Arshi Pipa (Shkodër, 28 korrik 1920 - Vashington, 20 korrik 1997) ka qenë arsimtar, publicist, poet, gjuhëtar, kritik letrar, përkthyes dhe pedagog shqiptar. I përndjekur nga regjimi komunist, u arratis dhe pasi u vendos në Shtetet e Bashkuara u bë një nga intelektualët më të rëndësishëm të diasporës shqiptare.

Arshi Pipa
Fotoporteti
Lindur më 27 korrik, 1920
Lindur në Shkodër, Principata e Shqipërisë
Vdiq më 20 korrik, 1997
Vdiq në Washington D.C, SHBA
Kombësia shqiptare
Profesioni arsimtar, pedagog

Me artikujt e tij i ofroi Perëndimit të dhëna të dorës së parë mbi gjendjen e shkrimtarëve dhe intelektualëve në vitet e para të Shqipërisë staliniste.[1]

Biografia Redakto

U lind më 28 korrik në Shkodër,[2] i biri Mustafa Nuriut dhe Hatixhes.[3] Vëllezërit Mustafa Nurì dhe Sait Pipa, i pari avokat dhe tjetri farmacist, ishin me prejardhje nga Libohova, u vendosën në Shkodër dhjetëvjeçarin e parë të shek. XX dhe u martuan me dy bija të familjes Shpuza.[4][5] I ati ishte jurist i shkolluar në Stamboll, në kohën e Luftës së Parë Botnore ishte jurist i Drejtorisë së Drejtësisë në Shkodër në pushtim-administrimin austro-hungarez. Më vonë, në vitet 1923-‘26 u emërua anëtar i Gjyqit të Diktimit.

Kishte vëlla nga i ati Myzaferin, dhe katër motra: Bedrijam Nedreti, Fehimja dhe Bukurusha.

Mësimet fillore dhe të mesme i mori në vendlindje, të parat te Kolegji Saverian e më tej për 8 vjet në Gjimnazin e Shkodrës në degën klasike, që e përfundoi më 1938. Me përkujdesjen e të atit për edukatën fetare, ndiqte mësime në medrese pasditeve.[6] Më 1936 me poezinë Në lamën e luftës fitoi çmimin e tretë në një konkurs poezie të shpallur nga e përkohshmja "Cirka".[3]

Më pas studioi Letërsi e Filozofi në Universitetin e Firences, laureoi me tezën “Morali dhe feja tek Bergson”. U kthye në Shqipëri dhe nga viti 1941 dhe deri në fund të vitit 1944 dha lëndën e filozofisë në gjimnazet shtetërore të Tiranës, Shkodrës dhe të Durrësit. Në vitin 1944 drejtoi revistën «Kritika», botuar nga Myzaferi.[2]

Kur Lidhja e Shkrimtarëve nisi botimin e organit "Bota e Re",[2] Pipa me Kutelin ishin të vetmit jokomunistë në këshillin drejtues.[7] Mori pjesë në Kongresin e Parë të Lidhjes në tetor të 1945, drejtuar nga Skënder Luarasi. Për pak kohë, në vitin 1945, qe mësues i italishtes dhe i gjuhës shqipe në Kolegjin e Mësuesve, Tiranë.[8] Pasi u arrestua miku i tij Hysen Ballhysa më 4 dhjetor 1946, Pipën e arrestojnë më 27 prill 1947 dhe pas tyre u arrestuan edhe Preng Kaçinari me Pashk Gjeçin. Pipa u akuzua se gjatë kohës së luftës kishte "drejtuar revista me ideologji fashiste për të mashtruar popullin dhe për të maskuar okupacionin fashist" dhe se vijonte punën me studentët e vet duke e akuzuar pushtetin komunist si terrorist, akuza për të cilat u dënua me 20 vjet heqje lirie.[9]

