Content deleted Content added
No edit summary
(Pa ndryshime)

Versioni i datës 18 tetor 2005 14:05

Përtej asaj ngushtice detare të quajtur Kolonat e Herkulit, gjendej asokohe një ishull më i madh se Libia dhe Azia të marra së bashku, prej të cilit mund të kalohej nëpër ishuj të tjerë, e prej tyre në tokat e kontinentit kundrejt… (...). Në këtë ishull të quajtur Atlantidë ishte një mbretëri që sundonte jo vetëm tërë ishullin por edhe shumë ishuj të tjerë, e madje edhe disa zona të kontinentit përtej: pushteti i tij shtyhej përtej Shtyllave të Herkulit; duke përfshirë Libinë, Egjiptin e zona të tjera të Europës deri në Tirren.”.

Legjenda për Atlantidën sipas Platonit

“Timeu”, shkruar në vitin 360 përpara K. (fragment)



Do t'iu rrëfej një histori të botës së lashtë, të cilën e kam dëgjuar nga një plak i moçë, ngase Kritia, në kohën që na e rrëfeu, ishte, siç tha, ndaj të nëntëdhjetave, kurse unë për pakëz dhjetë (...)

Dhe për çfarë bënte fjalë rrëfenja, Kritia?- e pyeti Aminandri.

Për veprimin më madhështor që kanë bërë ndonjëherë athinasit, dhe që duhet të ketë qenë më i njohuri, por që, për shkak se kanë rrjedhur q'atëherë shumë kohë dhe meqë protagonistët gjetën shkatërrimin, nuk ka mbërritur gjer tek ne.

Thuana,- tha tjetri,- gjithë historinë dhe ku e prej kujt e dëgjoi Soloni këtë gojëdhënë të vërtetë.

Ai u përgjigj – Në deltën egjiptiane, në krye të së cilës ndahet lumi Nil, gjendet një rajon që quhet rajoni i Saisit. Edhe qyteti më i madh i rajonit quhet, gjithashtu, Sais, dhe është qyteti prej nga rrjedh mbreti Amasis. Qytetarët njohin për themeluese të qytetit një hyjneshë. Në egjiptiançe ajo quhet Neit dhe, siç pohojnë ata, është po ajo hyjneshë që helenët nderojnë me emrin Athina. Ata i duan shumë athinasit dhe thonë se, në një farë mënyre, janë të lidhur me ta. Në këtë qytet vajti Soloni, ku e pritën me shumë nderime. Ai pyeti priftërinjtë më të arsyer në çështje kësodore për lashtësinë dhe zbuloi se as ai dhe as ndonjë helen tjetër nuk dinte njoftime më të vlefshme për kohët e lashta. Në një rast, duke dashur t'i cyste të flisnin për lashtësinë, ai nisi të rrëfejë për gjërat më të lashta që dihen në anët tona - për Foroneun, që njihet si “njeriu i parë” dhe për Niobën dhe, pas Përmbytjes, për mbijetesën e Deukalionit dhe të Pirrës. Gjurmoi gjenealogjinë e pinjollëve të tyre dhe, duke llogaritur datat, u orvat të gjejë se sa vjetë më parë kishin ndodhur ngjarjet, që ai thoshte se kishin ngjarë. Mbi këtë e sipër, një prej priftërinjve, ai që ishte shumë i shkuar nga vërsa, iu drejtua e i tha: O Solon, Solon, ju helenët s'jeni veç se fëmijë; nuk ka asnjë njeri të moçëm ndër ju. Soloni e pyeti se ç'kuptim kishin këto fjalë. Dua të them, gjegji ai, se nga mendtë të gjithë ju jeni të rinj. Juve nuk ju është lënë trashëgim asnjë mendim nga tradita e lashtë e as ndonjë shkencë që të jetë thinjur nga vitet. Dhe do të ta them përse. Kanë ndodhur, dhe do të ndodhin sërish, shumë shkatërrime të njerëzimit prej shkaqesh të ndryshme. Shkatërrimet më të mëdha janë vepër e zjarrit dhe ujit, ato më të voglat prej një numri të pafund shkaqesh. Ekziston një rrëfenjë, që edhe ju e keni ruajtur: se një herë e një kohë, Fetoni, biri i Heliosit, që kishte mbrehur kuajt në koçinë e të atit, ngase nuk ishte në gjendje t'i ngiste në rrugën e përditshme, shkrumboi gjithçka mbi tokë, duke u vrarë dhe vetë nga rrufeja. Tani kjo rrëfenjë është veshur me petkun e mitit, por në të vërtetë tregon rënien e trupave që lëviznin në qiejt qark tokës dhe shkrumbimin e madh të gjërave mbi tokë, që përsëdytet pas intervalësh të gjatë. Në kohë të tilla ata që jetojnë ndër male dhe vende të thata dhe të larta janë më të ekspozuar ndaj shkatërrimit se sa ata që banojnë bri lumejve apo bregut të detit. Nga kjo mënxyrë ne na shpëton dhe na mbron Nili, shpëtimtari jonë i amshueshëm. Kur, nga ana tjetër, zotat spastrojnë tokën me përmbytje, ata që i mbijetojnë përmbytjes, në rastin e atdheut tënd, janë lopçarët dhe barinjtë, që jetojnë ndër male, kurse të tjerët që, si ty, rrojnë në qytete, përlahen nga lumejt e barten në det. Ndërsa në këtë tokë, as në atë kohë e as në ndonjë kohë tjetër, uji nuk zbret nga lartë poshtë në fusha, por priret gjithnjë të ngjitet nga poshtë lartë; për këtë arsye legjendat e ruajtura këtu janë më të lashtat. (…)

