Veprime Ushtarake të Lidhjes së Prizrenit: Dallime mes rishikimesh

Content deleted Content added
No edit summary
(Pa ndryshime)

Versioni i datës 21 qershor 2006 18:09

Aksioni i Gjakovës (korrik-shtator 1878)

Vendimet e Kongresit të Berlinit e shtuan zemërimin e shqiptarëve kundër Fuqive të Mëdha dhe kundër Portës së Lartë. Nga të katër anët e vendit u bënë protesta për të kundërshtuar shkëputjen e trojeve shqiptare në favor të shteteve fqinje. Kudo u shpreh gatishmëria e masave popullore për të mos lëshuar, qoftë në veri, qoftë në jug, asnjë pëllëmbë tokë të banuar nga popullsi shqiptare. Megjithatë, pasi mbaruan punimet e Kongresit të Berlinit, vëmendja e shqiptarëve u drejtua kryesisht nga fati i trojeve veriore, pasi vendimi i Fuqive të Mëdha për dorëzimin e Plavës dhe të Gucisë në favor të Malit të Zi kishte formë të prerë. Si i tillë ai duhej të zbatohej menjëherë, kurse vendimi për viset jugore do të merrte formë përfundimtare më vonë, pasi ishte i lidhur me bisedimet turko-greke. Tensioni i madh politik që pushtoi opinionin publik krijoi një truall të favorshëm për rritjen e shpejtë të autoritetit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe për shtrirjen e saj organizative, brenda pak javëve, në të katër anët e vendit. Pasi u kthyen në krahinat e tyre delegatët që kishin marrë pjesë në Kuvendin e Prizrenit, besëlidhjet lokale ose komisionet e vetëmbrojtjes, që ishin krijuar më parë, u kthyen menjëherë në degë të Lidhjes Shqiptare. Në ato krahina, ku ato mungonin, u organizuan mbledhje të posaçme, të cilat formuan degët lokale të Lidhjes. Duke marrë parasysh vështirësitë e ndërlidhjes së degëve të shumta me Komitetin Kombëtar dhe për ta rritur operativitetin e këtyre degëve në përshtatje me rrethanat lokale, në fillim të korrikut u formuan në bazë vilajetesh tri komitete ndërkrahinore të Lidhjes Shqiptare me qendër në Prizren, në Shkodër dhe në Janinë. Me to u lidhën degët e shpërndara në sanxhakët dhe në kazatë e këtyre vilajeteve. Meqenëse më 1878 vilajeti i Manastirit ishte suprimuar, degët e formuara në sanxhakët e Dibrës, të Ohrit e të Manastirit u lidhën me Komitetin Ndërkrahinor të Prizrenit, kurse ato të sanxhakut të Korçës me Komitetin Ndërkrahinor të Janinës. Lidhjet ndërmjet Komitetit të Janinës dhe komiteteve të Prizrenit ose të Shkodrës kryheshin sipas rastit, nëpërmjet degës së Elbasanit ose nëpërmjet degës së krijuar posaçërisht për këtë qëllim në Selanik, e cila shërbente si ndërmjetëse për lidhjet e komiteteve ndërkrahinore të vilajeteve me Komitetin e Stambollit. Për të shpejtuar lidhjet ndërmjet tyre, komitetet krahinore shfrytëzuan edhe linjën telegrafike, madje, nëpërmjet telegrafistëve atdhetarë, edhe shifrazhin sekret telegrafik. Në përshtatje me situatën e krijuar, Komiteti Ndërkrahinor i Janinës u ngarkua me detyrën që të merrte masa politike e ushtarake për të parandaluar ose, në pamundësi të kësaj, për të kundërshtuar shkëputjen e Çamërisë në favor të Greqisë. Për këtë qëllim në dhjetëditëshin e tretë të korrikut 1878 u organizua në Janinë një Kuvend i gjerë Ndërkrahinor me përfaqësues të të gjitha degëve të vilajetit. Pasi vendosi të shprehte botërisht vendosmërinë e shqiptarëve për të kundërshtuar me armë çdo lëshim të trojeve të tyre në favor të Mbretërisë Greke, Kuvendi Ndërkrahinor caktoi për çdo kaza numrin e forcave vullnetare, që do të mobilizoheshin për të hyrë në luftë menjëherë sapo të dilte nevoja. Në të njëjtën kohë përfaqësuesit e degëve të Jugut miratuan një memorandum, me të cilin paralajmërohej Porta e Lartë se shqiptarët ishin të vendosur të viheshin edhe kundër saj, në rast se ajo do të tërhiqej përballë pretendimeve shoviniste të Athinës. Në mbledhjen që mbajti më 24 korrik 1878, nën drejtimin e Abdyl Frashërit, Kuvendi Ndërkrahinor i Janinës, krahas vendimeve që mori për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë, shqyrtoi edhe çështjen e formimit të vilajetit autonom shqiptar. Për këtë qëllim, më 24 korrik 1878, u hartua një rezolutë e veçantë, në të cilën aspirata e shqiptarëve për autonomi është formuluar nëpërmjet tri kërkesave: bashkimi i trojeve të tyre në një vilajet të vetëm, zhvillimi i gjuhës shqipe si gjuhë kombëtare dhe zbatimi menjëherë në Shqipëri i reformave të përshtatshme me nevojat e saj, sikurse ishte krijimi i “milicisë shqiptare” me forca të rekrutuara nga e gjithë Shqipëria. Lidhja parashikonte që vetëm në vilajetin e Janinës të mblidhte 30 mijë burra të armatosur. Kjo rezolutë, në të cilën shprehej vendosmëria e shqiptarëve për të kundërshtuar me armë në dorë çdo aneksim të tokës së tyre nga Greqia, madje edhe në kundërshtim me qëndrimin e Portës së Lartë, shqetësoi qarqet qeveritare të Stambollit. Në telegramet që i dërgonte kryetarit të Kuvendit Ndërkrahinor të Janinës më 3 dhe 25 gusht, kryeministri turk shpejtoi t’i qetësonte shqiptarët, duke u zotuar se nuk do t’i lëshonte Greqisë asnjë pëllëmbë tokë nga vilajeti i Janinës. Gjithashtu, në përshtatje me situatën e krijuar, dy komitetet ndërkrahinore të Veriut u mobilizuan për të kundërshtuar me armë dorëzimin e kazasë së Gucisë (ku bënte pjesë edhe Plava) në favor të Malit të Zi. Për mbrojtjen e tyre në Shkodër u zhvillua një miting popullor, pas të cilit filluan menjëherë përgatitjet për të rekrutuar vullnetarë dhe për të grumbulluar armë. Brenda pak ditëve, në fillim të korrikut, në rrethin e Shkodrës u regjistruan rreth 6 mijë vullnetarë. Qytetarët dhe fshatarët dhanë kontribut në të holla e drithë. Një mobilizim i tillë ndodhi edhe në Kosovë, sidomos në Gjakovë e në Pejë. Më shumë se kudo mobilizimi përfshiu banorët e Plavës e të Gucisë. Shqiptarët, të cilët përbënin shumicën dërrmuese të këtyre dy krahinave, u vunë në gatishmëri të plotë, duke vëzhguar ditë e natë lëvizjet e ushtrive malazeze përtej kufirit. Sipas vendimit që mori Komiteti Kombëtar i Lidhjes së Prizrenit, vullnetarët e krahinave të tjera do të qëndronin në shtëpitë e tyre në pritje për t’u nisur në front sapo të lëshohej kushtrimi. Përgatitjet politike dhe ushtarake të Lidhjes së Prizrenit tregonin se nenet e Traktatit të Berlinit, që cenonin të drejtat kombëtare të Shqipërisë, nuk mund të zbatoheshin pa dhunën e armatosur kundër shqiptarëve që do të ushtrohej ose nga Mali i Zi, ose nga Perandoria Osmane. Për ta mënjanuar këtë konflikt tepër të kushtueshëm dhe me përfundime të pasigurta për Malin e Zi, knjaz Nikolla kërkoi ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha, duke e akuzuar Portën e Lartë si organizatoren e Lidhjes së Prizrenit. Për Perandorinë Osmane kazaja e Gucisë, me më pak se 10 mijë banorë, nuk kishte asnjë rëndësi ekonomike e strategjike në krahasim me territoret e gjera të Bullgarisë, të Bosnjës, të Hercegovinës etj., që asaj iu shkëputën nga Traktati i Berlinit. Por Porta e Lartë nuk donte që, për shkak të një krahine të parëndësishme kufitare, të ndizte revoltimin e mëtejshëm të 1,6 milion shqiptarëve, të cilët do të mbeteshin brenda kufijve të Perandorisë. Si rrjedhim, ajo ngurroi të dorëzonte Plavën e Gucinë, duke u justifikuar para Fuqive të Mëdha me arsyen e vërtetë, me rrezikun e një konflikti të armatosur ndërmjet saj dhe shqiptarëve. Ndërkaq, në dhjetëditëshin e tretë të korrikut u acaruan marrëdhëniet e Portës së Lartë me shqiptarët, për shkak të qëndrimit të këtyre të fundit ndaj pushtimit të Bosnjës e të Hercegovinës nga Austro-Hungaria. Kur më 22 korrik ushtritë austro-hungareze filluan marshimin drejt Bosnjës dhe Hercegovinës, autoritetet shtetërore osmane u kërkuan krerëve të Lidhjes Shqiptare që t’u vinin në ndihmë me forcat e tyre të armatosura boshnjakëve, që kishin rrëmbyer armët kundër pushtuesve të huaj. Kërkesën e Stambollit e miratuan vetëm qarqet sulltaniste, të cilat u përpoqën të bindnin Këshillin e Përgjithshëm të Lidhjes për të marrë pjesë në luftën kundër Austro-Hungarisë, ndërsa anëtarët e tij nuk pranuan, duke përdorur si argument nevojën e ngutshme që kishte vendi për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Presioni i qarqeve qeveritare dhe i elementëve turkomanë vijoi katër javë, derisa më 19 gusht 1878 Këshilli i Përgjithshëm, i mbledhur posaçërisht për këtë qëllim, e hodhi përfundimisht poshtë kërkesën e Portës së Lartë. Lidhja vendosi të mos dërgonte forcat e saj të armatosura kundër invazionit austro-hungarez në Bosnjë, me arsyen e thjeshtë se ato ishin krijuar për të mbrojtur interesat kombëtarë të Shqipërisë e jo