Kadri Hazbiu (Hysoverdhë, 15 korrik 1922 - Tiranë, 10 shtator 1983) qe partizan, zëvendësministër, ministër dhe drejtuesi më jetëgjatë i Sigurimit të Shtetit. Hazbiu përfshihet në listën e përpiluar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, që përmbledh pjesëmarrësit që kanë përgjegjësi direkte për krimet e Partisë Komuniste Shqiptare dhe të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, duke qene, sipas ligjit nr. 41, anëtarë të strukturave politike dhe ushtarake “që kanë inspiruar, organizuar, urdhëruar, ekzekutuar ose ndihmuar forcat partizane në vepra kriminale”.[1]

Kadri Hazbiu
Ministër i Punëve të Brendshme
Në detyrë
20 korrik, 1954 – 26 prill, 1980
Paraprirë ngaMehmet Shehu
Pasuar ngaFeçor Shehu
Ministër i Mbrojtjes
Në detyrë
26 prill, 1980 – 10 tetor, 1982
Paraprirë ngaMehmet Shehu
Pasuar ngaProkop Murra
Kryetar i Sigurimit të Shtetit
Në detyrë
1949 – korrik 1954
Paraprirë ngaBeqir Ndou
Pasuar ngaMihallaq Ziçishti
Të dhëna vetjake
U lind më15 korrik, 1922
Hysoverdhë, Principata e Shqipërisë
Vdiq më10 shtator, 1983
Tiranë, Republika Popullore e Shqipërisë
NënshtetësiaShqiptare
Partia politikePartia e Punës e Shqipërisë
PunësimiUshtarak, politikan

Jeta Redakto

Ishte djali i Hazbi Cano Dautaj, njërit nga komandantët e Luftës së Vlorës më 1920, dhe i Xhevrijes.[2]

Më 1936 nisi Shkollën Tregtare të Vlorës, prej të cilës u përjashtua më 1941. Në shtetor 1942 - qershor 1943 lëviz me punë në Drashovicë si i ngarkuar me punë partie dhe me përgjegjësi ushtarake. Në qershor-tetor 1943 ishte komisar i çetës "Halim Xhelo", në tetor 1943 e deri në janar 1944 vazhdon si komisar i batalionit "Ismail Qemali". Në janar-nëntor 1944 komisar e më pas zëvendëskomisar batalioni në brigadën e 5të. Në nëntor-dhjetor 1944 zëvendëskomisar në brigadën e 5të. Në dhjetor 1944 - shtator 1947 është kryetar i DSU (Degës të Sigurimit të Ushtrisë) në Drejtorinë e Mbrojtjes së Popullit.

Angazhimi politik Redakto

Në shtator 1947 - prill 1948 ndjek Shkollën e Lartë të Sigurimit në Moskë.

Më 1948-1949 kryetar i degës 5 të Sigurimit të Shtetit. Më 1949-1954 ndihmësministër i Punëve të Brendshme dhe drejtori kryesor i Sigurimit të Shtetit. Në përfundim të skemës ekzektutive të vitit 1954, kur Mehmet Shehu zuri vendin e Hoxhës si kryeministër, Kadri Hazbiu e pa veten në postin e lartë të ministrit. Kësisoj, më 1954-1980 ai ishte ministër i Punëve të Brendshme, duke thyer çdo rekort jetëgjatësie. Më 1980-1982 është edhe ministër i Mbrojtjes Popullore. Më 1952-1982 anëtar i KQ të PPSH. Më 1961-1971 kandidat i Byrosë Politike të Komitetit Qendror. Më 1971-1982 anëtar i Byrosë Politike. Më 1950-1982 deputet i Kuvendit Popullor. Pas goditjes së Mehmet Shehut, mbi Kadri Hazbiu ra ndëshkimi i pritshëm. U akuzua për faje të bëra vite më parë, në kohën kur marrëdhëniet me sovjetikët ishin të mira dhe e tillë ishte edhe politika e Partisë së Punës.

Arrestimi dhe vdekja Redakto

Më 15 tetor 1982 arrestohet dhe nis procesi gjyqësor kundër tij, i cili ishte një ndër më të bujshmit e epokës së diktaturës, jo vetëm për numrin e madh të të dënuarve, por edhe për cilësitë e veçanta të tyre si ish-funksionarë të lartë të Policisë Sekrete. Procesi ndaj Hazbiut drejtohej nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe përgjegjës i grupit të hetimit ishte ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai. Përderisa hetimi kishte rëndësi të madhe, ministri dëgjonte, pyeste, sugjestiononte dhe në fund me dorë dhe me shkelma godiste të pandehurit ku të mundte. E pasi ai “lodhej”, “punën” e vazhdonin ata që e kishin për zanat apo ndihmësit më të afërt. Në darkë, çdo çështje rreth hetimit i raportohej Enver Hoxhës ose zëvendësit të tij.[3]

Në mesnatën e 9 shtatorit 1983, Kadri Hazbiu dhe të dënuarit e tjerë shkuan para skuadrës së pushkatimit, diku në shpatet e kodrave të Linzës. Më 10 shtator 1983 ekzekutohet pasi u dënua për tradhti të lartë ndaj atdheut si "armik i popullit dhe i Partisë".[3][4]

Trashëgimia historike Redakto

4 nëntor 1995 gjenden eshtrat e tij në afërsi të Selitës, Tiranë dhe rivarrosen nga familjarët e tij. Pavarësisht eleminimit politik nga vetë regjimi, Kadri Hazbiu në rolin e tij si Kreu i Sigurimit, Ministër i Brendshëm dhe Ministër i Mbrojtjes është përgjegjës për dhënien e urdhrave për torturimin e të burgosurve, stisjen e gjyqeve politike si dhe eleminimin e kundërshtarëve. Një nga ish-të burgosurit që ka akuzuar publikisht Hazbiun për dhënien e urdhërave të torturimit gjatëhetuesisë është Kristo Budo, ish-partizan me funksione drejtuese dhe ish-kryeinspektor i Kryeministrisë, i cili u arrestua në vitin 1959 duke u akuzuar si agjent i grekëve. Ai dëshmon se urdhërat e Kadri Hazbiut për torturë jepeshin në prezencën e tij dhe torturat ishin nga më të ndryshmet. [5]

Referime Redakto

  1. ^ "Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri, E papublikuar/ Arkivi i Shtetit, 260 emrat që "rrëfyen" ekzekutimet në ushtrinë partizane". Gazeta Standard. 29 nëntor 2014. Marrë më 22 maj 2018.{{cite news}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  2. ^ Boriçi, Kujtim (8 dhjetor 2012). "Dosja e plotë e gjyqit ndaj Kadri Hazbiut, Shehut, Ziçishtit, Kodrës dhe Peçinit: dokumenti "tepër sekret" nga Arkiva". Dita (37): 14–15. Arkivuar nga origjinali më 28 tetor 2019. Marrë më 15 mars 2021.
  3. ^ a b "Fjalët e fundit të Kadri Hazbiut para pushkatimit". 2024-03-04. Arkivuar nga origjinali më 2024-03-04. Marrë më 2024-03-04.
  4. ^ Dervishi, Kastriot (2012). Sigurimi i Shtetit 1944-1991: Historia e policisë politike të regjimit komunist. Tiranë: 55. fq. 147–148.
  5. ^ "Historia e dhimbshme e ish-zyrtarit të lartë, dëshmia: Hetuesit që më torturonin me hekur të skuqur në mish dhe …". Arkivuar nga origjinali më 2024-03-04. Marrë më 2024-03-04.