Kështu, në ishullin e Atlantidës ekzistonte një perandori e madhe dhe e mrekullueshme, që qeveriste ishullin e shumë ishuj të tjerë, si dhe shumë pjesë të kontinentit. Për më tepër, banorët e Atlantidës patën nënshtruar territoret e Libisë nga Shtyllat e Herakliut deri në Egjipt, dhe të Evropës deri në Tiren. Kjo fuqi e madhe, e bashkuar në një, orvatej të nënshtronte me një goditje atdheun tonë dhe tuajin, si dhe tërë rajonin midis ngushticave. Atëherë, Solon, atdheu yt shkëlqeu ndër gjithë njerëzimin, me gjithë madhështinë e virtyteve dhe fuqisë së tij. Ajo (Athinaja e grekëve, Neiti i egjiptianëve - A. Q.), udhëheqësja e helenëve, shquhej për guximin dhe aftësitë luftarake… Ajo i mposhti dhe ngadhnjeu mbi pushtuesit dhe i shpëtoi nga skllavëria ata që s'ishin nënshtruar akoma dhe me bujari na çliroi ne të gjithëve që banonim midis shtyllave. Por më vonë ndodhën tërmete e përmbytje të mënxyrshme dhe në një ditë e natë të vetme fatkobi gjithë njerëzit tuaj luftëdashës u përpinë në tokë. Në të njëjtën mënyrë edhe ishulli i Atlantidës u zhduk në thellësitë e detit. Për këtë arsye, deti në ato anë është i pakalueshëm dhe i padepërtueshëm, ngase ka një cektinë balte në udhë, që është shkaktuar nga batisja e ishullit.

Të rrëfeva shkurtimisht, Sokrat, ç'dëgjoi plaku Kritia nga Soloni dhe ç'na tregoi neve.



nga “Libri i qenieve imagjinare”

T huhet se Sibila e Eritresë paratha se qyteti i Romës do të rrënohej për fundimisht nga Peritonët. Në vitin 642 të Tënëzot arkivi i profecive të Sibilës u dogj në zjarrin e madh të Aleksandrisë; gramatikanët që i hynë punës për përtëritjen e disa fragmenteve të shkrumbosura prej nëntë vëllimeve, me sa duket nuk hasën asgjëkundi profecinë e veçantë, që parathoshte fatin e Romës.

