Shkolla e lartë tregtare e Lajpcigut (gjermanisht: Handelshochschule Leipzig (HLL)) (anglisht: Leipzig Graduate School of Management) deri në vitin 1990 në të mësohej ekonomia socialiste. Shkolla e Lartë Tregtare e Lajpcigut (HHL) është shndërruar sot në shkollë private biznesi, ku mëson elita e ekonomistëve të ardhshëm nga e gjithë bota.

Histori Redakto

 
HHL Leipzig Graduate School of Management, University House, Jahnallee 59.

Porta e rëndë prej druri nuk hapet lehtë. Vizitorët e HHL-së - të Leipzig Graduate School of Management – duhet të japin kodin me numra për të hyrë në kompleksin e ndërtesave. Deri para ndryshimeve këtu ka qenë selia e Shkollës së Lartë Gjermane për kulturën fizike dhe sportin – një fabrikë që prodhonte fituesit e medaljeve të arta në sport për RDGJ-në. Nëpër muret e korridoreve ka pasur mbase edhe aso kohe fotografi të varura. Ndoshta edhe njerëzit e atyre fotografive dukeshin të rinj dhe dinamikë, si ata tani. Por ata sigurisht që nuk kanë pasur uniforma e kapele të zeza doktorësh, si tani. Me siguri që nuk janë dukur sikur të ishin studentë të ndonjë kolegji amerikan.

Një studim i plotë 15 muajsh për një Master of Business Administration në HHL kushton 22 500 euro. 70 për qind e studentëve janë të huaj. Gjuha e mësimdhënies është anglishtja. Një klasë përbëhet nga 25 deri 40 vetë. Me gjithë taksat e larta, përzgjedhja është e vështirë. Kur pranohesh mund të përdorësh bibliotekën e shkollës 24 orë në ditë. Pjesë e shkollimit është kryerja e një praktike, një qëndrim jashtë shtetit dhe sërish pjesëmarrje në një të ashtuquajtur Negatiation-Event – një lloj kampionati negociatash me pjesëmarrës nga Harvardi (Harvard) dhe Jeili (Yale).

HHL-ja i referohet me krenari traditës së gjatë. Në vitin 2008 shkolla festoi 110 vjetorin e krijimit, duke e prezantuar veten si shkolla më e vjetër ekonomike, në Gjermani. Pjesë e historisë së HHL-së është edhe koha e mësimdhënies në RDGJ, kur mësimi bëhej vetëm në gjermanisht dhe kur plani i mësimdhënies pvrmbante vetëm lëndë të tilla si „Ekonomia Politike“ dhe „Komunizmi shkencor“ apo „Filozofia Marksiste-Leniniste“.

"Nga shkolla tregtare e RDGJ-së nuk ka mbetur më kërkush, përveç meje dhe dy sekretareve. E gjitha është ngritur nga e para," rrëfen profesor Hans Göschel. Asokohe ai ka qenë kancelar i Shkollës së Lartë Shtetërore Tregtare. Ai ka përjetuar nga afër kohën e trazirave të ndryshimeve politike, për të cilën rrëfen me dëshirë. "Kur në shtator të 1989-ës filluan demonstratat e Lajpcigut na urdhëruan që të bisedonim me studentët dhe t’u mbushnim mendjen që të mos merrnin pjesë në demonstrata. Por gjithë përpjekjet e tyre nuk sollën asgjë", thotë Göschel-i dhe shfleton një libër që ka dalë me rastin e jubileut të universitetit. 304 faqe, afro 400 ilustrime. Këtë libër të rëndë Göschel-i e ka shkruar mbas një pune të gjatë kërkimore.

Rënia e murit, ndryshimet, ribashkimi – në shikim të parë, këto ngjarje duken sikur nuk kanë të bëjnë me kampusin e HHL-së. Studentë nga e gjithë bota vërshojnë sot nga dyert, vërtiten në oborrin e brendshëm, ca hyjnë, ca dalin, ca shkojnë tek tramvaji, ca nëpër seminare. Gjuha e komunikimit është anglishtja, edhe në jetën private. Kështu flasin me njëri-tjetrin indianë me sandale dhe amerikanë me këpucë lëkure me tegela. Këto janë fytyra të reja. Fytyra, të cilat e kaluara i percepton shkarazi, sepse ata e kanë botën ende përpara. „Mbasi të mbaroj shkollën këtu, do të shkoj për të punuar në Amerikën e Veriut, si konsulent për sipërmarrjet. Ky është plani im“, thotë për shembull Fabian Schaaf nga "MBA Class of 2009". I riu i veshur me këmishë të hekurosur mirë dhe me syze flet me elokuencë për planet dhe konceptet e tij.

Në planin mësimor krahas "Business Study with Elective Modules in Finance und Accounting" ka edhe plot terma të tjerë në anglisht. Por, jo të gjitha janë të reja: „Më e bukura është se po ta pastrosh e qërosh të tërën nga barra ideologjike dalin struktura që fare mirë mund të përgjithësohen dhe që kanë kuptim“, thotë profesor Gëshel. Ai ka parasysh disa nga seminaret në kohën e RDGJ-së. Për shembull „Marketing“-u i sotëm, atëherë quhej „Reklamë“.

Shiko edhe Redakto

Referime Redakto

Lidhjet Redakto

  Commons: Handelshochschule Leipzig – Album me fotografi dhe/apo video dhe materiale multimediale