Johan Bernhard Bazedovi

filozof gjerman

Johann Bernhard Basedow (11 shtator, 1724, – 25 korrik, 1790) ishte një mësues, pedagog, shkrimtar, reformator i arsimit dhe filantropist i shquar gjerman. Ai njihet si themelues i pedagogjisë filantropiste si dhe ka dhënë kontribut të konsiderueshëm edhe në fushën e edukimit fizik dhe gjimnastikor.

Johann Bernhard Basedow
(1724 - 1790)
U lind në11 shtator, 1724
Vdiq11 korrik, 1790
KombësiaGjerman
ProfesioniPedagog

Biografia Redakto

Vitet e hershme Redakto

Bazedov u lind në Hamburg, si bir i një zejtari. Babai i tij me "sjellje brutale", dhe nëna e tij "melankolike," i ndikuan që fëmijërija e tij të ishte më pak e lumtur. Sipas traditave të kohës edhe ai duhej të vazhdonte profesionin e të atit, por, në moshën 14 vjecare, ai iku nga shtëpia dhe u punësua si shërbëtor i një mjeku lokal në Holstein. Punëdhënësi i tij shumë shpejt i vërejti dhuntitë intelektuale të jashtëzakonshme të Bazedovit dhe e dërgoi atë në shtëpi tek prindërit e tij me një letër, me të cilën kërkonte prej tyre që të lejojnë djalin e tyre të arsimohej në Shkollën Johanneum në Hamburg.[1][2] Këtu, Bazedovi ra nën ndikimin e racionalistit H. S. Reimarus (1694-1768), autor i veprës së famshme Wolfenbütteler Fragmente, të publikuar nga Lessingu.[3]

Në vitin 1744, Bazedovi shkoi në Universitetin e Leipzigut si student i teologjisë, por së shpejti ndërron mendimin dhe vazhdoi me studimin e filozofisë, duke qenë nën ndikimin e veçantë të veprës së filozofit Christian Wolff, "Filozofia e Arsyes". Kjo e bëri që të rishqyrtonte besimin e tij të krishterë, duke arritur në një pozicion kur kuptoi se ndodhej në "mes të kristianizmit dhe natyralizmit". Si rezultat i kësaj ai e hodhi poshtë thirrjen e tij klerikale duke u kthyer kah radikalizmi dhe reformizmi.

Mësues dhe akademik Redakto

Mes viteve 1749 - 1753, Bazedovi ishte tutor privat i birit të Herr Von Quaalen, një fisnik nga Borghorsti, Holstein. Ai aty zhvilloi metoda të reja të mësimdhënies duke u bazuar në biseda dhe lojëra me fëmijën, si dhe me një program specifik të zhvillimit fizik. Gjatë kësaj periudhe ai shkroi një traktat mbi metodat e tij mësimore me titull, "Për një metodë më të mirë dhe deri tani të panjohur të mësimdhënies për fëmijët e fisnikëve", e të cilën e prezantoi në Universitetin e Kielit në vitin 1752, ku edhe morri titullin Master i Arteve.

Në vitin 1753, ai u emërua profesor i filozofisë morale dhe beletristikës në Sorø Akademinë në Danimarkë. Ai atje u dëshmua si një mësimdhënës shumë i popullarizuar prandaj edhe u kërkua prej tij që të ligjëronte teologjinë. Megjithatë, si rezultat i pikëpamjeve të tij tepër liberale dhe veprës së botuar në vitin 1758, "Practische Philosophie" (Filozofia Praktike), në të cilën ai shpjegonte qëndrimin e tij fetar joortodoks, në vitin 1761, transferohet në Altona; e që edhe këtu si rezultat i veprave të mëhershme të tij të botuara, ra në konflikt me klerin ortodoksë. Atij iu ndalua e drejta për mësimdhënie universitare por nuk e humbi pagën dhe kah fundi i vitit 1767, ai braktisi teologjinë dhe iu përkushtua arsimit. Nga këtu zuri fill projekti i përgjithshëm i tij për reforma arsimore në Gjermani.

Në vitin 1774 Bazedovi publikoi veprën “Elementarwerk” e cila paraqet njërën ndër veprat më të rëndësishme të tij nga fusha e arsimit dhe pedagogjisë. Po në këtë vit themeloi edhe Shkollën e Filantropisë “Philantropinum” në Desau të Gjermanisë.

Fatkeqësisht, Bazedovi për nga natyra nuk kishte prirje për sukses në një aktivitet i cili kërkonte rregull të jashtëzakonshëm, durim dhe përkushtim. Edhe gjatë kohës sa ishte drejtues i Shkollës së Filantropisë “Filantropinum” ai kishte pengesa në fushën e bashkëpunimit kolegial. Si rezultat i kësaj dha dorëheqje nga drejtimi i “Filantropinumit” në vitin 1778.