Me kohë u gjykua e nevojshme të gjendej një burim që do të hidhte më tepër dritë përmbi këtë gojëdhënë. Pas shumë kuturisjesh, u zbulua se një rabin nga Fesi (sipas të gjitha gjasave Jakob Ben Chaim-i) kishte lënë një traktat historik, në të cilin citonte veprën, tani të humbur, të një skolasti grek, e cila ngërthente fakte të caktuara historike për Peritonët, marrë, me sa duket, nga orakujt, përpara se Biblioteka e Aleksandrisë të digjej nga Omari. Emri i grekut të arsyer nuk ka mbërritur gjer tek ne, por fragmentet e tij rrojnë:

Vendbanimin fillestar Peritonët e kishin në Atlantidë. Ata janë gjysmë drerë dhe gjysmë shpendë. Prej dreri kanë kokën dhe këmbët. Për sa i përket trupi të tyre, atë e kanë krejtësisht si të shpendve, me flatrat dhe pendët përkatëse…

Veçoria e tyre më e çuditshme është se kur dielli shkrep mbi ta, në vend që të lëshojnë hijen e trupit të vet, lëshojnë hije njeriu. Për këtë arsye, disa mendojnë se Peritonët janë shpirtërat e rrugëtarëve që kanë vdekur larg shtëpisë dhe perëndive të tyre…

…dhe janë pikasur duke ngrënë dhé… duke flatruar në krina në një lartësi marramendëse mbi Shtyllat e Herkulit.

…ata [Peritonët] janë armiq për vdekje të racës njerëzore; kur arrijnë të vrasin një njeri, hija që lëshojnë përdhe është e trupit të tyre; kështu ata fitojnë dhe favorin e perëndive.

…dhe ata që kaptuan detrat me Skipionin për të përgjunjur Kartagjenën, për pak sa s'dështuan, ngase gjatë lundrimit një formacion Peritonësh u sul si shigjetë në anije, duke vrarë e gjymtuar shumë vetë… Sado që armët tona nuk bëjnë dobi ballë tyre, kafshët - pa qenë kafshë - nuk mund të vrasin më shumë se një njeri.

…zhgërryhet në gjakun e viktimave të tij dhe pastaj flatron mbi flatrat e veta të fuqishme.

…në Ravenë, ku janë parë së fundi, rrëfejnë për pendët e tyre, të cilat i përshkruajnë me ngjyrë të bruztë të çelur, gjë që më çuditi pa masë, ngase është thënë se pendët e tyre janë në një të gjelbër të mbyllur.

Sodo që këto fragmente janë të qartë, është për të ardhur keq që s'ka mundur të mbërrijë në kohën tonë asnjë njoftim tjetër për Peritonët. Traktati i rabinit që ruajti këtë përshkrim për ne, ishte i depozituar, gjer përpara Luftës së fundit Botërore, në Bibliotekën e Dresdenit. Është e dhimbshme të pohohet se edhe ky dokument është zhdukur, dhe nëse si pasojë e bombardimeve, apo djegieve të mëparshme të librave prej nazistëve, nuk dihet. Le të shpresojmë se ndonjë ditë do të zbulohet një tjetër kopje e kësaj vepre, për të stolisur sërish raftet e ndonjë biblioteke.


Përktheu: Azem QAZIMI

Origjinat

Ai që i thotë këto fjalë është Kritia, njeri i afërt i filozofit Platon, i cili tregon që një shekull më parë, më 590 para Krishtit, ligjvënësi Solon kishte pasë shkuar në kryeqytetin administrativ të Egjiptit, Sais . Këtu ai qe përpjekur t'i çudiste Priftërinjtë e Isidit duke u bërë një pasqyrë të traditave të lashta greke, por njëri prej tyre kishte buzëqeshur, duke pohuar se ai grek qe një popull fëmijnor në krahasim me një popull tjetër rreth të cilit Egjiptianët zotëronin shumë dokumente të shkruara. Simbas priftit egjiptian, një qytetërim i zhvilluar kishte egzistuar për shekuj të tërë “mbi një ishull më të madh se Libia dhe Azia të marra së bashku”. Ishulli qe shkatërruar nëntë mijë vjet më parë nga një përmbytje e tmerrshme bashkë me gjithë banorët e tij. Fjalët e Kritias janë ndërfutur tek “Dialogjet” e Platonit, shkruar rreth vitit 340 para. Krishtit. Ja sesi e përshkruan ishullin filozofi grek, gjithnjë duke i vënë fjalët në gojën e priftit egjiptian: “Nga bregdeti e deri në mes të ishullit, i shte një rrafshinë; më e bukura dhe më pjellorja e të gjitha rrafshinave, kurse në qendër një mal jo shumë i lartë (...).”

