Hidrocentrali i Fierzës

Hidrocentrali

Hidrocentrali i Fierzës (dikur quhej Drita e Partisë) është ndërtuar mbi Drin në afërsi të fshatit Fierzë. Filloi të ndërtohej në nëntor 1971 dhe u vu në shfrytëzim më 1978. Ka një digë me gurë, zhavorr dhe bërthamë deltine të lartë 160 m. Diga krijon një rezervuar, (Liqenin e Fierzës) me vëllim 2,7 miliardë metra kub ujë.


Hidrocentrali i Fierzës, më i madhi në vend, në tetor 2008 mbushi 30 vjet punë, kur në ‘78-ën nisi prodhimin turbina e parë. Ndërtuar me pajisje të ardhura nga Kina, por i konceptuar 100% nga inxhinierët shqiptarë, hidrocentrali që shtrihet mbi lumin Drin ka shërbyer si burim kryesor në prodhimin e energjisë elektrike, madje në disa raste duke furnizuar edhe vendet fqinje. I parafundit ndër hidrocentralet e ndërtuar nga sistemi komunist, Fierza ka një kapacitet prodhimi prej 500 megavat (MW), ndër më të mëdhenjtë në Ballkan (i pari konsiderohet HEC-i i Danubit në Serbi). Me kalimin e viteve gjiganti energjetik ka ndjerë nevojën e ndërhyrjes së shtetit dhe tani në 2008-ën sapo ka përfunduar rehabilitimi i dy turbinave, duke e rikthyer në gjendjen më optimale, madje duke e rritur me 2 për qind kapacitetin e prodhimit energjetik. Po si u ndërtua, cilët ishin inxhinierët që morën pjesë në ngritjen e tij dhe planet e KESH-it në të ardhmen.


Fillimi Redakto

Ishte tetori i vitit 1978, kur nisi punën turbina e parë e HEC-it të Fierzës, i ndërtuar me ndihmën e shtetit kinez, i cili në korrik të po atij viti do të shënonte fundin e marrëdhënieve me qeverinë komuniste të Enver Hoxhës. Ish-drejtori i veprave të mëdha energjetike, inxhinieri Niko Naska, kujton se, nisja e punës për prodhimin e energjisë elektrike nga Fierza u bë pikërisht në 70-vjetorin e lindjes së Enver Hoxhës, duke sjellë njëkohësisht dhe dyfishim të prodhimit të energjisë elektrike. Nuk dihet tamam se sa ka kushtuar ndërtimi i Fierzës, por ajo që dihet me siguri është fakti se pajisjet dhe teknologjia e ardhur nga Kina janë shkëmbyer me mineral kromi, ndërsa të gjithë koston vepra energjetike e ka shlyer pas tre vjet punë (1981). “Të gjitha objektet dhe nënobjektet e kësaj vepre janë projektuar nga inxhinierë shqiptarë dhe janë ndërtuar nga ndërtuesit shqiptarë. Me punën e saj kjo vepër e ka shlyer veten në vitin 1981 (3 vjet punë) dhe që nga ai vit e në vijueshmëri punon për nevojat ekomomike të vendit”, thotë Naska. Për ndërtimin e saj morën pjesë për 7 vite radhazi inxhinierë të njohur të asaj kohe si: Pandi Çezmaxhiu, Nesti Lubonja, Rrahman Hanku, Emin Mysliu, Spiro Pappa, Skender Kosturi, Egon Gjadri,Petrit Radovicka, Farudin Hoxha, Dhimiter Cico, Gezim Struga, etj

