Pjetër Budi (Guri i Bardhë, 1566 - dhjetor 1622) ka qenë një prelat i Kishës Katolike dhe shkrimtar shqiptar i cili i përket letërsisë së vjetër shqipe.

Skicë që paraqet Pjetër Budin në lutje. Nga vepra "Paschyra e të rrëfyemit", Romë 1621 (Biblioteka e Vatikanit, Racc. Gen. Liturgia V. 35)

Budi është autori i parë që botoi një sasi të rëndësishme poezie në gjuhën shqipe,[1] dhe në vitin 1618 botoi rreth 3000 vargje shqip, në gegërisht.[2]

Biografia Redakto

U lind në Guri i Bardhë, Mat më 1566[3][4] në familjen e dëgjuar dhe të vjetër të Budëve.[3] Mësimet e para dhe formimin e tij intelektual e mori në vend, pranë disa ipeshkëvet të ndryshëm, më pas u shkollua në Kolegjin IlirikLoretos.[4]1587, në moshën 21 vjeç u caktua meshtar dhe shërbeu si famulltar i thjeshtë për 12 vjet në Kosovë dhe Maqedoni, nën jurisdiksionin kishtar të Arqipeshkvisë së Tivarit, më vonë 17 vjet të tjerë si zëvendës i përgjithshëm i dioqezave të Serbisë.[5][4][3]

Në Kosovë ra në kontakt me françeskanët e Bosnies, kontakt që vite më vonë i shërbeu sprovave të tij politike për të mbështetur kryengritje shqiptare ndaj Perandorisë Osmane. Ra në kontakt me domenikanin dhe hospitalierin Franjo Antun Brtučević, si dhe me kryengritësit shqiptarë. Petku fetar i tij nuk ishte gjë tjetër përpos një mbuloje për synimet politike që kishte ndaj gjendjes gjeopolitike të viseve shqiptare.[4] Në një letër të shkruar në shqip ai ankohet për varfërinë dhe mungesën e dijeve të popullit dhe shpreh keqardhjen e tij që këtu nuk ekzistojnë shkolla shqipe.[6] Më pas vendeste në Romë.

Më 1616 shkoi në Romë, ku qëndroi deri më 1621. Atje u mor me organizmimin e kryengritjeve kundërosmane dhe me shtypjen e disa librave shqip.[3] Më 1618 botoi veprën e tij të parë "Doktrina e Kërshtenë", një përkthim në gjuhën shqipe i katekizmit nga Roberto Bellarmino, botuar në Romë.[7] Gjatë viteve 1616-1622 bëri disa udhëtime në Itali, kryesisht për qëllime atdhetare si dhe për të botuar veprat e tij. Kthehet përsëri në Shqipëri ku emërohet peshkop i Sapës dhe i Sardës. Ai këmbëngulte që ceremonitë fetare të zhvilloheshin në gjuhën shqipe. Pengesë serioze për zhvillimin dhe përparimin e vendit dhe të kulturës kombëtare, përveç pushtuesit osman, Budi, shikonte edhe klerikët e huaj, që shërbenin në famullitë shqiptare. Këta, duke shpifur e duke përçmuar vlerat kombëtare të popullit tonë, cenonin sedrën e shqiptarëve, mundoheshin t'i përçanin ata dhe të dëmtonin përpjekjet e tyre për çlirim. Në këto rrethana, Budit iu desh të luftonte në disa fronte: edhe kundër pushtimit të huaj, edhe kundër Vatikanit e të dërguarve të tij në Shqipëri. Prandaj më 1622 organizoi një mbledhje të të gjithë klerikëve shqiptarë të zonës së Shkodrës, Zadrimës, e Lezhës dhe i bëri të betoheshin e të nënshkruanin një vendim se nuk do të pranonin kurrë klerikë të huaj. Në dhjetor 1622 mbytet duke kaluar lumin Drin. Mendohet se vdekja e tij nuk ishte aksidentale; atë e shkaktuan qarqet anti shqiptare, që shikonin tek Budi një atdhetar të flaktë dhe një nga organizatorët e luftës së popullit për çlirim nga zgjedha e huaj. Këtë e vërteton më së miri aktakuza me të cilën hidhet në gjyq personi që thuhet se e shkaktoi këtë vdekje dhe aktet e gjyqit përkatës. Në këtë mënyrë Budi është një nga martirët e parë të kulturës shqiptare. Gjatë 29 vjetëve që shërbeu në vise të ndryshme, i veshur me petkun e klerikut, Pjetër Budi u shqua edhe për një veprimtari të dendur atdhetare. Ai gjithë jetën dhe energjitë e tij ia kushtoi çlirimit të vendit. Hartoi plane për dëbimin e pushtuesit dhe u përpoq të siguronte edhe ndihma nga Vatikani e nga vende të tjera. Ai bënte pjesë në atë shtresë të klerikëve, që u lidhën me krerët e fiseve shqiptare dhe iu kundërvunë jo vetëm sundimit të egër osman, por edhe Vatikanit, kur ishte fjala për çlirimin e vendit nga zgjedha e huaj dhe ruajtjen e vetëdijes kombëtare të popullit shqiptar. Çlirimin dhe shpëtimin e vendit Budi, e shikonte te fshatarësia e lirë, sidomos te malësorët, të cilët nuk u pajtuan asnjëherë me pushtimin dhe e vazhduan me ngulm qëndresën e tyre.[8]

Pjeter budi vdiq ne vitin 1622.