Përshkrimi vijon gjatë e në të ndërfuten komente mbi gjenezën e banorëve të Atlantidës: shfaqet identikiti i një territori katërkëndor 540 x 360 kilometra, i rrethuar nga tri anë prej malesh që e mbronin nga erërat dhe nga të ftohtët, hapur në jug nga deti. Rrafshina ujitej në mënyrë artificiale nëpërmjet një kompleksi sistemesh kanalizuese perpendikulare mes tyre, që e ndanin token në gjashtëqind katrorë të quajtura klerossu, në të cilat lulëzonin hapësira të begata bujqësore. Qyteti kryesor, Atlantida, gjendej në bregun jugor; ai qarkohej nga një rreth muresh, largësia e të cilëve me qendrën ishte shtatëdhjetë kilometra; qyteti i vërtetë, i mbrojtur nga rrathë të tjerë uji dhe toke, kishte një diametër prej pesë kilometrash.

Me fjalë të tjera Atlantida ishte pothuajse tetë herë më e madhe se Siçilia; Nëse jo tamam një kontinent, ajo mbetej gjithsesi një ishull me madhësi të konsiderueshme. Kritia përshkruante pjellorinë e tokave të saj, të populluara veç tjerash prej elefantësh, gjë që do të thotë se edhe për këtë kafshë, më e madhja dhe më llupësja e të gjithave, kishte ushqim të bollshëm. Perandora e fuqishme e Atlantidës, që shtrihej në ishujt fqinje, ndahej në dhjetë shtete të konfederuara, çdonjeri prej të cilëve drejtohej nga një mbret; shteti Sovran, ai që përfshinte qytetin e Atlantidës ndahej nga ana e vet në gjashtëdhjetë mijë struktura qeverisëse; çdo pesë a gjashtë vjet zhvillohej njëfarë asambleje publike me pjesëmarrjen e popullit i cili gjykonte mbi veprimtarinë e administrative të ndryshme. Atlantidasit, të cilët nuk mjaftoheshin me zotërimin e ishujve të tyre, themeluan koloni të tyre në kontinentin përballë (Amerikë?), në Egjipt, Libi e në Etruri. Por nuk arritën ta mposhtin perandorinë e Athinës, themeluar në vitin 9600 para Krishtit nga perëndesha Minerva dhe organizuar simbas e vetë kritereve që Platoni kishte paraqitur në veprën e tij “Republika”. Mbas shumë vite luftimesh një tërmet i madh dhe një përmbytje shkretuan Athinën, përpinë ushtrinë e saj, por bënë që edhe Atlantida të zhytej në thellësinë e ujërave të oqeanit. Një ndëshkim i drejtë, duke pasë parasysh se me kalimin e shekujve Atlantidasit qenë korruptuar.:

”Kur elementi hyjnor, i përzier me natyrën njerëzore, u shua brënda tyre e mbizotëroi karakteri njerëzor, atëherë degjeneruan, e ndërsa atyre që ishin në gjendje të shihnin këto iu shfaqën si gjëra të turpshme, syve të atyre që ishin të plogësht për të dalluar se çfarë lloj jetë përkon me të vërtetë me lumturinë, iu dukën gjëra të mrekullueshme, të mbufatur siç ishin prej lakmisë dhe pushtetit. Dhe Zeusi, zoti i zotave, duke vënë re se kjo rracë po degjeneronte në mënyrë të mjerueshme, vendosi t'u jepte një ndëshkim me qëllim që të bëheshin më të urtë. Kërkoi të mbidheshin të gjithë zotat, e, me t'u mbledhur tha...”

Se çfarë tha Jupiteri, mund vetëm ta marrim me mend: në të vërtetë me këto fjalë përfundon edhe Kritia. Por prifti plak e ka sqaruar tashmë më përpara:

”Më vonë, me t'ia behur ca tërmete dhe përmbytje të jashtëzakonshme, e gjithë rraca juaj luftëtare (Pra Athinasit) u zhduk nën tokë, e në të njejtën mënyrë edhe Atlantida u gremis në det e u zhduk”.