Vitet e punës Redakto

Që nga ‘78, kur u vu në punë për herë të parë, HEC-i i Fierzës nuk është përfshirë në procese të mëdha rehabilitimi, jo sepse nuk ishte nevoja, por pas ‘90-ës qeveria shikonte të tjera probleme që po pengonin zhvillimin e vendit. HEC-i i Fierzës është vepra e parafundit energjetike, ndërtuar nga sistemi komunist, por edhe qeveria pluraliste nuk ndërtoi asnjë objekt. Pas ndërtimit të HEC-it të Fierzës, u ndërmor një tjetër projekt, ai i Komanit, i shtrirë mbi lumin Drin. Pas këtij hidrocentrali, puna nisi për një tjetër vepër energjetike, HEC-i i Banjës, por procesi u ndërpre, për shkak të ndryshimit të regjimit. Këtu mësojmë se po bëhen më shumë se 22 vjet (në vitin 1986 u vu në punë HEC-i i Komanit) që vendit tonë nuk i është shtuar asnjë burim i ri energjetik. Hidrocentralet e vegjël të ndërtuar dhe të dhënë me koncesion në vitet e demokracisë nuk përbëjnë më shumë se 1 për qind të prodhimit total të energjisë elektrike. Aktualisht vetëm 35 për qind e burimeve ujore shfrytëzohen nga hidrocentralet në vend. Sipas specialistëve, është i domosdoshëm ndërtimi jo vetëm i HEC-ve të mëdha, por edhe 1132 HEC-ve të vegjël e komunalë. Deri në vitin 1988 ishin ndërtuar rreth 83 HEC-e të vegjël. Energjia elektrike e prodhuar nga Fierza transmetohet nëpërmjet linjave të tensionit të lartë Fierzë-Burrel-Elbasan, Fierzë-Koman-Tiranë-Elbasan, Fierzë-Gjakovë etj., së bashku me nënstacionet elektrike përkatëse në Fierzë, Koman, Tiranë, Elbasan etj.

E tashmja Redakto

KESH sapo ka përfunduar këtë vit realizimin e investimit 30 milionë euro për rehabilitimin e dy turbinave të hidrocentralit të Fierzës. Investimi i kryer me ndihmën e donatorëve dhe burimeve të KESH-it bëri të mundur rritjen e prodhimit të energjisë elektrike me 2 për qind. Tashmë një pjesë e teknologjisë së HEC-it të Fierzës ka ndryshuar, i modernizuar falë investimit. Një tjetër projekt i KESH-it lidhet me sigurimin e digave, me vlerë investimi 28 milionë euro, ku 10 milionë i takojnë Fierzës, ndërsa studimi prek edhe HEC-et e tjera. Aktualisht, kapaciteti i HEC-it të Fierzës është 500 MW, me një nivel prodhimi afro 1.7 miliardë kilovat orë energji elektrike.

E ardhmja Redakto

Duket si shaka, por KESH-i planifikon ta përfshijë HEC-in e Fierzës në rrjetin e bursave, duke e instaluar me qendrën e dispeçerisë që ndodhet në Zvicër. “Duke u lidhur me qendrën në Zvicër, do ta kemi më të lehtë shkëmbimin e energjisë elektrike, kryerjen e importit dhe eksportit, ndërsa kompanitë e huaja do të jenë në gjendje të njihen në çdo kohë me kapacitet e Fierzës”, flet për “Shqip”, drejtori i përgjithshëm i divizionit të prodhimit, Muharrem Stojku. Sipas tij, plani është për t‘u zbatuar tani afër dhe se listimi i Fierzës në bursë pritet t‘i sjellë KESH-it të ardhura të konsiderueshme. Nëse një ditë do të hidhej ideja për privatizimin e HEC-it të Fierzës, opinionet do të ishin interesante, të pozicionuara pro dhe kundër. Stojku jep mendimin e tij personal: “Jo. Fierza është vepër shqiptare dhe do të mbetet e tillë”.


