Perandoria Osmane në gjysmën e dytë të shekullit XVIII-XIX

Në vitet 30-40 të shek XVIII, krahas varësisë ekonomike filloi dhe rritja e ndikimit politik të shteteve evropiane në shtetin osman. Në këtë periudhë u ashpërsuan edhe më shumë kontradiktat midis shteteve evropiane për Perandorinë Osmane. Nga një vend që e kërcënonte Evropën në shek XVI, shteti osman ishte kthyer në një objekt për diskutim.

Revolucioni Amerikan nuk linte Anglinë të ndihmonte Perandorinë Osmane

Konfliktet e Fuqive të Mëdha Redakto

Midis Anglisë, Francës, Rusisë dhe Austrisë zhvillohej një luftë e ashpër për të zënë pozita zotëruese ekonomike dhe politike në perandori. Rusia synonte të siguronte vende që lagen nga Deti i Zi nga sulmet turko-tatare, të fitonte të drejtën të lundronte në Detin e Zi dhe në ngushticat, të rriste ndikimin në Ballkan dhe në Kaukaz. Anglia e Franca, si shtetet më të fuqishme perëndimore, kishin interesa që ndeshnin me ato të Rusisë.

Anglia shqetësohej për pozitën sunduese të Rusisë në rajonin e Baltikut. Franca, si aleate e Austrisë, nuk donte daljen e Rusisë në Detin e Zi e në Mesdhe. Prandaj ajo përkrahte armiqtë e Rusisë, Suedinë, Poloninë e Portën e Lartë, duke u përpjekur të krijonte një aleancë kundërruse.

Ndryshimet në shtetin Osman Redakto

Shteti osman shikonte tek Anglia dhe Franca aleatët e natyrshëm, tek të cilët mund të mbështetej në luftën kundër Rusisë. Ndërsa rritej fuqia e këtyre shteteve, dobësohej ajo e shtetit osman, për rrjedhojë rritej ndikimi i këtyre shteteve mbi të. Tani çështjet e mosmarrëveshjet midis Portës së Lartë e Rusisë nuk zgjidheshin në Konstandinopol e në Petërburg, por në Londër dhe në Paris.

Ndikimi politik u rrit aq shumë sa shteti osman përzihej edhe në luftën për fron të disa shteteve, si rezultat i kombinimeve politike. Në vitin 1740 shpërtheu lufta për fron midis Austrisë e Prusisë. Franca ishte armiqësuar me Austrinë, prandaj përkrahte Prusinë. Edhe shteti osman mori anën e Prusisë me pretendimin se do t’i ktheheshin territoret që i kishte marrë Austria me paqen e Karlovivacit. Pas 8 vjetësh, Prusia doli fituese nga lufta, por premtimin ndaj Portës së Lartë e kishte harruar. Të njëjtën gjë u orvat të bënte Anglia në konfliktin prusiano-francez në vitin 1756, por nuk ia arriti qëllimit.

Luftërat me Rusinë në fund të shek. XVIII Redakto

Rusia ndërhynte në punët e brendshme të shtetit osman, duke nxitur e përkrahur disa nga popujt e nënshtruar. Kështu shteti osman nuk mund të pajtohej me këto veprime. Nga ana tjetër Franca, Austria i trembeshin rritjes së influencës së Rusisë në Ballkan, prandaj nxitnin Portën e Lartë për të ndërhyrë në luftë me Rusinë me qëllim që kjo e fundit të dobësohej.

Në shtetin osman kishte dy rryma

  1. Me sulltanin në krye, ishte për luftë me Rusinë.
  2. Me në krye vezirin e Madh, Koxha Ragip pasha ishte kundër luftës.

Fitoi krau i parë. Pretekst i luftës shërbeu lufta civile në Poloni. Atje kishte dy parti : , pro e kundër ruse.

Rusia filloi të përkrahë partizanët e vet. Sulltani kërkoi në formë ultimatumi largimin e forcave ruse nga Polonia, mbasi ndërhyrja e Rusisë në punët e brendëshme të Polonisë ishte një shkelje e paqes së Prutit (1771) Cari refuzoi tërheqjen. Kështu filloi një luftë që zgjati disa vjet (1768-1774). Ushtria ruse theu disa herë ushtrinë osmane në Krime, në Moldavi, në Besarabi, Vllahi dhe doli në lumin Danub. Gjithashtu flota ruse e Balltikut korri disa fitore në detin Egje, Adriatik. Atë e ndihmuan edhe grekët në More të cilët ishin hedhur në kryengritje (1770).

