Shoqnia e Bashkimit të Gjuhës Shqipe

(Përcjellë nga Shoqëria Bashkimi)

Shoqnia e Bashkimit të Gjuhës Shqipe e njohur kryesisht si Shoqnia "Bashkimi" ose më thjesht "Bashkimi" i Shkodrës ka qenë një shoqëri kulturore e themeluar më 1899 në ShkodërPerandorisë Osmane. Synimi i saj kryesor qe përhapja e shkrimit të shqipes përmes zhvillimit të një alfabeti të njësuar shqiptar, për përhapjen e librit shqip dhe mësimdhënien e shqipes nëpër shkolla. Themeluesi dhe kryetari i saj ishte Preng Doçi, abati i Mirditës.

Shoqëria "Bashkimi"

Shoqëria u angazhua me përpilimin e një alfabeti, të një fjalori dhe botimin e disa teksteve.[1] Nëse alfabeti i Stambollit u krijua dhe u popullarizua pas luftës ruso-turke më 1877-78 nën ombrellën e Osmanizmit, shoqëritë "Bashkimi" dhe "Agimi" u themeluan dhe nisën veprimtarinë pas angazhimit të mëtejshëm të Austro-Hungarisë dhe Italisë në Rumelinë Perëndimore.[2]

Historia Redakto

Si pasojë e zgjërimit të ndikimit dhe rivalitetit të Austro-Hungarisë dhe Italisë në komunitetin katolik të viseve veriore shqiptare të Perandorisë Osmane, konsulli Ippen njoftonte Vjenën se një alfabet i ri po përfundonte së hartuari nga një komitet priftërinjsh, i quajtur "Bashkimi i Gjuhës Schqypé" që kishte në gjirin e saj abat Doçin, Dodë Kolecin, Ndoc Nikajn, Jak Serreqin, Lazër e Ndre Mjedjen dhe françeskanin Gjergj Fishta.[3] Ndër takimet e tyre më pas morën pjesë klerikë të tjerë si Pashk Bardhi, Mark Shllaku, Mëhill Çuni si dhe laikë si Mati Logoreci, Gaspër Beltoja dhe Ndue Paluca.[4]

Alfabeti i përbërë nga shkronja latine dhe nga bashkime shkronjash për tinguj të veçantë (sh, th, etj.) ishte mjaft i ngjashëm me atë që përdorte "Albania" e Faik Konicës,[5] por duke i shkëputur primatin e alfabetit "të vjetër të veriut" që përdornin jezuitët, ndolli pakënaqësi brenda vetë klerit, duke sjellur shkëputjen e një pjese të anëtarëve për të formuar shoqërinë "Agimi".[6] Konferenca ipeshkvnore e mbledhur më 1902, ku ipeshkvinjtë votuan për përdorimin e alfabetit "Agimi", duke e dënuar alfabetin "Bashkimi" si shumë të italianizuar.[7]

"Bashkimi" nisi më 1904 botimin e një vjetari në Shkodër me titullin Scyptari, si dhe u afrua me "partinë italiane", e cila më 1905 vendosi të fuste gjuhën shqipe në shkollat italiane dhe mbështeti financiarisht botimin e një abetareje me alfabetin "Bashkimi", Doçi duke rënë në ujdi me konsullin e përgjithshëm italian që librat e shkollave italiane të kishin tekste të botuara në Itali me alfabetin e vet. Alfabeti gëzonte përdorim nga veprimtarë të ndryshëm të lëvizjes shqiptare: Anselmo Lorekio, Asdreni, Gaspër Jakova Mërturi, Giuseppe Schirò, Gjergj Fishta, Ndoc Nikaj, Nikollë bej Ivanaj dhe Sotir Peci.[8]

Shoqëria u zotua se do të botonte një të përdyjavshme apo të përmuajshme, letrare dhe arsimore. Nga këto, vetëm fjalori (shqip-italisht) u botua më 1908.[8]

Referime Redakto

  1. ^ Doçi, Pal (1998). "Shoqnia gjuhësore e letrare "Bashkimi"". Seminari i Dytë Ndërkombëtar "Shkodra në shekuj". Vëll. 1. Shkodër: Muzeu Historik. fq. 67–73.
  2. ^ Vezenkov, Alexander (2013). "The Albanian Language Question: Contexts and Priorities". Entangled Histories of the Balkans: Entangled Histories of the Balkans (në anglisht). Vëll. 1. BRILL. fq. 506. ISBN 9789004250765.
  3. ^ Clayer, Nathalie (2012) [2007]. Në fillimet e nacionalizmit shqiptar: Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë. Përkthyer nga Artan Puto (bot. 2). Tiranë: Botime "Përpjekja". fq. 473, 534. ISBN 9789994302536.
  4. ^ Ukgjini, Nikë (11 nëntor 2018). "Bashkimi, historia e një "shoqnie" dhe e fjalorit të saj". shqiptarja.com.
  5. ^ Clayer 2012, fq. 389.
  6. ^ Clayer 2012, fq. 389, 534-535.
  7. ^ Clayer 2012, fq. 535.
  8. ^ a b Clayer 2012, fq. 536.