Detyrimet doganore janë një lloj i veçantë i taksave indirekte të cilat paguhen me rastin dhe në kohën e kalimit të mallrave nëpër kufirin doganor. Edhe pse në fakt detyrimet doganore paguhen nga personat që sjellin ose nxjerrin mallrat nga territori doganor (importuesit ose eksportuesit), duke qenë se këta të fundit i përfshijnë pagesat për detyrimet doganore si kosto në çmimet e mallrave, në analizë të fundit janë konsumatorët që blenë mallrat e importit që janë pagues të detyrimeve doganore të paguara për ato mallra. Është pikërisht kjo arsyeja që detyrimet doganore klasifikohen në grupin e taksave të tërthorta ose indirekte.

Historiku Redakto

Detyrimet doganore janë taksat më të vjetra që janë mbledhur historikisht. Ato kanë lindur, siç tregojnë edhe faktet historike, qysh në rendin skllavopronar, por zhvillimin dhe peshën e duhur ato e morën në fazën e dytë të zhvillimit të marrëdhënieve feudale dhe sidomos fazën e parë të zhvillimit të marrëdhënieve kapitaliste.

Natyra dhe roli i detyrimeve doganore nuk ka qenë i njëjtë në të gjitha periudhat e zhvillimit historik. Duke filluar nga shekulli XV kur roli i tyre filloi të marrë rëndësinë që përcjell edhe sot e deri në shekullin XVIII roli i detyrimeve doganore përqëndrohej në rregullimin e bilancit tregtar të vendit, me qëllimin për të siguruar futjen e arit në vendn që në atë kohë konsiderohej si e vetmja pasuri. Kjo ishte pasojë e mbizotërimit në atë kohë të teorive dhe politikave merkantiliste në ekonomi. Gjatë gjithë kësaj kohe mbizotëruan detyrimet doganore që synonin mbrojtjen e prodhimit vendas dhe për këtë arsye ajo periudhë mund të quhet edhe periudha proteksionizmit në doganë. Në shekullin XIX gjithmonë e më tepër filluan të zenë vend idetë e Adam Smithit për tregtine e lirë, duke ndryshuar edhe qëllimin për të cilin vazhdonin të mblidheshin detyrimet doganore. Tashmë ato filluan të konceptoheshin jo më si një pengesë për futjen e mallrave të huaja në tregun e brendshëm por si një mjet për të mbledhur të ardhura për financat publike, duke profilizuar kështu rolin fiskal të detyrimeve doganore.

Në vigjilje të shekullit XX dhe sidomos në dekadat e para të tij, filloi të ridimesionohet roli që duhet të luante dogana, duke i dhënë një profil ekonomk, dhe në kuadër të saj edhe vetë detyrimeve doganore, ide kjo që pas Luftës së Dytë Botërore mbështeti gjithë frymën e integrimit ekonomik dhe tregtar që ka arritur kulmin në konceptin e ekonomisë globale dhe shprehjen e vet në Organizatën Botërore të Tregtisë.

Proteksionizmi dhe liberalizmi Redakto

Detyrimet doganore dhe kufizimet sasiore në import ose eksport përbëjnë ato që shpesh quhen instrumenta të politikës tregtare. Nëpërmjet zbatimit të detyrimeve doganore dhe/ose të kufizimeve sasiore në import, çdo vend kërkon të rregullojë fluksin e mallrave të importuar në tregun e vet duke rritur në këtë treg ofertën e mallrave me çmime më pak konkurruese se ato të mallrave të ofruara nga prodhimi kombëtar në tregun e brendshëm, gjë që ndikon patjetër edhe në krijimin e çmimeve të konsumit në tregun e brendshëm. Në këtë rast thuhet se ky vend kërkon të mbrojë prodhimin kombëtar.

