lidhja e Prizrenit do ta shihte si armik çdo njeri që do të përpiqej të dobësonte autoritetin e qeverisë osmane (neni 2), ndërsa nga ana tjetër, ajo e vishte veten dhe komitetet e saj me funksione pushtetore të veçuara nga ato të Stambollit (neni 14), të cilat e dobësonin autoritetin e Portës së Lartë në Shqipëri.
Lidhja trajtohej në Kararname si një institucion politik, me një personalitet juridik të pavarur nga Porta e Lartë. Qeveria e Stambollit, thuhej në nenin 14 të saj, “nuk do të përzihet në asnjë mënyrë në çështjet e Lidhjes”. Por ajo që e theksonte më shumë karakterin e saj të pavarur ishte e drejta që fitoi Lidhja me anën e Kararnamesë për të ngritur në këmbë forca të armatosura, të veçuara nga ushtria perandorake osmane, dhe për të hyrë në luftë kundër fuqive të huaja, pavarësisht nga qëndrimi i Portës së Lartë. Lidhja merrte përsipër edhe disa prerogativa në fushën administrative e gjyqësore.
Të gjitha këto dëshmojnë se referimi në ndonjë rast te feja islame ose përfshirja në të e shprehjes së besnikërisë ndaj Perandorisë Osmane, nuk përcaktonin karakterin e vërtetë të Kararnamesë, nuk cenonin përmbajtjen e saj themelore, që i përgjigjej synimeve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në atë periudhë. Veç kësaj, ky nuk ishte programi përfundimtar i Lidhjes, i cili do të miratohej në një mbledhje më të përgjithshme të Kuvendit, ku të merrnin pjesë përfaqësuesit e të gjitha krahinave të Shqipërisë.
Në dokumentin tjetër, që Kuvendi i Përgjithshëm miratoi po atë ditë (më 17 qershor 1878), i cili u quajt Talimat (Urdhëresë), trajtoheshin aspektet organizative, politike e ushtarake të Lidhjes. Urdhëresa, ndryshe nga Akti i Vendimeve, ishte e zhveshur nga çdo referim te feja islame, si dhe nga deklarata e besnikërisë ndaj Perandorisë Osmane. Veç kësaj, funksionet pushtetore të Lidhjes këtu ishin më të theksuara. Në Urdhëresë flitej haptas se Lidhja do të formonte një administratë qendrore me seli në Prizren, të përbërë nga përfaqësues të çdo sanxhaku, nga e cila do të vareshin administratat lokale të kazave. Krahas kësaj administrate të veçuar do të krijohej edhe një ushtri e shkëputur nga ajo e Portës së Lartë, e cila do të varej drejtpërdrejt nga Lidhja. Nëpërmjet Kararnamesë, delegatët e Kuvendit të Përgjithshëm shpallën Prizrenin si kryeqytetin e Lidhjes.
Lidhja vendosi të ngrinte një ushtri të rregullt, të disiplinuar dhe të ndërgjegjshme, të aftë për të mbrojtur atdheun. Në Talimat përfshihej edhe një shtojcë që përmbante një varg masash konkrete për dislokimin e menjëhershëm të forcave të armatosura të Lidhjes së Prizrenit në pikat kryesore strategjike, si në Guci, në Rugovë, në [[Kolashin]], në Prepol, në Senicë, në Tashllixhe, në Mitrovicë, në Gjilan, në Palankë, në Shkodër e gjetkë. Prej këtej ato do të mbronin viset shqiptare, nëse Kongresi i Berlinit do t’ua jepte Serbisë, Bullgarisë e Malit të Zi. Sipas Talimatit, Kuvendi Kombëtar parashihte të ngrinte, në rast nevoje, një ushtri kombëtare prej 190 mijë vetash.