Burgimi Redakto

Vuajti në burgjet dhe kampet e shfarosjes (Durrës, korrik 1948 Vloçisht, nëntor 1948 Gjirokastër, Korçë, "Artizanati" i Tiranës, Burrel etj.),[10] ku përveç punës së detyrueshme u bë një nga dorëzanët e mësimdhënies së letërsisë, filozofisë dhe gjuhëve përgjatë dënimit.[11][12] ku shkroi librin me poezi "Libri i Burgut". Familjen e shpërngulën disa herë derisa në nëntor 1949 bashkë me 20 familje të tjera të persekutuara i shpërnguli në disa shtëpi boshe në plazh. Gjatë rrugëtimit, i ati që ishte i paralizuar, ndërroi jetë.[13]

Lirohet më 26 prill 1956 dhe një natë të fundverës së 1957 u arratis me të motrën, Fehimen. U vendos në Sarajevë gjer më 1959.

Mërgimi Redakto

Emigroi në Shtetet e Bashkuara më 1958. Në fillim punoi si arkëtar në një hotel të Nju Jork-ut. Emërimi i tij i parë ishte në kolegjin Philander Smith, Little Rock, Arkansas, ku ligjëroi për filozofi më 1960. Vitin akademik pasues, drejtoi departamentin e gjuhës italiane në City University, Xhorxhia, në “Shkollën e Gjuhëve dhe të Gjuhësisë” dhe në të njëjtën kohë jepte mësim filozofi, në “Kolegjin e Arteve të Lira” (verë 1961, dhe ’62). Ka qene pedagog i gjuhës italiane në universitetin Kolumbia në vitet 1961-62, dhe profesor i asociuar i gjuhës italiane, në universitetin e Delfit, Garden City, dhe, në të njajtën kohë, gjatë verës, dha filozofi në Kolegjin e Arteve të Lira.

Në vitet në vazhdim ligjëroi tema filozofike në kolegjin Adelphi Suffolk. Nga viti 1963-66 ishte profesor i asociuar në vitin akademik 1963-64 në departamentin e gjuhës italiane, në universitetin e Kalifornisë, Berkley. Atje jepte kursin e letërsisë moderne italiane dhe drejtonte seminaret e kritikës letrare, (De Sanctis, 1963, Kroçe, 1964, Viko, 1965), po ashtu si dhe në gjuhën shqipe, letërsi dhe folklor më 1965, si dhe filozofi romake. Në vitin 1966, drejtoi disertacionet për gradën e doktorit në filozofi (Ph.D).

Përkrahu lëvizjen studentore të Berkley University të Kalifornisë, e njohun si “Free speech movement”, dhe u ba kritik i paanshem i poltikës. Nga viti 1966, ka qenë në fakultetin e Universitetit të Minesota-s dhe Minneapolis, fillimisht si profesor i asociuar (1966-69), dhe më pas si profesor i gjuhës italiane, në departamentin e gjuhëve frënge dhe italiane (Departamenti i Gjuhëve Romane gjatë vitit 1968). Arriti të jetë pjesëtar i Universitetit të Minesotes, si anëtar me të drejta të plota dhe gjithashtu kontribuonte në planifikimin, hartimin dhe ndarjen e diplomave të studimeve të gjuhës italiane. Programi për gradat e master-it u themelua në vitin 1968, ndërkohë ai ishte drejtues i programit master (“graduate school”) në gjuhën italiane. Temë-diplomat për master dhe disertacionet e PhD u shkruan dhe u miratuan nën drejtimin e tij. U ka dhënë mësim kurseve të ekstrakurrikulare të gjuhëve, të ndara në kurse të ulët dhe të larta, kurseve të qytetërimit dhe të kulturës në anglisht, dhe në veçanti, kurseve ekstra-kurrikulare për shkrimtarët e mëdhenj, (Dante, Bokaçio, Manzoni, Leopardi), në zhanret e “Poezisë kalorësiake”, “Letërsisë Utopike”, dhe temat krahasuese (Marksizmi dhe Ekzistencializmi në tregim dhe dramë), përfshi seminaret (Ungareti dhe Montale, Viko dhe Kroçe). U ka dhënë gjithashtu mësim bashkërisht, kurseve të diplomuara të gjuhëve Frënge dhe Italiane, (Simbolizmi Francez dhe Hermetizmi Italian, Romantizmi në Francë dhe në Letërsinë Italiane), duke pasuar me themelimin e programeve të masterit, në gjuhët frënge dhe italiane (1970), të konceptuar dhe hartuar me iniciativën e tij. Me daljen në pension u vendos përfundimisht në Vashington, D. C., pranë së motres.

