Tempulli Kala Bhairava

Tempulli hindu i Bhairavas në Varanasi

Tempulli Kala Bhairava (në gjuhën hindi: काल भैरव मंदिर) është një nga tempujt më të vjetër të Shivës në Varanasi, të Indisë. Tempulli i është kushtuar Kala Bhairavas, kotvalit ose kryepolicit hyjnor të Varanasit. I shtrirë në një sipërfaqe prej 400 m2 (0.04 ha) me raportin 16 m. x 25 m. pranë zyrës kryesore postare të Varanasit në K-32/22 Bharonath, Vishveshvar Ganj, në koordinatat 25°19′3.52″N 82°58′26.09″E / 25.3176444°N 82.9739139°E / 25.3176444; 82.9739139, ky tempull ka rëndësi të madhe historike dhe kulturore, veçanërisht mes banorëve të Varanasit. Ai konsiderohet si tempulli më i vjetër dhe një nga më interesantët në Varanasi. Seksioni i qytetit në të cilin gjendet tempulli i Kala Bhairavës është i njohur si Kotvalpuri. Për në tempull mund të shkohet si nëpërmjet kryqëzimit Vishveshvar Ganj, ashtu dhe nëpërmjet parkut Maidagin.

Tempulli Kala Bhairava
काल भैरव मंदिर
Pikturë indiane rreth vitit 1820 që paraqet legjendën e Bhairavës pasi i ka prerë kokën e pestë Brahmës.
Informacion i përgjithshëm
Statusifunksional
TipiTempull hindu
VendndodhjaVishveshvar Ganj, Varanasi
AdresaK-32/22 Bharonath, Vishveshvar Ganj, Varanasi
QytetiVaranasi
ShtetiUttar Pradesh
Koordinatat25°19′3.52″N 82°58′26.09″E / 25.3176444°N 82.9739139°E / 25.3176444; 82.9739139
Lartësia80.985 m[1]
Përfundimishekulli i XVII
Lartësia80.985 m[1]
Technical details
Floor area400 m2

