Jeta e Re është revistë letrare shqiptare e themeluar nga shkrimtari Esad Mekuli në vitin 1949. Është botuar në kuadër të OPGBG "Rilindja" në Prishtinë. Është revista më jetëgjatë në historinë e periodikut shqiptar.

Numri jubilar i "Jetës së Re" për 50 vjet të daljes

Kryeredaktor i saj i tanishëm është Agron Y. Gashi.

Historiku Redakto

Revista Jeta e Re nisi rrugëtimin e saj në rrethana të rënda sociale, kulturore dhe arsimore për shqiptarët, të cilët sapo kishin dalë nga periudha e ripushtimit serb të Kosovës më 1945 dhe vrasjeve në masë të shqiptarëve nga pushteti serbo-malazez fill pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Numri parë i kësaj reviste kishte 88 faqe dhe doli në korrik të vitit 1949, me nismën e Esad Mekulit i cili ishte kryeredaktori i parë i saj dhe e drejtoi për 23 vite me radhë. Mekulit iu desh nga njëra anë të përballonte trysnitë e mëdha politike të pushtetit komunist jugosllav dhe nga ana tjetër të zbulonte talente të reja të cilët do t'i afronte dhe do t'i botonte.[1]

Vitin e parë dolën tre numra. Nga viti 1950 u bë revistë dymujore dhe doli me faqe të shtuara. Fillimisht në të botoheshin edhe tekste jashtëletrare, por më vonë u bë revistë tërësisht letrare. Kishte meritën edhe për nxitjen dhe formimin e kulturës së leximit. Kah fundi i viteve gjashtëdhjetë, kur Kosova përjetoi një zgjim dhe zhvillim shumë intensiv arsimor, kjo revistë, si një lekturë e zgjedhur dhe e obligueshme, kishte destinacion bibliotekat dhe shkollat e mesme. Tirazhi i saj arriti deri në 10 mijë kopje dhe vazhdoi të jetë i lartë përgjatë viteve '70, deri në fillim të viteve '80. Me fuqizimin institucional të Kosovës në vitet '70 (autonomia e 1974, hapja e Universitetit të Prishtinës, e Akademisë së Shkencave dhe Arteve; e Institutit Albanologjik, etj) dhe hapjen e kësaj reviste ndaj letërsisë botërore dhe asaj të traditës, u shënua një bum letrar dhe kulturor i paparë. Në këtë kohë, u shfaq një letërsi nacionale e me prirje moderne, së cilës i dhanë ton të fuqishëm pikërisht autorët të formuar dhe të promovuar nga kjo revistë.[1]

Mirëpo, në fund të viteve tetëdhjetë dhe në periudhën e të nëntëdhjetave, në rrethana të okupimit e të deinstitucionalizimit të Kosovës nga okupatori serb, edhe Jeta e Re pësoi fatin e institucioneve të tjera arsimore, kulturore e shkencore. Periudha më e rëndë për këtë revistë, ishte viti 1990, kur stafi u dëbuan me dhunë nga Pallati i Shtypit, fat që i përcolli edhe institucionet tjera shqiptare, përfshirë Shtëpinë Botuese Rilindja. Gjatë viteve '90 luftoi për mbijetesë, me numra dhe faqe të reduktuara, por botimi i saj nuk u ndërpre. Vështirësitë e përcollën edhe pas çlirimit të Kosovës. Nga viti 2010 filloi një jetë të re, me një kryeredaktor të ri, dhe që nga kjo kohë doli me 3 numra në vit dhe rreth 500 faqe. Në vitin 2019 u botua numër jubilar për nder të 70 vjetorit të themelimit.[1]

Është revista më jetëgjatë në historinë e periodikut shqiptar.[2]

Kryeredaktor kanë qenë: Redakto

Bibliografia Redakto

Në 25 vjetorin e daljes së saj Biblioteka Universitare dhe Popullore e Kosovës e boton bibliografinë e autorëve Sevdie Ahmeti, Amedan Jani dhe Musa Gërguri me titull: Jeta e Re - Bibliografia 1949-1974. Poashtu, më 1979 me rastin e 30 vjetorit të daljes vazhdohet Bibliografia, por këtë herë autore vetëm Sevdie Ahmeti.

Referime Redakto

  1. ^ a b c Topalli, Demë (2019). "70 VJET TË REVISTËS "JETA E RE"". Gazeta Scanner. Arkivuar nga origjinali më 29 gusht 2020. Marrë më 28 gusht 2020.
  2. ^ http://www.rtklive.com/sq/news-single.php?ID=78096

Literatura Redakto

Lidhje të jashtme Redakto