Izet Bebeziqi (Shkodër, 11 tetor 1905 - 22 qershor 1982) ka qenë arsimtar, publicist, kritik letrar, përkthyes dhe bibliotekist. Për kundërshtinë e tij ndaj pushtimit italian dhe regjimit komunist, u burgos në të dy periudhat.[1]

Biografia Redakto

U lind më 1905 në Shkodër, në gjirin e një familjeje të njohur, të cilët u vendosën në Shkodër gjatë viteve '70-'80 të shekullit 19 nga Podgorica me valën e dytë të muhaxhirëve që u dëbuan nga viset e vilajetit të Shkodrës që u aneksuan nga Mali i Zi. Bebeziqt ishin tregtarë manifakture, dyqanin fillimisht e çelën në Zdrale dhe më pas në Parrucë, lagjen qendrore të qytetit. Gjatë viteve 1918-1934 ndoqi mësimet e mesme në degën klasike, ndërsa studimet universitare i ndoqi dhe i kreu për filologji po në Austri, ku qe nxënës i Norbert Joklit.[2] Qëndrimi opozitar ndaj politikës së brendshme bëri që t'i shkëputej bursa për do kohë.

Më 1934 u kthye në atdhe i amnistuar dhe nisi punën si profesor në Shkollën Teknike të Tiranës dhe më pas në Tregtaren e Vlorës. U radhit përkrah rinisë vlonjate kundër pushtimit fashist të 7 prillit 1939.[2] Me vendim të Ministrisë së Arsimit të datës 26 nëntor 1940 pushohet nga puna së bashku me kolegë të tjerë bashkëqytetarë. I përcaktuar për t'u internuar 5 vjet,[3] nga 1940 e deri me zmbrapsjen italiane më 1943 u internua në Ventotene, sepse mori pjesë edhe në demostratën antifashiste të Tiranës, ndërsa në Korçë iu priu nxënësve dhe grisi flamurin fashist. Në internim ishte me bashkëkombasit Tahir Dizdari,[2] Myzafer Pipa, Zef Mala, Abas Ermenji, Loni Kristo dhe antifashistë të tjerë, si presidenti i ardhshëm i Italisë, Sandro Pertini me të cilin u miqësua dhe patën letërkëmbim të gjatë.[4] Pas internimit shërbeu në Pejë si arsimtar, derisa u arrestua nga gjermanët, por iku nga burgu dhe qëndroi në ilegalitet.

Bëhet pjesë e shoqatës "Miqët e Kroacís" që u themelua më 17 shkurt 1944, ku kryente detyrën e arkëtarit.[5]

Pas çlirimit u vendos në Durrës, në shtëpinë e së shoqes, Bedrijes së Ibrahim Shpuzës, bashkë me djalin, Danishin, të lindur më 1936. Çeli një librari-kinkaleri i ndihmuar nga miku i studimeve në Austri dhe kolegu Skënder Luarasi, rrethi miqësor dhe i myshterive i kohës numronte njerëz si Hafëz Ali Korça, Ipeshkvi Vinçens Prennushi, Arshi Pipa, Preng Kaçinari, Beqir dhe Skënder Çela. Simpatitë e vjetra për social-demokracitë perëndimore e nxitën në formimin e një grupi socialist së bashku me bashkëqytetarin Nush Radovanin, por nuk zgjati shumë dhe u burgos nga regjimi komunist me 7 vite burg.[4]

Pas burgut punoi në bibliotekën e qytetit të Shkodrës,[6] ku prej 1953 e deri kur doli në pension më 1970,[4] dha një ndihmesë të veçantë në fushën e informacionit bibliografik për studjuesit.[7] Ndërroi jetë më 22 qershor 1982 në spitalin e qytetit nga një sëmundje mushkërish që e kishte shoqëruar që nga internimi i tij në Ventotene.[4]

Vepra Redakto

U bë i njohur si studjues i letërsisë dhe trashëgimisë së kulturës popullore të arbëreshëve. I nxitur nga Jokli, vizitoi katundet arbëreshe të Kalabrisë, ku mblodhi të dhëna mbi trashëgiminë poetike gojore dhe atë letrare artistike. Studjoi në mënyrë të veçantë Crispin, De Radën, Santorin dhe Seremben, për të cilët mbajti ligjerata dhe shkroi artikuj të ndryshëm. Gjatë përvojës si arsimtar në Vlorë, Tiranë dhe Kosovë mblodhi këngë epike popullore, por këto shënime i humbën. Një ese e kësaj lënde, transliterimi i parë i "Milosaos" së De Radës e botoi në gazetën Shqipëria e Re (1928),[2] në disa numra të së cilës botoi vëzhgime të ndryshme me karakter etnofolklorik nga Bregu i Bunës. Përdorte pseudonimin Bartholotus,[7][8] si dhe Milosao Kuka kur shkruante te Shqipëria e Re.[9] Transliterimi që i bëri veprës së De Radës u përfshi më pas në antologjinë "Bota e re" të përgatitur nga Filip Fishta.[2]

Bashkëpunoi po ashtu me të përkohshme si Kombi, Hylli i Dritës dhe Kultura islame.[4] Ka lënë në dorëshkrim një përshkrim vendesh e zakonesh të zonave ku pati rast të qëndrojë gjatë udhëtimeve të tij, sidomos në krahinën e Shkodrës, si dhe një lloj përshkrimi fiziko-psikologjiko-shoqëror mbi gruan.[7]

Referime Redakto

  1. ^ Qazimi, Azem, red. (2012). Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist (A-Ç) (PDF). Vëll. 1. Tiranë: ISKK. fq. 160. ISBN 9789928168016.
  2. ^ a b c d e Bushati, Nexhmi (2017). "Izet Bebeziqi, personalitet i përmasave të rralla" (PDF). Gegnia. 3: 164–169.
  3. ^ Juka, Gëzim H. (2018). Shkodranët e 7 prillit dhe të 29 nëntorit. Tiranë: Reklama. fq. 158, 199. ISBN 9789928440358.
  4. ^ a b c d e Allmuça, Fatmira (26 janar 2022). "Pak dritë mbi figurën intelektuale Izet Bebeziqi". radiandradi.com. Marrë më 28 janar 2022.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  5. ^ Lita, Qerim (24 maj 2022). "Shoqata shqiptare "Miqtë e Kroacisë" - me rastin e 78 vjetorit të themelimit". koha.mk.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  6. ^ Bushati, Hamdi (1999). Shkodra dhe motet. Vëll. II. Shkodër: Idromeno. fq. 82–83. ISBN 978-99927-623-4-9.
  7. ^ a b c Podgorica, Fadil (2004). Fjalor etnofolklorik. Shkodër: Camaj-Pipa. fq. 33–34. ISBN 99927-49-97-0.
  8. ^ Stamati, Frederik (26 korrik 2020). "Flamuri i Batalionit të vullnetarëve shqiptarë në ushtrinë austrohungareze". shqiptarja.com. Marrë më 24 janar 2022.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  9. ^ Gashi, Sinan (2009). Pseudonimet e shkrimtarëve shqiptarë 1453-1982. Prishtinë. fq. 41.{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)