Përshkrimi Redakto

Tempulli Kala Bhairava gjendet në një largësi prej 6 km nga stacioni hekurudhor i kazermës së Varanasit, pranë zyrës kryesore postare, në Vishveshvar Ganj, midis parkut Maidagin dhe rrugicës Chaukhamba e zonës Bhaironath, 1 km në lindje të Tempullit Kashi Vishvanatha, në Varanasi.[2] Duke hyrë nga rruga, nëpërmjet një porte që ruhet nga qeni transportues i Bhairavës, gjendet një kopësht i bukur, në qendër të të cilit ndodhet faltorja kryesore e Bhairavës. Në anën jugore jashtë kopështit katërkëndësh të kompleksit ndodhet një faltore e vjetër, që bart shumë idhuj, një ndër të cilët është dhe vetë Bhaironathi. Në këtë tempull ka statuja të tjera mes të cilave, ajo e Shivës, Ganeshës dhe Surajnarayanit. Imazhi pjesërisht i shkatërruar i Dandapanit (“kolona e ndëshkimit”) më vonë është rivendosur në pjesën e mbrapme të këtij tempulli dhe iu dha emri “Kshetrapala Bhairava”, ‘Bhairava që mbron territorin’. Në këtë zonë ndodhen gjithashtu edhe faltoret dhe imazhet e Kaleshvaras dhe Mahakalas, të përfaqësues të “vdekjes”. Kjo zonë simbolizon fuqinë e shenjtë të vdekjes të kontrolluar nga Shiva. Në këtë mënyrë edhe qyteti është mbiquajtur “Qyteti i Vdekjes së Mirë”. Në derën e mbrapme të tempullit ndodhet një shtatore e Kshetrapal Bhairavës.[3][2][4] Duke kryer një ecje rituale circumambulacioni përreth kompleksit të tempullit, mund të shihen një grup faltoresh dytësore të Devit, Hanumanit, Krishnas dhe Radhas, Parvatit dhe Ganeshës. Më interesante është një pllakatë e madhe e “Nëntë Planeteve” (Navagraha), ku mbi çdo shtëpi planetare të zodiakut të të cilës ndodhet paraqitja dhe altari indiavidual. Tempulli Kala Bhairava është i skalitur në mënyrë të bukur. I gjithë tempulli është i ngjyrosur në portokalli. Baza e tempullit është ndërtuar me gurë të thjeshtë në tre anë. Kulla tërheqëse e tempullit është mjaft e lartë. Ajo është e rrethuar nga shumë kupola të vogla, që ngrihen në seri njëra pas tjetrës deri te kupolën e sipërme që është e praruar. Përballë faltores kryesore ndodhet një verandë, që mbahet nga kolona dhe është dekoruar me piktura dhe skalitje sipas Stilit të Arkitekturës Hindu. Dera e hyrjes së tempullit është në krahun verior. Muri në të gjitha anët e derës, që të çon në ndërtesë, është i dekoruar me piktura. Pragu i faltores ruhet nga dy idhuj, të njohur si 'dvarpalesvara'. Vetë dera është skalitur dhe zbukuruar mjeshtërisht. Në brendësi të faltores ndodhet një dhomë e vogël. Në anën tjetër është vendosur një faltore e vogël prej bakri. Pranë murit, në këmbë, mund të shihet arma e hyjnisë, tridenti me thumbat e tij, e ngjyrosur me të kuqe. Në shenjtëroren e brendshme të tempullit, në anën e djathtë të hyrjes, ndodhet një statujë e idhullit Kala Bhairava. Statuja rreth 1.22 m e lartë është prej guri, por me fytyrë argjendi, me trup të bëshëm, e ngjyrosur me blu të zënë, me katër krahë në një pozicion grotesk duke mbajtur një trident. Për vizitorët e dukshme përmes derës së shenjtërores është vetëm fytyra e dekoruar me lule e idhullit. Pjesa tjetër e statujës është e mbuluar me një rrobë. Mbrapa statujës së zbukuruar me kurora lulesh, ndodhet figura e një qeni, që është transportuesi i tij. Në anën e majtë të hyrjes ndodhet një tjetër statujë e stërmadhe qeni, mbi të cilën ndodhen dhjetë piktura të vogla, që paraqesin dhjetë avatarët e Vishnut. Përballë idhullit ndodhen tre kambana të varura. Një fener i vogël mbahet gjithmonë ndezur. Një prift ulet në afërsi dhe vendos një lloj pudre e përhimtë (kundi) në ballin e adhuruesve. Një tjetër prift rri i ulur pranë tempullit me një kopan të bërë prej pendësh palloi në dorë, me të cilin çokit lehtësisht kokat e besimtarëve që hyjnë.

Historia Redakto

Data e saktë e ndërtimit të Tempullit Kala Bhairava është e panjohur, por mendohet se u ndërtua në mesin e shekullit të XVII.[3][2][4] Ky tempull është një shembull i paraqitjes hapsinore të tempullit të lashtë të Kala Bhairavas. Miti i formës së tmerrshme të Shivës, të quajtur Bhairava, daton që nga shekulli i VI-VII. Gjatë periudhës së shkatërrimit të parë në fundin e shekullit të XII shumë nga tempujt u humbën dhe më vonë të rikonstruktuar në sitet e historisë së regjistruar dhe lidhjes mitologjike në përshtatje me mitin e imazhit të humbur. Në mënyrë të ngjashme, kur tempulli i Bhairavas u humb, në sitin e Bhairaveshvaras u ndërtua Tempulli i Kala Bhairavas. Strukturën e tanishme e ndërtoi mbreti marathas Bajirao Peshva i II (1796-1851) në vitin 1817, që e ndërtoi atë në sitin e tempullit të vjetër; kjo është regjistruar në një mbishkrim në gurë në murin e mbrapëm të oborrit të brendshëm. Për shumë shekuj ky tempull ishte një qendër shpirtërore në Varanasi për asketikët më të rreptë të Shivës, "kapalikat" ose "mbajtësit e kafkave" dhe pasardhësit e tyre më të vonë, gorakhnathët. Sot, gjithësesi, tempulli nuk është zotërimi ekskluziv i këtyre yogive të skajshëm, por është i tuteluar nga familjarë të zakonshëm për bekimet e tij mbrojtëse. Megjithëse ky tempull është popullor dhe i dashur mes atyre që jetojnë nën ndikimin e tij në rrethinat e seksionit Kotvalpuri të qytetit, sot nuk është një ndalesë e detyrueshme për pelegrinët. Përgjithësisht njerëzit bëjnë darshanin e Tempullit Vishvanatha dhe Annapurna dhe ikin.