Gjatë kësaj kohe u intensifikuen lidhjet e tij me “Vatrën” dhe “Diellin”. Gjithnji, ai ka qenë bashkëpunëtor i zellshëm i “Diellit”. Shqetësimet e tij për gjendjen e “Vatrës”, në këte kohë, dhe mendimet e tij për prosperitetin e saj, ai i shprehu, së pari, në “Dielli”, në artikullin e gjatë “Për riorganizimin e Vatrës”, (nr. i 16 gushtit 1983) dhe në Fjalimin e rastit të 28 Nandorit 1986, “Për shpëtimin e Vatrës”, që u botue në “Diellin” e 28 shkurtit, 1987. Më duket se Arshiu ka dhënë përcaktimin ma të saktë dhe ma të bukur për Vatrën: “Vatra asht nji monument historik i vetëdijes dhe kulturës kombëtare”. Ai ka shkruar me dhimbje kraharori për gjendjen e mjeruar të “Vatrës” dhe ka vlerësue lart prestigjin e saj ndaj organizatave të tjera të diasporës, gja qi i jep mundësi e avantazh asaj t’i bajë nji sherbim të madh kombit, “i cili do të ketë vlerë më të madhe nëse Vatra mban një qëndrim sipërpartiak dhe sipërqeveritar”. “Ndërhymja e saj, shkruen Pipa, asht sidomos e randësishme ndër raste kur të drejtat e kombit shqiptar cenohen ose rrezikohen”.

Në pranverë të vitit 1991, Pipa u zgjodh kryetar i “Vatrës”, pa qenë anëtar i saj, detyrë në të cilën qëndroi vetëm një vit, sepse në qershor të 1992-shit, nuk u rizgjodh. E mori kryesinë e “Vatrës” me të vetmin qëllim për ta vënë atë në shërbim të problemeve me rëndësi të jashtëzakonshme historike, që dolën para kombit tonë: zhvillimeve demokratike në Shqipëri dhe zgjidhjes së problemit të Kosovës. Gjatë kësaj kohe tepër të shkurtër, ai iu kushtua me të gjitha energjitë rimëkëmbjes së “Vatrës”, dhe kreu shumë punë me vlerë. Në “Albanica”, në nr. 3-4 të 1992-shit, në shkrimin On VATRA and Dielli, ai ka shkruar me hollësi për to.

Vdiq me 20 korrik 1997 në Vashington, D. C.

Veprat Redakto

Poezi Redakto

Vëllimin e parë poetik me titull “Lundërtarët” e botoi në v. 1944. Të dytin, “Libri i burgut” të shkruar në letra cigaresh, në burgjet e kampet e punës së detyruar, e botoi në Romë në vitin 1959. Punë e burgut është edhe “Rusha” botuar në Mynih, 1968. Më 1969, Pipa botoi në Mynih antologjinë poetike “Meridiana”, një përzgjedhje nga botimet e mëparshme dhe disa poezish të pabotuara, si p.sh. “Preludet”, shkruar në Firence dhe Tiranë më 1941.

Përkthime Redakto

Pipa ka lënë një trashëgimi të pasur në fushën e përkthimeve poetike nga latinishtja, italishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, anglishtja. Vetëm gjatë kohës njëvjeçare që jetoi si refugjat në Jugosllavi, ai përktheu një vëllim poetik me titull “Lyrika Latine”, (rreth 250 faqe të plotësuara me shënime të ndryshme metrike), mbetur në dorëshkrim. Po ashtu, mbetur në dorëshkrim, është edhe një vëllim poetik i shkruar në tri gjuhë evropiane me titull “Autobiografia”.