të Perandorisë Osmane. Me këtë qëndrim Lidhja e Prizrenit u dha, pas miratimit të kanunit kombëtar më 2 korrik 1878, goditjen e dytë planeve të sulltanit. Goditjen e tretë ajo ua dha tre javë më vonë me vrasjen në Gjakovë të mareshalit Mehmet Ali pashë Maxhari. Pas dështimit të planeve të saj në lidhje me Bosnjën e me Hercegovinën, Porta e Lartë filloi të shqetësohej si nga rruga e veprimeve të pavarura në të cilët tashmë kishte hyrë Lidhja Shqiptare, ashtu edhe nga trysnia e madhe që po ushtronin Fuqitë e Mëdha në lidhje me zbatimin e Traktatit të Berlinit kundrejt Malit të Zi e Mbretërisë Greke. Trysni të fuqishme ushtronte sidomos Rusia cariste, e cila po e kushtëzonte tërheqjen e ushtrive të veta nga Rumelia Lindore me dorëzimin nga ana e Perandorisë Osmane të trojeve që i qenë premtuar Malit të Zi. Kërkesën e plotësimit të detyrimeve, që rridhnin nga Kongresi i Berlinit, ia parashtroi Stambollit edhe princi i Malit të Zi, më 13 gusht 1878. Për t’u çliruar nga ky presion e sidomos nga ai që ushtronte Rusia, ushtritë e së cilës ndodheshin në afërsitë e Stambollit, Porta e Lartë vendosi të shpejtonte veprimet për dorëzimin e këtyre trojeve, duke përfshirë këtu edhe Plavën e Gucinë. Në përgjigjen që i dha princit të Malit të Zi, më 20 gusht, Ministria e Jashtme e njoftonte knjaz Nikollën se qeveria perandorake kishte caktuar mareshalin Mehmet Ali Pashën si komisar i jashtëzakonshëm për të kryer formalitetet e dorëzimit të Plavës e të Gucisë. Në fund të gushtit u dërgua në Shqipëri mareshali Mehmet Ali pashë Maxhari si komisar me fuqi të jashtëzakonshme për kufijtë turko-malazezë, i shoqëruar nga një adjutant i sulltanit. Ai u porosit që, para se të shkonte në kufi, ta bindte Komitetin e Lidhjes të mos e kundërshtonte dorëzimin e Plavës e të Gucisë dhe të mos i sillnin atij pengesa në zbatimin e Traktatit të Berlinit. Qysh në fillim u mor vesh se mareshali turk kishte marrë përsipër të shpërndante Komitetin Kombëtar të Lidhjes Shqiptare në Prizren dhe, pasi të kryente dorëzimin e Plavës e të Gucisë, do të vinte në Shkodër për të shpërndarë edhe aty Komitetin Krahinor të Lidhjes. Prandaj lajmi i misionit të Mehmet Ali pashës u prit me zemërim në Shqipëri. Në Prizren, Komiteti Kombëtar i Lidhjes u shpreh kundër pjesëmarrjes së mareshalit në komisionin e kufirit. Po kështu, në një mbledhje të fshehtë që u mbajt në Shkodër nga aktivistët më radikalë, u vendos që të mos e linin komisarin e sulltanit as të hynte në qytetin e tyre. Mehmet Ali pasha arriti në Prizren më 25 gusht 1878 dhe ra menjëherë në kontakt me anëtarët e organeve qendrore e ndërkrahinore të Lidhjes Shqiptare. Ai u përpoq të bindte veçan udhëheqësit e saj për kotësinë dhe dëmin e kundërshtimit të shqiptarëve, pasi, sipas tij, jo vetëm Porta e Lartë, por as Fuqitë e Mëdha nuk do të tërhiqeshin; ato do ta zbatonin me çdo kusht Traktatin e Berlinit. Në një mbledhje të përbashkët me të gjithë krerët e Lidhjes, më 26 gusht, ai përdori, midis të tjerave, edhe kërcënimin, duke u lënë një afat prej 24 orësh për t’u menduar. Por të nesërmen askush nuk u paraqit në mbledhje. Për më tepër, atë ditë u vra nga njerëzit e Lidhjes Shqiptare me atentat, në kafenenë “Marash” të Prizrenit, telegrafisti i Mehmet Ali pashës, të cilin mareshali e kishte sjellë me vete për të ruajtur sekretin e raporteve që do t`i drejtonte Portës së Lartë. Vrasja e telegrafistit ishte një paralajmërim që Lidhja e Prizrenit i drejtonte Maxhar? Pashës dhe nëpërmjet tij qeverisë osmane, për të hequr dorë nga dorëzimi i trojeve shqiptare. Mehmet Ali pasha nuk qe në gjendje as t’i bindte udhëheqësit e Lidhjes Shqiptare, as edhe të shpërndante Komitetin Kombëtar sipas porosive të posaçme që kishte marrë në Stamboll. Megjithatë, mareshali turk nuk hoqi dorë nga misioni i tij. Më 31 gusht ai u nis për në Gjakovë i shoqëruar nga tri batalione ushtarësh turq, duke kërkuar nga Mitrovica që t’i dërgonin në ndihmë edhe një batalion tjetër. Edhe në Gjakovë ai thirri më 1 shtator në një mbledhje krerët e degës së Lidhjes, të cilët u përpoq t’i bindte që t’i nënshtroheshin vullnetit të sulltanit. Por këtu ai gjeti një qëndrim më të rreptë. Me përjashtim të kryetarit të degës së Lidhjes, Abdullah pashë Drenit, i cili si përfaqësues i krahut sulltanist u bashkua me Maxhar Pashën, të gjithë anëtarët e tjerë, të udhëhequr nga patriotët e vendosur Sulejman Vokshi e Ahmet Koronica, e ftuan mareshalin osman që të mos e vijonte më tej rrugën drejt kufirit malazez. Sapo morën vesh nisjen e tij, udhëheqësit e Lidhjes Shqiptare për Gjakovën, lëshuan kushtrimin, të cilit iu përgjigjën mijëra malësorë të armatosur. Më 1 shtator, nën drejtimin e Ali pashë Gucisë, ata u grumbulluan në malin Erenik, duke zënë rrugën që kalonte prej Gjakove në Plavë e në Guci. Në këto rrethana, Mehmet Ali pasha e shtyu marshimin për në kufi dhe u struk në sarajet e Abdullah pashë Drenit në Gjakovë. Pas kësaj, për t’i dhënë një paralajmërim tjetër më të prerë, po atë mbrëmje qytetarët e malësorët gjakovarë, rreth 4 500 veta të armatosur, të cilët i qenë përgjigjur kushtrimit të Lidhjes Shqiptare, lanë malin Ereç dhe zbritën në qytet, ku rrethuan sarajet e Abdullah pashë Drenit. Të nesërmen, më 2 shtator 1878, një delegacion gjakovarësh u paraqit përsëri te Abdullah pashë Dreni (në sarajet e të cilit ishte strehuar Mehmet Ali pasha) dhe i dha një ultimatum prej 24 orësh që ta përcillte mareshalin nga kishte ardhur. Të dy pashallarët shpresuan se me gjashtë kompanitë, rreth 600 veta që mbronin sarajet, me 30 trimat që kishin me vete dhe me ndihmat që prisnin t’u vinin nga Mitrovica, nga Prizreni dhe nga miqtë e tyre, do ta shtypnin kryengritjen. Në të vërtetë atyre u erdhën vetëm 70 malësorë nga Fandi i Gjakovës, të mashtruar prej priftit të tyre. Më 3 shtator, pasi mbaroi afati i ultimatumit, rreth 4 500 kryengritës, që mbanin të rrethuar sarajet, filluan sulmin. Përleshja ishte e ashpër dhe me humbje të mëdha për të dyja palët. Në mbrëmje u bë një armëpushim prej 24 orësh për të rifilluar bisedimet, të cilat vijuan gjatë natës dhe gjatë ditës së nesërme, por pa ndonjë rezultat. Në mbrëmjen e 4 shtatorit rifilluan luftimet. Më 5 shtator gjendja e të rrethuarve u keqësua, pasi shumica e ushtarëve që mbronin sarajet u dorëzuan. Batalioni që u nis nga Mitrovica për t’i ardhur në ndihmë Maxhar Pashës u shthur rrugës dhe shumica e ushtarëve të tij, duke qenë shqiptarë, u bashkuan me kryengritësit. Më 6 shtator 1878, pas një sulmi të rreptë që ndërmorën luftëtarët e Lidhjes Shqiptare, edhe mbeturinat e kompanive turke që mbronin mareshalin osman u dorëzuan. Pastaj kryengritësit arritën t’u vënë zjarr sarajeve. Mehmet Ali pasha dhe Abdullah pashë Dreni mbetën të vrarë gjatë sulmit të fundit. Me vrasjen e tyre luftimet morën fund me fitoren e forcave të Lidhjes Shqiptare. Gjatë këtij luftimi treditor të dyja palët patën humbje të mëdha, të rrethuarit rreth 90 veta, forcat e Lidhjes rreth 500 veta. Përpjekja e armatosur e Gjakovës ishte frymëzuar nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ndërsa me organizimin e saj të drejtpërdrejtë u mor dega e Lidhjes për Gjakovën. Udhëheqësit kryesorë të saj ishin Ahmet Koronica, Sulejman Vokshi, Ali bej Gucia, Jakup Ferri dhe Ismail Myderizi, së bashku me krerët e esnafëve të qytetit të Gjakovës. Përpjekja e Gjakovës pati jehonë të madhe brenda dhe jashtë vendit. Në saje të pjesëmarrjes së gjerë të masave popullore dhe të gjakut të tyre të derdhur në këto luftime, kjo ngjarje shënoi fitoren e plotë të vijës atdhetare shqiptare në gjirin e Lidhjes së Prizrenit. Aksioni i Gjakovës tregoi se Lidhja e Prizrenit ishte një organizatë krejtësisht e pavarur nga Porta e Lartë, madje ajo ishte e vendosur që, për të mbrojtur tërësinë territoriale të atdheut, të luftonte edhe kundër saj. Në të vërtetë, Lidhja e Prizrenit, e cila u formua për të kundërshtuar vendimet e Fuqive të Mëdha dhe u përgatit për të hyrë në luftë kundër ekspansionit të shteteve fqinje, dëshmorët e saj të parë i la në luftë kundër Perandorisë Osmane. Luftimet e Gjakovës patën jehonë edhe jashtë kufijve të Shqipërisë në tri drejtime: si një akt që cenonte Traktatin e Berlinit në lidhje me detyrimet territoriale të Perandorisë Osmane ndaj Malit të Zi; si një aksion që keqësoi më shumë marrëdhëniet e Portës së Lartë me shqiptarët; si një veprim që e vështirësonte më keq zgjidhjen e problemeve të krijuara nga Kriza Lindore në Gadishullin Ballkanik.