Vepra Redakto

Me këmbëngulje dhe përpjekje të mëdha arriti që më 1618 të botonte në Romë veprën e parë "Doktrina e krishtenë„ dhe më 1621 dy veprat e tjera "Rituali roman" dhe "Pasqyra e të rrëfyemit". Këto vepra janë kryesisht përkthime ose përshtatje por shpeshherë aq të zgjeruara dhe të shtjelluara me ndërvënie të teksteve të tij saqë në aspektin tekstor dalin si vepra të reja. Si shkrimtar origjinal Budi shquhet për rreth 100 faqe prozë origjinale dhe 3200 vargje poezish të botuara kryesisht tek Doktrina e Krishtenë më 1618.[3]

Për qëllimin dhe rëndësinë e tyre autori është i vetëdijshëm kur thotë se librat shqip do t'i shërbenin kur të kthehej në viset e Shqipërisë për të pregatitur kryengritjen e përgjithshme dhe për të fshehur në sy të pushtueseve këtë veprimtari të lartë kombëtare. Po të studiohen me kujdes veprat e Budit, duket qartë se shpesh herë ai del jashtë tekstit origjinal nga përkthen dhe përshkruan doke e zakone shqiptare, të cilat janë krijime origjinale në prozë. Kjo gjë bie më tepër në sy në veprën "Pasqyra e të rrëfyemit", që ka një rëndësi të veçantë edhe për historinë e etnografinë. Në faqet e fundit të veprës autori ka vendosur një letër të gjatë, afro 70 faqe ku shkruan plot dashuri për atdheun e popullin dhe ankohet për mungesën e shkollave dhe për klerin që nuk përpiqej t'u hapte sytë bashkatdhetarëve. Deri më sot letra është konsideruar si proza e parë origjinale në letërsinë shqiptare, që buron drejtpërdrejtë nga zemra e një atdhetari. Kjo e bën Budin shkrimtarin e parë të letërsisë shqiptare që lëvroi prozën origjinale. Në këtë letër pasqyrohen elemente të jetës shqiptare të kohës dhe ndihet shqetësimi i klerikut patriot për fatet e popullit e të gjuhës së tij amtare. Budi përshkruan traditat e zakone shqiptare, por, mbi të gjitha, ndalet në gjendjen e mjeruar ku e ka hedhur pushtimi i huaj dhe padija e popullit të vet. Për këtë gjendje ai akuzon edhe bashkëatdhetarët e vet "djesitë" e "leterotetë" (dijetarët e letrarët), që u vjen dore ta ndihmojnë popullin për të dalë nga kjo gjendje, por që nuk po bëjnë asgjë...

Jeta e Budit është një jetë kushtuar fund e krye çështjes shqiptare. Programi fisnik i gjithë kësaj veprimtarie atdhetare mund të përmblidhen në këto fjalë që shkroi me dorën e tij: "…aqë sa munda luftova me gjithë zemër jo për qishdo lakmi e lavdi të mrazët, po me një të madh dëshirë për ndihmë të patries e të gjuhës sonë„.

Në librin e tij i tretë “Pasqyra e të rrëfyemit” të cilin e botoi në Romë, një vit para se të vdiste në moshën 55 vjeçare, zbulon në faqen e katërt të tij një gravurë ku poeti prift jepet në një moment lutjeje. Gravura është një punim mjaft fin dhe gjendet në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë brenda "Pasqyrës së të rrëfyemit", menjëherë pasi mbaron parathënia.

