Luçie Miloti (Shkodër, 11 maj 1930 - Tiranë, 15 maj 2006) ka qenë këngëtare shqiptare.

Biografia Redakto

Luçie Miloti lindi në një familje me tradita muzikore. Për herë të parë ka dalë në skenë në moshën 12-vjeçare dhe çuditi spektatorët shkodranë duke kënduar përkrah me Bik Ndojën, File Gjeloshin, Pjetër Gjergjin etj. Rruga e saj artistike do të niste në Radion e Shkodrës dhe më pas do të angazhohej në shtëpinë e Kulturës të qytetit të Shkodrës, nën dirigjimin e Prêng Jakovës. Në 1946, në moshën 16- vjeçare vjen në Tiranë, ku fillon karriera e saj si në skenat kryesore të vendit, ashtu dhe në festivalet kombëtare dhe ndërkombëtare. Transferimi i familjes në vitin 1946 do ta afronte në jetën artistike kryeqytetase. Ai që krijoi figurën e saj të plotë si këngëtare është profesori i saj, Pavlin Pali. Fillimisht emërohet si soliste në Radio Tirana nën drejtimin e Paulin Palit dhe një vit më vonë emërohet si soliste në filarmoninë shqiptare me krijimin e institucioneve të tjera kulturore artistike profesioniste të kryeqytetit, Luçia u aktivizua në Estradën e Tiranës dhe në 1957, emërohet soliste në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore. Gjatë kësaj periudhe do të jenë të shumta këngët që do të kompozohen për zërin e saj. Do të vazhdojë si soliste në Ansamblin Popullor deri në moshën 45 vjeçare, kur del edhe në pension. Që nga kjo kohë u shkëputur nga skena. Në maj të vitit 2006 në Tiranë pas një sëmundje, Luçia ndërrojë jetë pak ditë pas ditëlindjes së 76-të të saj.

Disa kompozime e dedikuara kësaj artisteje të mrekulluesme janë kënga nga Pjetër Gaci, me titull: "Qytetit tim" , që e ka kënduar më vonë Sali Brari. Rud Gurashi, këngën me titull: "Shpend ma i parë i bukurisë", Zef Leka, me këngën: "Synin tand larush moj çike", të Xhevat Lishit, me tekstin e Lah Mema: "Zani yt, na sjell pranverë" dhe e këndon Meri Zefi. Në fund të 2004 nga kompozitori lezhjan, Agim Velaj: "Lauresha e Shkodrës"

Mirënjohje Redakto

Në Festivalin Botëror të Rinisë në Bukuresht është quajtur "Bilbili i Ballkanit" dhe "Bilbili me zë kristalor. Më 1968 është nderuar me titullin "Artiste e Merituar". Më 3 nëntor 2001 Presidenti Rexhep Mejdani i dha titullin "Mjeshtre e madhe e punës".[1] Me vendimin e Bashkisë së Tiranës, një rrugë e Tiranës merr emrin e këngëtares së mirënjohur Luçie Miloti.

Referime Redakto

  1. ^ Dibra, Zenepe (2009). Fjalor enciklopedik i gruas shqiptare. Shkodër: Camaj-Pipa. fq. 408–409. ISBN 9789995602673. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)