Mbrojtja e Plavës dhe e Gucisë (tetor 1879-janar 1880)

Me revoltën e armatosur të Gjakovës dhe me aksionin diplomatik të pranverës së vitit 1879, Lidhja Shqiptare ia hoqi Portës së Lartë de facto të drejtën që të fliste në emër të Shqipërisë. Veç kësaj, me qëndresën e saj energjike, ajo bëri që të zvarriteshin e të mos zbatoheshin menjëherë dy vendimet e rëndësishme të Kongresit të Berlinit, që cenonin interesat kombëtarë të Shqipërisë, njëri në favor të Malit të Zi (neni 28 i Traktatit) dhe tjetri në dobi të Greqisë (Protokolli nr. 13 i Kongresit). Megjithatë Lidhja e Prizrenit nuk e kishte plotësuar ende përfundimisht programin e saj. As gjashtë Fuqitë e Mëdha nuk ishin të prirura t’i anulonin vendimet që kishin marrë në Kongresin e Berlinit, as dy shtetet fqinje ballkanike nuk kishin ndërmend të hiqnin dorë nga viset që u kishin premtuar Fuqitë e Mëdha. Si rrjedhim, lufta për mbrojtjen e trojeve shqiptare ende nuk kishte marrë fund, përkundrazi, parashikohej që ajo të merrte trajta të përgjakshme. Pas vrasjes në Gjakovë të mareshal Mehmet Ali pashës, Porta e Lartë u dha të kuptojnë Fuqive të Mëdha se e kishte tepër të vështirë të përmbushte kundrejt Malit të Zi detyrimet territoriale që rridhnin nga Traktati i Berlinit. Por knjaz Nikolla nuk donte të dinte për asnjë justifikim. Nga frika se me kalimin e kohës mund të ndryshonin rrethanat ndërkombëtare në dëm të saj, Cetina kërkonte vazhdimisht ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha për ta detyruar Perandorinë Osmane të dorëzonte sa më parë krahinat e Podgoricës, të Shpuzës, të Zhabjakut, të Plavës, të Gucisë e të Rugovës, të cilat Kongresi i Berlinit ia kishte dhënë Malit të Zi. Veç kësaj, si kundërpeshë ajo po e vononte dorëzimin e Ulqinit, të Dinoshit dhe të Bregut të Bunës, të cilat i mbante të pushtuara qysh nga koha e luftës, por që sipas Traktatit të Berlinit duhej t’i ktheheshin Perandorisë Osmane. Presionin më të fortë ndaj Perandorisë Osmane e ushtroi Rusia cariste, e cila vijoi ta kushtëzonte tërheqjen e ushtrive të saj pushtuese nga Traka me dorëzimin e krahinave që i qenë premtuar Malit të Zi. Fuqitë e tjera të Mëdha u bashkuan me presionin carist, pasi e shikonin me shqetësim qëndrimin e mëtejshëm të ushtrive ruse në afërsi të Stambollit. Kështu, në fund të vitit 1878, Porta e Lartë vendosi t’i zbatonte detyrimet territoriale kundrejt Malit të Zi. Vendimi i Stambollit ngriti përsëri në këmbë shqiptarët. Për të shqyrtuar gjendjen e re u mblodh menjëherë, në fillim të janarit 1879, Komiteti Kombëtar i Lidhjes, i cili ripohoi qëndrimin e vet të caktuar më parë. Sipas kësaj vije, Lidhja e Prizrenit nuk do ta pengonte dorëzimin e Podgoricës, të Shpuzës e të Zhabjakut, pasi ato banoheshin nga popullsi të përziera sllavo-shqiptare, por do ta kundërshtonte me armë lëshimin e Plavës dhe të Gucisë, popullsia e të cilave ishte në masën dërrmuese shqiptare. Vendimin e Komitetit Kombëtar e miratuan të dy komitetet ndërkrahinore të vilajeteve të Shkodrës dhe të Kosovës, të cilat po në janar 1879 mblodhën kuvendet e tyre të jashtëzakonshme, pothuajse në atë kohë që zhvilloi punimet e veta edhe Kuvendi Ndërkrahinor i Prevezës. Meqenëse Plava e Gucia bënin pjesë në vilajetin e Kosovës, barrën e drejtimit dhe të organizimit të luftës për mbrojtjen e tyre e mori përsipër Komiteti Ndërkrahinor i Prizrenit, i cili nga ana e vet formoi një shtab ushtarak të posaçëm, me Ali pashë Gucinë në krye. Ndërkaq u mblodh në fshatin Virpazar, në afërsi të liqenit të Shkodrës, komisioni turko-malazez, i cili më 2 shkurt 1879 nënshkroi marrëveshjen dypalëshe për formalitetet e dorëzimit brenda një jave të krahinave të vilajetit të Shkodrës, që i takonin njëra-tjetrës sipas Traktatit të Berlinit. Nga frika e kryengritjes së shqiptarëve, Porta e Lartë nuk pranoi ta përfshinte në marrëveshje dorëzimin e Plavës e të Gucisë, duke e lënë çështjen e tyre për t’u zgjidhur më vonë. Sipas marrëveshjes, dorëzimi i Podgoricës, i Shpuzës dhe i Zhabjakut nga ana e autoriteteve turke u krye pa vështirësi. Po ashtu u bë edhe dorëzimi i Ulqinit, i Dinoshit dhe i Bregut të Bunës nga ana e autoriteteve malazeze. Por Mali i Zi nuk deshi ta linte punën të zgjatej më tej. Knjaz Nikolla iu drejtua menjëherë Fuqive të Mëdha, duke kërkuar prej tyre që ta detyronin Perandorinë Osmane t’ia dorëzonte dy krahinat shqiptare (Plavën dhe Gucinë) Malit të Zi. Nga ana e vet Porta e Lartë u kërkoi Fuqive të Mëdha të dërgonin në Plavë e në Guci një Komision Ndërkombëtar për t’u bindur për vështirësitë që gjente te shqiptarët e egërsuar nga padrejtësitë e Kongresit të Berlinit. Në vend të tij ato dërguan Komisionin Ndërkombëtar për caktimin e vijës së kufirit, të përbërë nga përfaqësues të gjashtë Fuqive të Mëdha dhe të dy shteteve të interesuara. Komisioni filloi nga puna në maj 1879 dhe për disa muaj me radhë u mor me caktimin e pikave të kufirit turko-malazez në vilajetin e Shkodrës. Por gjatë verës, kur Komisioni Ndërkombëtar donte të shkonte në Plavë e në Guci, përfaqësuesit e Komitetit Ndërkrahinor të Prizrenit u paraqitën Fuqive të Mëdha, më 22 gusht 1879, një notë me shkrim, me të cilën deklaronin se nuk do të njihnin asnjë ndryshim të kufirit me Malin e Zi pa pjesëmarrjen në Komisionin Ndërkombëtar të krerëve të Lidhjes Shqiptare dhe pa u miratuar vendimet e tij nga e “gjithë” Shqipëria. Pas kësaj note të rreptë, Komisioni Ndërkombëtar e ndërpreu punën e vet, pezulloi udhëtimin e tij për në Plavë e në Guci. Me këtë rast filluan përsëri protestat e Malit të Zi dhe ndërhyrjet e Fuqive të Mëdha për ta detyruar Perandorinë Osmane që ta zgjidhte sa më parë çështjen e Plavës e të Gucisë. Porta e Lartë provoi t’i bindte banorët e dy krahinave kufitare që të hiqnin dorë nga qëndresa e mëtejshme, duke u premtuar familjeve, që nuk dëshironin të jetonin nën sundimin malazez, se do t’u jepte tokë në vendbanime të reja dhe se do t’i çlironte nga taksat për dhjetë vjet. Por shqiptarët nuk u lëkundën nga vendimi i tyre. Atëherë knjaz Nikolla filloi të kërcënonte se do ta zgjidhte këtë çështje me anën e luftës së armatosur dhe se në një rast të tillë nuk do të aneksonte vetëm Plavën e Gucinë, por edhe vise të tjera shqiptare. Në këto rrethana, marrëdhëniet shqiptaro-malazeze erdhën duke u keqësuar vazhdimisht. Gjatë muajit tetor 1879 Mali i Zi filloi përqendrimin e ushtrive në kufi, duke e çuar numrin e tyre në 5 600 veta. Këtyre masave Lidhja e Prizrenit iu përgjigj duke vënë në gatishmëri luftarake forcat e saj të armatosura. Sipas vendimit që Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes kishte marrë më 3 tetor 1879, Komisioni Ushtarak a Shtabi Ushtarak, nën kryesinë e Ali pashë Gucisë, i krijuar nga Komiteti Ndërkrahinor i Lidhjes Shqiptare për Kosovën, shpalli për zonën e Plavës e të Gucisë gjendjen e luftës. Të gjithë burrat plavianë e gucianë të aftë për armë u shpallën luftëtarë që do të qëndronin në gatishmëri në shtëpitë e tyre. Po në tetor 2 mijë gjakovarë të armatosur u nisën për në Guci. Në fund të tetorit mbërritën këtu edhe vullnetarë nga Shkodra e Malësia. Porta e Lartë, për