Lajmi i formimit të Lidhjes në Prizren u përhap menjëherë në Shqipëri dhe pati jehonë në të katër anët e vendit. Kudo filloi një diskutim i zjarrtë rreth vendimeve të Kuvendit të Prizrenit. Me këtë rast atdhetarët përparimtarë kërkuan që të mblidhej përsëri Kuvendi i Përgjithshëm, në të cilin të merrnin pjesë përfaqësuesit e krahinave shqiptare të të katër vilajeteve.
Në protestat, që popullsia e krahinave të ndryshme i drejtoi gjatë atyre ditëve Kongresit të Berlinit, mbahej një qëndrim krejt i ndryshëm ndaj Stambollit, nga ai i krahut sulltanist. “Ashtu sikurse nuk jemi dhe nuk duam të jemi turq, po ashtu do të luftojmë me të gjitha forcat tona kundër cilitdo që do të kërkonte të na bënte sllavë, austriakë ose grekë”, thuhej ndër të tjera në një memorandum drejtuar, më 13 qershor 1878, kryeministrit britanik, lordit Bikonsfild (Beaconsfield), nënshkruar nga rreth 500 qytetarë shkodranë, të cilët kërkonin respektimin e tërësisë tokësore të Shqipërisë dhe formimin e një shteti shqiptar të pavarur. Me telegramet që i drejtonin Kongresit të Berlinit në ditët e mëpasme, përfaqësuesit e kazave shqiptare të vilajeteve të Shkodrës, të Janinës, të Kosovës e të Manastirit kërkonin gjithashtu, si shqiptarë, respektimin e tërësisë tokësore të atdheut të tyre, të Shqipërisë. Të tilla kërkesa iu paraqitën areopagut ndërkombëtar edhe nga shqiptarët e mërguar jashtë Shqipërisë, madje edhe nga grupe shqiptarësh që ndodheshin në Stamboll. Në një memorandum, drejtuar më 20 qershor 1878 ministrave të Jashtëm të Fuqive të Mëdha nga një grup personalitetesh shqiptare që banonin në kryeqytetin e Perandorisë Osmane, midis të cilëve bënin pjesë edhe disa anëtarë të Komitetit të Stambollit (Pashko Vasa, Sami Frashëri, Ali Danish Prishtina, Sermedi Seid Toptani dhe Abedin bej Dino), pasi protestohej në emër të popullit shqiptar kundër copëtimit territorial të atdheut, shtrohej kërkesa për t’i dhënë Shqipërisë një rregullim të veçantë administrativ, sipas një projekti të hartuar prej një komisioni të përbërë nga shqiptarë dhe të miratuar nga Porta e Lartë.
Paralelisht me rritjen e lëvizjes masive në të mirë të platformës kombëtare, përfunduan edhe përgatitjet për mbledhjen e Kuvendit të Përgjithshëm. Në fund të qershorit në Prizren arritën delegatët e pothuajse të gjitha krahinave shqiptare. Në të njëjtën kohë u kthye nga Berlini edhe delegacioni shqiptar, i kryesuar nga Abdyl Frashëri, që kishte shkuar atje për t’u paraqitur Fuqive të Mëdha të mbledhura në Kongres, Peticionin me kërkesat e Kuvendit të Lidhjes së Prizrenit. Shumica dërrmuese e delegatëve ishte edhe më e vendosur për ta mbrojtur deri në fund programin politik kombëtar të Lidhjes. Madje disa delegatë, si për shembull ata të Shkodrës, kishin porosi nga popullsia e tyre që “të mos pranonin asgjë që mund të interpretohej si forcim i frymës islamike” dhe “po të vinin re se Lidhja po i shmangej rrugës kombëtare për të hyrë në rrugën thjesht fetare, të largoheshin prej saj”.
