Heinrich Klüver, lexohet Hajnrih Klyver ose Kluver (Holstein, Gjermani, 25 maj 1897 - Oak Lawn, Illinois, Sh.B.A. 8 shkurt 1979) ka qenë një psikolog dhe neurolog gjermano-amerikan i njohur për studimet që kreu mbi meskalinën (mescaline), produktin psikotropik të dy kaktuseve të kontinenteve amerikane dhe substancën e parë të studiuar psikedelike.[1]

Pasi shërbeu në Ushtrinë Perandorake Gjermane gjatë Luftës së Parë Botërore, kreu studimet në Universitetin e Hamburgut dhe në atë të Berlinit gjatë viteve 1920-23. Vitin e fundit të shkollës e bëri në Universitetin e Stanfordit në Kaliforni. Në vitin 1927, ai u martua me Cessa Feyerabend, një specialiste veterinere, dhe u vendos në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të përhershme, duke dhënë mësim fillimisht në Universitetin e Minesotas dhe që nga viti 1933 në Universitetin e Chicagos, e duke marrë shtetësinë amerikane një vit më vonë. [2]

Klüver ishte anëtar i 'grupit kryesor' të pionierëve të kibernetikës që morën pjesë në Konferencat Macy të viteve 1940 dhe 1950. Ai bashkëpunoi më shpesh dhe me frytshmëri me Paul Bucy dhe dha kontribute të ndryshme për neuroanatominë gjatë gjithë karrierës së tij.

Klüveri arriti të dallojë katër modele gjeometrike të haluçinacioneve vizuale që përjetonin njerëzit nën efektin e meskalinës, vëzhgim që ishte zbulim për kohën. Në një libërth të nxjerrë në Londër në vitin 1928, të tilla modele ai i përkufizoi si konstante forme (form constants).[3][1] Sipas Klüverit, këto forma ishin katër: spirale, hoje apo fushë shahu, rrjeta merimange dhe tunele. Libërthi, i quajtur Mescaline, u rizbulua, dhe ribotua viteve 60, "me shitje që e kapërcyen në mënyrë marramendëse tirazhin origjinal."[1]

  1. ^ a b c Jay, Mike (2019). Mescaline: A Global History of the First Psychedelic. New Haven, CT, United States: Yale University Press. fq. 304. ISBN 9780300231076. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ "Heinrich Klüver, Encyclopedia Brittanica online". {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ "A Math Theory for Why People Hallucinate, Quanta Magazine, 30 korrik 2018". {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)