të mënjanuar konfliktin e armatosur, i propozoi Cetinës që në vend të krahinave shqiptare të Plavës e të Gucisë t’i jepte disa vise sllave të Hercegovinës. Por propozimin e Stambollit, të cilin e kundërshtoi Austro-Hungaria, nuk e pranoi as Mali i Zi. Pas disa ndeshjeve sporadike kufitare, që ndodhën gjatë tetorit, knjaz Nikolla vendosi më në fund të kalonte në sulme të hapura. Më 31 tetor dhe 1 nëntor 1879 forcat malazeze, duke dashur të tërheqin vëmendjen e Fuqive të Mëdha dhe, njëherazi, të matnin pulsin e shqiptarëve, kryen dy inkursione kundër vijës mbrojtëse të forcave të Lidhjes, të parin në fshatin Pepaj dhe të dytin në fshatin Arzhanicë. Në këtë të fundit vranë në befasi 30 fshatarë dhe dogjën mjaft shtëpi, por pas disa orë luftimesh u dëbuan nga forcat e Lidhjes. Në të vërtetë këto qenë sulme demonstrative, të cilat shqiptarët i përballuan pa ndonjë vështirësi. Edhe pse dështoi, sulmi malazez nxiti një valë të madhe mobilizimi në të katër anët e Shqipërisë. Me mijëra vullnetarë të tjerë vrapuan në krahinat e Gjakovës, të Pejës, të Dibrës e të Shkodrës. Gatishmëria e shqiptarëve qe aq masive, sa Shtabi Ushtarak i Lidhjes së Prizrenit, i vendosur në Guci, u detyrua të pengonte nisjen e tyre drejt frontit, pasi nuk ua ndiente nevojën dhe nuk kishte mundësi për t’i sistemuar. Në fillim të muajit dhjetor forcat kryesore malazeze qenë rreshtuar gjatë vijës kufitare, në fshatrat Murinë, Pepaj, Arzhanicë e Velikë, kurse forcat shqiptare përballë tyre në fshatrat Guci, Kolenivicë, Martinaj, Plavë e Nokshiq. Midis forcave malazeze dhe shqiptare në sektorin verilindor kalonte lumi Lim vetëm me një urë prej druri. Zona malazeze ishte kryesisht malore, ndërsa në atë shqiptare dominonte pllaja e Plavës. Më 4 dhjetor 1879, pjesa më e mirë e ushtrisë malazeze prej 4 mijë ushtarësh, nën komandën e Mark Milanit, ndërmori një sulm të furishëm në sektorin e Nokshiqit, në drejtim të Plavës e të Gucisë. Shtabi ushtarak i Lidhjes, i përbërë nga Ali pashë Gucia (kryetar), Jakup Ferri, Sulejman Vokshi, Haxhi Zeka, Filip Çeka, Jusuf Sokoli e të tjerë, midis të cilëve kishte edhe disa oficerë të karrierës, u përgjigj duke hedhur në sulm rreth 2 mijë luftëtarë. Luftimet më të ashpra u bënë në luginën e Nokshiqit, ku u angazhuan forca të shumta malazeze. Luftëtarët u përleshën aq ashpër me njëri-tjetrin, sa që të dy palët lanë mënjanë hutat dhe nxorën jataganët, duke u përleshur trup me trup. Përleshja vazhdoi disa orë me radhë. Forcat vullnetare të Lidhjes ndalën sulmin e ushtrisë malazeze dhe i shkaktuan asaj disfatë në Nokshiq, duke e detyruar të tërhiqej brenda kufijve të Malit të Zi. Edhe pse të dhënat për humbjet e të dy palëve janë kontradiktore, mund të nxirret si përfundim se nga malazezët pati 300 të vrarë e të mbytur në lumë gjatë tërheqjes, ndërsa nga shqiptarët 300-400 veta. Në këto luftime u vra edhe një nga komandantët e shquar të ushtrisë së Lidhjes, Jakup Ferri. Vendosmëria e shqiptarëve për të qëndruar deri në fund dhe këmbëngulja e Cetinës për të vazhduar më tej luftën alarmuan si Fuqitë e Mëdha, ashtu edhe Perandorinë Osmane. Nga frika e ndërlikimeve të reja, Porta e Lartë vendosi ta zgjidhte me çdo kusht dorëzimin e dy krahinave kufitare. Për këtë qëllim ajo nisi menjëherë për në Kosovë mareshal Ahmet Muhtar pashën, i cili atë kohë ishte komandanti i Armatës osmane të Rumelisë me qendër në Manastir. Mareshali, i shoqëruar nga 11 batalione (rreth 6 000 ushtarë), sapo arriti në Prizren thirri në takim anëtarët e Komitetit Kombëtar të Lidhjes për t’i bindur që t’i nënshtroheshin vendimit të sulltanit. Por ata nuk pranuan. Më 14 dhjetor 1879 lëshoi një shpallje, me të cilën u kërkonte shqiptarëve që të merrnin në konsideratë gjendjen kritike të Portës së Lartë dhe të mos pengonin dorëzimin e dy krahinave kufitare, pasi me qëndresën e tyre po shkaktonin shkatërrimin e Perandorisë Osmane, por as lutjet, as kërcënimet nuk dhanë rezultat. Më 15 dhjetor 1879 u mblodh në Guci Kuvendi i përfaqësuesve të Komitetit Ndërkrahinor të Kosovës, i cili vendosi që ta kundërshtonte me armë deri në fund dorëzimin e kalasë së Gucisë. “Ne, banorët e Plavës e të Gucisë, - thuhej në memorandumin e miratuar nga Kuvendi, - nuk i njohim traktatet e shteteve evropiane që u japin malazezëve tokat e trashëguara nga prindërit tanë. Ne do ta kundërshtojmë me armë dorëzimin e tokave tona”. Sipas porosisë që kishte dhënë Porta e Lartë, Ahmet Muhtar pasha mori masa ushtarake për të penguar vajtjen e vullnetarëve shqiptarë në Plavë e në Guci. Për këtë qëllim ai solli nga Mitrovica edhe 7 batalione të tjera, të cilat i vendosi nëpër shtigjet e rrugëve. Pas kësaj u nis për në Gjakovë, ku gjeti një gjendje më të acaruar se në Prizren. Gjakovarët e paralajmëruan se, po ta vazhdonte më tej rrugën drejt kufirit, do të pësonte fatin e Mehmet Ali pashë Maxharit. Kur pa se edhe Peja e kishte bllokuar rrugën për në Plavë e në Guci, mareshali osman e ndërpreu misionin e vet, hoqi dorë nga vajtja në Guci dhe u kthye në Prizren. Dështimi i misionit të Ahmet Muhtar pashës e bindi përfundimisht knjaz Nikollën të mos shpresonte më as te ndërhyrjet e Fuqive të Mëdha. Si rrjedhim, ai vendosi të ndërmerrte kundër forcave të Lidhjes Shqiptare një mësymje të përgjithshme, e cila u zhvillua javën e parë të muajit janar 1880. Në këtë mësymje u hodh pothuajse e gjithë ushtria malazeze, 25 batalione me rreth 9 mijë veta, që u rreshtuan përballë Plavës e Gucisë. Sapo u njoftua për përgatitjet ushtarake të Cetinës, Shtabi Ushtarak Shqiptar i përforcoi masat mbrojtëse. Me thirrjen e Lidhjes Shqiptare u mobilizuan mijëra vullnetarë nga e gjitha Shqipëria, nga Plava, Gucia, Peja, Prizreni, Gjakova, Shkodra, Dibra dhe nga krahinat më të largëta të Shqipërisë së Jugut. Por shtabi ushtarak i kryesuar nga Ali pashë Gucia, që mori vetë në dorë drejtimin e operacioneve luftarake, përqendroi në zonën kufitare me Plavën e Gucinë 4 mijë luftëtarë vendas dhe 3 mijë vullnetarë të tjerë, gjithsej 7 mijë veta. Komanda malazeze kishte rreshtuar në vijën e parë të frontit forcat vullnetare të komanduara nga Mark Milani, të cilët do të fillonin sulmin sipas taktikës së tyre tradicionale që kishte pasur kurdoherë sukses përballë ushtrive osmane. Forcat malazeze ishin përqendruar në një sektor të ngushtë (Velikë-Pepaj), me qëllim që t’i shpartallonin shqiptarët që me sulmin e parë, në drejtim të Plavës. Por Shtabi Ushtarak Shqiptar ua mori malazezëve në mënyrë të papritur iniciativën. Më 6 dhe 7 janar 1880 njësi të vogla shqiptarësh, me qëllim që të tërhiqnin vëmendjen e komandës ushtarake malazeze, ndërmorën dy sulme në verilindje të Malit të Zi, nga ana e sanxhakut të Novi Pazarit. Komanda ushtarake malazeze, duke kujtuar se shqiptarët do të vazhdonin të sulmonin nga verilindja, për t’u dalë forcave të tyre prapa shpine e tërhoqi ushtrinë nga zona jugore dhe e nisi drejt veriut. Duke përfituar nga kjo rrethanë, forcat shqiptare, të rreshtuara në sektorin e Plavës, shpërthyen më 8 janar një sulm të furishëm kundër pozitave të armikut që ndodhej në Velikë, në Pepaj e në Arzhanicë. Sulmin