Legjendat Redakto

Në mënyrë që të mësonin kush ishte fuqia e përjetshme sipërore, kohë më parë, disa shenjtë të mëdhenj shkuan në Malin Sumeru për të takuar Brahman. Brahma pohoi se fuqia e përjetshme sipërore ishte ai. Vishnu nuk e pranoi pohimin e shpejtë dhe të pamenduar të Brahmas. Kështu, Brahma dhe Vishnu iu drejtuan Katër Vedave për të mësuar përgjigjen e kësaj pyetjeje. Rig Veda tha se fuqia sipërore ishte Rudra (Rudra është një emër tjetër i Shivës) pasi ka fuqinë të kontrolloi të gjitha qëniet e gjalla. Yajur Veda tha se sipëror është Shiva pasi ai mund të adhurohet nga yagna të ndryshme. Sam Veda deklaroi se sipëror është Tryambakami (dmth. Mahamṛtyuṃjaya Mantra, epitet i Shivës) pasi ai adhurohet nga një larmi yogish dhe mund të kontrolloi të gjithë botën. Atharva Veda u përgjigj se sipëror është Shankari (Shiva) pasi ai mund të eliminoi të gjitha telashet e qenieve njerëzore. Të Katër Vedat unanimisht konkluduan se Shiva është sipërorja përfundimtare; një konkluzion që u përqesh me mosbesim nga Brahma dhe Vishnu. Atëherë Shiva u shfaq si një shkëlqim i fuqishëm hyjnor midis Brahmës dhe Vishnut. Bramha u inatos shumë dhe me kokën e pestë filloi tja ngulte sytë shkëlqimit, e cila filloi të digjej nga inati. Sipas legjendës Shiva i inatosur, krijoi një formë mizore të quajtur Kala Bhairava, mbreti i 'Kalas'. Kala Bhairava ia preu Brahmës kokën që digjej dhe që atëherë Brahma ka vetëm katër koka. Kur portretizohet si Kala Bhairava, Bhairava paraqitet duke mbajtur kokën e prerë të Brahmës. Shiva pastaj tha se "Kala Bhairava" do të rrinte përgjithmonë në Kashi që të pastronte mëkatet e dishepujve. Duke prerë kokën e pestë të Brahmës ai u bë fajtor për vrasjen e një brahmini, prandaj ishte i detyruar ta bartëte kokën e prerë për vite duke u endur si 'bhikshatana', lypsar endacak, derisa të pastrohej nga mëkati.[5] Brahma Hatya Dosha e krijuar nga Shiva si një mishërim femëror i vuajtjes së mëkatit do ta ndiqte Kala Bhairavën në vende të ndryshme. Kala Bhairava, me kokën e Brahmës në dorë, shkoi në vende të ndryshme të botës, bëri banjë në tirtha të ndryshme (vende të shenjta ujore), adhuroi perëndi të ndryshme, megjithatë Brahma Hatya Dosha e ndiqte kudo. Ai nuk mund të çlirohej nga ajo vuajtje. Në fund, Kala Bhairava arriti në Moksha Puri (Varanasi). Në momentin që Kala Bhairava hyri në Kashi, Brahma Hatya filloi të ulërinte dhe në fund u zhduk në botën e të vdekurve. Koka e Brahmës (Kapal) ra në një vend që u quajt Kapal Mochan pranë një tirthe që më vonë u quajt Kapal Mochan Tirtha. Që atëherë, Kala Bhairava qëndron në mënyrë të përhershme në Varanasi duke i mbrojtur dhe strehuar të gjithë besimtarët.[3][2][4]

