Kristo Kono (Korçë, 22 janar 1907 - 22 janar 1991) ka qenë kompozitor shqiptar.

Kristo Kono
Kristo Kono
Lindi më: 22 janar 1907
Lindi në: Korçë
Vdiq më: 22 janar 1991
Vdiq në: Korçë
Kombësia: Shqiptar
Profesioni: Kompozitor

Biografia Redakto

Që i vogël bie në kontakt me muzikën dhe me shoqëritë kulturore të qytetit. Ishin pikërisht këto shoqëri ku Kristo Kono mori njohuritë e para muzikore dhe i përforcuan dëshirën dhe pasionin për muzikën. Fare i ri mori pjesë në bandën muzikore të qytetit, ku mësoi ti binte klarinetës.

Krijimtarinë e tij muzikore e filloi qysh në vitet ‘20 me këngë e pjesë të vogla instrumentale. Në vitin 1927 Kono shkon për studime në Itali, ku studioi për drejtues orkestre. Gjatë kohës së studimeve në Itali 1927-1932, u pajis me elementet thelbësorë të kompozicionit, si edhe shkruan këngët e para, mbështetur në frymën popullore të këngës qytetare korçare. Me t'u kthyer në atdhe Kristoja, që në kontaktin e parë me publikun korçar, ku ai u paraqit si kompozitor, në një koncert të shoqërisë kulturore “Skënderbeu”, në shtator 1932, fitoi admirimin e publikut dhe shumë shpejt u bë i njohur me krijimtarinë e tij. Emërohet mësues muzike në liceun e Korçës, ku përveç anës pedagogjike, Kristo Kono përgatiti edhe grupin artistik të liceut. Në të njëjtën kohë nisi punën me korin e mirënjohur artistik ”Lira”, si edhe mori në dorë bandën e qytetit. Një aspekt tjetër i punës së Konos ishte mbledhja dhe përpunimi për kor i shumë këngëve popullore, duke iu dhënë atyre cilësi dhe vlera të reja kombëtare. Fryt i studimeve dhe hulumtimit mbi motivet popullore ka qenë edhe kompozimi prej tij i dy rapsodive korale.

Pushtimi fashist solli shkatërrimin e vlerave kulturore dhe shpërbërjen e shumë shoqërive kulturore korçare, për rrjedhojë edhe krijimtaria e Konos është më e pakët. Gjatë kësaj kohe vlen të përmendet kompozimi i “Rapsodisë shqiptare nr.1”, që u ekzekutua me sukses të madh në Tiranë më 28 nëntor 1942. Pas çlirimit të vendit veprimtaria krijuese artistike e Konos njohu përmasa të reja, muzika e tij u ekzekutua nga orkestra e ansamble profesioniste, u transmetua nga radio, u incizua nëpër pllaka e u botua nëpër libra. I frytshëm ka qenë bashkëpunimi i Konos me këngëtaren e mirënjohur Tefta Tashko Koço e cila nga krijimtaria e Konos interpretoi me shumë sukses këngët; “Kur më vjen burri nga stani”, ”Fol e qesh moj sylarushe”, ”Fryn veriu në Mal të Thatë” etj.

Në 20 vjet krijimtari 1945-1965, përfshihen një numër i madh krijimesh, me një llojshmëri të madhe gjinish. Ajo që e bëri të njohur ishte kompozimi i veprave të mëdha vokale-instrumentale, të përmasave të mëdha; poemat, kantatat. Ato ishin nga të parat në llojin e tyre, nga më të njohurat përmendim: poemat vokale-instrumentale “Borova”, ”Labëria”, kantata “Malli për atdhe”. Në veprat koncertale-instrumentale përmendim “Fantazi shqiptare”, ”Valle shqiptare”, fantazia “Mezhgorani”, poema për orkestër “Bredhat e Drenovës” etj. Kristo Kono shkroi shumë pjesë instrumentale të formacioneve të ndryshme, që nga suita për orkestër, pjesë për ansambël, flaut, oboe, violinë, piano, klarinetë, etj. Ka meritën se kompozoi operetën “Agimi” në vitin 1954, e cila i hapi rrugën zhvillimit të operas në vendin tonë. Pas kësaj kompozoi edhe dy opereta të tjera ”Së bashku jeta është e bukur” më 1957 dhe “Brigadierja” më 1968. Kryevepra e Kristo Konos ishte opera “Lulja e kujtimit" në nëntor 1961, e cila u dha disa herë edhe në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit.

Në vitin 1961 Kristo Konos iu dha titulli “Artist i popullit”. Kono mbylli sytë në Korçë më 22 janar 1991.

Referimet Redakto