Në qoftë se një mbrojtje e tillë bëhet e nevojshme apo merr njëfarë rëndësie për një vend, atëhere kjo nevojë konkretizohet në hartimin e politikave doganore të ashtuquajtura “proteksioniste”. Proteksionizmi është e kundërta e atij që quhet liberalizëm doganor. Ky i fundit, gjithmonë në lidhje me doganën, nënkupton që shkëmbimet ndërkombëtare të mallrave të kryhen në kushtet e konkurrencës së lirë. Megjithatë, edhe brenda një politike doganore liberale vendosja e detyrimeve doganore në importin e mallrave mund të shërbejë për vendosjen e kushteve të drejta të konkurrencës duke mbrojtur prodhimin vendas nga konkurrenca e ndërkombëtare në rastet kur kjo konkurrencë është shtrembëruar për arsye se ndërmarrjet e brendëshme janë të detyruara të përballojnë kosto shtesë në krahasim me ndërmarrjet e vendosura jashtë.

Ndryshimi në kostot e prodhimit mund të këtë arsye nga më të ndryshmet. Mund të kemi të bëjmë, për shembull, me një detaksim (mosvendosje apo heqje e detyrimeve) ose subvencionim që vendet e tjera i bëjnë mallrave që dalin në eksport. Po kështu mundet që të ballafaqohemi me ndonjë politikë dumpingu që mund të praktikojnë ndërmarrjet e vendosura jashtë, për të konkurruar në mënyrë “të pandershme” prodhimin vendas.

Pavarësisht nga arsyet, vihet re se në këto raste, që përmendëm më lart, jemi përpara një shtrembërimi të lojës së konkurrencës dhe për këtë arsye vendi importues duke vazhduar të ndjekë një politikë liberale në fushën e shkëmbimeve tregtare, është i detyruar, pikërisht për hir të rivendosjes së konkurencës së drejtë, të aplikojë detyrime doganore dhe/ose kufizime sasiore në import, për të mbrojtur ndërmarrjet e veta. Nuk përjashtohen edhe rastet kur detyrime doganore dhe/apo kufizime sasiore të vendosen edhe në eksport, gjë që më tepër sesa me rivendosjen e konkurrencës ka lidhje me mbrojtjen e nevojave lokale të konsumit në raport me një prodhim të caktuar.

Llojet e detyrimeve doganore Redakto

Siç thamë më lart edhe në kushtet e një politike nga më liberalet, një vend mund të jetë i detyruar të aplikojë detyrime doganore në import apo eksport. Nisur nga qëllimi i vendosjes, mënyra e vjeljes si dhe koha aplikimit, e të tjera kritere mund të bëhen klasifikime të ndryshme të detyrimeve doganore. Lë të shohim disa prej tyre.

Sipas drejtimit të lëvizjes së mallrave Redakto

Nisur nga drejtimi sipas të cilit lëvizin mallrat, hyjnë apo dalin nga territori doganor, mund të kemi:

  • detyrime doganore importi dhe
  • detyrime doganore eksporti

Detyrime doganore të importit që vendosen si detyrim për të drejtën e kalimit të kufirit për mallrat që importohen. Niveli i këtyre detyrimeve përcaktohet nga qëllimet ekonomike apo fiskale për të cilat vendosen dhe përfaqëson një nga elementët që formojnë atë që quhet tarifë doganore. Ky lloj detyrimesh doganore është forma më e përhapur që gjendet në të gjitha vendet e botës.

Detyrime doganore të eksportit që vendosen si detyrim për të drejtën e kalimit të kufirit për mallrat që eksportohen. Të tilla detyrime mund ti vendosen mallrave kombëtare me ofertë të vogël të cilat janë të kërkuara për konsum lokal (ky është aspekti ekonomik) si dhe mallrave kombëtare me elasticitet të vogël të kërkesës në tregun e jashtëm. Gjithsesi, ekzistenca në ndonjë rast i detyrimeve doganore të eksportit përbën gjithmonë një përjashtim nga rregulli i përgjithshëm për të mos vendosur të tilla. Si rregull të gjitha vendet, duke mos marrë në konsideratë interesat fiskale, janë të interesuar për të nxitur eksportin gjë që do të rregullonte bilancin e tyre tregtar duke sjellë në vend më shumë valutë.

