Ajdin bej Draga (Mojstir Tutin, 1864 - Rrashbull, 15 qershor 1914) ka qenë veprimtar politik i çështjes shqiptare dekadat e fundit të Perandorisë Osmane së bashku me vëllezërit e tij Ferhat dhe Nexhip bej Draga. Më 28 nëntor 1912 ishte përfaqësues i MitrovicësKuvendin e Vlorës, prej ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë dhe Qeveria e Përkohshme e Ismail Qemalit.

Biografia Redakto

U lind më 1880 në Mitrovicë, i biri i Ali pashë Dragës që kishte shërbyer në Luftën Osmano-Ruse me ç'rast ishte graduar pashë, ndërsa gjyshi i tij Ali Ferhat beu kishte themeluar një xhamiNovi Pazar. Dragajt i përkisnin fisit Kelmend[1] dhe ishin familje me shumë ndikim; Ajdin beu kishte edhe dy vëllezër të tjerë që u shquan në lëvizjen kombëtare, Ferhatin dhe Nexhip beun.[2]

Veprimtaria e Ajdin Dragës në shërbim të Lidhjes Shqiptare të Pejës, "Besa-Besë", pati influencë të madhe sidomos në rrethinat e Vuçitërnës, Drenicës dhe Pejës. Sipas dëshmive të Ajdin Dragës dhe Bajram Currit dhe të atdhetarëve të tjerë shqiptarë, të cilët morën pjesë në përgatitjen e Kuvendit të Pejës, në përpjekjet e Haxhi Zekës dhe të përkrahësve të tij për të "ringjallur Shqipërinë e vjetër", ndihmuan edhe shqiptarët e shkolluar të cilët për shkaqe të ndryshme ishin detyruar ta braktisin atdheun. Në një letër që u shkrua ato ditë nga Ajdin Draga dhe Bajram Curri në mes tjerash theksohet edhe kjo : "Ne, kur po përgatitej Kuvendi i Pejës mbajmë lidhje me Komitetet Shqiptare, që gjenden jashtë Atdheut, dhe nëse nuk do mundemi të bëjmë që të fitojë kauza jonë dhe të realizojmë idetë tona të përgjithshme me mjete paqësore, atëherë do të rrëmbejmë armët".

Në janar të vitit 1899 Ajdin Draga ishte njëri ndër anëtarët aktiv në këtë Lidhje. Ai kishte kontaktuar dhe biseduar me mëmëdhetarët e Stambollit, e në radhë të parë me Komitetin shqiptar të Stambollit, të cilën e kryesonte Sami Frashëri, me të cilin edhe mbante korrespodencë. Ajdini gjithashtu për interesa të kësaj Lidhjeje përveç atdhetarëve të Stambollit kontaktoi edhe me patriotët shqiptar të Bukureshtit të cilët nuk prajtën duke dhënë ndihmën e tyre në veprimtarinë e gjithanshme organizative, ideologjike dhe politike të Lidhjes së re Shqiptare.

Prej 23-29 janar të vitit 1899, Ajdin Draga mori pjesë si delegat në Kuvendin e Pejës dhe në hartimin e kararnamesë së këtij kuvendi historik. Konsulli serb në Prishtinë, Svetislav Simiç në lidhje me këtë kuvend shkruante: Ky kuvend apo mexhlis shqiptar i përngjan shumë Kongresit shqiptar të Prizrenit, që u mbajt në vitet e tetëdhjetë të shek. XIX." Kurse konsulli austriak në Shkup, Zambur, theksonte qartë se "në këtë mbledhje të gjithë udhëheqësit shqiptarë kanë ndërmend t'i parashtrojnë sulltanit kërkesën për autonominë e Shqipërisë." Ndërkaq ambasadori austriak në Stamboll në informacionin që i dërgonte Ministrit të Jashtëm, Golluhovskit, në janar 1899, duke iu referuar mendimeve të Bajram Curit dhe personave të tjerë shkruante se me organizimin e një Kuvendi të tillë udhëheqësit shqiptarë synonin t'u prisnin rrugën lakmive pushtuese të shteteve fqinje ndaj tokave shqiptare..." Ajdini në veprimtarinë e tij këmbënguli që të luftonte pengesat që ekzistonin në dasitë fetare, krahinore dhe grindjet midis shqiptarëve. Në kohët më vonë ai u përfshi në Lëvizjet kombëtare shqiptare me përkushtim.

Në vitin 1908 emri i Ajdin Dragës shënohet si anëtar i Pleqësisë së Klubit Shqiptar të Shkupit me detyrën e këshilltarit, i cili në cilësinë e anëtarit të kësaj pleqësie dha ndihmesë të madhe edhe në hapjen e Klubit Shqiptar të Kumanovës. Duke u gjendur në krahë të Hasan Prishtinës, Bajram Curit (prej së cilit pothuaj se kur nuk u nda deri sa e zuri vdekja SH.V.), Isa Boletinit, Sali Gjukës, Bedri Pejës, Zyhdi Ohrit, e shumë të tjerëve, Ajdin Draga kontribuoi në kryengritjet e viteve 1908, 1910 dhe 1912. Sipas dokumenteve arkivore, në nëntor të vitit 1912, Ajdin Draga dhe Mehmet Pashë Deralla shkuan në Dibër ku u takuan me delegatët e tjerë Kosovarë. Ndërsa më 21 nëntor 1912, ai bashkë me Isa Boletinin, Mehmet Pashë Dërrallën dhe Myftiun e Dibrës shkuan në Elbasan. Në Kuvendin Kombëtarë të Vlorës, Ajdini ishte i deleguar nga Kosova. Ky kuvend zgjodhi Qeverinë e Përkohshme të kryesuar nga Ismail Qemali dhe një Pleqësi (senat) prej 18 vetash, kryetar i së cilës me propozimin e Luigj Grakuqit u zgjodh Vehbi efendi Dibra. Ndërkaq anëtarët shqiptarë të kësaj Pleqësie nga Kosova ishin Ajdin Draga, Bedri Pejani dhe Sali Gjuka.

Në qershorin e viti 1913, Ajdini së bashku me Isa Boletinin, dhe Mehmet Pashë Dërrallën, protestuan pranë Fuqive të Mëdha në mbrojtje të kufijve tokësore të Shqipërisë, kundër synimeve shoviniste të shteteve ballkanike. Ndërkaq që vetë Ismail Qemali si kryetar i Qeverisë së Vlorës e ngarkoi Ajdin Dragën me detyrën për të ndihmuar krahinën e Shkodrës në vendosjen e qetësisë dhe shtrirjes së administratës së kësaj qeverie. Në gazetën "Përlindja e Shqipnies" (14 gusht 1913) shkruhet: "Z. Hasan Beu dhe z. Ajdin Draga të cilët kishin vajtur në Shkodër u kthyen sot në Vlorë. Përsërisim se në Shkodër mbretëron pajtim i plotë në mes të popullsisë myslimane e të krishterë, të cilët punojnë së toku." Ajdin Draga me forcat kosovare të udhëhequra nga Bajram Curri dhe Isa Boletini morri pjesë në luftimet kundër rebelëve esadistë dhe në qershorin e vitit 1914 u vra në Rashbull afër Durrësit.[3]

Referime Redakto

  1. ^ Kaleshi, Hasan (1974). "Draga, Nexhip". biolex.ios-regensburg.de (në gjermanisht). Biographisches Lexikon zur Geschichte Südosteuropas.
  2. ^ Elsie, Robert (2010). Historical Dictionary of Kosovo (në anglisht). Scarecrow Press. fq. 82–83.
  3. ^ Sejfi Vllamasi, "Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942).