Kalaja e Vushtrrisë

monument kulture në Kosovë

Kalaja e Vushtrrisë është një monument i trashëgimisë kulturore të Kosovës që ndodhet në qytetin e Vushtrrisë. [1] Ky monument është me karakter "Arkitektural" dhe i regjistruar me numër të përkatës 858/49 dhe numër referencë 2825. [2]

Kalaja e Vjetër
Emri amëtar : Kulla e Vjetër
Kalaja e Vjetër në Vushtrri
LlojiArkitekturale
VendndodhjaVushtrri, Kosovë
Koordinatat42°49′20″N 20°58′3″E / 42.82222°N 20.96750°E / 42.82222; 20.96750
Emri zyrtar: Monument
LlojiNën mbrojtje
Përcaktuar858/49
Nr. i referencës2852

Historiku Redakto

Kalaja ndodhet në qendër të bërthamës së vjetër të qytetit të Vushtrrisë. Kalaja në burimet historike përmendet si Kala e Vjetër. Kjo nënkupton se Kalaja vertetë është e lashtë. Gjatë historisë Kalaja përmendet nga kronikët dhe gjeografët e ndryshëm. Evlia Çelebiu në shekullin e XVII e përmend Vushtrrinë dhe thotë së më 1389 (792 h) Sulltan Murati I (Gazi Hudavendingar), pas pushtimit e shkatërroi Kalanë. E rindërtuar disa herë, ajo ka arritur të mbijetojë deri më sot.[3] Sipas historianëve shqiptarë Dr. Skender Riza, Dr. Jahja Drançolli dhe të tjerë thonë se kalaja u ndërtua gjatë periudhës së hershme Iliro-Dardane. Izet Miftari saktësisht thekson se kalaja ishte ndërtuar në shek. VII nga perandori bizantin Justiniani I. Konkludimet e tyre mbështeten në ekzistencën e themeleve të vjetra në të cilat u rindërtua kalaja. Ismet Bylykemini, që jeton në Turqi, shpjegon se themelet e vjetra u zbuluan në vitin 1981 gjatë restaurimit të kalasë. Në kohërat e vjetra kalaja ka shërbyer si strehim për karvanët e huaj tregtarë. Gjatë sundimit osman kalaja një periudhë ka shërbyer si burg, pastaj si depo e armatimit, si dhe për qëllime të tjera varësisht sipas nevojës. (CHëB, MESP & ISP, 2011, f. 75) Në vitin 1455 me depërtimin e ushtrisë Osmane në Vushtrri, kalaja kalon në duart e Fatih Sulltan Mehmedit. Sipas Shabanoviqit (1973) gjatë pushtimit Osman, Kalaja pësoj dëmtime dhe më pas me pushtimin e qytetit, ushtria Osmane e rinderton për nevojat e ushtrisë. Për shkak të pozitës strategjike, në kohën kur është ndërtuar si dhe në kohën e osmanëve Kalaja është përdorur për nevoja të ushtrisë. Në vitin 1918 dhe deri më 1922, kalaja është përdorur si burg. Gjatë viteve 1935-1944 ndërtesa është shfrytëzuar nga Shaban Mulla Gërguri, si torishtë. Me hyrjen e partizanëve dhe më vonë, kalaja është përdorur si depo për mbeturinat e luftës. Në vitet 1955-1960 është vënë rrjeta e volejbollit për stërvitje. Në vitet 1955-1958 kalaja shfrytëzohej si kinema dhe restorant. Ana jugore e kalasë, ku ishte edhe kabina për kino-projektor, ka qenë e mbuluar me çati, ndërsa në murin e jashtëm të kullës shihen edhe sot pjesët metalike ku janë vendosur perdet për shfaqjen e filmave verorë. Kalaja u përdor nga qytetarët deri në vitin 1962. Në kohën e komunizmit, rreth viteve të 70-ta është bërë një intervenim emergjent në kala, në murin jugor kah ana e çarshisë dhe rrugës kryesore për ti mbrojtur kalimtarët nga gurët. (Buçinca, 2012) .[4]

Përshkrimi Redakto

Sistemi fortifikues i Kalasë ka planimetri drejtkëndëshi. Përbehet nga dy pjesë, kullës dykatëshe ne lindje dhe mureve rrethuese ne perëndim. Muret rrethuese te Kalasë mbështeten ne skajet e mureve anësore te Kullës duke e lëne pjesën më të madhe të Kullës jashtë mureve rrethuese. Kulla me bazë katrori përbehej nga dy etazhe, mbi te cilat është ndërtuar platoja për mbrojtje me dhëmbë të gjerë prej gurëve. Lidhje mes kateve behej përmes shkallëve te drurit nga ana jugore. Kalaja ka pasur dy hyrje, një qendrore për karroca e cila me gjasë ndodhej ne mes te murit rrethues në anën jugore, e cila edhe sot gjendet po aty, ndërsa hyrja për këmbësor e cila gjendet ne skajin lindor te murrit rrethues, ne vendtakimin e murit rrethues me kullën. Kalaja është ndërtuar nga gurët ranor dhe lumor të lidhur me llaç gëlqeror. Përveç rrënojave të bedeneve mbrojtëse ne gjendje te mjerueshme është edhe kulla dy katëshe.[4] Sipërfaqja e Kalasë është rreth 1.100 m2. Pjesë e Kalasë është edhe kulla dykatëshe me përmasa 11.30 x 11.30 m. Lartësia e mureve ruhet deri në 8 m, ndërsa trashësia deri në 2 m. Kalaja kishte edhe gypat e kanalizimit të cilët shërbenin për përcjellje të mbeturinave dhe të ujit. Gjatë gërmimit me rastin e ndërtimit të rrugës pranë ‘Çeshmes së Kalasë’ janë gjetur gypa me diametër rreth 40 cm, të cilët e kanë ppërcjellë ujin nga Çeshmja, ndoshta edhe nga Kalaja. Thuhet se në brendësi të Kalasë gjendej një farë ‘zgafelle’, që sipas legjendës shërbente në rast rreziku të dilej te lumi Sitnica. Hulumtimet arkeologjike ende nuk e kanë vërtetuar këtë legjendë. Në shumë vende në murin e Kalasë gjenden nga dy gurë çift të vendosura mbi një pllakë guri për të cilat ende nuk është dhënë ndonjë spjegim se çka në të vërtetë paraqesin ata. Nga viti 2008 në Kalanë e Vushtrrisë janë zhvilluar gërmime arkeologjike nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve e më vonë edhe nga Instituti Arkeologjik, të cilat gërmime vazhduan deri në vitin 2013. Ndërsa nga viti 2011 filloi konzervimi i mureve të kalasë nga CHëB-ja.[3]

Shih edhe Redakto

Galeria Redakto

Lidhje të jashtme Redakto

Referime Redakto

  1. ^ LISTA E TRASHËGIMISË KULTURORE PËR MBROJTJE TË PËRKOHSHME (PDF). Republika e Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Marrë më 17 gusht 2016.
  2. ^ Grup autorësh:Vushtrria-Viciana me rrethinë, Kuvendi Komunal, Vushtrri, 2003, fq. 472 - 473
  3. ^ a b Kalaja e Vjetër e Vushtrrisë, Arkivuar 15 nëntor 2016 tek Wayback Machine http://vushtrriantike.info Arkivuar 13 nëntor 2016 tek Wayback Machine. 8.07.2016
  4. ^ a b Kështjella "Kalaja" Kulla e Vjetër (Vushtrri) - Databaza e Trashëgimisë Kulturore të Kosovës Arkivuar 29 tetor 2019 tek Wayback Machine 4.07.2016