Reagimet e Fuqive të Mëdha Redakto

Këto fitore alarmuan Francën, Anglinë dhe Austrinë. Franca nxiti Suedinë në luftë kundër Rusisë. Franca i dhuroi shtetit osman rreth 15 anije për të riformuar flotën. Austria grumbulloi forca në kufi me Moldavinë e Vllahinë. Në këto rrethana qeveria cariste filloi të bëjë sondazhe për të krijur terrenin e bisedimeve.

Rusia kërkonte

  1. Shkëputjen e Krimesë nga Perandoria Osmane.
  2. Kalimin e disa territoreve nën Rusinë, lirinë e lundrimit në Detin e Zi.
  3. Kapitulacionet e shteteve të tjera dhe kompensimin për humbjen në luftërat.

Shteti osman hodhi poshtë këto kërkesa.

Paqja me Rusinë Redakto

Pas disa luftërash, me forcën e armëve Porta e Lartë u detyrua të ulet në tavolinën e bisedimeve në fshatin Kyçyk-Kajnarxhe (16 qershor 1774) dhe brenda 5 ditëve duhej të nënshkruante paqen.

Sipas kushteve të paqes të dy palët njohën pavarësinë e Hanllëkut të Krimesë. Rusia mori disa territore përreth lumenjve Burdo, Dniepër e Dniestër, Azovin, kurse shtetit osman iu kthyen Besarabia, Moldavia e Vllahia. Rusia siguroi lirinë e lundrimit të anijeve tregtare në të gjitha detet që lagin Perandorinë Osmane si dhe kapitulacionet e shteteve të tjera.

U shpall amnisti për ata nënshtetas osmanë që kishin luftuar përkrah Rusisë. Porta e Lartë do t’i paguante Rusisë për tre vjet 7,5 milionë grosh për kompensimin e humbjeve. Rusia fitoi të drejtën e protektoratit mbi Moldavinë e Vllahinë dhe mbi kishën ortodokse në Perandori. Paqja e Kyçyk Kajnarxhesë shënoi një moment kthesë në gjendjen ndërkombëtare të shtetit osman.

Problemet e shtetit osman Redakto

Lufta 1768-1774 tregoi tatëpjetën e thellë që kishte përfshirë perandorinë dhe prapambetjen e dobësinë e ushtrisë osmane. Sulltani nuk desh të ratifikonte kushtet e kësaj paqeje, por pas 6 muajsh u detyrua të bëjë një veprim të tillë. Edhe pas ratifikimit të paqes shteti osman nuk hoqi dorë nga lufta për të kthyer Krimenë, mbasi humbi të ardhura të mëdha.

Luftërat vazhduan disa vjet. Ato përfunduan pa asnjë rezultat. Shteti osman pranoi kushtet e paqes së Kyçyk Kajnarxhesë, por nuk hoqi dorë nga marrja e Krimesë, të cilën e lakmonte edhe Rusia. Në prill të vitit 1783 Katerina II shpalli bashkimin e Krimesë me shtetin rus, të gadishullit Taman dhe të territorit deri në lumin Kuban, me pretekstin se Porta e Lartë kishte shkelur paqen e Kyçyk Kajnarxhesë.

Anglia ishte e zënë me luftë në Amerikë. Në këto kushte sulltani pranoi bashkimin e Krimesë me Rusinë. Dy muaj më vonë u nënëshkrua marrëveshja e parë tregtare midis Rusisë e shtetit osman. Sipas saj tregtarët rusë kishin të drejtë të lëviznin lirisht nëpër territorin e perandorisë dhe gëzonin të gjitha privilegjet e tregtarëve të shteteve të tjera.

Nxitjet për luftë Redakto

 
Katerina II

Kalimi i Krimesë nën Rusinë rriti dhe më shumë pakënaqësinë e rretheve drejtuese që ishin kundër kushteve të Kyçyk Kajnarxhesë. Veçanërisht kleri i lartë [[Myslimanëmysliman nuk mund të pajtohej me futjen e myslimanëve të Krimesë nën pushtetin e “të pafeve” (rusëve). Ai bënte thirrje për luftë. Nga ana tjetër, qysh nga viti 1783 Rusia filloi ndërtimin e një baze detare luftarake në Sevastopol, bazë kryesore në Detin e Zi.

