Neço Muko (Himarë, 21 tetor 1899 - 1934) ka qenë këngëtor i njojtur i polifonisë, veçan i variantit vendas nga vinte që njihet avaz himariotçe. Vepra e tij u mblodh dhe kodifikua nga Andrea Varfi.

Biografia Redakto

U lind në një familje me tradita të Bregut. Pasi mbaroi shkollën në vendlindje, emigroi në Greqi bashkë me prindërit, duke u vendosur në Faliro, afër Pireut.

Afrimi i Luftës së Parë Botërore ia ndërpreu mësimet që merrte në një shkollë të mekanikes së trenave. Kthehet rishtazi në atdhe, si nëpunës në zyrat e nënprefekturës së Himarës, ku i vihet edhe mësimit të italishtes, duke u angazhuar në një veprimtari demokratike përmes organizatës “Bashkim e Përparim”, të udhëhequr nga Avni Rustemi. Pas mbarimit të luftës ai do të rikthehet në Pire, ku e mbaron shkollimin e ndërprerë. Qenë pikërisht ato vite rinore që e njohën atë edhe me kulturën e artit e fqinjëve dhe që e shtynë të realizojë kompozimet e tij të para. Po shpirti i këtij njeriu qe Himara, kënga polifonike, gjë që e detyroi të rikthehet në vendlindje, ku bashkë me një grup shokësh krijon grupin e vetë koral. Dhe vjen një ditë që ai, si zog shtegtar, “hap krahët” drejt Evropës. Nga Italia deri në Francë. Në Saint Etien punon e krijon, shkon dhe në Paris, në qytetin e dritave dhe njihet me jetën artistike pariziene. Natyra e tij romantike ngazëllehet, por shpesh e rrëmben malli e brenga për vendlindjen, melankolia e pesimizmi. Kjo edhe nga zhgënjim i jetës së kurbetlliut, nga vetmia e prapaskena e qytetit të madh, ku shpesh bën që të rrjedh “loti i tij i hidhur”. Bohemi himarjot vjen përsëri pranë brigjeve të Himarës e të Sarandës, shkon dhe një herë në Pire, ku s’do ta mbajë më vendi e ngulet rishtazi në Sarandë, ku hap një dyqan të vogël tregtie e paralelisht organizon grupin koral “Miqtë e Dëfrimit”. Po Parisi do ta “rrëmbejë” përsëri artistin, këtë herë me plane më të mëdha, ku bashkë me miqtë e tij këngëtarë dhe me sopranon Tefta Tashko do të regjistrojë në pllaka gramafoni perlat e këngëve të Labërisë. Qe viti 1929, artisti virtuoz i Himarës, që do të ngazëllente me këto visare tërë kombin, nuk e merrte me mend që do të binte befas në një “det hidhërimi” prej biznesmenëve të paskrupullt të artit, kulturës e të tregtisë të atyre kohërave. “Në vitin 1932 ndjen lodhje, i ngjiret zëri, i meket kënga, gjersa pas dy vjetësh do të shuhet krejtësisht”. Qe viti 1934. “Feniksi i Himarës”, 35-vjeçari i magjishëm i poezisë së të kënduarit, bilbili i Bregut nuk do të dëgjohej më në origjinalin e vetes

Ai regjistroi i pari në Paris 12 pllakat e para në shqip me emrin Pafe, në këngët himariote të grupit të tij, të cilat menjëherë sa "cikën" tokën shqiptare, u përhapën me shpejtësi. Regjistrimi i pllakave të tij, përveç bukurisë së këngëve, patën gjithashtu epërsinë e padiskutueshme të cilësisë së tyre në raport me shumë regjistrime të tjera, që u bënë në kohën e tij dhe më vonë kohës së tij. Dhe këtë superioritet të tij, duhet ta kërkojmë në faktin se në veprën e Neço Mukos "mbretëron" ideali artistik dhe estetik ndryshe nga shoqatat e tjera regjistruese të asaj kohe, ku e para mbisundonte fryma e idealit tregtar.