Krahina e Llapit zë hapësirën veri-lindore dhe është një tërësi mikrogjeografike.

Ura e Lumit Llap

Llapi në kuptimin e gjerë përfshinë territorin e ujëmbledhjes së lumit Llap. Ujëmbledhja e Llapit fillon nga Mali i Argjendtë (Mote Argentorum ose Albanikos, 1789m), të cilin më vonë serbët e quajtën Kopaonik. Ujëmbledhësi topografik i lumit Llap përfshinë sipërfaqen prej 945, km. Kjo hapësirë përafërsisht përputhet me territorin administrativ të komunës se Podujevës në ndarjen e tashme të Kosovës. Podujeva si qytet në rajonin e Llapit është qendra me e rëndësishme ekonomike, politike, administrative, arsimore, kulturore, shëndetësore dhe të tjera. Në këtë qendër gravitojnë rreth 120 fshatra edhe pse një pjesë e tyre në aspektin administrativ, u përkasin qendrave te tjera te Prishtinës, Vushtrrisë dhe Mitrovicës. Në aspektin administrativ, në kohën e tashme, komuna e Podujevës përfshin 78 fshatra. Në kuptimin e ngushtë, disa nga këto fshatra i përkasin Gollapit të Llapit. Për shkak të lumit po ashtu dhe krahinës të bazuar në këtë emër, Llapjonë apo Llapjanë janë të njohur edhe banorët e kësaj krahine shqiptare.

Etimologjia Redakto

Treva e Llapit është emërtuar nga emri i hidronimit Llap. Ky emërtim fillon te përdoret në antikë, mesjetë, por është ruajtur edhe në kohën e re. Këto gjurmë u përkasin disa shtresimeve etno-kulturore dhe gjuhësore;

  1. ( para) indoevropiane: Lab
  2. (proto) shqiptare: Llap

Shumë dijetarë hidronimin Lab e marin si te lashtë dhe e sjellin nga një alb-, nga mund te dilte lab-, alp-. Forma fonetike te shqipfolësit është Llap.

Historia Redakto

Parahistoria Redakto

 
Mozaiku romak i Orfeut i gjetur në lokalitetin të vjetër të Vendenisit

Ky rajon ishte i banuar nga fisi ilir i Dardanëve. Në këtë krahinë janë gjetur shumë lokalitete te ndryshme antike qe datojnë qe nga koha e Neolitit dhe deri ne periudha me te vonshme historike. Si lokalitet më i vecantë antik i cili vlen të përmendët është lokaliteti i Vendenisit, i cili është gjetur në fshatin Gllamnik. Rëndësia e këtij lokaliteti që i takon periudhës romake (shekujt I-IV) dhe asaj të antikitetit të vonë (IV-VI), u dëshmua me rastin e gërmimeve arkeologjike të realizuar gjatë viteve 1980-86. Ndonëse gërmimet ishin mjaft modeste (u gërmuan gjithsej 534m2 ose vetëm 2% e arealit), ato ndriçuan gjurmë të antikitetit romak ku vlen të theksohen zbulimet e veçanta siç është Mozaiku i Orfeut, unik në Ballkan dhe më gjerë. Mozaiku i Orfeut edhe në ditët e sotme gjendet ne Muzeun Popullor te Beogradit dhe akoma nuk është kthyer ne muzeun amë, në Muzeun e Kosovës.

Periudha Osmane Redakto

Rajoni i Llapit gjatë historisë ka pasur ndryshime territoriale dhe administrative. Në periudhën e pushtetit osman ky përfshinte territor të gjerë dhe ishte organizuar në aspektin administrativ: si Nahija e Llapit dhe Nahija e Kosovës me qendër në Kosovë ose Bellasicë, si quhej ndryshe. Në regjistrin e parë Osman te vitit 1455 te Sanxhaku i Viçitrinës hasim Nahijen e Llapit, e cila ishte Nahija më e madhe e këtij sanxhaku. Kjo Nahije kishte 219 vendbanime ku përfshinte fshatra të cilat gjenden në komunat e Mitrovicës, Vushtrrisë, Kastriotit dhe Prishtinës. Ajo gjithashtu përfshinte komunën e Podujevës si tërësi dhe në pjesën veriore shtrihej deri në afërsi të Prokuples, ndërsa në jug deri në afërsi të Lebanes, vendbanime të cilat sot gjenden në shtetin serb. Në regjistrat Osman të 1566-74, Nahija e Llapit ishte e ndarë në 4 nahija më të vogla: Llapit, Gollakut, Belasnicës dhe Trepçës.