Bazedovi vdiq në Magdeburg në vitin 1790.

Veprimtaria Redakto

Elementarwerk dhe Philanthropinum Redakto

 
Ilustrim nga vepra "Elementartwerk": Fëmijët në valle me Gjyshin (1774).
 
Philanthropinumi në Desau

Në vitin 1768, nën ndikimin e fuqishëm të Zhan Zhak Rusosë dhe veprës së tij mbi arsimin "Emili", Bazedovi botoi librin, Vorstellung an Menschenfreunde für Schulen, nebst dem Plan eines Elementarbuches der menschlichen Erkenntnisse. Në këtë vepër ai propozonte reformimin e shkollave dhe metoda të reja të mësimdhënies, krijimin e një instituti për kualifikimin e mësimdhënësve si dhe kërkonte mjete për shtypjen e një libri të ri me islustrime Elementarwerk. Këtu ai i paraqiti edhe pikëpamjet e tij pedagogjike e filantropiste. Sipas tij reformat arsimore janë përgjegjësi e gjithë shoqërisë dhe si të tilla ato kanë për qëllim përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies, largimin nga praktika arsimore trajtimin brutal të nxënësve dhe studentëve në të gjitha format e saj dhe zëvendësimin e tyre me qasje pozitive dhe mirëkuptim, futjen e materialeve të reja mësimore dhe libra për të ndihmuar nxënësit të mësojnë. Reformat e tij arsimore ai ua propozoi personaliteteve të pasura të kohës për të cilët ai besonte se do ti ndihmonin dhe vërtetë arriti të marrë mbështetje financiare. Fillimisht ai mblodhi rreth njëzet mijë thalers dhe në vitin 1774 ai ishte në gjendje të publikonte veprën Elementarwerk në katër vëllime, dhe me ilustrime nga Daniel Chodowiecki. Kjo vepër përmbante një sistem të plotë të arsimit fillor, me qëllim që të zhvillohej inteligjenca e nxënësve dhe për t'i sjellë ata, për aq sa është e mundur, në kontakt me realitetin, e jo thjesht me fjalë. Ajo ishte vepra e parë me ilustrime për fëmijë pas veprës së njohur "Orbis Pictus" të Jan Amos Komenskit nga viti 1664. Libri shoqërohej edhe me një doracak metodik me titull "Methodenbuch" si libër ndihmës për mësuesit dhe prindërit.[4][5]

Mbështetja financiare të cilën e morri nga "Miqtë e Njerëzimit" (Filantropia = dashuri e njerëzimit), e ngriti Bazedovin si themelues të lëvizjes së pedagogjisë filantropiste. Asokohe filantropia u bë pjesë integrale e lëvizjes së reformës arsimore.[6]

Bazedovi ishte mik i Goethes, dhe nëpërmjet tij njohu edhe Princin e Anhalt-Dasaut, Franc Leopoldin III, i cili u bë një mbështetës i Bazedovit dhe planeve të tij për reformën arsimore dhe së bashku ranë dakord për të mbështetur themelimin e një shkolle të re, në Desau, të njohur me emrin Philanthropinum. Shkolla u hap në dhjetor të vitit 1774, nën moton e saj kryesore, "gjithçka në bazë të natyrës". Të pasur dhe të varfër do të arsimoheshin së bashku. Kurikulumi bazohej në gjuhën gjermane (në vend se në gjuhën latine ose greke), mësohej edhe zejtaria gjersa vëmendje e veçantë i kushtohej ushtrimeve fizike, e gjithashtu edhe uniforma e shkollës ishte bërë më e thjeshtë dhe më e rehatshme.[7] Edhe pse shkolla veproi vetëm për një kohë relativisht të shkurtër, deri më 1793, ndikimi i saj në reformimin e shkollave ekzistuese doli të ishte i konsiderueshëm. Veprimtaria e saj frymëzoi themelimin e shumë institucioneve të ngjashme si në Gjermani ashtu edhe jashtë saj.[8]

Shih edhe Redakto

Referimet Redakto

  1. ^ Lang, 1891
  2. ^ Quick,1896, pp. 144-5.
  3. ^ Chisholm, Hugh, ed. (1911). "Basedow, Johann Bernhard". Encyclopædia Britannica (11th ed.). Cambridge University Press.
  4. ^ Cubberley, 1920.
  5. ^ Graves, 1912.
  6. ^ Allgemeine Deutsche Biographie "Basedow, Johann Bernhard"
  7. ^ Cubberley, 1920, pp. 436-8.
  8. ^ Duggan, 1916.

Bibliografia Redakto

Libra nga Bazedovi:

Rreth Bazedovit dhe veprave të tij:

Lidhje të jashtme Redakto