Kanuni i Labërisë: Dallime mes rishikimesh

Content deleted Content added
Faqe e re: Botimi i Kanunit të Labërisë vjen pas botimit të librit "E drejta zakonore e Labërisë", në vitin 1994 dhe të ribotimit në vitin 2002, nga po i njëjti autor, Ismet Elezi. Botimi ...
(Pa ndryshime)

Versioni i datës 16 dhjetor 2008 23:16

Botimi i Kanunit të Labërisë vjen pas botimit të librit "E drejta zakonore e Labërisë", në vitin 1994 dhe të ribotimit në vitin 2002, nga po i njëjti autor, Ismet Elezi. Botimi i këtij Kanuni, pasqyron me vërtetësi kulturën e lashtë juridike të popullit të kësaj krahine, si pjesë përbërëse e kulturës shpirtërore e materiale të kombit shqiptar. Parë nga këndvështrimi jo vetëm i shtrirjes gjeografike të saj, por edhe nga këndvështrime të tjera, botimi i Kanunit të Labërisë, paraqet rëndësi historike, etnokulturore, juridike dhe kombëtare. Shembulli i gjallë i Labërisë, ashtu si ai i trevave të tjera të Shqipërisë deri në Kosovë e më gjerë ku banojnë shqiptarë, në luftën për liri e pavarësi kombëtare kundër pushtuesve të huaj, është tepër domethënës, për të vërtetuar ato që ka thënë albanologia e njohur angleze Edith Durham: "Perandoritë e tjera erdhën e ikën, por ato kaluan mbi shpinën e shqiptarit, si uji mbi shpinën e rosës… dhe ai ruajti zakonet dhe identitetin e tij" (Durham: Brenga e Ballkanit 1991, f. 104). Kjo ishte vetëmbrojtje e mirëfilltë shoqërore, për individët dhe shoqërinë. Në Kanunin e Labërisë sanksionohen në unitet etika, një sistem vlerash të larta morale si dhe parimet themelore juridike të mbrojtjes së nderit, burrërisë, fisnikërisë, besës, mikpritjes, bujarisë, parimet e barazisë, së gjakut, të lirisë, ashtu siç pasqyrohen në të drejtën zakonore mbarëshqiptare. Për ngjashmërinë e vlerave morale dhe të parimeve juridike të së drejtës zakonore shqiptare me ato të grekëve të vjetër të përshkruara te "Iliada" e Homerit dhe në veprat e Sofokliut, Eskilit etj. kanë shkruar mjaft studiues të huaj, që nga gjysma e shekullit XIX. Edhe në kohën e tanishme, studiuesi nga Japonia e largët prof. Kazuhiko Yamamoto, i cili ka bërë hulumtime të posaçme për problemet e etikës së Kodit zakonor (Kanunit) shqiptar në planin krahasues, shpreh mendimin: "Edhe struktura etike e shoqërisë homerike, e përbërë nga besa, nderi, miku, gjaku, buka dhe hakmarrja, duket se i përket kategorisë etike të një shoqërie pa autoritet shtetëror, përfaqësuar më së miri nga struktura etike e Kanunit". Sipas autorit të botimit, "ky krahasim i përshtatet më mirë Kanunit të Labërisë, për shkak të fqinjësisë së saj me Greqinë dhe të marrëdhënieve e të ndikimeve më të mëdha të ndërsjellta në kulturën e jetën e të dy popujve që nga lashtësia. Të dy popujt kanë dhënë e kanë marrë nga njëri-tjetri". Ky opinion, i autorit të paanshëm japonez ka rëndësi për të treguar lashtësinë e kulturës së popullit shqiptar, bashkëkohëse me atë të grekëve të vjetër. Ai shërbeu për të sqaruar se ky sistem i vlerave, në një shoqëri pa autoritet shtetëror ushtron e mban gjallë sensin e drejtësisë në këtë shoqëri. Këto pikëpamje shpreh edhe autori austriak Valter Peinsipp. Aty shprehet qartë, filozofia popullore për t'u vetëqeverisur me drejtësi, sipas rregullave (normave) të së drejtës zakonore, të rrënjosura në mendje, të cilat i tregojnë se çfarë është e drejtë dhe çfarë jo, se ç'duhet bërë e çfarë jo, sesi të sillet njeriu. Dhe këtë drejtësi, populli i saj nuk mund ta gjente kurrë në ligjet e shteteve të huaja pushtuese, por ai krijoi dhe jetoi me të drejtën zakonore të tij, me ligjet e veta të pashkruara, të trashëguara brez pas brezi nga të parët, për vetëmbrojtjen e bashkësisë dhe vetëqeverisjen në njësitë vendore. Këtu qëndron thelbi i Kanuneve shqiptare. "Kjo filozofi e ligjit, - shprehet E.Durham, - qëndron edhe mbi "dhjetë urdhrat e zotit".

