Dom Nikollë Kaçorri (Krejë-Lurë, 1865 - Vienë, 29 maj 1917) ka qenë prelat katolik dhe figurë e shquar e kryengritjeve kundër rendit xhonturk, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe zv/kryeministri i parë i Shqipërisë në kabinetin e Ismail Qemalit.

Nikollë Kaçorri
Zëvendëskryeministër
Në detyrë
4 dhjetor, 1912 – 30 mars, 1913
Paraprirë ngaPavarësia e Shqipërisë
Të dhëna vetjake
U lind më1865
Krejë, Perandoria Osmane
Vdiq më29 maj, 1917
Vienë, Perandoria Austro-Hungareze
NënshtetësiaShqiptar
Punësimiklerik

Biografia Redakto

U lind në fshatin Krejë të Malësisë së Lurës më 1862, me të atin katolik dhe të ëmën myslimane. Në po të njëjtën familje, xhaxhai i tij ishte po ashtu mysliman.[1]

Ndoqi mësimet e para fetare në shkollën e Troshanit dhe më pas u shkollua në Romë, ku dhe u dorëzua prift. Kur u kthye më 1895, nisi shërbimin fillimisht si meshtar në Delbnisht. Me kryengritjen e Kurbinit, në bashkërendim me Gjin Pjetri u mundësoi kryengritësve 500 armë.[1][2]

Më 1907 emërohet kryetar nderi i klubit "Vllaznia" dhe më 1909 u anëtarsua i klubit "Bashkimi",[3] me Abdi Toptanin dhe Mustafa Merlikën.[4] Më 1908, Kaçorri mori pjesë në Kongresin e Manastirit. Në vitin 1909 mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Elbasanit.[2] Pasi iu zunë prova që e përfshinin në një kryengritje, u arrestua dhe iu bë gjykimi. Për gjyqin dhe denimin me disa vjet burg dhe gjobë në të holla boton gazeta “Dielli”.[5]

Gazeta “Dielli” e datës 8 nëntor 1911 shkruan:

Me 15 të dhjetorit u knduen në gjykatore të Durrësit letrat që patën ardh të prishuna preji temizit të Stambollit, me 17 vazhdoi gjygji përsëri porë pa lën shum me folë të ndershmin prift atdhetar, dhe pa thirr njeri si dëshmitar. E dënuen përsëri me dy vjet burg e 25 lira gjobe. Avokati mbrojtes, zoti Talib Efendiu nga Gjirokastra kërkoji të zburgosurit e Don Nikoll Kaqorrit, dhe e bâni temiz (apel) për së dyti por gjygji nuk e liroji.”

Dielli nr 89 shkruan,

Nga gazetat e huaja mësuam sihariqin se të ndershmit prift katolik nga Durrësi z. Don Nikoll Kaqorrit ju dha falje preji sulltanit për dënimin që kishte dhën gjykatorja ushtarake. Përgëzojm nga thelbi i zemrës të shkëlqyerin atdhetar dhe i lutemi Zotit t'i falë pas këteji shëndet dhe prehje për të mirën e atdheut.”
Në korrik të vitit 1911 ushtria turke zuni në Shijak rrogtarin e imzot Nikoll Kaqorrit me tri manxerrë e do fishekë e letra poste, që po i qonte në Delbnisht te Arqipeshkvi i Durrësit imzot Bianki. Imzot Nikoll Kaqorri kjé qitë në gjygjin ushtarak e kjé dënue me burg e sidomos për shkak të një letre ku jepte drejtime për një kryengritje kombëtare.”

Verën e 1912 qe ndërlidhës i kryengritjes që kishte ndërmarrë Maz'har bej Toptani, i cili lidhi besë me malësorët katolikë të Kurbinit, Kthellës e Mirditës dhe së bashku me disa myslimanë doli në mal.[6] Në tetor së bashku me klerikë të tjerë shkoi në mision në Rubik, Mirditë, Kthellë, etj., me synimin që të bashkonte katolikët me forcat osmane kundër Malit të Zi që kish rrethuar Shkodrën.[7] Ishte Imzot Kaçorri ai që priti delegacionin e mërgatës, që arriti nga Trieste me datë 22 nëntor 1912. Durrësi ishte parashikuar nga atdhetarët si qyteti ku do të bëhej Shpallja e Pavarësisë.[2] Në nëntor të vitit 1912, si delegat i Durrësit, mori pjesë në kuvendin e Vlorës dhe firmosi dokumentin e pavarësisë me siglën “Kaçorri”. U zgjodh nënkryetar i qeverisë së dalur nga Kuvendi i Vlorës.[2]

