Mjekesia osmane - më 1967, kur nisi lufta kundër fesë, nën sloganin "feja opium për popullin" dhe ku regjimi komunist ngriti kazmën ndaj kishave dhe xhamive anembanë vendit, punonjës të Arkivit Qendror të Shtetit, morën nën mbrojtje aq sa mundën, dokumente të vyera, që gjendeshin në bibliotekat e tyre. Për fatin e mirë të kulturës kombëtare, njerëz të ditur me kulturë që punonin në arkiv, që njihnin vlerat e ruajtura ndër objekte të kultit, u dërguan në objektet e kultit për të marrë dhe mbrojtur vlerat kulturore dhe historike nga turmat e egzaltuara. Kështu ndodhi, ndaj sot, në Arkivin Qendror të Shtetit ruhen dokumente me vlera historike dhe kulturore. Dhe mes tyre, edhe ato më të çuditshmet, magjitë....

Ato vijnë në dokumente, kryesisht libra dhe fletore, ku përshkruhen magji dhe mjekësi popullore, si pjesë të mjekësisë osmane, e cila në vetvete, përfaqëson lidhjen e ngushtë të ekzistencës së Perandorisë Osmane, që shtrihej në tre kontinente: Evropë, Azi dhe Afrikë. Dhe në një hapësirë enorme gjeografikisht, gëlonin popullsi të ndryshme nga pikëpamja shoqërore dhe e kulturave që përfaqësonin, ndaj dhe përvojat mjekësore ishin të larmishme, në të cilat gërshetoheshin sa mjekësia popullore që bazohej në traditat popullore, aq edhe shkenca e mjekësisë me gjithë arritjet e saj. Gjithë kjo përvojë, reflektohet edhe në "Mjekësinë Shqiptare", ku shkruan njerëz të ditur jo vetëm shqiptarë, por dhe turq, arabë, persë. Një arsenal i tillë dijesh në dokumente të vjetra dhe të vyera, ruhen në Arkivin Qendror të Shtetit, në fondin e veçantë "AQSH, F. 725 (Dorëshkrimet Osmane, Arabe, Perse) (Osmanlıca, Arapça ve Farsça dillerinde el yazışmaları).

Mjekësia nis që nga lashtësitë me kujdesin për ruajtjen e shëndetit, përmes një linje evoluimi, kushtëzuar nga niveli i zhvillimit social, ekonomik, politik dhe jo vetëm të shoqërisë, por në veçanti, vetë njeriut. Mes vartësive të tilla, u zhvilluan konceptet dhe mënyrat për të qenë "pronar" i një trupi të shëndetshëm. Hapi i parë ishte ballafaqimi me elementin që pengonte një shëndet të fortë, i cili në term mjekësor, nënkupton përjetimin e një "gjendjeje të dhimbshme", e ndryshme kjo në individë të ndryshëm dhe në vartësi të llojit të saj. Por pyetjet mbi shkaqet e sëmundjes, marrin përgjigje të ndryshme sipas kohërave, që nga kohët e hershme të zhvillimit të shoqërisë njerëzore, kur njerëzit besonin te mrekullitë dhe u luteshin shumë zotave, më pas një zoti të vetëm dhe pejgamberëve (shenjtorëve), për t‘i shpëtuar me fuqitë e tyre të mbinatyrshme.

Fillimisht, dijetarët u kushtuan vëmendje studimit të forcave të mbinatyrshme, dhe kështu, nisën "magjitë" e ndryshme, që në vetvete, mbajnë zbulimin dhe njohjen e gjërave të fshehta. Në mjekësi, termi "magji", përkufizohet si mjet që shëron sëmundjet dhe si zgjidhës i problemeve. Në fakt, magjitë mbështeteshin jo aq në baza shkencore laike, sesa në filozofinë mistiko-fetare, e cila lejon zgjidhjen e problemeve brenda vetes.

