Pallati i ëndrrave është roman i shkruar nga Ismail Kadare në vitet 1976-1981, dhe botuar për herë të parë më 1981 në përmbledhjen "Emblema e dikurshme" nën titullin Nëpunësi i pallatit të ëndrrave. Pas botimit u ndalua.

Pallati i ëndrrave
AutorIsmail Kadare
ShtetiShqipëri
Gjuhashqip
Zhanriroman
Botuar1981 (Shtëpia Botuese Naim Frashëri)
ISBNISBN 978-99956-87-07-6

Eshtë roman që sipërfaqësisht sulmon Perandorinë Osmane, por godet çdo sistem totalitar që provon të ushtrojë pushtet absolut mbi individin.[1] Romani bën fjalë për një shtet totalitar që në shikim të parë duket si Perandoria Osmane, ku ekziston një institucion shtetëror i quajtur Tabir Saraj (Pallati i Ëndrrave), qëllimi i të cilit është mbledhja e ëndrrave të qytetarëve, shqyrtimi dhe interpretimi i tyre me qëllim të gjetjes së shenjave të rebelimit ndaj shtetit ose paralajmërimeve për fatkeqësi. Kritikët letrarë, shqiptarë dhe të huaj, kanë vënë në dukje se Tabir Saraji është aluzion për Komitetin Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë[2].

Sfondi Redakto

Në vitin 1980 me rastin e botimit të romaneve Prilli i thyer, Kush e solli Doruntinën dhe Dasma në një vëllim të përbashkët, Kadare shfrytëzoi rastin dhe i futi aty edhe dy kapitujt e parë të romanit Pallati i ëndrrave. Për shkak të tematikës që dukej si historike, nuk u tërhoqi vëmendjen kritikëve. Një vit më vonë, me rastin e ribotimit të një përmbledhjeje tregimesh, autori e shfrytëzoi rastin dhe e futi në të romanin e plotë pa u vërejtur nga censura zyrtare, e cila pasi i kishte dhënë një herë dritën e gjelbër botimit tani kishte ulur vigjilencën.[3]

Pas botimit njerëzit filluan të vërenin ngjashmëri mes përshkrimeve të qytetit ku luheshin ngjarjet në roman dhe Tiranës. Disa veçori të Tabir Sarajit u kujtonin njerëzve ndërtesën e Komitetit Qendror të PPSH-së. Edhe atmosfera e terrorit në roman të kujtonte atmosferën e terrorit në Shqipërinë e Enver Hoxhës. Binte në sy edhe fakti që autori nuk kishte provuar aspak ta bënte romanin historikisht të saktë, përkundrazi, në të kishte anakronizma të shumta qëllimi i të cilave ishte ta bënin ngjarjen të tingëllonte aktuale. [4]

Ndalimi Redakto

Për shkak të aluzioneve të hapura kundër regjimit komunist, në mars 1982 u thirr në mënyrë urgjente një plenum i Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë, ku morën pjesë edhe zyrtarë të lartë si Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha. Aty romani "Pallati i ëndrrave" u dënua ashpërsisht, kurse Kadare u akuzua se në roman kishte futur aluzione kundër regjimit komunist në Shqipëri, duke i thënë që ishin në dijeni se Pallati i Ëndrrave ishte në fakt Komiteti Qendror i PPSH-së.[5] Pos tjerash, autori u akuzua se kishte bërë sulme të fshehta ndaj sistemit socialist dhe izolimit të Shqipërisë. Si rrjedhojë romani u ndalua. Prej një arrestimi të mundshëm autori shpëtoi falë njohjes ndërkombëtare[4].

Shtypi botëror reagoi ndaj dënimit të romanit; në Perëndim pati edhe protesta për të mbrojtur autorin.[6] Në vitin 2019 u publikuan për herë të parë materiale sekrete mbi bisedat e Enver Hoxhës me ministrin e brendshëm Kadri Hazbiu në vitin 1982:[7]

Kadri Hazbiu: [...]E dyta, kam frikë se francezët mund të kenë pasur si ndërlidhës dhe me Ismail Kadarenë.

Enver Hoxha: Cilin? Ismail Kadarenë?

Kadri Hazbiu: Po, po, Ismail Kadarenë. Nuk e di nëse ju ka rënë juve në sy që shtypi francez tani…

Enver Hoxha: Jo vetëm që më ka rënë në sy, po e pe ç’ka bërë tjetër shtypi francez? Libraria që ndodhet përpara ambasadës sonë në Paris një vitrinë të tërë ia ka kushtuar Ismail Kadaresë. Atje pyetën ambasadorin tonë se çfarë kritike i keni bërë ju Ismail Kadaresë në lidhjen e Shkrimtarëve? Megjithatë unë mendoj se Ismail Kadareja s’është nevoja t’i bëjë këtu, në Shqipëri, takimet me francezët, se kushedi sa herë ka shkuar ai në Paris, ku është takuar me Fajarin e me të tjerë.

Kadri Hazbiu: Ky është një drejtim i mundshëm, prandaj rrethi i tij mendoj se duhet parë me kujdes, shoku Enver.

Enver Hoxha: Duhet kujdes, duhet Kadri, se ai do të na bëhet nesër një disident, në qoftë se ne do ta lejojmë këtë njeri të vejë në Francë dhe ky do të përpiqet të gjejë shumë arsye për të vajtur. Një nga këto arsye mund të jetë filmi që ka nja pesë vjet që flitet se po përgatitet, kurse në pesë vjet mund të xhirohen dhjetëra filma dhe jo të mos bëhet dot nga ana e francezëve një film si ai për “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, që nuk kërkon as senat ë mëdha. Ky film është si një tryelë që francezët e kanë ngulur te ne për të varur kapelën e Ismail Kadaresë. Tani na vihet problemi do ta lejojmë ne Ismail Kadarenë të vejë në Francë? Atë e kish ftuar Fajari, gjoja për të shtypur një libër që ka dërguar atje. Po ne nuk e lejuam Ismailin të vente. I thamë përse dëshiron të vesh? Librin francezi e shtypi natyrisht pa e pyetur fare këtë dhe s’kishte pse ta pyeste, po patjetër që e ka thirrur t’i thoshte diçka për Mehmet Shehun.

Shih edhe Redakto

Referime Redakto

  1. ^ Apolloni, Ag (2012). Paradigma e Proteut. Prishtinë: OM. fq. 24.
  2. ^ Kryeziu, Jorina (maj 2015). "Narratori dhe narracioni në prozën e Ismail Kadaresë - punim doktorature" (PDF). Tiranë. fq. 127. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 8 dhjetor 2017. Marrë më 23 shtator 2017.
  3. ^ Kuçuku, Bashkim (1999). "Kryevepra e fshehur: odise kadareane". përmbledhur nga Kadare, Ismail (red.). Pallati i ëndrrave. Onufri. fq. 199–200. ISBN 99927-30-31-5.
  4. ^ a b Joachim Röhm. "Nachwort zum Palast der Träume" (PDF) (në gjermanisht). Marrë më 14 gusht 2017.
  5. ^ "Berisha e pranon për herë të parë: hapëm depot e armëve më '97, ja pse". Panorama Online. 23 mars 2017. Marrë më 13 shtator 2017.
  6. ^ Fayé, Éric (1993). Kadaré, Ismail (red.). œuvres completes: tome 1 (në frëngjisht). Editions Fayard. fq. 25–26.
  7. ^ "Biseda mes Kadri Hazbiut dhe Enver Hoxhës për Kadarenë". Klan. 2 maj 2019. Marrë më 8 tetor 2019.