Pas dështimit të Qeverisë së Ismail Qemalit imzot Nikollë Kaçorri së bashku me Mustafa Krujën, Luigj Gurakuqin, Fahri Gjilanin, Themistokli Gërmenjin themeloi lidhjen "Për atdheun e për Thronin" për shpëtimin e atdheut nga trazirat e ndryshme antikombëtare. Me shpërthimin e kryengritjes së Shqipërisë së mesme, nga kryengritësit iu dogj qela ku banonte si dhe biblioteka e tij personale.[2]

U largua drejt Vjenës, ku me dekret të 28 janarit 1916, Perandori Franc Jozef e dekoroi me Kryqin e Konturës (Kommtur Kreuz) të Urdhërit të Franc Jozefit.[8] Në kryeqytetin austro-hungarez qëndroi tri vjet, ku dhe u ekzaminua e mjekua për sëmundjen e mushkërive. Prej rëndimit të sëmundjes ndërroi jetë në sanatoriumin Würth, pasi vuajti tre-katër muaj, më 29 maj 1917. Varrimi i tij u bë më 1 qershor 1917 në Zentralfriedhof. Në varrim morën pjesë komandanti i krahinës së Tiranës, Feldmarschall Braun, kryekonsulli i Shkodrës, Rappaport, Kviatorsski, Vinter si dhe e veja e konsullit austro-hungarez në Durrës, baronesha Lovontal-Linau, si dhe shumë diplomatë të tjerë. Më 2 qershor u mbajt një meshë nderimi për të në kishën Maria Treu në Vjenë. Varri i Dom Nikollë Kaçorrit gjendej në “Central Cementery” në grupin 84, rreshtin 32, numër 19.[9]

Riatdhesimi i eshtrave Redakto

Në janar të 2011, kleriku Dom Izak Doda gjeti varrin e Kaçorrit në kryeqytetin austriak. Muajt pasardhës me interesimin e klerikëve të tjerë dhe pjesëtarëve të komunitetit shqiptar në Vjenë,[10] u bë i mundur riatdhesimi i eshtrave të tij si dhe varrosja në kishën e Shën Luçias, Durrës.[11]

Trashëgimia Redakto

Më 1962, me 50-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, u përmend për herë të parë qysh prej vitit 1944. Për veprimtarinë e tij u nderua "Për veprimtari patriotike e klasit të dytë." Në përmendoren e Pavarësisë nuk u paraqit truporja e tij. Në asnjë vepër arti, aq të shumta për Pavarësinë, nuk u pikturua fytyra e tij. Në faksimilen e Aktit të Pavarësisë u arrit deri atje sa iu hoq firma. Në filmin “Nëntori i dytë”, kushtuar Shpalljes së Pavarësisë, del vetëm një herë, po jo në ballkonin ku u u ngrit flamuri.[12]

Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, Kaçorrit i kushtohen vetëm 27 rreshta.[12]

Referime Redakto

  1. ^ a b Gjin Kaçorri (29 nëntor 2010). "Dom Nikoll Kaçorri, prifti katolik që festonte Pashkë e Bajram". zemrashqiptare.net.
  2. ^ a b c d e Daniel Gazulli (21 nëntor 2010). "Imzot Nikollë Kaçorri, nënkryetari i harruem i Qeverisë së Vlonës 1912". tribunashqiptare.com. Arkivuar nga origjinali më 2 dhjetor 2010. Marrë më 24 shtator 2019.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: BOT: Gjendja e adresës origjinale është e panjohur (lidhja)
  3. ^ Dervishi, Kastriot (2012). Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet. Tiranë: "55". fq. 143. ISBN 9789994356225.
  4. ^ «Shqiptari» i 1912-s e shqiptarizma në qarkun e Durrsit, Mustafa Kruja; marrë nga «Shêjzat» 1973
  5. ^ Imzot Nikollë Kaçorri - figurë e ndritur e Kombit Shqiptar[lidhje e vdekur] nga Paul Tedeschini
  6. ^ Bello, Hasan (2019). Shqipëria, Kisha katolike dhe Vatikani (nga fundi i shek. XIX - 1939). Tiranë: Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë. fq. 71. ISBN 9789928261984.
  7. ^ Bello 2019, pp. 81.
  8. ^ Posta e Shqipniës 19/03/1917
  9. ^ Vjenë, gjendet varri i Dom Nikollë Kaçorrit[lidhje e vdekur]
  10. ^ "Eshtrat e Dom Kaçorrit do të sillen në Shqipëri". Gazeta shqiptare. 31 janar 2011.
  11. ^ Robert Elsie (2015). The Tribes of Albania: History, Society and Culture (në anglisht). Bloomsbury Publishing. fq. 299. ISBN 9780857725868.
  12. ^ a b http://www.revistakuvendi.net/Personalitete/1008.html[lidhje e vdekur]