e nisën luftëtarët e Nokshiqit të komanduara nga Kurt Asllani dhe Nure Kurti. Mësymja ishte e furishme dhe pas luftimesh të ashpra e trup më trup forcat malazeze, të përbëra nga 4 mijë luftëtarë, u detyruan të tërhiqeshin. Ushtritë e Lidhjes, pasi thyen edhe njësitë malazeze të komanduara nga Mark Milani, hynë në tokën malazeze, shtinë në dorë Arzhanicën, Velikën e Pepajn dhe u drejtuan për në Murinë. Luftimet më të përgjakshme u bënë në Velikë e në Pepaj, prandaj përpjekja e 8 janarit mori emrin e tyre. Ushtria malazeze u tërhoq në Sutjeskë. Por Shtabi Shqiptar nuk kishte ndërmend të vazhdonte përparimin në thellësi të tokës së Malit të Zi. Më 9 janar ai urdhëroi forcat shqiptare, që nuk hasën ndonjë kundërshtim nga ushtritë malazeze, të tërhiqeshin në kufirin e vjetër. Gjatë betejës së Pepajt e të Velikës, të dyja palët patën dëme në njerëz, por, sipas të dhënave të ndryshme, ato të Malit të Zi qenë më të shumta. Shqiptarët lanë në këto luftime edhe dy kapedanët trima, Kurt Asllanin e Nure Kurtin. Vrulli patriotik që përshkoi luftën në Velikë e në Pepaj dhe fitorja që shqiptarët korrën kundër ushtrive malazeze më 8 janar 1880, la përshtypje të thellë në opinionin ndërkombëtar. Disa ditë më vonë, kryekonsulli austro-hungarez në Shkodër, Shmuker, i cili e ndoqi së afërmi zhvillimin e betejës, i raportonte qeverisë së vet: “Vetë malazezët pohojnë se në luftën e Velikës e të Pepajt shqiptarët luftuan burrërisht dhe fituan mbi ta. Dhe me të vërtetë, fuqia e Lidhjes (së Prizrenit - shën. i aut.) e theu atë ushtri malazeze që ka qenë kurdoherë e zonja t’u bëjë ballë forcave turke. Shqiptarët luftuan të shtyrë nga ideja kombëtare”. Pas kësaj, opinioni publik evropian filloi të interesohej për historinë e popullit shqiptar dhe për të drejtat e tij kombëtare. Veç kësaj, disa publicistë kritikuan Kongresin e Berlinit që nuk i kishte përfillur të drejtat e një kombi aq trim dhe aq liridashës, siç ishte populli shqiptar. Me fitoren që korrën në Nokshiq, në Pepaj e në Velikë shqiptarët i dhanë të kuptonte diplomacisë evropiane se Perandoria Osmane, sado që po e mbante Shqipërinë prej pesë shekujsh nën zgjedhë, nuk ishte zonjë e trojeve të saj dhe se zotër të këtyre trojeve ishin banorët shqiptarë. Disfata që pësoi në front e bindi qeverinë malazeze se ajo vetë nuk ishte në gjendje ta thyente qëndresën e Lidhjes Shqiptare me anën e luftës së armatosur. Për këtë arsye knjaz Nikolla shpalli menjëherë se i kishte pezulluar veprimet luftarake në kufi dhe se zbatimin e Traktatit të Berlinit në këtë pikë po ua linte përsëri në dorë Fuqive të Mëdha. Madje ai kërkoi nga konsulli britanik në Shkodër që të ndërhynte pranë autoriteteve qeveritare të vilajetit, me qëllim që edhe shqiptarët t’i pezullonin veprimet e mëtejshme luftarake.

Mbrojtja e Hotit dhe e Grudës (pranverë 1880)

Fitoret e shqiptarëve kundër ushtrive malazeze dhe jehona e tyre në arenën ndërkombëtare patën pasoja të thella në Shqipëri. Ato e përforcuan më tej bindjen e shqiptarëve se tashmë ishin në gjendje t’i mbronin trojet e tyre jo vetëm pa ndihmën e ushtrive osmane, por edhe kundër vullnetit të Portës së Lartë. Besimi që fituan te forca e tyre e armatosur, e ngriti në një shkallë më të lartë vendosmërinë për të kundërshtuar me armë çdo ndërhyrje të re të Fuqive të Mëdha ose çdo orvatje të re të qeverisë së Stambollit në dëm të trojeve të tyre amtare. Pas disfatës që pësoi në Velikë e në Pepaj, knjaz Nikolla iu drejtua përsëri Fuqive të Mëdha dhe këto, nga ana e tyre, i bënë përsëri presion Perandorisë Osmane për ta çuar deri në fund dorëzimin e Plavës e të Gucisë. Porta e Lartë u përgjigj se ishte e gatshme ta kënaqte Malin e Zi, por jo në Plavë e në Guci. Duke parë vendosmërinë luftarake të shqiptarëve dhe paaftësinë ushtarake të Malit të Zi, Fuqitë e Mëdha pranuan në parim ta rishikonin vendimin që kishin marrë në Kongresin e Berlinit. Me këtë rast u bënë disa propozime për ta kënaqur Cetinën me vise sllave në veri ose në jug të Malit të Zi, por nuk u pranuan. Më në fund ndërhyri Italia, e cila, nëpërmjet ambasadorit të saj në Stamboll, kontit Korti (Corti), sugjeroi që t’i jepeshin Malit të Zi viset e Hotit e të Grudës së bashku me një pjesë të Kelmendit, të cilat banoheshin gjithashtu nga popullsi shqiptare. Fuqitë e Mëdha menduan se popullsia e këtyre viseve, duke qenë katolike dhe jo myslimane, nuk do ta kundërshtonte bashkimin e saj me Malin e Zi të krishterë. Porta e Lartë nuk solli ndonjë pengesë. Vetëm knjaz Nikolla, i bindur se do të kishte përsëri telashe me shqiptarët, protestoi rreptësisht. Por më në fund, duke parë këmbënguljen e të gjitha Fuqive të Mëdha, u detyrua të përulej. Kështu, më 18 prill 1880, ambasadorët e Fuqive të Mëdha miratuan propozimin italian, që njihet me emrin “vija Korti”, për t’i dhënë Malit të Zi, në vend të Plavës e Gucisë, viset e Hotit e të Grudës. Dorëzimi i këtyre viseve u vendos të bëhej pas 4 ditësh, më 22 prill 1880. Fakti që Fuqitë e Mëdha, Perandoria Osmane dhe Mali i Zi u detyruan, pas 20 muaj përpjekjesh pa rezultat, të hiqnin dorë nga vendimi i Kongresit të Berlinit në lidhje me Plavën e Gucinë, shënonte një fitore të re diplomatike që arritën shqiptarët në arenën ndërkombëtare. Protokolli i Stambollit, i nënshkruar nga ambasadorët e tyre më 18 prill 1880 për Hotin e Grudën, ishte po aq i padrejtë sa edhe neni i Traktatit të Berlinit për Plavën e Gucinë. Viset e Hotit e të Grudës, së bashku me ato të Kelmendit e të Kastratit, ishin pjesë e pandarë e Malësisë së Madhe, kurse nga ana administrative vareshin nga vilajeti i Shkodrës. Banorët e tyre, krejtësisht shqiptarë dhe me tradita të lashta luftarake liridashëse, ishin bashkuar me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit qysh me themelimin e saj. Për këtë arsye, më 1 mars 1880, sapo arritën lajmet e para rreth propozimit italian, pra një muaj para se të nënshkruhej Protokolli i Stambollit, krerët e tyre, të mbështetur nga banorët e krejt Malësisë së Madhe, zbritën në Shkodër dhe shpallën se ishin të vendosur të kundërshtonin çdo vendim që do të merrej në dëm të viseve të tyre. Në mbledhjen e përbashkët që bënë në Shkodër, më 1 mars 1880, krerët e Hotit, të Grudës, të Kelmendit e të Kastratit miratuan një peticion drejtuar Fuqive të Mëdha, në të cilin deklaronin se do të rrëmbenin armët për të mbrojtur trojet e tyre, në rast se Fuqitë e Mëdha do ta miratonin projektin “Korti”. Kushtrimi që lëshuan banorët e Malësisë së Madhe vuri në lëvizje popullsinë e të gjitha krahinave të vendit. Gjatë atyre ditëve shqiptarët, myslimanë e të krishterë, u lidhën më shumë se kurrë me njëri-tjetrin. Kudo u shpreh vendosmëria për të mbrojtur Hotin e Grudën deri në pikën e fundit të gjakut. Shqipëria u përgatit kështu përsëri për luftë. Meqenëse Hoti, Gruda, Kelmendi e Kastrati bënin pjesë në vilajetin e Shkodrës, barra e organizimit të luftës mbrojtëse i takonte Komitetit Ndërkrahinor të këtij vilajeti. Qysh nga 25 marsi 1880, Komiteti Ndërkrahinor i Lidhjes Shqiptare në Shkodër ishte në mbledhje të vazhdueshme dhe filloi të merrte masat e nevojshme ushtarake