Reforma Redakto

Pritet largimi i 70 punonjësve

Aktualisht, në hidrocentralin e Fierzës janë të punësuar 140 veta. Drejtori i përgjithshëm i divizionit të prodhimit, Muharrem Stojku, shpjegon për “Shqip” reformën që pritet të nisë në drejtim të numrit të punonjësve, duke e lidhur me nevojën e domosdoshme të krijuar nga investimi i kryer. “Së shpejti pritet të nisë reforma, e cila parashikon të prekë rreth 50 për qind të punonjësve. Ky proces duhet të kishte nisur me kohë, por pasojat ekonomike-sociale sollën shtyrjen e reformës, e cila është e pashmangshme”. Stojku sqaron edhe problemet e lindura në mesin e këtij viti, ku një pjesë e punëtorëve rrezikuan HEC-in duke dalë në grevë urie, “për arsye të pagave dhe kushteve të punës, që tashmë janë të zgjidhura si probleme”.


Punimet Redakto

Rezerva, 2.7 miliardë m3 ujë.

Diga është ndërtuar me material vendi, me lartësi 167 ml (nga digat më të larta), gjatësia në kurorë 400 ml, volumi i përgjithshëm i materialeve të ndërtimit të hedhur në të është 8 milionë m3, tunele 5500 ml. Rezervuari i ujit me volum 2.7 miliardë m3, sipërfaqja e ujit të rezervuarit 72.6 km2, thellësia maksimale 128 ml, fuqia e instaluar 500 MW dhe prodhimi vjetor i energjisë 1.8 miliardë kilovat/orë etj.

Varianti Redakto

Epoka nukleare

Qeveria shqiptare ka ngritur me kohë idenë e ndërtimit të centralit nuklear, duke rritur debatin pro apo kundër tij. Kundër tij pozicionohen ambientalistët, për shkak të mbetjeve nukleare që shkakton centrali, por edhe të tjerë specialistë shprehin dyshime, duke e lidhur me koston e lartë dhe me rrezikshmërinë helmuese. Qeveria e drejtuar nga Berisha ka hedhur hapin e parë pro ndërtimit të centralit nuklear, duke u nisur edhe nga mbështetja e qeverisë italiane. Pro ndërtimit të nuklearit është shprehur edhe Enti Rregullator i Energjisë-ERE, sipas së cilës, futja në shfrytëzim e një centrali nuklear 1000 MW, do të stabilizonte kërkesën për energji elektrike, për një periudhë afatgjatë. Kurse KESH-i e ka cilësuar projektin tepër afatgjatë, ndërsa ka sugjeruar më tepër vëmendje ndaj projekteve emergjente.


Prodhimi Redakto

Strategjia 2020

ERE ka përcaktuar qartë strategjinë që do të ndiqet deri në vitin 2020 për rritjen e prodhimit energjetik në vend. Kështu, ERE sugjeron që brenda 5 vjetëve të para të ekzistojnë të gjitha mundësitë për ndërtimin e HEC-ve të Kalivaçit, Ashtës dhe një numër i konsiderueshëm HEC-esh të vegjël, duke realizuar një kapacitet të instaluar me HEC-e deri në 250 MW. Gjatë kësaj periudhe bëhet gjithashtu e mundur të përfundojë TEC-i i Vlorës dhe rikonstruksioni i TEC-it të Fierit, me një kapacitet të përbashkët prej rreth 300 MW. Më tej parashikohet të futen në shfrytëzim edhe tri parqe që shfrytëzojnë energjinë e erës me fuqi të instaluar rreth 850 MW, të cilët tashmë janë licencuar nga ERE. Për periudhën afatgjatë (deri në 2020), ERE sugjeron ndërtimin e HEC-eve në Skavicë dhe akset e tjera të Vjosës e Devollit.


Hidrocentrali i Fierzës (dikur quhej Drita e Partisë) është ndërtuar mbi Drin në afërsi të fshatit Fierzë. Filloi të ndërtohej në nëntor 1971 dhe u vu në shfrytëzim më 1978. Ka një digë me gurë, zhavorr dhe bërthamë deltine të lartë 160 m. Diga krijon një rezervuar, (Liqenin e Fierzës) me vëllim 2,7 miliardë metra kub ujë.


Shiko edhe këtë Redakto