Sipas qëllimit të vendosjes Redakto

Nisur nga qëllimi për të cilin vendosen, detyrimet doganore ashtu siç kemi parë edhe më lart, ndahen në dy kategori të mëdha:

  • Detyrime doganore fiskale dhe
  • Detyrime doganore ekonomike

Qëllimi i detyrimeve doganore fiskale është mbledhja e një pjesë të mjeteve të domosdoshme financiare për të përballuar nevojat shoqërore dhe veprimtarinë e admimnistratës shtetërore. Në këto raste qëllimi realizohet nëpërmjet taksimit të mallrave që zenë vëllimin më të madh në import dhe që me siguri të pranueshme do të vazhdojnë të importohen, siç janë për shembull mallrat e konsumut të gjerë (ushqime, veshje, etj), si dhe taksimit të atyre mallrave për të cilat tregu i brendshëm është krejt ose pothuajse krej joelastik, siç mund të jenë cigaret, kafeja, pijet alkoolike, të cilat njerzit do të vazhdojnë ti blenë edhe nëse çmimet do të ngriten për shkak të detyrimeve doganore të vendosura.

Nuk përjashtohet mundësia që detyrimet doganore fiskale të vendosen edhe në eksport, madje detyrimet e eksportit në përgjithësi janë të tilla.

Detyrimet doganore ekonomike, siç kemi treguar edhe më lart synojnë të rivendosin konkurencën që në ndonjëfarë mënyrë mund të jetë shtrembëruar. Detyrimet doganore ekonomike mund të jenë disa llojesh në varësi të qëllimit ekonomik për të cilin janë vendosur. Të tilla janë:

  • Detyrimet antidumping që mblidhet mbi mallrat e importuara të cilat janë objekt i dumpingut. Me dumping do të kuptojmë çdo rast kur mallra të huaja importohen në një vend me një çmim shumë më të ulët se çmimi i tyre konkurues në vendin dhe kohën e eksportimit, dhe në qoftë se një import i tillë dëmton ose mund të dëmtojë prodhimin vendas të mallrave të tillë ose zhvillimin e këtij prodhimi. Siç kemi treguar më lart kjo lloj takse ka karakter të theksuar ekonomik sepse synon të rivendosë konkurencën e shtembëruar. Gjithsesi ato nuk mund të vendosen á priori por githmonë mbi bazën e një eksperience që lidhet me një rezik aktual apo eventual për tregun e brendshëm.
  • Detyrime kundërbalancuese me të cilat kuptohet një lloj i veçantë takse që mblidhet për qëllime të kundërbalancimit të subvencioneve që mund të jenë, dhënë drejtpërdrejt ose jo, për krijimin, prodhimin apo eksportimin e mallrave të caktuar. Ka karakter ekonomik dhe synon të rregullojë konkurrencën e shtrembëruar nga subvencionet.
  • Detyrime kundërpërgjegjëse me të cilat kuptohen mbidetyrime që u shtohen niveleve normale, ose sipas rastit, që vendosin një taksë të veçantë për mallrat që nuk janë objekt i detyrimeve doganore në përputhje me tarifën doganore, të cilat vendosen për një periudhë të caktuar si kundërpërgjigje ekonomike kundrejt mallrave që importohen nga një vend i cili e diskriminon vendin importues në marrëdhëniet ekonomike.

Detyrime doganore sezonale që vendosen për një periudhë të caktuar të vitit e që mblidhen për importimin e të gjitha mallrave të një natyre të caktuar pavarësisht nga vendi prej nga vijnë apo kanë origjinën. Vendoset zakonisht për prodhimet bujqësore apo blegtorale dhe është shprehje e një politike të kulluar “proteksioniste”.

Sipas mënyrës së llogaritjes Redakto

Tani le të shohim tani se si mund të klasifikohen detyrimet që mblidhen në doganë, nga pikënpamja e mënyrës së llogaritjes. Mund të bëhet ky klasifikim:

  • Detyrime ad valorem (sipas vlerës) të cilat llogariten në një përqindje të caktuar në tarifën doganore ndaj vlerës doganore të mallrave që taksohen. Detyra e doganës, në rastet kur zbatohen detyrime ad valorem është të shqyrtojë nëse vlera doganore e mallrave është përcaktuar në përputhje me rregullat e parashikuara për këtë qëllim.

