Dianetika (nga greq. dia - mes, nëpërmjet ; nus - mendje) është një tërësi idesh dhe praktikash që kanë të bëjnë me përkatësinë midis mendjes dhe trupit që u zhvilluan nga autori fantast L. Ron Hubbard. Dianetika është një mënyrë e zhvillimit vetjak, bazuar mbi njohjen dhe zvogëlimin sistematik të kujtimeve plagosëse (engrameve), që ruhen në pavetëdije. Qëllimi i dianetikës është "pastrimi" i kësaj pjese të mendjes. Kur arrihet ky pastrim, njeriu është i aftë të përdorë plotësisht fuqinë mendore të tij. Dianetika është një besim që ushtrohet nga anëtarët e Kishës së Shkencologjisë me zanafillë vitin 1950, vit në të cilin u botua libri i Hubbardit, "Dianetika: Shkenca moderne e shëndetit mendor" (1950). Ky libër është puna shumëvjeçare kërkuese vetjake e Ron Hubbardit, i cili shpall aty të ketë identifikuar (zbuluar) burimet e sëmundjeve psikike. Poashtu autori pohon që, dianetika mund të rrisë mençurinë, zhdukë emocione të padëshiruara, dhe të lehtësojë një numër të gjerë sëmundjesh psikosomatike. Dianetika paraqitet si një afri tejet e thjeshtë, si për teorinë ashtu edhe për praktikën.

Ushtresa kryesore e dianetikës është dëgjesa, në të cilën një njeri i "parapastruar" (zakonisht me ndihmesën e një këshilltari të quajtur "dëgjues") përpiqet të ballafaqohet me kujtimet e tij lënduese (engramet) në mendjen e tij kundërvepruese, duke shtjelluar larminë e gjerë të kushtëzimeve që ata shkaktojnë. Dëgjesa shpesh përdor një aparat të quajtur E-metër, i cili mat rezistencën elektrike të trupit të njeriut, dhe i cili sipas pohimeve të nxënësve të Hubbardit "mat gjendjen shpirtërore apo ndryshimet e gjendjes së një personi".

Dianetika është kundërshtuar fuqimisht që në zanafillat e saj. Bashkësia ndërkombëtare shkencore nuk e ka njohur kurrë punën e Hubbardit "Dianetika : Shkenca moderne e shëndetit mendor", si një teori shkencore të besueshme dhe të mirëfilltë, dhe është etiketuar gjithnjë në shtyp si pseudoshkencë ose sharlataneri nga shkencëtarët, mjekët dhe historianët.