Albanologji dhe kritikë letrare Redakto

Veprimtari të gjerë ka lënë në hapësirën shkencore të kritikës letrare. Gjatë vitëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, botoi veprën “Trilogia Albanica” (1978), në tri vëllime: “Albanian Folk Verse”, “Hieronymos De Rada ” dhe “Albanian Literature: Social Perspectives ”, vepër rreth 900 faqesh me përsiatje albanologjike origjinale.

Në vitin 1991, botoi “Contemporary Albanian Literature”, për të cilën studiuesi Fortino Italo Costante, ka thënë: “Studimi i fundit i Arshi Pipës mbi letërsinë e realizmit socialist përban një kontribut të parë... për një rend të ri që duhet të vendoset në letërsinë dhe në radhë të parë, në kritikën letrare”.

Shumë studime për letërsinë dhe kulturën shqiptare dhe arbëreshe, ka botuar në shtypin e huaj si “Südost-Europa Forschungen”, “Zeitschrift für Balkanologie”, “Comparative Literature Studies”, “Books Abroad”, “Rivista di letteratura moderna e comparate”, “Mondo operaio”, “Revue des études sud-est européennes”.

Ka botuar artikuj studimorë për Danten, De Sanctis, Manxonin, Ungaretin, Moravian, Montalen. Këto ese, Pipa i ka botuar në revistat e huaja shkencore si “Italica”, “Italian Quarterly”, “The Romanic Review”, “Comparative Literature”, “Books Abroad”, “Belfagor”, “Le ragioni critiche”, “Revue de literature comparèe”, “Revue des études italiannes”.

Vepra më e vyer në këtë lëmë “Montale and Dante” (1968), anglisht, e përkthyer në italisht dhe shqip. Me këtë vepër, e rreshtoi veten ndër studiuesit botërorë të këtij subjekti, d.m.th. të vlerësimit objektiv të poezisë së Montales dhe të vënjes në dukje të ndikimit të Dantes në poezinë e Montales.

Estetika dhe filozofia kanë qenë gjithashtu interesimet e tij shkencore. Trashëgimia e tij në këto fusha, përveç disertacionit mbi filozofinë e Bergsonit, përfshin artikujt studimorë dhe referatet shkencore të mbajtura në konferenca dhe kongrese ndërkombëtare si në Amsterdam, Londër, Uppsala, Palermo, Venedik, etj. Ka lënë dorëshkrim veprën filozofike “La mia concezione sulla vita”.

Një kontribut të veçantë përban veprimtaria e tij shkencore në fushën e folklorit, të folkloristikës dhe të gjuhësisë. Gjatë viteve të burgut përgatiti një vepër me materiale folklorike të mbledhura nga të burgosunit, rreth 420 faqe të daktilografikuara, me një hyrje teorike rreth folklorit tonë dhe folklorit në përgjithësi; vepër që iu dorëzua Institutit të Folklorit, në vitin 1957, dhe sot nuk gjindet.

Të botuara në këtë fushë janë veprat “Albanian Folk Verse: Structure and Genre” (1978) dhe “Politics of Language in Socialist Albania” (1989). Analizës së çështjeve të ndryshme të eposit tonë të kreshnikëve, Pipa i është kthyer përsëri në punimin “Serbocroatian and Albanian Frontier Epic Cycles”, botuar më 1984 në vëllimin “Studies on Kosova”.

Në veprën “Politika e Gjuhës në Shqipërinë Socialiste”, merret me problemin e standardit të gjuhës sonë letrare, të vendosur në një forum ku liria e fjalës përbënte sakrilegj, si në të gjitha forumet e diktaturës, dhe mbërrin në përfundimin që “gjuha e njësuar’ nuk është as e njësueme, as e përbashkët, as kombëtare; ajo është një variante toskënishte e arnueme me disa huazime fonetike nga gegënishtja letrare, të cilat i mungojshin strukturës së toskënishtes”.

