Elez Sadik Koçi lindi në vitin 1856, në fshatin Ostreni i Madh, në Dibër nga një familje e thjeshtë. Në moshën 12 vjeçare nisi shkollën fillore dhe më pas vazhdoi shkollën e mesme fetare në Manastir. Në vitin 1876, Elezi mbaroi shkollën e mesme, por nuk pranoi vendimin e Myftiut te Dibrës së Madhe për tu emëruar si hoxhë, sepse nuk donte të vihej në shërbim te Perandorisë Osmane[1].

Pikturë e Elez Koçit.

Mori pjesë në Kongresin e Dibrës dhe në Kongresin e Manastirit (1908). Në fund të vitit 1909 pas kthimit nga kongresi I Manastirit, së bashku me Hoxhë Muglicen, mblodhën kuvende të ndryshme për të përhapur idetë e këtij kongresi. Autoritetet turke dërguan forca ushtarake për të shtypur veprimtarinë e tyre. Në luftimet që pasuan, morën pjesë patriotë të shquar dibranë si: Avdi Hoxha Sallai, Qazim Duka, Haziz Lila e të tjerë.

Në vitin 1911, u vendos krijimi i një administrate të re nga turqit me funksionarë turq. Elez Koçi dhe Hoxhë Muglica sulmojnë dhe shkaterrojnë këtë administrate me bazë në Ostren. Elez Koçi kapet dhe dënohet me 3 vjet burg, ku njëra nga akuzat është dhe tentativë vrasje e Bimbashit turk. Ngjarjet e 1912-ës sollën lirimin e tij nga burgu dhe pjesëmarrjen në Kuvendin e Pavaresisë në Vlorë pasi caktohet si delegat I Dibrës nga Aqif Pashë Elbasani (Biçaku). Menjëherë pas kësaj, ngre flamurin në ballkonin e shtëpisë së tij në Dibër.

Bust i Elez Koçit.

Veprimtaria e Elez Koçit shtrihej jo vetëm në krahinën e Gollobordës, por edhe të Çermenikës, Grykës së Madhe, Grykës së Vogël, të Dibrës së Madhe, të Elbasanit e të Martaneshit. Elezi mbante lidhje me Dan Çamin e Dine Hoxhën, me Demëm në Izvirë, me Mersim Demën në Homesh, me Market e me Lleshet.

Bullgaria me datën 06.09.1915 nënshkroi një marrëveshje të fshehtë me Austro-Hungarinë dhe Gjermaninë, kurse në muajin tetor të atij viti u fut në luftë kundër Serbisë. Në bazë të kësaj marrëveshje kufirit perëndimor i Bullgarisë niste nga kreshta e Malit Sharr dhe vazhdonte gjatë kufirit të parashikuar me Traktatin e Shën Stefanit. Më 6 dhjetor 1915 ushtritë bullgare u futën në qytetin e Dibrës së Madhe, dhe më 1 janar 1916 u futën në Peshkopi.

11 janar të vitit 1916, fuqitë bullgare sollën në Peshkopi Hasan Basri Beun, mysliman nga Bullgaria, i vetëquajtur Dukagjini, që ishte i njohur në këtë krahinë, pasi në kohën e okupacionit turk, kishte qenë zgjedhur deputet. Ata mblodhën parësinë e Dibrës dhe e informuan se së shpejti në qytetin e Dibrës së Madhe do të organizonin një qeveri të përkohshme shqiptare. Hasan Basriu e quante veten kryetar i qeverisë së përkohshme shqiptare dhe ministër i jashtëm. Elez Isufi do të ishte zv. Ministër i Brendshëm, kurse Bajram Curri si ministër i luftës. Më 26 janar të vitit 1916 në Peshkopi u formua administrata bullgare në rrang prefekture. Prefekt i Peshkopisë u emërua Ismail Strazimiri[2]..

Influenca dhe përkrahja në popull nuk ekzistonte dhe prandaj me shkresën nr. 2358 datë 1 mars të vitit 1916 u informua Ministria e Jashtme Bullgare dhe nëpërmjet kësaj, kryeministri bullgar Vasil Radoslavov. Filloi instalimi me forcë të strukturave bullgare dhe populli në Gollobordë u ngrit në luftë. Këtu një grup fshatarësh nën udhëheqjen e Elez Koçit, ngritën flamurin shqiptar dhe përgatitën që më 4 mars të vitit 1916 të shpallin formimin e krahinarisë së tyre shqiptare[1][2][3].

Në të gdhirë të dates 4 mars të vitit 1916, forcat bullgare në pabesi kapin Elez Koçin dhe Qazim Dukën nga fshati Ostren i Madh, e pasi i arrestojnë, i torturojnë egërsisht dhe i varrosin të gjallë afër një përroi në fshatin Vernicë[4].

Nisur nga aktiviteti i tij patriotik dhe atdhetar që ka kryer Elez Koçi për kombin shqiptar, ishte Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të Rrethit Dibër me vendimin nr.72 datë 23 maj të viti 1978 që e kanë shpallur Elez Koçin, Dëshmor të Atdheut. Gjithashtu është dekoruar edhe me Urdhërin e Lirisë, Klasi i III-të[4]. Komisioni përkatës i ka bërë propozimin Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë për dekorim të tij me Urdhërin “Për veprimtari patriotike të klasit të III-të” dhe institucionit të Presidentit të Republikës për akordimin e Urdhërit të Skënderbeut.

Shkolla e mesme e përgjithshme e fshatit Ostren i Madh, mban emrin e Elez Koçit që në vitin 1990.

Referime Redakto

  1. ^ a b Sinani, Rakip: Dibra dhe dibranët në faqen e historisë ISBN 99943-625-8-5
  2. ^ a b "Rruga e Arbërit 2" (PDF). Arkivuar nga origjinali (PDF) më 6 janar 2009. Marrë më 19 qershor 2008. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ http://www.dibra.org/gazeta/Rruga%20e%20Arberit%20nr%205.pdf Arkivuar 6 janar 2009 tek Wayback Machine Rruga e Arbërit 1
  4. ^ a b Daci, Fatos: Enciklopedia e Dibrës ISBN 99943-821-9-5

Lidhje të jashtme Redakto