Me urdhër të Katerinës II në harkun e Sevastopolit u shkrua: "Hyrja në Kostandinopol". Gjendjen luftënxitëse e ndezën edhe më shumë përfaqësuesit e Anglisë, të Prusisë e të Hollandës. Duke shpresuar në ndihmën e tyre dhe me hyrjen në luftë të Suedisë e të Polonisë kundër Rusisë, Porta e Lartë vendosi t’i shpallë luftë Rusisë. Ajo shfrytëzoi vizitën e careshës në Krime dhe takimin e saj me perandorin austriak Jozef II. Ato u konsideruan si demonstrime luftarake.

Kërkesat Osmane dhe shpallja e luftës Redakto

Në korrik 1787 shteti osman dërgoi një ultimatum me 7 kërkesa:

  1. Të vendosej në Krime një përfaqësues osman
  2. të kontrolloheshin anijet tregtare ruse me pretekstin se ato transportonin lëndë të ndaluara.
  3. Të largoheshin forcat ruse nga Tbilisi
  4. Rusia të hiqte dorë nga “mbrojtja e Gruzisë”
  5. Të dorëzohej sundimtari i Moldavisë që ishte strehuar në Rusi ;
  6. Të vendosej një barazi midis tregtarëve të dy vendeve.

Pa pritur përgjigjen një muaj më vonë qeveria osmane i shpalli luftë Rusisë. Plani osman ishte që me zbarkimin e forcave osmane në Kinburn, të ngriheshin tatarët e këtyre rajoneve kundër sundimit rus. Plani dështoi. Forcat ruse të komanduara nga Suvorovi shpartalluan desantin osman.

Lufta me Austrinë në fund të shek. XVIII Redakto

E shqetësuar nga frika se me këto fitore, Rusia bëhej shteti më i fuqishëm i Detit të Zi,Anglia filloi aktivitetin për organizimin e një blloku antirus. Ajo arriti të bindte Suedinë dhe Poloninë t’i shpallnin luftë Rusisë. Anglia hyri në aleancë me Holandën dhe Prusinë.

Kështu u krijua blloku antirus. Rusia në vitin 1788 theu disa herë ushtrinë osmane në tokë e në det. Në shkurt të vitit 1788, Austria i shpalli luftë Portës së Lartë. Veprimet luftarake filluan shumë shpejt. Ushtria osmane theu keq ushtrinë austriake të komanduar prej vetë perandorit. Ai mezi shpëtoi kokën.

Ushtria osmane nuk mund të vazhdonte ndjekjen e ushtrisë austriake, mbasi fronti kryesor i luftës ishte në Danub kundër Rusisë. Atje u grumbulluan rreth 100 000 veta kundër ushtrisë së përbashkët ruso-austriake që arrinte në 30 000 veta. Ushtria osmane pësoi disfatë. Në duart e rusëve ranë disa kështjella, si Akerman, Bender. Suksese filloi të korrë edhe ushtria austriake. Ajo mori Semendren, Pozharevacin dhe Beogradin.

Kthesa në luftë Redakto

Gjendja e keqe e Perandorisë Osmane ndryshoi pas revolucionit borgjez francez të vitit 1789. Austria e detyruar nga Prusia, Anglia dhe Holanda bëri një paqe të veçantë me shtetin osman, duke ruajtur kufijtë e para luftës. Për rrjedhojë Austria i ktheu atij Beogradin dhe territoret e tjera të pushtuara.

Pas daljes së Austrisë nga lufta, pozita e Perandorisë Osmane u përmirësua, kurse ajo e Rusisë u keqësua përkohësisht. Në vitin 1791 Rusia korri disa fitore të reja në Moldavi, Vllahi e në Kaukaz. Ushtrisë ruse iu hap rruga në Rumeli dhe në Anadoll. Në këto kushte Porta e Lartë u detyrua të kërkojë paqe.

Nga frika se mos rriteshin kërkesat e Rusisë nga fitoret e tjera, Anglia dhe Prusia bënë çmos që të përfundonte lufta ruso-osmane. Gjithashtu Anglia kërkonte të hidhte Rusinë kundër Francës. Rusia shihte Francën revolucionare si armikun më të rrezikshëm. Në këto rrethana në janar të vitit 1792 u nënshkrua paqja midis dy shteteve. Kufiri midis dy shteteve u caktua lumi Dniester. Rusia përfitoi disa territore dhe shtetit osman iu kthyen Besarabia dhe Moldavia, me konditë që popullsive të këtyre krahinave t’u njiheshin privilegjet e fituara në paqen e Kyçyk Kajnarxhesë. Porta e Lartë hoqi dorë nga pretendimet mbi Gruzinë.