për mbrojtjen e Hotit e të Grudës. Më 3 prill 1880 u zhvillua në Shkodër një kuvend krahinor, ku morën pjesë përfaqësues të popullsisë së qytetit e të Malësisë. Kuvendi vendosi të kundërshtohej me çdo kusht lëshimi i Hotit e i Grudës. Ai u dërgoi një peticion Fuqive të Mëdha, në të cilin thuhej, ndër të tjera: “Kemi vendosur që të derdhim pikën e fundit të gjakut para se të hynim nën zgjedhën e një qeverie të huaj. Ideja kombëtare na bashkon në mbrojtjen e atdheut tonë”. Më 11 prill 1880 Komiteti Ndërkrahinor i Shkodrës, ashtu siç kishin vepruar edhe dy komitetet e tjera ndërkrahinore, formoi menjëherë Shtabin Ushtarak të vilajetit me detyrë që të merrte masat e duhura për mbrojtjen e Hotit e të Grudës. Në krye të Shtabit Ushtarak u vu Hodo Sokoli, një kolonel i karrierës. Midis anëtarëve të tij bënin pjesë jo vetëm përfaqësues nga qyteti, si Selim Çoba, Filip Çeka, Shaban Bushati, Zef Simoni, Selim Gjyrezi etj., por edhe mjaft krerë malësorë të regjur në luftëra, si Dedë Gjoni dhe Ismail Marku nga Hoti, Ismail Martini dhe Bazo Kurti nga Gruda, Nikë Gila dhe Nikë Leka nga Kelmendi, Shaban Elezi dhe Gjon Deda nga Kastrati etj. Komiteti Ndërkrahinor i Shkodrës i bëri thirrje të veçantë Preng pashë Bibë Dodës, i cili deri atëherë nuk kishte marrë pjesë në mbrojtjen e trojeve shqiptare, duke e emëruar, në rast se do të ishte i gatshëm, nënkryetar të Shtabit Ushtarak. Formimi i Shtabit Ushtarak u pasua nga gatishmëria që treguan krahinat e ndryshme të vendit për të dërguar vullnetarë sipas zakonit nga një burrë për shtëpi, kurse viset e Malësisë së Madhe u zotuan të mobilizonin të gjithë burrat e aftë për armë. Shtabet ushtarake, të formuara në vilajetet e Kosovës dhe të Janinës, njoftuan se ishin gati të dërgonin forcat e tyre vullnetare sapo të ndihej nevoja. Por Shtabi Ushtarak i Shkodrës, duke parë gatishmërinë e masave popullore, i konsideroi të mjaftueshme forcat luftarake të mobilizuara vullnetarisht në vilajetin e vet. Në të njëjtën kohë, Komiteti Ndërkrahinor i Shkodrës lëshoi një shpallje, me anën e së cilës, pasi vinte në dukje vendosmërinë e mbarë vendit për të mbrojtur trojet e atdheut, u kërkonte vullnetarëve të qëndronin në gatishmëri, në pritje të zhvillimit të ngjarjeve. Zemërimi e vendosmëria e shqiptarëve arriti kulmin pasi u nënshkrua nga ambasadorët e Fuqive të Mëdha Protokolli i Stambollit, më 18 prill 1880, me emrin “Protokolli mbi kufijtë e Turqisë dhe të Malit të Zi”. Me këtë rast u përsëritën protestat telegrafike drejtuar Fuqive të Mëdha dhe Portës së Lartë. Në të njëjtën kohë filluan përgatitjet ushtarake. Më 19 prill u zhvillua në Shkodër një miting i madh popullor, një nga manifestimet më masive që kishte parë qyteti deri atëherë. Në miting, midis entuziazmit popullor, Hodo Sokoli, në një fjalim të zjarrtë që mbajti para mijëra qytetarëve dhe malësorëve, deklaroi ndër të tjera, se përballë veprimeve që po kryente Porta e Lartë në dëm të tërësisë territoriale të Shqipërisë dhe për të shpëtuar atdheun nga fatkeqësi të tjera që do të sillte sundimi i mëtejshëm i saj, shqiptarët duhej t’i këpusnin lidhjet me Perandorinë Osmane dhe ta merrnin vetë në dorë fatin e atdheut të tyre. Hodo bej Sokoli dhe pas tij 1 500 veta që ndodheshin në miting, hoqën publikisht spaletat e uniformës ushtarake e dekoratat e sulltanit dhe deklaruan se nuk do ta njihnin as atë, as Stambollin. Po atë ditë u nisën për në vijën e kufirit vullnetarët e parë qytetarë, rreth 1 500 veta, të cilët u bashkuan me mijëra vullnetarë malësorë që kishin vrapuar nga malësitë e Veriut. Në mbrëmjen e 21 prillit u nisën nga Shkodra, duke lundruar në liqen, disa dhjetëra anije me vullnetarë shkodranë, rreth 3 mijë veta, të cilët, së bashku me Shtabin Ushtarak dhe komandantin e tij Hodo Sokolin, u vendosën në Tuz. Në 22 prill 1880, sipas Protokollit të Stambollit, trupat turke u larguan nga kalaja e Tuzit dhe nga pikat e tjera që i takonin Malit të Zi. Por, ashtu siç ndodhi në Plavë e Guci, edhe në Hot e Grudë forcat shqiptare i zunë këto pika para se të afroheshin ushtritë malazeze. Gjatë gjithë vijës mbrojtëse qenë rreshtuar rreth 8 mijë vullnetarë shqiptarë, në gatishmëri për të kundërshtuar përparimin e ushtrive malazeze. Pak më vonë, ushtritë malazeze, me rreth 10 mijë veta, arritën tek Ura e Rzhanicës, pika më e përparuar e kufirit të vjetër. Aty u ndeshën me pararojat e ushtrisë së Lidhjes Shqiptare, të përbëra nga disa qindra qytetarë e malësorë, të cilët u bënë thirrje të ndaleshin, pasi banorët e këtyre vendeve nuk i njihnin vendimet e Fuqive të Mëdha. Ushtritë malazeze nuk u bindën, por kërkuan të marshonin për të marrë në dorëzim kalanë e Tuzit. Atëherë pararojat shqiptare hapën zjarr kundër pararojave malazeze. Kështu, tek Ura e Rzhanicës filloi më 22 prill përleshja e armatosur ndërmjet tyre. Sapo shpërthyen krismat e para, forcat vullnetare të Malësisë së Madhe, nën drejtimin e Ismail Markut e Baca Kurtit, u hodhën në sulm të furishëm kundër forcave kryesore malazeze që ndodheshin në Helm, në breg të lumit Cem. Të dyja palët luftuan me vendosmëri për disa orë rresht. Më në fund ushtritë malazeze u thyen dhe u tërhoqën për në Podgoricë, duke lënë disa të vrarë e të plagosur. Fitorja e Rzhanicës dhe e Helmit ngjalli entuziazëm në mbarë Shqipërinë. Komiteti Ndërkrahinor i Shkodrës, duke parashikuar një sulm të ri nga ana malazeze, vendosi t’i mbante forcat luftarake në kufi dhe të siguronte armë martina për vullnetarët shqiptarë të pajisur pjesërisht me huta dhe pjesërisht me jataganë. Për këtë qëllim u ftuan krahinat e vilajetit që të shtonin ndihmat financiare. Mbi shtresat e pasura të Shkodrës u shpall një tatim i jashtëzakonshëm në të holla e në drithë. Në këto rrethana Preng pashë Bibë Doda, duke parë se me qëndrimin e vet të lëkundur po cilësohej nga opinioni publik si bashkëpunëtor i Cetinës, pranoi ftesën e Komitetit Ndërkrahinor për të mobilizuar mirditorët dhe për t’i sjellë në Tuz. Pas luftës së Rzhanicës, viset e Hotit e të Grudës, të liruara nga ushtritë osmane, por të papushtuara nga ato malazeze, mbetën de facto nën sovranitetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për 8 muaj, nga 22 prilli 1880 deri më 28 dhjetor 1880, kur në Tuz u rivendos administrata osmane. Me qeverisjen e tyre merrej Komiteti i Lidhjes Shqiptare për Shkodrën, që kishte ngarkuar në Tuz një Komision të kryesuar nga Hodo Sokoli, i cili ushtronte pushtetin ekzekutiv si një institucion shtetëror i Lidhjes Shqiptare. Menjëherë pas disfatës që pësoi më 22 prill 1880, knjaz Nikolla protestoi pranë Fuqive të Mëdha dhe këto më 24 prill i drejtuan qeverisë osmane një notë kolektive, me të cilën e shtrëngonin që t’i dëbonte forcat shqiptare nga kufiri për t’u hapur rrugën forcave malazeze. Por Porta e Lartë nuk e kishte më situatën në dorë. Përveçse nuk donte të hapte konflikt me shqiptarët, ajo nuk kishte as forca të mjaftueshme në Shkodër për të zbatuar kërkesën e Fuqive të Mëdha. Në fillim të muajit maj, pas ardhjes së forcave mirditore, në vijën kufitare numri i vullnetarëve u rrit në rreth 9 mijë veta, përveç 7 mijë të