Për sa rrëfehet, pohon Kritia, Egjipti është i vetmi vend që zotëron shumë dokumentacion të shkruar, sepse, ndryshe nga tokat fqinje, nuk qe përfshirë nga katastrofat; e në lidhje me këtë u kërkon ndjesë lexuesve për faktin se u ka vënë emra grekë sovranëve të Atlantidës. Në të vërtetë, në analet e veta, Egjiptianët i kishin përkthyer emrat në gjuhën e tyre, simbas zakonit të kohës; më vonë edhe Soloni nga ana e vet i pati ripërkthyer, e kështu i ka paraqitur. “Nëse pra do dëgjoni emra të ngjashëm me tanët, mos u çudisni, ngaqë e dini arsyen”.

Nga Platoni tek Kolombi

Ka mundësi që filozofi grek të mos e ketë marrë me mend se rrëfimi i tij i shkurtër (pak a shumë nja dhjetë faqe të sotme) do të kishte bërë të rridhte më shumë bojë sesa tërë korpusi i tij filozofik: rreth njëzet e pesë mijë vepra kushtuar një qytetërimi që ndoshta as nuk ka egzistuar fare. Rast më shumë unik sesa i rrallë (tjera vende të lashta misterioze, si Trekëndëshi i Bermudeve, janë zbuluar dhe diskutuar në kohë shumë të vonshme), problemi i egzistencës apo mosegzistencës së Atlantidës bëri të shpërthejnë shumë shpejt polemikat. Disa mëtonin se Atlantida gjendej përtej Kolonave të Herkulit (përshembull Cymmeria e cituar nga Homeri tek Odisea), dhe shënuan popullin e Atalantëve “që nuk hanë asnjë lloj qënieje me shpirt” e “nuk ëndërrojnë kurrë”. Në Histori-në e Herodotit, tema e Timeus dhe Kritias përbënte (së paku për aq sa dimë ne) një risi absolute. Aristoteli, nxënës i Platonit, nuk i dha shumë rëndësi rrëfimit të Mësuesit të vet, dhe ky jo-opinion pati një peshë përcaktuese në Mesjetën kristiane. Në të vërtetë, autoriteti i Aristotelit...

... konsiderohej i padiskutueshëm, e ajo që ai pati thënë (“Ipse dixit”), që jo rastësisht përputhej me vizionin gjeocentrik të universit mbështetur nga Kisha, nuk mund të kundërshtohej. Për më tepër egzistenca e një kontinenti të mbytur nëntë mijë vjet më parë nuk përputhej me datën e krijimit të botës simbas Gjenezës, llogaritur rreth vitit 3760 p. Krishtit.

Por, më 1492, Kristofor Kolombi zbuloi që, përtej Atlantikut egzistonte me të vërtetë një tokë: filozofi anglez Francis Bacon dha mendimin se mund të jetë fjala pikërisht për kontinentin e përshkruar në Kritia. Shumë pikëpamje nisën të modifikohen, aq sa në shekujt XVI dhe XVII Guillaume Postel, John Dee, Sanson, Robert de Vangoudy dhe shumë kartografë të tjerë e quajtën Amerikën me emrin Atlantidë. Mbas Pushtimit, u zbulua madje se një legjendë antike e indigjenëve të Meksikës, përshkruar në Kodin Aubin, fillonte me këto fjalë: “ Uexotzincas-ët, i Xochimilacas-ët, Cuitlahuacas-ët, Matlatzincas-ët, Malincalas-ët braktisën Aztlan-in dhe u endën gjithandej.”. Aztlan ishte një ishull i Atlantikut dhe tributë e lashta kishin qenë të detyruar ta braktisnin sepse po zhytej në oqean. Prej ishullit, të mbijetuarit morën emrin dhe u quajtën actekë, ose “Banorë të Aztlan”. Sa për dijeni, në Meksikë kjo teori nuk lidhet me vëllimet fantastike, por mësohet nëpër shkolla, pak a shumë siç mësojnë nxënësit italianë historinë e Romulit dhe Remos; në Muzeun Antropologjik të Qytetit Meksiko janë ekspozuar shumë vizatime të lashta që përshkruajnë migrimin.