Shqetësimet dhe interesimet e tij për gjendjen në Shqipëri, Kosovë dhe për të gjitha trojet shqiptare dhe për të ardhmen e tyne kanë gjetur shprehjen e vet në botimin, në vitin 1990, të librit “Albanian Stalinsm. Ideopolitical Aspects”, një përmbledhje e shkrimeve të karakterit politik, të botueme në shtypin periodik shqiptar të diasporës sonë dhe ate amerikan, të viteve 1958-1989. Shkrime të kësaj natyre, Pipa botoi në gazetën “Dielli”, gjatë viteve 1991-92, vite kur ai qe kryetar i “Vatrës” dhe editor i organit të saj.

Pipa shquhet edhe për veprimtari botuese në larmin e shtypit periodik. Ai ka qenë botues dhe kryeredaktor organesh letrare e shkencore. Në vitin 1944, kur Shqipërija vuante nën pushtimin e huaj, në një moshë të re nxori revistën “Kritika Letrare”, në të cilën dallohet për trajtim original dhe objektiv të personaliteteve të letrave shqipe; veçori që do ta shoqërojë ate gjithnjë më vonë, kur do të shkruaj veprat madhore në këtë fushë. Në faqet e revistës ravijëzoheshin kulmet e letërsisë e të kulturës shqiptare si Noli, Konica, Migjeni. Kulme në historinë e kritikës sonë letrare kanë mbetur edhe këto punime të Pipës. Eseja e shkruar për Konicën e dëshmon atë si një kritik të kategorisë së parë. Në vitet 1945-46, qe anëtar i redaksisë së revistës “Bota e Re”. Më 1987, anëtar i redaksisë së revistës tremujore për mendimin kritik “Telos”(Kaliforni).

Në vitin 1990, filloi të botojë në Vashington D. C. revistën “Albanica – A quarterly Journal of Albanological Research and Criticism”, revistë me vlera të mëdha shkencore albanologjike. Mbas tre numrash, për arsye financiare, u ndërpre ky botim aq i nevojshëm e i rëndësishëm sidomos për paraqitjen para botës të gjendjes së vertetë ekonomike e politike të trojeve tona, dhe të shkencave tona albanologjike. Për kohën e vet, në diasporën shqiptare, jo vetëm në ate të Amerikës, nuk ka pasë nji të tillë të dytë që t’i afrohet sadopak. Aty u botuan artikuj studimorë në gjuhët shqip, anglisht, frëngjisht, gjermanisht nga studiues të njohun shqiptarë e të huej si A. Pipa, M. Camaj, P. Prifti, A. Logoreci, A. Klosi, Ardian Vehbiu, F. Pipa, Michele Roux, Odile Daniel, Francesco Altimari, Walter Brew, Hans-Jurgen Sasse, Matteo Mandala, Peter Bartl, Armin Hetzer, Alain Ducellier dhe Wilfried Fridler.

Mbrojtja e çështjes shqiptare në të gjitha trojet tona qe qëllimi i revistës. Numri i parë iu kushtua “Tragjedisë së Kosovës dhe aktorëve të saj”. Në ballin e revistës u vizatua harta e Kosovës së bashku me pjesën veriore të Shqipërisë.

Vazhdimisht, Pipa ka ndjekë në mënyrë aktive zhvillimet politike në atdhe, në Kosovë dhe në trojet shqiptare në Ballkan U ka dërgue letra personaliteteve ma të nalta të administratës amerikane, ka folë në “Zërin e Amerikës”, ka dhanë intervista, etj.

Në vitet 1991-92, editoi gazetën “Dielli”, tue qenë njëkohësisht edhe kryetar i “Vatrës”. Pipa, tue qëndrue si gjithnji jashtë sinoreve të partitizmit të diasporës, si nji atdhetar i vertetë, antikomunist dhe demokrat kritikoi ashper veprimet antidemokratike të forcave poltike që dolen në skenë fill mbas ramjes së diktaturës, sugjeroi platforma politike me vlerë për zhvillimet demokratike në Shqipni, dhe kërkoi me insistim që të nxiret para drejtësisë përgjegjësia për atë çka ndodhi gjatë 50 viteve të regjimit komunist.