tjerëve që qëndronin në gatishmëri në shtëpitë e tyre për t’u nisur në luftë sapo të lëshohej kushtrimi. Sipas njoftimeve që kishte Shtabi Ushtarak, përtej kufirit qëndronin rreth 20 batalione malazeze me afërsisht 9 mijë veta të armatosur me martina dhe të pajisura me topa e artileri. Morali i vullnetarëve shqiptarë ishte aq i lartë, sa nga radhët e tyre doli propozimi që të ndërmerrej një mësymje kundër ushtrive malazeze për ta detyruar knjaz Nikollën që të hiqte dorë një herë e përgjithmonë nga lakmia e tij për trojet shqiptare. Këtë ide e përqafoi jo vetëm Hodo Sokoli, kryetari i Shtabit Ushtarak të Shkodrës, por edhe Ali pashë Gucia, kryetari i Shtabit Ushtarak të Kosovës, i cili për më tepër u zotua ta fillonte mësymjen me forcat e veta nga Plava e Gucia, në thellësi të territoreve malazeze. Nuk pritej veçse miratimi nga Komiteti Kombëtar i Lidhjes Shqiptare. Por udhëheqësit e tij, për t’iu shmangur ndërlikimeve ndërkombëtare që do të shkaktonte mësymja shqiptare, nuk e pranuan propozimin e dy shtabeve ushtarake. Sipas tyre, presioni, që ushtronte përqendrimi i forcave kufitare në Hot e Grudë, ishte i mjaftueshëm për t’i detyruar Fuqitë e Mëdha të rishikonin Protokollin e Stambollit. Në fakt lufta për mbrojtjen e Hotit e të Grudës pati jehonë të thellë jashtë Shqipërisë. Interesimi i publikut evropian për konfliktin shqiptaro-malazez u rrit më shumë. Pothuajse të gjitha gazetat kryesore të Evropës Perëndimore dërguan ato javë korrespondentët e tyre të posaçëm në Shkodër, shumica e të cilëve u detyruan të vinin në dukje atdhetarinë e lartë që frymëzonte qëndresën shqiptare. Fuqitë e Mëdha u bindën përfundimisht se as Protokolli i Stambollit nuk mund të zbatohej me anën e presionit diplomatik. Anglia me Rusinë propozuan një ndërhyrje ushtarake të përbashkët të Fuqive të Mëdha kundër shqiptarëve të përqendruar në kufi, por Austro-Hungaria me Gjermaninë kundërshtuan. Më në fund fitoi qëndresa shqiptare. Pasi pranuan në parim të hiqnin dorë edhe nga Protokolli i Stambollit, Fuqitë e Mëdha miratuan më 15 qershor 1880 propozimin e Anglisë e të Austro-Hungarisë për t’i dhënë Malit të Zi, në vend të Hotit e të Grudës, qytetin bregdetar të Ulqinit së bashku me rrethinat e tij. Heqja dorë e Fuqive të Mëdha nga vendimi që kishin marrë më 18 prill 1880 ishte fitorja e tretë diplomatike që korrën shqiptarët, brenda 6 muajve, në arenën ndërkombëtare. Por vendimi i Fuqive të Mëdha për t’i lëshuar Malit të Zi Ulqinin me rrethinat e tij shtroi përsëri detyrën e ngutshme të mbrojtjes së tërësisë së atdheut, të cilit po i shkëputej tani një pjesë më e rëndësishme dhe jetike.

Lëvizja kundër administratës osmane gjatë vitit 1879

Me gjithë përqendrimin e vëmendjes së tyre kundër rrezikut të copëtimit territorial të atdheut, patriotët nuk hoqën dorë nga programi autonomist, nuk e lanë pas dore kërkesën për vilajetin autonom të Shqipërisë, që u formulua në rezolutën e Kuvendit të Dibrës, më 1 nëntor 1878. Si qendra e Lidhjes Shqiptare, ashtu edhe komitetet e saj ndërkrahinore e ngritën herë pas here me anën e memorandumeve çështjen e të drejtave autonomiste të vendit. Ndërsa Porta e Lartë, e vendosur për të mos bërë asnjë lëshim, vijoi ta zvarriste përgjigjen, në shumë krahina të Shqipërisë mori hov lëvizja popullore kundër administratës shtetërore osmane. Në të vërtetë, në viset shqiptare, administrata qeveritare e vilajeteve ishte paralizuar qysh në verën e vitit 1878. Gjyqet shtetërore nuk funksiononin. Qeveria e Stambollit, që nga vera e vitit 1879, nuk kishte mundur të nxirrte nga viset shqiptare as taksa dhe as nizamë. Në shumë raste një pjesë e këtyre taksave ishte vjelë nga organet e Lidhjes Shqiptare për të përballuar luftën mbrojtëse dhe sistemimin e muhaxhirëve. Rekrutët shqiptarë, në vend që të vinin nizamë në ushtrinë perandorake, ishin regjistruar vullnetarë në ushtrinë e Lidhjes së Prizrenit. Degët e saj kishin filluar të ushtronin në të njëjtën kohë edhe funksionet gjyqësore. Porta e Lartë nuk mund të pajtohej gjatë me këtë gjendje. E shqetësuar nga rrjedha që po merrnin ngjarjet në Shqipëri, ajo u orvat në pranverën e vitit 1879 ta rivendoste autoritetin e saj në viset shqiptare, duke rimëkëmbur në këto vise administratën e saj të mëparshme. Por rivendosja e administratës së vjetër osmane shkaktoi reagimin e menjëhershëm të shqiptarëve. Ata e kundërshtuan rreptësisht urdhrin që lëshoi Stambolli për të vjelë taksat e reja dhe ca më tepër taksat e prapambetura jo vetëm për faktin se pagesa e tyre ishte një barrë e rëndë për popullsinë e varfëruar nga lufta, por edhe për arsye politike. Fshatarët e qytetarët e quanin pa vend t’i paguanin taksa Perandorisë Osmane që nuk ishte në gjendje të mbronte trojet e tyre, madje, që po tregohej e gatshme t’i shiste, siç shpreheshin ata, tek armiqtë e vendit. Qëndresa kundër taksave mori përpjesëtime aq të mëdha, sidomos në vilajetet e Kosovës e të Shkodrës, sa tagrambledhësit nuk guxonin t’u afroheshin fshatarëve e qytetarëve. Për ta shpënë urdhrin e saj deri në fund, Porta e Lartë i porositi valinjtë që, po ta shihnin të nevojshme, të përdornin për vjeljen e taksave edhe dhunën ushtarake. Por, siç raportonte më 7 qershor 1879 ministri serb në Stamboll, për shkak të kësaj porosie shqiptarët e Prizrenit e të Prishtinës u revoltuan aq shumë ndaj qeverisë osmane, sa ishin gati të rrëmbenin edhe armët kundër saj. Si pasojë e kësaj qëndrese Stambolli u detyrua të hiqte dorë përkohësisht nga përdorimi i dhunës në vjeljen e taksave. Të njëjtën qëndresë ndeshi te shqiptarët edhe orvatja tjetër e Portës së Lartë për të rekrutuar nizamë në Shqipëri. Nizamët shqiptarë nuk iu përgjigjën thirrjes nën armë ose, edhe kur u paraqitën, u arratisën sapo u pajisën me armë, duke deklaruar se do ta kryenin shërbimin ushtarak nën urdhrat e Lidhjes së Prizrenit. Lëvizja përfshiu edhe nizamët shqiptarë të rekrutuar gjatë viteve të kaluara, të cilët ndodheshin ende në radhët e ushtrisë osmane. Në mjaft raste, ata që kryenin shërbimin ushtarak jashtë Shqipërisë i braktisën repartet e tyre, sapo u formua Lidhja e Prizrenit. Përpjesëtimi që mori arratisja e detyroi Portën e Lartë që t’i mbante ata në reparte të dislokuara në trojet shqiptare. Hov të madh mori sidomos lëvizja kundër gjykatave shtetërore osmane, që urreheshin nga masat popullore për shkak të procedurës së ndërlikuar, të ligjeve të papërshtatshme, të gjuhës së pakuptueshme dhe të korrupsionit të thellë që sundonte në to. Në mars të vitit 1879, në Prishtinë, në qendrën e vilajetit të Kosovës, filloi agjitacioni ndërmjet qytetarëve për të kërkuar krijimin e gjykatave popullore, të pavarura nga pushteti qendror, të cilat duhet t’u përshtateshin kushteve dhe zakoneve të vendit, pra të ishin shqiptare nga ligjet, nga gjuha dhe nga gjyqtarët. Në prill agjitacioni u shtri edhe në fshat. Në këtë kohë kërkesa për krijimin e gjykatave popullore shqiptare mori formën e një lëvizjeje për vetëqeverisjen e vendit, në krye të së cilës ishte vënë Zija Prishtina, anëtar i Komitetit të Stambollit. Në maj të vitit 1879 Zija Prishtina i paraqiti Portës së