Rikthimi iAtlantidës

Ka nga ata që bëjnë analogji mesqytetërimit të Egjiptit të lashtë dhatij të Amerikës qendrore: ndërtime piramidale, ballsamosje, vit i ndarë në 365 ditë, legjenda, afërsi gjuhësore. Atlantida duhet të ketë qenë pra njëfarë ure natyrale ndërmjet këtyre dy qytetërimeve, e shtrirë me gjasë ndërmjet Azoreve dhe Bahamasit.

Më 1815, Joseph Smith, fshatari pesëmbëdhjetëvjeçar nga Mançesteri, në Kontenë e Ontarios në Nju Jork, qe takuar me një engjëll me emrin Moroni , i cili i premtoi ca vizione të jashtëzakonshme. Shumë vite më vonë engjëlli i tregoi vendfshehjen e ca pllakave të çmueshme e të shkruara në një gjuhë të panjohur, të cilat Smith, i përndritur nga fryma hyjnore iu fut punë për t'i përkthyer. Më 1830 u botua Libri i Mormonëve, një bibël e vërtetë për sektin e Mormonëve, që përshkruan një përmbytje me ca karakteristika krejtësisht atlantidiane (dhe pse Atlantida s'përmendet fare), ndodhur menjëherë mbas kryqëzimit të Krishtit.

“Në vitin e tridhjetekatërt, në muajin e parë, në ditën e katërt, u çua një uragan i tillë siç nuk ishte parë kurrë përmbi tokë; e shpërtheu edhe një shtërngatë e madhe dhe e tmerrshme, e një bubullimë e tmerrshme që e shkundulloi tërë tokën si të donte ta çante më dysh (…). Dhe shumë qytete të mëdhenj e të rëndësishëm u gremisën, qytete të tjerë ranë pre e zjarreve, kurse mjaft të tjerë u troshitën derisa ndërtesat e tyre u rrëzuan, e banorët vdiqën dhe vëndet u shndërruan në mjerim (…). Kështu sipërfaqja e krejt tokës u deformua, e një errësirë e dendur u derdh mbi tërë vendin, e nëpër terr nuk mundën të ndezin ndonjë dritë, as llambë, as vravashkë” etj, etj.

Të mbijetuarit, populli i Nefit, kishin mundur të largoheshin në kohë “në vendin e Bollëkut”, ku ndërtuan tempuj e qytete, mes të cilëve atë të Palenque dhe një fortesë që më vonë u njoh me emrin Maçu Piçu.

Tridhjetë e dy vjet më vonë një studiues ekscentrik francez, abati Charles-Etienne Brasseur, zbuloi “provën përfundimtare” të lidhjes mes Mesdheut, Atlantidës dhe Amerikës Qendrore. Teoritë e tij u konsideruan të pabesueshme, por frymëzuan veprën e parë me të vertetë popullore rreth kësaj teme: “Atlantis, the Antediluvian World” (“Atlantida, Bota Antideluviane”) të amerikanit Ignatius Donnelly (1882). Simbas Donnelly, Atlantida ishte parajsa Tokësore biblike, dhe aty qenë zhvilluar qytetërimet e para. Banorët e saj qenë hapërdarë nëpër Amerikë, Europë e Azi; mbretërit dhe mbretëreshat e saj qenë bërë Zota të religjioneve antike. Më vonë, rreth trembëdhjetë mijë vjet më parë, i tërë kontinenti qe përmbytur prej një kataklizme me origjinë vullkanike. Në mbështetje të tezës së tij, Donnelly parashtron afëritë kulturore të përshkruara më sipër, dhe disa prova gjeologjike, me thënë të vërtetën jo fort bindëse . Nga ana tjetër e oqeanit, Augustus Le Plongeon, mjek francez, bashkëkohor me Donnelly, që për herë të parë kishte bërë gërrmime në rrënojat Maya në Yucatan , e rimori në mënyrë të pavarur tematikën e “Mistere të shenjta të Majave e të Kuikëve 11.500 vjet më parë; marrëdhëniet e tyre me Misteret e shenjta të Egjiptianëve, Grekëve, Kaldeasve dhe Indianëve”. Pavarësisht gjatësisë së pafundme të titullit, libri i tij pati një sukses të madh dhe ndikoi gjerësisht në përhapjen e mitit.

Burimi: http://www.forumi.zeriyt.com/index.php/topic,7953.0.html