Elias Kaneti lindi më 1905 në Rusçuk të Bullgarisë (sot ruse), në një familje të lashtë e të pasur hebraike me prejardhje spanjolle. Në vitin 1911, prindërit e tij shkuan së bashku me tre fëmijët e tyre në Mançester të Anglisë, kurse më 1913, pas vdekjes së parakohshme të babait të Kanetit, familja u shpërngul përfundimisht në Vjenë e më pas në Cyrih të Zvicrës.

Elias Canetti

Në kryeqytetin austriak, Kaneti studioi gjer më 1929 në fakultetin e shkencave të natyrës, ndërsa më pas mori edhe titullin e doktorit të shkencave filozofike. Në vitin 1938, u largua nga Austria dhe jetoi e punoi si shkrimtar i lirë në Londër e në Cyrih, ku edhe vdiq në vitin 1994.

Si romancier, dramaturg, eseist e sociolog, ai është nderuar me çmime të larta në vende të ndryshme të Europës dhe i janë dhënë tituj nderi nga disa universitete europiane. Elias Kanetit, të cilin kritika e ka quajtur si një "klasik të gjallë" dhe si një prej humanistëve më të mëdhenj të shekullit të njëzetë, iu dha Çmimi Nobel për letërsinë në vitin 1981.