Lartë peticionin e popullsisë së sanxhakut të Prishtinës, në të cilën kërkohej të mos bënte asnjë lëshim të trojeve shqiptare, të lejonte formimin e gjyqeve të pavarura shqiptare dhe të largonte ushtrinë nga Kosova. Më 12 maj 1879 sulltani lejoi që në sanxhakun e Prishtinës të formoheshin gjykatat shqiptare, të cilat të vepronin krahas gjykatave shtetërore, duke ua lënë në dorë shtetasve që t’i drejtoheshin, sipas dëshirës, njërës prej tyre. Por disa ditë më vonë, me zgjerimin që mori lëvizja në viset e tjera, ai u detyrua ta shtrinte këtë të drejtë në gjithë vilajetin e Kosovës. Lëvizja për gjykatat shqiptare, ashtu si edhe lëvizjet kundër taksave shtetërore e rekrutimit të nizamëve, ndonëse u zhvilluan nën hijen e Lidhjes së Prizrenit, në fillim patën karakter spontan e lokal. Por hovi i madh që ato morën, tërhoqi menjëherë vëmendjen e organeve udhëheqëse të Lidhjes së Prizrenit, të cilat morën në dorë drejtimin e tyre. Lëvizja kundër pagesës së taksave dhe rekrutimit të nizamëve u përhap kështu në pjesën më të madhe të vendit. Kërkesa për gjykatat shqiptare u shtri në vilajetin e Shkodrës, kurse në atë të Kosovës u thellua më tej. Qysh në maj, nën drejtimin e degëve të Lidhjes, u parashtrua në Gjakovë e në Pejë kërkesa që me krijimin e gjykatave shqiptare të suprimoheshin gjykatat osmane. Madje, më 19 maj 1879, Komiteti Kombëtar i Lidhjes vendosi ta shtrinte kërkesën e vetëqeverisjes jo vetëm në institucionet gjyqësore, por në mbarë administratën shtetërore të vilajetit. Meqenëse Porta e Lartë nuk pranoi t’i suprimonte gjykatat shtetërore, Lidhja e Prizrenit shpalli bojkotimin e tyre. Popullsia u ftua t’u drejtohej vetëm gjykatave shqiptare, madje u shpallën ndëshkime kundër atyre që do të trokisnin në gjykatat shtetërore. Porta e Lartë u përpoq ta shuante lëvizjen popullore pa hyrë në konflikt të armatosur me shqiptarët. Për këtë qëllim ajo dërgoi në Shqipëri emisarë dhe agjitatorë të posaçëm, të cilët i përsëritën premtimet e zakonshme për reforma administrative. Në të njëjtën kohë, me qëllim që të shkaktonin përçarje ndërmjet udhëheqësve të Lidhjes Shqiptare, ata e shtuan trysninë ndaj qarqeve të moderuara. Megjithatë, në mbledhjen që Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes mbajti më 24 korrik 1879, vendosi me shumicë votash që t’i kujtonte Portës së Lartë se shqiptarët do të detyroheshin ta përmbysnin vetë pushtetin lokal në rast se Stambolli nuk do të plotësonte kërkesat e Shqipërisë. Në të njëjtën kohë, atdhetarët radikalë, duke mos pasur besim në gatishmërinë e Stambollit për reforma, kërkuan ta thellonin më tej lëvizjen popullore kundër administratës osmane për ta detyruar sulltanin që ta merrte parasysh rezolutën e Kuvendit të Dibrës. Porta e Lartë, pasi e zvarriti për një kohë të gjatë përgjigjen për rezolutën e Kuvendit të Dibrës, deklaroi, në verën e vitit 1879, se kërkesat e shqiptarëve do të zgjidheshin në kuadrin e “ligjeve organike” (reformave administrative) që ajo detyrohej të zbatonte në territoret e saj evropiane sipas nenit 23 të Traktatit të Berlinit. Me këtë deklaratë ajo linte të kuptonte se nuk kishte ndërmend ta ndryshonte ndarjen administrative të vilajeteve që ishte në fuqi. Në këto rrethana qarqet atdhetare shqiptare e ngritën menjëherë zërin, duke theksuar se zbatimi i nenit 23 të Traktatit të Berlinit, pa bashkuar më parë trojet e tyre në një vilajet të vetëm, ishte një shkelje e hapur e të drejtave kombëtare të Shqipërisë. Me një parashtresë drejtuar kryeministrit osman, më 27 gusht 1879, Abdyl Frashëri kërkonte që në kushtet aktuale të mos zbatohej në Shqipëri neni 23 i Traktatit të Berlinit, domethënë të mos formoheshin komisione të posaçme për të hartuar reforma të ndryshme për çdo vilajet. Që Shqipëria të shpëtonte nga rreziku i asgjësimit, që ajo të bëhej e aftë për veten e saj dhe për Perandorinë Osmane duhej, theksonte Abdyl Frashëri, që reformat e nevojshme të hartoheshin nga një komision i vetëm për të gjitha trojet shqiptare, gjë që kërkonte paraprakisht bashkimin e të gjitha këtyre trojeve (të ndara në 11 sanxhakë) në një vilajet të vetëm. Veç kësaj, shtonte ai, ishte e domosdoshme që ky komision i posaçëm t’i studionte reformat e dobishme për Shqipërinë në bashkëpunim me përfaqësuesit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në këto rrethana, kur u acaruan edhe marrëdhëniet shqiptaro-malazeze dhe forcat e Malit të Zi u vunë në gatishmëri luftarake në kufijtë e Shqipërisë, u mblodh në Prizren, më 3 tetor 1879, Kuvendi i Përgjithshëm i Lidhjes Shqiptare, në të cilin u trajtuan dy çështje themelore që shqetësonin vendin: qëndrimi që duhej mbajtur ndaj provokacioneve ushtarake të Cetinës e përgatitjeve të saj për luftë dhe zhvillimi i lëvizjes për autonominë e Shqipërisë. Për çështjen e parë nuk pati diskutime të shumta. Të gjithë qenë të një mendimi për t’iu përgjigjur ushtrive malazeze me armë, nëse ato do të orvateshin të merrnin me dhunë Plavën e Gucinë. Diskutime të shumta u bënë brenda e jashtë Kuvendit për çështjen e të drejtave autonomiste të Shqipërisë. Delegatët e Kuvendit dhe veprimtarët e lëvizjes kombëtare jashtë tij ishin të mendimit që këtë herë Lidhja Shqiptare të kërkonte jo si një vit më parë me rezolutën e Dibrës (të 1 nëntorit 1878) një “Vilajet Shqiptar”, por një “Principatë Shqiptare” ose një “Republikë Shqiptare”, me kryeqytet Manastirin, nën suzerenitetin e sulltanit, duke i paguar atij një tribut vjetor. Një kërkesë e tillë, që do të çonte në shkëputjen gati të plotë të Shqipërisë nga Perandoria Osmane, u parashtrua nga përfaqësuesit e krahut radikal të Lidhjes, ndërsa pjesa tjetër e delegatëve të Kuvendit dhe e udhëheqësve të saj mendonte se, për shkak të konfliktit me Malin e Zi, që po trokiste në derë, nuk ishte e volitshme që në ato ditë të hyhej në luftë kundër Portës së Lartë. Në këto rrethana, delegatët radikalë u tërhoqën nga kërkesa e një “Principate Shqiptare” ose të një “Republike Shqiptare” dhe vendosën të kërkojnë nga Stambolli “Vilajetin e Shqipërisë”, pa bërë asnjë hap të mëtejshëm prapa. Por qeveria turke e kundërshtonte edhe këtë kërkesë dhe, duke qenë në dijeni të punimeve të Kuvendit, kaloi në përdorimin e forcës ndaj tij. Më 13 tetor 1879 organet qeveritare të Prizrenit vunë në përdorim garnizonin ushtarak dhe e shpërndanë mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, pa i lënë kohë atij të përfundonte punimet e tij dhe të miratonte rezolutën përkatëse. Në një nga seancat e para Kuvendi i Përgjithshëm arriti të zgjidhte sërishmi Këshillin e Përgjithshëm të Lidhjes Shqiptare. Kryetar i Lidhjes Shqiptare u zgjodh në vend të Sheh Mustafa Tetovës (që kishte zëvendësuar Iljaz pashë Dibrën) Haxhi Ymer efendiu (Prizreni), myderriz (profesor i së drejtës islame), përkrahës i krahut radikal të lëvizjes kombëtare. Në fillim të nëntorit 1879, kur filluan sulmet e ushtrive malazeze në sektorin e Plavës e të Gucisë, të cilat u pasuan nga mësymja që ato zhvilluan në fillim të dhjetorit 1879 dhe në javën e parë të janarit 1880, lëvizja popullore kundër administratës shtetërore osmane ra përkohësisht.