Dalja e dy besimeve, kristianizmit dhe myslimanizmit, shënon epokën e re, atë të konsolidimit të logjikës abstrakto-mistike në perceptimin e ngjarjeve dhe fenomeneve, dhe ku njerëzimi fitoi një imazh të ri mbi krijuesin. Përfaqësuesit e botës islame, të cilët ia dolën që të kuptonin e shpjegonin lutjet, nisën t‘i përdornin disa prej tyre për bërjen e magjive. Interesant mbetet fakti se ndonëse feja islame e dënon magjinë si një gjynah të madh ("haram"), ndërsa bërësit e saj, si magjistarë, (qafir), qoftë në "Kuran" dhe në "Synnet", kurimi i sëmundjeve edhe përmes kësaj rruge, zë një vend jo të vogël.

Në përpjekjet për shërimin e sëmundjeve, nuk mbetej pas mjekësia edhe në Shqipëri. Në Arkivin Qendror ruhen libra dhe fletore të vjetra në gjuhën osmane, të shekullit 19-të dhe fillimshekullit 20-të, me mënyrat e mbrojtjes dhe shërimit të sëmundjeve. Kapakët e tyre janë veshur me lëkurë dhe zbukuruar me "ebru", (zbukurim në vaj i praktikuar në artin islam, traditë që vazhdon të aplikohet ende sot në pikturë). Të gjithë librat dhe fletoret grupohen në dy grupe: magjitë, përgatitjen dhe llojet e sëmundjeve, ilaçet me mjekësitë popullore.

Në librat dhe fletoret e magjive, trajtohen problemet e shëndetit, shërimit të sëmundjeve dhe sidomos, largimi i së keqes përmes magjive të ndryshme, "nuskat". Fletorja më e spikatur që mban titullin "Kitab-i Remil", ka një format 28.5 cm gjatësi dhe 19 cm gjerësi. Në fund të faqes së parë dhe të parafundit, ka një stemë në formë rrumbullake, e krahasueshme me vulën e thatë, e cila përdorej në institucionet administrative. Ajo ka formë katrore, ndërsa në mes, një vizatim në formë të rrumbullakët, me zbukurim prej 2 mm gjerësi, i vizatuar me viza, në qendër të të cilit, është një figurë në formë kambane e ndarë në dy pjesë. Në pjesën e poshtme, figura mban imazhin e një fytyre me dy sy të mëdhenj, vijon me linjën e hundës të pikëzuar në miniaturë, që krijon idenë e dy mustaqeve. Pjesa e sipërme është si vazhdim i një kupole, ku zbukurimi përreth, ngjason me një kurorë mbretërore, mbi të cilën, janë vendosur katër topa të vegjël, që simbolizojnë koka njerëzish. Diagonalja e katrorit, që ka cepa të harkuar, ka përmasat 2.2 cm, diametri 1.6 cm, ndërsa brinja 1.5 cm. Vula të vendosura në libra të tillë, janë karakteristike për dokumentet, që përshkruajnë magjitë për shërim.

Në librat e magjive, përshkruhen pyetje dhe përgjigje për aspekte të ndryshme njerëzore, shpirtërore, pasurore etj. Më të shumtat janë të tilla si: "Armiku do të fitojë përsëri mbi mua", "Të kërkosh të ngjashmin dhe të tjera për të tjera dëshira", "A është e hajrit të shkosh (diku) apo jo", "Allah malin e marrë po ta shes është i hajrit apo jo", "gruaja është shtatzënë apo jo", "Kjo ngjarje është e hajrit apo jo", "Allah amaneti do të ruhet apo jo", "Fëmija në barkun e gruas ashtë djalë apo jo", "Bostani po të hahet pas vaktit të qindisë bën mirë apo jo", "Udhëtimi në dëborë është i hajrit apo jo", "Fundi i punës do të jetë i hajrit apo jo", "Marrja e prodhimit është i hajrit apo jo", "Pazari (allishverish) është i hajrit apo jo", "Udhëtimi në lumë është i hajrit apo jo", "Fejesa është e hajrit apo jo", "Dëshmia në prani të kadiut do të merret parasysh apo jo", "Haberi (lajmi) është i vërtetë apo jo", "Ato që dëgjova janë të vërteta apo jo", "Nga udhëtimi, do të vijë herët apo vonë", "Do të bëhet paqe në luftë apo jo", "Fejesa e gruas do të jetë e hajrit apo jo", "A ka hajër po ta shes kafshën apo jo".