Gjeografia Redakto

Llapi si rajon është i rrethuar me male. Nga ana perëndimore kufiri paraqet një vijë natyrore kufizuese kundrejt komunës se Mitrovicës, sepse i mbahet shpateve lindore të maleve të Shalës së Bajgorës. Nga ana veriore dhe lindore shtrihen malet, të cilat e ndajnë rajonin e Llapit nga Serbia, ndërsa nga ana e jugut luginës së Llapit del në Fushën e Kosovës, e cila fillon nga fshati Besi-Barilevë. Territori i Llapit është vend malor, por e ka edhe fushëgropën e Llapit si tokë pjellore. Llapi si tërësi mikrogjeografike ndahet ne tri pjesë:

  1. Fushëgropa e Llapit, e cila shtrihet nga fshati Repë ne veri dhe ne jug deri te fshati Besi-Barilevë, me një gjatësi prej më se 35 km dhe me një gjerësi prej 12-15 km në vijën Batllavë-Llapashticë e Epërme.
  2. Gryka e Llapit, e cila përfshinë territorin prej fshatit Repë deri ne fshatin Murgull, me një gjatësi prej rreth 14 km, dhe nga Bellasica deri te Kepi i Uglarit, qe është rreth 14 km në gjerësi
  3. Gallapi i Llapit, i cili shtrihet nga fshati Batllavë e deri ne fshatin Medergofc dhe nga fshati Turuqicë deri ne Keqekollë dhe Koliq. Rajoni i Llapit ka lartësinë mesatare prej 826 m. ne vetëm 4,8 km te sipërfaqes se Llapit.Ky territor ka ma shume vise kodrinore-malore.

Komuna e Podujevës ka sipërfaqe prej : 632.97.km².

Karakteristikat Morfologjike Redakto

Rrethi i Llapit përbëhet nga tri tërësi. Relievi malor i jep karakteristiken e hapësirës gjeografike. Kategorisë së territorit kodrinor dhe malor i përkasin 3/4 e sipërfaqes dhe për ketë cilësohet rajon më pak fushor. Nga tri anët shtrihen malet dhe vetëm në derdhjen e lumit Llap lidhet me Fushën e Kosovës. Krahina e Llapit ka lartësinë mesatare prej 826 m dhe për 4 m është me i ulët se Fusha e Kosovës. Pamja e përgjithshme ndryshon për shkak të përbërjes morfologjike dhe gjeologjike.

Në anën veriore dhe në anën perëndimore ngritën malet që i përkasin sistemit te maleve te Argjendta (Kopaunikut). Pjesa e maleve më të larta të këtij sistemi shtrihen me në perëndim, në kufi me Shala e Bajgorës, respektivisht me komunën e Mitrovicës dhe Vushtrrisë si: Maja e Mprehtë (Ostrokopja) (1.879 m), Bareli (1.583 m), Mali i Ukshin Kovaqices (1.379m), Kepi i Sokolit, Mali i Mus Popoves, Gerdeci (838m), Hunda e Lugut (763m). Në pjesën lindore te Llapit janë këto male : Mali i Uglarit ose Kepi i Uglarit (1.297m), Kertinjaku (1.147m), Perpellaci (947m), Mali i Kravarices (963m), Malet e Batllavës (1.213 m), Mali i Merkonjes(1.017 m ), Mali i Brainës (933 m ), Gallapi, Suka e Shakovicës (671m) dhe Mali i Rumanishtes. Të gjitha këto male ndahen njëri prej tjetrit në forma të izoluara kodrinore dhe malore dhe shpesh me lumenj malor. Këta lumenj e kanë bërë erozionin duke formuar lugina të thella sidomos në malet e sistemit të Malit të Argjendtë, në pjesën veriore dhe perëndimore. Pamjes morfologjike i ka paraprirë predispozicioni i lëvizjeve tektonike te kohës së terciarit, kur në shtresat gëlqerore janë formuar shtresa të trasha të shkëmbinjve vullkanik, të cilët, si rezultat i proceseve postvullkanike, janë bartës të xehes së plumbit e të zinkut. Këto xehe janë shfrytëzuar gjatë historisë në Labucë, afër burimit te lumit Llap.

Qafat dhe vendkalimet më të njohura qe e lidhin Llapin me viset tjera janë: rruga që kalon në perëndim të Kepit te Uglarit dhe lidhet me Banjën e Llukovës e pastaj vijën Qafa e Tashefcit, Qafa e Përpellacit (814m), Qafa e Merdarit dhe Qafa e Tullarit. Nepër keto vende lidhjet bëhen me Serbinë. Neper Ballaban-Keqekollë-Qafa e Bubarit te Thate lidhet me Prishtinën. Me Prishtinën lidhet edhe me Gryken e Kulinës ose Ngushticën e Teneshdollit. Me Mitrovicën e lidhin Qafa e Gurit te Mullirit, Qafa e Kaqandollit dhe Qafa e Rzhanës.

Tërësinë morfologjike te rajonit te Llapit e përbën kryesisht fusha aluviale e lumit Llap dhe degeve te tij: lumit të Dumnicës, lumit të Batllavës, lumit të Kacanollit si dhe lumenj dhe përroje të tjera më të vogla. Para fazës liqenore bëhet shfaqja intenizive vullkanike. Nga kjo kohë kanë mbetur tarrca fluviale anësore të brigjeve të lumit Llap dhe me këtë u bë ngushtimi i shtratit te lumit.

Shih edhe Redakto