"Kanuni është dëshmi e gjallë se bashkësia labe, që kur nuk ekzistonte autoriteti shtetëror e në vazhdimësi, nuk ka jetuar në anarki e në arbitraritet, por ka ruajtur e zbatuar normat e së drejtës zakonore për rregullimin e marrëdhënieve shoqërore në mes njerëzve, në fusha të ndryshme të jetës. Këto norma janë krijuar si rezultat i zhvillimit të marrëdhënieve shoqërore – ekonomike të grupit etnik dhe kanë vepruar brenda tij në truallin e Labërisë. Veç traditës e normave të moralit, që kanë qenë faktori kryesor, për zbatimin e Kanunit kanë ushtruar ndikim edhe feja, organizmat e vetëqeverisjes vendore, Këshilli i pleqve, Gjyqi i pleqve dhe Kuvendi i burrave me autoritetin e tyre patriarkal. "Sigurisht, nuk mund të mohohet, që edhe në shoqërinë e sotme labe ndeshen në praktikë dukuri të Kanunit, sidomos në marrëdhëniet familjare e martesore, në marrëdhëniet civile, të detyrimeve e kontratave që lidhen me mirëbesim, me gojë, kur duhen me shkrim e deri në fushën penale e procedurale, duke përjashtuar gjakmarrjen, e cila në Labëri i përket së kaluarës", pohon Elezi. Sipas tij, në këtë kuptim normat e kanunit nuk mund të studiohen vetëm nga këndvështrimi historiko-etnologjik. "Realiteti objektiv tregon se ndodhemi përpara dualizmit juridik. Nga njëra anë veprojnë ligjet e shtetit dhe nga ana tjetër, veprojnë edhe norma të kanunit, pavarësisht nga sfera e kufizuar e marrëdhënieve shoqërore që ato rregullojnë, sidomos në veri. Për këto arsye, del nevoja të përballemi me këto norma të mendësitë të së kaluarës. Mendimi dhe qëllimi kryesor i botimit të Kanunit janë jo vetëm në planin etnik e kulturor, por edhe për të kufizuar gradualisht zbatimin e tij në praktikë, duke u dhënë përparësi ligjeve të shtetit, që përbëjnë bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së tij.

Labëria është bashkësi etnokulturore e formuar në një territor autokton, zonë ndër më të mëdhatë etnografike, me shtrirje gjeografike mjaft të gjerë (me më shumë se 500 fshatra), në jugperëndim të Shqipërisë, me gjuhë, zakone e tradita kulturore të përbashkëta. Ajo ka qenë treva e kaonëve të periudhës ilire, që përmend Tukidi (629 p.e.r). Labëria, siç është shprehur Sami Frashëri është Arbëria, që përfshin nga Lumi Vjosë deri në detin Jon. Të dhëna më të plota me vlera historike, gjeografike për Labërinë japin specialistët e sotëm prof. dr. Muzafer Korkuti, Halo Abazi, etj. Përsa i përket veprimit në hapësirë të Kanunit të Labërisë, mund të thuhet me siguri, se ai zbatohej në fshatra të Vlorës, në Himarë, në Bregdet në tërësi, në Kurvelesh, në Rrëzomë, në Kardhiq, në Rrëzë të Tepelenës, kudo gjetkë ku banojnë bashkësi labe, si dhe në Mallakastër e në shkallë më të kufizuar deri në qytetet e Gjirokastrës, Delvinës, Tepelenës e Vlorës. Eqerem Vlora shkruan se: ²Shumica e lexuesve, nuk dinë fare që në Shqipërinë e Jugës, ka qenë (deri dje) në veprim një ²ligj i zakonit² ndërmjet popullatave malore të Labërisë, të Toskërisë dhe të Çamërisë… Nuk quhesh kudo njësoj: në Toskëri (që nga Korça e deri në Përmet) e quanin ²Kanuni i Adetit² në Çamëri e quanin shkurtazi ²Adeti², vetëm në Labëri (Lumi i Vlorës, Himarë, Kurvelesh) e quanin ²Kanuni Papa Zhulit² dhe më shpesh ²Kanuni i Idriz Sullit² (Shejzat, Romë 1957, Nr 23, f. 56-61)". Kjo pikëpamje është përkrahur edhe nga autorë të tjerë, sipas të cilëve e drejta zakonore që u ruajt gjatë pushtimit osman vepronte jo vetëm në krahinat autonome (Malësi e Shkodrës, Mirditë, Himarë), por edhe në zonat e tjera malore të banuara të Kosovës, Dibrës, Elbasanit, Tiranës, Beratit, Skraparit, Mallakastrës, Vlorës, Libohovës, Kolonjës, Korçës, Pogradecit, Çamërisë, etj., dhe zbatohej nga të krishterë e myslimanë, njëlloj nga të gjithë. Kanunet, zakonet, adetet të marrë në unitet me origjinën, historinë, gjuhën, kulturën dhe vlerat morale të përbashkëta dëshmojnë identitetin kombëtar shqiptar. Që këtej del se, Kanuni i Labërisë është pjesë përbërëse dhe variant kryesor i kanunit popullor mbarëshqiptar, i bazuar në filozofinë e vetëqeverisjes vendore.