Përmes tyre kupton shqetësimet më të mëdha të njerëzve, që lidheshin me jetesën e përditshme, të korrat, prodhimet, udhëtimet, me mënyrën e organizimit të jetës në familje, luftërat, dashuritë etj.

Ndërsa në grupin e dytë të librave, trajtohen shërimet e sëmundjeve me rreth 60 mjekime me metoda popullore, përmes të cilave, kuptohet llojshmëria e sëmundjeve më të përhapura në Shqipëri në ato kohë, bashkë me mjekimet. Sëmundjet e kockave, veshëve, cibanët e ndryshëm, sëmundjet seksuale, plagët, dhimbjet e fundit të barkut, epilepsitë, kollën, nervat, mëlçinë, tëmthin, stomakun, sytë, plagët, majasëlli, ngrirje trupi, lyerja e flokëve të zbardhur, deri në dezintoksikimin nga alkooli, flasin për shkallën e njohjes, si dhe mjekimet në ato kohëra. Por ndërsa trajtohen krahas llojit të sëmundjes, sasitë me masa të ilaçeve, nuk jepen mënyrat e përgatitjes së tyre, ç‘ka lë të mendosh se njerëzit që i përgatisnin ato, ruanin sekretin. Në një prej librave, janë 56 "Tertip" (përgatitje) para emrit të sëmundjes, si neurologji, gjinekologji, dermatologji , stomatologji, kardiologji, endikronologji, otorinolaringologji, sëmundjet e mushkërive, sëmundjet intensinale, sëmundjet ngjitëse, seksuale, për estetikën etj.

Në dokumente gjenden masat e përbërësve të ilaçeve, si "derhem" për "gram", "okë" për "kile", ndërsa mjekimet, ndahen sipas përbërësve, ku secili i korrespondon vartësisë së sëmundjes, si "derman- ilaç", "melhem", "malçe", "yakı", "macun", "shurup". P.sh, termi "derman" apo "ilaç" janë për ilaçet që përtypeshin, "melhem" dhe "malce" për lyerjen e plagëve të ndryshme, "jakija" për rastet e thyerjeve, ndrydhjeve të kockave, "shurup", ilaç i lëngshëm që pihej etj.

Mbi 60 lloj përbërës të ilaçeve ndahen mes origjinave bazë si shtazore, bimore dhe kimikate. Në ilaçet me origjinë bimore përdoreshin si mjekim pemët frutore si: bajamet, arrat, fiku, arra e hindit, molla e thatë, rrushi i kuq, rrushi i bardhë, shalqiri, si dhe ulliri, por dhe pisha, pelini dhe arra. Nga zarzavatet, më të përdorshme ishin preshi, qepa, hudhra, lakra dhe panxhari i kuq. Nga erëzat, karafili, zenxhefili, vanilja dhe dafina. Nga lulet, trëndafilat e të gjitha llojeve, nga barërat përdoreshin çorek, hardalli, majdanoz, bari jeshil, ardic, fara e hashashit, zafrani, mazi etj. Ndërsa nga drithërat, më shumë gruri dhe orizi i thyer. Për ilaçet me bazë shtazore, përdoreshin bagëtitë e imta dhe të trasha, kecat, dashi, lopët, si dhe pulat, prej nga merreshin për mjekime veza dhe lëvozhga e saj, kosi, hira, gjalpi i freskët, dhjam dashi, keci dhe lope, apo dhe jashtëqitjet e dashit dhe të kecit. Ndërsa në mjekimet me kimikate, përfshiheshin zhiva, ujë karbonati, soda, kripa, sulfati, nishadëri, sap-i (lloj bime e përdorur për uljen e veprimtarisë hormonale), uji.

Në të gjithë librat dhe fletoret, të ruajtura në Arkivin Qendror, interesant mbetet që emërtimet e përbërësve të ilaçeve i përkasin gjuhës shqipe të përditshme, ndonëse janë shkruar osmanisht, çka merr vlera të trashëgimisë për mjekësinë popullore shqiptare. Ndërsa ky fond përfaqëson vlera historike për mjekësinë e asaj periudhe, aktualiteti vlen edhe në ditët e sotme, kur përdorimi i ilaçeve dhe kurimi i sëmundjeve me mjekimet popullore nga njerëzimi, po zvogëlohet gjithnjë e më shumë.