Muçi Zade (nga osmanishtja: Muçaj) është autori i vargjeve më të vjetra të njohura të shqipes me shkrimin arab, Imzot, mos më lerë pa kahve.[1] Bejtja e shkruar prej tij dikton fillimin e zhanrit të bejtexhinjve si dhe të parin shkrim të dialektit toskë brenda Shqipërisë.

Nga emri kuptohet se bëhet fjalë për një kompozitë, ku Muçi është hipokoristiku i emrit Mustafa, dhe zade dikton prejardhjen. Është e mundur që ky bir apo nip i Muços të jetë identifikuar kështu sepse paraardhësi i tij ishte i shquar në këtë lëmë.[2] Për jetën e tij nuk dihet asgjë, ndërsa mendohet se ishte në moshë të vjetër kur e shkroi bejten e vet.[1]

Poema është marrë nga një dorëshkrim i zbuluar në Korçë dhe i cili daton në vitin 1724/1725[1][3] Vargu i nëntë i poemës përmban datën 1137 H, në shqip dhe turqisht.

Sene bin yüz otuz yedi,
shkrova tarih për një çudi.

Në shqipen e sotme:
Viti një mijë e një qind e tridhjetë e shtatë,
shkruajta histori për një çudi.

Në këtë poemë 17 strofash, të shkruar me vargje tetërrokëshe me një rimë AAAB, autori vajton mos pasjen e kafesë për të prishur agjërimin në vaktin e mbrëmjes gjatë muajit të shenjtë të myslimanëve, Ramazanit.[1][4]

Poema është teksti më i vjetër shqip i shkruar me shkrimin arab që ka arritur të mbijetojë.[5] Gjithashtu është dhe vargu më i vjetër i shkruar në dialektin toskë në Shqipëri.[5] Studimi më i hershëm i poemës është bërë nga Osman Myderizi në vitin 1955, i publikuar në Buletinin e Shkencave Shoqërore me titullin "Letërsia Shqipe në Alfabetin Arab".[5]

Referime Redakto

  1. ^ a b c d Elsie, Robert (2005), Albanian Literature: A Short History (në anglisht), London: I.B.Tauris, fq. 38, ISBN 9781845110314
  2. ^ Krasniqi, Nehat (2017) [2013]. Zhvillimi i kulturës shqiptare me ndikime orientale prej shekullit XVIII deri në fillimet e Rilindjes Kombëtare (bot. 2). Prishtinë: Instituti Albanologjik. fq. 354. ISBN 9789951240550.
  3. ^ Arshi Pipa (1978), Albanian literature: social perspectives, Albanische Forschungen (në anglisht), vëll. 19, München: R. Trofenik, fq. 104, ISBN 9783878281061, OCLC 5281689
  4. ^ Shuteriqi, Dhimiter (1976), Shkrimet Shqipe ne Vitet 1332-1850, Tirana: Academy of Sciences of PR of Albania, fq. 105-106, OCLC 252881121
  5. ^ a b c Norris, Harry Thirlwall (1993), Islam in the Balkans: Religion and Society Between Europe and the Arab World (në anglisht), University of South Carolina Press, fq. 67, ISBN 9780872499775, OCLC 28067651