Proza e Budit dëshmon jo vetëm për idetë përparimtare, por edhe për aftësitë e tij letrare. Edhe pse në të ndihet ndikimi i literaturës kishtare latine, ai është munduar t'i japë gjuhës shqipe një shprehje e formë të bukur, duke shfrytëzuar pasurinë e gjuhës popullore dhe frazeologjinë e saj të pasur. Faqe me rëndësi në krijimtarinë e Budit përbëjnë vjershat e tij. Para tij njohim vetëm një vjershë të shkurtër me 8 vargje, të shkruajtur nga arbëreshi Lekë Matrënga, kurse Budi na ka lënë 23 vjersha me mbi 2.300 vargje, prandaj me të drejtë ai mund të quhet nismëtari i parë i vjershërimit shqip. Vjershat e Budit kryesisht janë të përshtatura nga latinishtja e italishtja, vetëm pak janë origjinale. Është e vërtetë se në hartimin e tyre nuk kemi një frymëzim e teknikë të lartë, por vihet re një përpjekje serioze për ta pasuruar gjuhën shqipe edhe me krijime që synojnë të shprehin në vargje të bukurën në artin e fjalës shqipe. Në njërën prej tyre, në formën e një pyetje retorike, poeti shpreh ndjenjën e trishtimit dhe të kotësisë që e pushton kur mendon se të gjithë njerëzit i rrëmben vdekja:[9]

"Ku janë ata pleq bujarë,
që qenë përpara ne,
e ata trima sqimatarë,
të shpejtë si rrufe?"

Vepra e tij e cila ka shumë rëndësi si letraro-artistike dhe gjuhësore u bë e njohur relativisht vone. Për herë të parë ajo u botua në Prishtinë në vitin 1986. Në Shqipëri, poezia e Pjetër Budit u bë e njohur nga botimi i studiuesit Behar Gjoka në vitin 2002.

Trashëgimia Redakto

Budi është një nga figurat më të shquara të botës shqiptare për kohën kur jetoi. Ai u përket atyre klerikëve, që u dalluan për një veprimtari të dendur atdhetare. Ishte organizator dhe udhëheqës i masave popullore në luftën për çlirim nga zgjedha osmane, përkthyes dhe krijues origjinal në fushën e letrave shqiptare për të mbrojtur identitetin etnik e kulturor të popullit tonë. Për jetën veprimtarinë dhe formimin e tij intelektual nuk kemi shumë të dhëna të drejtpërdrejta. Edhe ato që dimë, i nxjerrim kryesisht nga thëniet e veta në librat që botoi, veçanërisht nga letra latinisht që i dërgoi më 1621 një kardinali të quajtur Gocadin. Kjo letër është një dokument me rëndësi të veçantë jo vetëm për jetën dhe personalitetin e autorit, por edhe për gjendjen e vendit në atë kohë, dhe mbi të gjitha ajo është një program i plotë për organizimin dhe zhvillimin e luftës së armatosur kundër pushtuesit. Në këtë letër Budi pas hyrjes bën edhe një autobiografi të shkurtër, nëpërmjet së cilës mësojmë dicka të sigurt për jetën e tij.

Me datë 21 nëntor 2006, me rastin e 440-vjetorit të lindjes së Pjetër Budit, në Tiranë u organizua një sesion shkencor në Muzeun Historik Kombëtar. Në këtë sesion folën akademik Shaban Demiraj, Rexhep Ismaili, Kolec Topalli, Floresha Dado, Beqir Meta, Seit Mancaku, Behar Gjoka, etj.

Tituj të veprave Redakto

  • Doktrina e Krishtenë, 1618, përkthim i veprës De doctrina christiana nga Roberto Bellarmino., ku ndërfuti 3000 vargje origjinale
  • Rituali roman (Rituale Romanum) 1621
  • Pasqyra e të rrëfyemit (Speculum Confessionis) 1621

Ribotime Redakto

  • Poezi, Prishtinë: Rilindja, 1986; ribot. Akademia e Shkencave të Kosovës, 2006;

Shih edhe Redakto

Literatura Redakto

  • Anamali, Skënder; Prifti, Kristaq (2002). Historia e popullit shqiptar: vëllimi i parë. Tiranë: Toena. ISBN 9992716223.
  • Hamiti, Sabri (1995). Letërsia e vjetër shqipe. Prishtinë.{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)

Referime Redakto

  1. ^ Hamiti 1995, p. 35-37
  2. ^ Elsie 2005, p. 17-23.
  3. ^ a b c d e Hamiti 1995, p. 33
  4. ^ a b c d Elsie, Robert (2003). Early Albania: A Reader of Historical Texts, 11th-17th Centuries (në anglisht). Olzheim/Eifel, Germany: Harrassowitz Verlag. fq. 170–174. ISBN 3-447-04783-6.
  5. ^ Gjuha Shqipe - Për të huaj dhe shqiptarët jashtë atdheut nga Gjovalin shkurtaj dhe Enver Hysa, botues Toena, Tiranë 2001 ISBN 99927-1-454-9
  6. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 30 shtator 2007. Marrë më 21 nëntor 2006. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)
  7. ^ "Dottrina Christiana - Pjeter Budi". www.bibliotekashkoder.com. Arkivuar nga origjinali më 21 korrik 2020. Marrë më 2020-11-11. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  8. ^ "Letersia Shqiptare". Arkivuar nga origjinali më 16 tetor 2008. Marrë më 26 qershor 2010. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  9. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 16 shkurt 2020. Marrë më 13 mars 2021. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)