Kuvendi i Përgjithshëm u mblodh në Prizren më 1 korrik 1878. Nga 300 delegatët që, sipas disa dëshmive, kishin ardhur në Prizren, njihen të paktën 140 emra, nga të cilët 96 nga Kosova, 26 nga Shkodra dhe 20 nga vilajeti i Janinës. Pas dy ditë diskutimesh Kuvendi i Përgjithshëm miratoi, më 2 korrik 1878, një Rezolutë ose Kanun të ri për Lidhjen e Prizrenit, me të cilin u bënë hapa të rëndësishëm në përpunimin e mëtejshëm të programit të Lidhjes.
Kanuni i ri e shpalli botërisht organizatën e formuar në Prizren si Lidhje Shqiptare dhe organin e saj qendror e quajti Komitet Kombëtar. Statuti i ri ishte pastruar nga ndonjë formulim me karakter fetar islamik dhe nga ideja e besnikërisë ndaj Perandorisë Osmane, që kishin pasur vend në Kararname. Në tekstin e Kanunit thuhej shprehimisht se Lidhja do të luftonte për të drejtat kombëtare të Shqipërisë dhe se veprimtarinë e saj do ta shtrinte vetëm në trojet shqiptare. Ai i jepte të drejtë Komitetit Kombëtar të formonte nënkomitete të Lidhjes në qendrat e sanxhakëve të Shqipërisë, të organizonte një ushtri të armatosur për të mbrojtur trojet shqiptare, të shpallte mobilizimin ushtarak të të gjithë burrave të aftë për armë, të vilte, për nevojat e veta buxhetore, një sërë taksash të ndryshme dhe të jepte dënime penale kundër dezertorëve nga Lidhja Shqiptare. Kuvendi mori edhe masat e nevojshme për anët organizative të Lidhjes.
Në një mbledhje të fshehtë, që u zhvillua natën në shtëpinë e atdhetarit prizrenas Shuaip Spahiu, u zgjodhën anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm, që vishej me funksione legjislative dhe, të Komitetit Kombëtar, që do të ushtronte funksione ekzekutive. Në Këshillin e Përgjithshëm u zgjodhën 56 anëtarë nga krahinat shqiptare të të katër vilajeteve, të cilët ishin nga të gjitha besimet fetare dhe përfaqësonin forcat atdhetare të vendit. Midis tyre ishin: Iljaz pashë Dibra, Ali pashë Gucia, Sheh Mustafa Tetova, Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni, Sulejman Vokshi, Haxhi Zeka, Ahmet Koronica, Haxhi Shabani, Binak Alia, Ali pashë Draga, Ali bej Tirana, Qazim bej Gjirokastra etj. Si kryetar i Këshillit mbeti përsëri Iljaz pashë Dibra. Tri komisionet e Komitetit, të pajisura me funksione dikasteriale, mbetën siç ishin, nën kryesinë e Abdyl Frashërit, të Haxhi Shabanit e të Sulejman Vokshit.
Kanuni, i miratuar më 2 korrik 1878, shënonte fitoren e plotë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në gjirin e Lidhjes së Prizrenit. Kjo fitore ishte e dyfishtë. Nga njëra anë, detyra për të mbrojtur vetëm trojet shqiptare, me të cilën e ngarkoi ky kanun, e ktheu përfundimisht Lidhjen e Prizrenit në një organizatë politike kombëtare dhe i dha të drejtën për ta përfaqësuar Shqipërinë e robëruar në arenën ndërkombëtare. Nga ana tjetër, të drejtat që i dha po ai kanun për të pasur administratë, ushtri, buxhet dhe gjyqe të veçanta, e pajisën Lidhjen e Prizrenit me funksione pushtetore të veçuara nga ato të shtetit centralist osman. Në të vërtetë, me këto të drejta, që u sanksionuan në kanunin e 2 korrikut 1878, Lidhja e Prizrenit fitoi bazën ligjore për të ngritur shkallë-shkallë një shtet autonom shqiptar brenda shtetit perandorak osman.
[[File:Sylejman Vokshi.JPG|thumb|Sylejman Vokshi( busti)]]