Arshiu, me dishirën përvëluese për ta pa Shqipëninë demokratike e perëndimore, Kosovën dhe trojet e tjera shqiptare të çlirueme dhe të bashkueme me atdheun. La porosinë e fundit: të digjej kufoma e tij dhe të hidhej në ujnat e Adriatikut. Pak vite para se të vdiste, ai i dhuroi Muzeut historik të Shkodrës bibliotekën e tij të pasun.

Nderime Redakto

Atdheu e nderoi me titullin e lartë: “Naim Frashëri i klasit të Parë” dhe qyteti i tij i lindjes e shpalli “Qytetar Nderi”. Busti i tij i ndërtuar me Bronx qëndron, që prej vitiit 1999, në mjediset e Muzeut historik të Qytetit. Kultura shqiptare, ku ende e përcaktojnë tonin akademikët e Diktatorit ose nostalgjikët e tyre, e ka të vështirë të një personalitet të tillë si Pipa, që i ka demaskuar një jetë të tërë. Aty-këtu, individë të veçantë dhe institucione kulturore demokratike kanë filluar me bërë hapat e parë për të nxjerrë në dritë veprën shkencore e letrare të tij. Po diaspora jonë? Asnjë veprimtari promovuese për punën e madhe atdhetare, shkencore, artistike, botuese. Përveç ndonjë artikulli me shumë vlerë si ai i Astrit Lulushit, “Montale & Dante dhe Arshi Pipa”, dhe 2-3 shkrimeve kritike tendencioze, nuk më ka zënë syni tjetër. Borxh i papaguar i “Vatrës”, i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe, në përgjithësi, i inteligjencës së këtushme.[8]

Lidhje të jashtme Redakto

Referime Redakto

  1. ^ "Arshi Pipa: Communism and Albanian Writers". albanianhistory.net (në anglisht). 1959.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  2. ^ a b c "Fjalor Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist VI (N-P)" (PDF). iskk.gov.al. Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. 2017. fq. 301-302. ISBN 978-9928-168-65-8.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  3. ^ a b Kalakulla, Uran (1999). Arshi Pipa – njeriu dhe vepra. Tiranë: Toena. ISBN 9992711698.
  4. ^ Bushati, Ahmet (2001). Në gjurmët e një ditari. Shkodër: Camaj-Pipa. fq. 141. ISBN 9992741112.
  5. ^ Nipi i kësaj familjeje, z. Parid Turdiu ka shkruar se motrat që u martuan me dy libohovitët e kishin mbiemrin e vajzërisë Suma.
  6. ^ Çiftja, Hektor (2 prill 2014). "Arshi Pipa as a National and International Figure". Journal of Educational and Social Research (në anglisht). 4: 328–331. ISSN 2240-0524.
  7. ^ Hamiti, Muhamet (2017). "Pamjet e letërsisë shqipe në studimet e Arshi Pipës" (PDF). Kêns. 1: 149–164. ISSN 2521-7348. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 9 gusht 2017. Marrë më 17 mars 2019.
  8. ^ a b Çefa, Anton (2010). "Arshi Pipa në 90-vjetorin e lindjes". antoncefa.blogspot.com.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  9. ^ "Dosja gjyqsore e prof. Pashko Gjeçit dhe prof. Arshi Pipës". radiandradi.com. 55. 21 janar 2014 [20 janar].{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  10. ^ Pipa A., Autobiografi, letërsia.fjalori.com
  11. ^ Repishti S., Me rastin e përvjetorit të parë të vdekjes: Shoku i im Arshi Pipa, Phoenix 05 - Artikulli 04.
  12. ^ Zhiti V., Në takim me Arshi Pipën, përshkruar në librin me ese, të Zhitit “Në emër të a(r)tit”, dalë në Shkup më 2006.
  13. ^ Pipa, Fehime (1991). Përkthyer nga Ilir Hashorva. "Udhëtimi i gjatë dhe i pashpresë për një strehë". Albanica.