Detyrimet ad valorem janë shprehje zbatimit të parimit të “barazisë vertikale” në taksim, që është parimi dominant në fiskialitetin modern. Barazia qëndron në faktin se të gjitha mallrat e të njëjtit lloj ngarkohen në në të njëtën masë relative ose kanë të njëjtën nivel takse. Meqenëse ky nivel takse konsiston në një përqindje të caktuar ndaj vlerës, barazia rishfaqet edhe në procesin e vjeljes së detyrimeve, ku për mallin “më të lirë” paguhet më pak se për mallin më të “shtrenjtë” të po atij lloji. Është pikërisht ky aspekt ekonomiko-“demokratik” që ka bërë që detyrimet ad valorem të zenë vend jashtëzakonisht të madh në tarifat doganore të ditëve të sotme.

  • Detyrime specifike, të cilat llogariten sipas një shume monetare fikse, të caktuar në tarifën doganore për çdo njësi të sasisë së mallrave që taksohen. Njësia mund të jetë e masës apo vëllimit, nuk përjashtohet mundësia edhe në copë. Në këtë mënyrë llogaritja e këtyre lloj detyrimeve bazohet mbi operacione numërimi, peshimi ose matjeje duke dhënë rezultate të fiksuara dhe të pandryshueshme për një lloj të caktuar mallrash.

Nga pikëpamja e origjinës kjo lloj takse është më e lashtë se detyrime sipas vlerës. Ajo është shprehje e parimit të barazisë horizontale sipas të cilit mallrat e të njëjtit lloj taksohen në të njëjtën masë absolute pavarësisht nga vlerat që mund të jenë ekstremisht të ndryshme.

  • Detyrime të kombinuara që konsistojnë në zbatimn e kombinuar të detyrimeve ad valorem dhe atyre specifike.

Përqindjet apo shumat monetare fikse mbi të cilat mbështetet përkatësisht llogaritja e detyrimeve doganore quhen nivele të detyrimeve doganore.

Sipas së drejtës së nxjerrjes Redakto

Në këtë rast dallojmë:

  • detyrimet doganore autonome, dhe
  • detyrimet doganore konvencionale

Detyrimet doganore autonome nuk kushtëzohen nga ndonjë marrëveshje ndërkombëtare dy ose shumëpalëshe në fushën e shkëmbimit të mallrave. Këto lloj detyrimesh vendosen sipas nevojave që ka vendi në një periudhë të caktuar dhe formojnë atë që mund të quhet “tarifa normale”.

Detyrimet doganore konvencionale janë të kushtëzuara gjithmonë nga marrëveshjet që mund të ketë një vend i caktuar me vende të tjera në nivel dy ose shumëpalësh. Ato asnjëherë nuk mund të vendosen dhe të ndryshohen në mënyrë të njëanshme. Shembuj detyrimesh të tilla janë ato që zbatohen në të ashtuquajtura Zona të Tregtisë së Lirë.

Sipas lartësisë së nivelit Redakto

Detyrimet doganore mund të dallohen edhe nëse për të njëjtin pozicion tarifor në nomenklaturë kemi më tepër se një nivel takse. Në këto raste dallojmë ato që quhen:

  • Detyrime normale dhe
  • Detyrime Preferenciale

Detyrimet normale janë ato të cilave u korespondon ai nivel takse që zbatohet normalisht për taksimin e mallrave që shkëmbehen ndërmjet vendeve që nuk kanë lidhje të ngushta dhe të vazhdueshme tregtare. Në këto raste niveli i taksës është më i larti, sepse synojnë pengimin e futjes së mallrave nga tregje jo shumë miqsorë. Të tilla mund të jenë vetëm detyrimet jokonvencionale.

Detyrimet preferenciale janë detyrimet që zbatohen në nivele të ndryshme, gjithmonë më të ulëta, se ato normalet si një favor që mund ti jepet një vendi tjetër me të cilën marrëdhëniet tregtare janë të ngushta dhe të vazhdueshme duke i krijuar mundësinë mallrave të atij vendi për të hyrë më lehtësisht në tregun e vendit që ka dhënë preferencat. Preferencat mund të jenë reciproke, në nivel dy ose edhe shumëpalësh, ose të një anshme. Forma më e lartë dhënies së preferencave në nivel shumëpalësh është arritur me të ashtuquajturin Sistemin e Përgjithshëm të Preferencave te percaktura në kodin doganor të një shteti.

Shiko edhe keto Redakto