Domethënia dhe traditat fetare Redakto

Kala Bhairava, "Terrori i Zi", është “forma e frikshme” e Shivës i njohur në mënyrë popullore si “kryepolici hyjnor i Varanasit”. 'Kala' do të thotë si 'vdekje' ashtu dhe 'fat', përveç kuptimit i zi. Ai është 'i ziu', i cili në Varanasi merr funksionet e zotit të vdekjes. Vetë Vdekja thuhet se ka frikë nga Kala Bhairava. Ai ushtron autoritetin hyjnor nën tutelën e padronit të tij hyjnor, Vishvanathas, si mbi njerëzit ashtu dhe mbi zotat në Varanasi dhe rrethinat e tij deri në rrugën Panchakroshi. Hyjnia besohet se është urdhëruar nga Vishvanatha ta mbaj qytetin e shenjtë të Varanasit të pastër nga shpirtrat dhe personat e këqij. Ai i pengon ata të hyjnë në qytet ose nëse i gjen brenda i dëbon. Ai mban një kurorë kafkash dhe një kopan me pendë palloi. Besohet se pa lejen e tij askush nuk mund të qëndroi në Varanasi. Shiva e caktoi Bhairavan të ishte krye-zyrtari i drejtësisë brenda qytetit të shenjtë. Vahana (transportuesi) i Bhairavës është një qen. Kala Bhairava besohet se është Kotvali i Varanasit dhe çdokush që do të jetoi në Varanasi duhet të marr lejen e tij për të jetuar në qytet. Ai besohet se është edhe Kotvali i "Sati pindit” dhe pa lejen e tij askush nuk mund ta preki "Sati pindin". Kala Bhairava i mbron besimtarët nga të gjitha problemet.[3][2][4] Bhairava adhurohet për mbrojtjen, pastrimin, shëndetin dhe mirëqenien, por jo për çlirimin e mokshas. Të vjetrit në Varanasi besojnë se kurdo që banorët e Kashit ikin nga qyteti për një udhëtim të shkurtër, ata adhurojnë Kala Bhairavën (duke marrë lejen e tij) dhe me rikthimin në Varanasi adhurojnë përsëri Kala Bhairavën. Besohet se nëse ai inatoset me dikë, personi nuk mund të iki nga Varanasi për të gjithë jetën e tij.[6] Megjithëse ky tempull është popullor dhe i dashur midis atyre që jetojnë nën ndikimin e tij në zonën Kotwalpuri të qytetit, ai tashmë nuk është një ndalesë e detyrueshme për pelegrinët. Tempujt dhe faltoret e Kala Bhairavës janë të pranishëm pranë shumicës së tempujve Jyotirlinga, dymbëdhjetë tempujt e shenjtë të Shivës, duke përfshirë Tempullin Kashi VishvanathaVaranasi, ku ai adhurohet kryesisht nga sektet Kapalika dhe Aghori të Shaivizmit. Tempujt e Kala Bhairavas mund të gjenden edhe pranë Shakti Pithave, pasi besohet se Shiva i cakton detyrën e ruajtjes së 51/52 Shakti Pithave një Bhairave të caktuar. Si i tillë besohet se janë 51/52 forma të Bhairavës, që konsiderohen manifestime të vetë Shivës. Në Varanasi ndodhen edhe nëntë tempuj të tjerë të Bhairavës.[6] Tradicionalisht Kala Bhairava adhurohet në zonat fshatare të Karnatakas, Maharashtras dhe Tamil Nadusë, ku i adresohet si "Bhaivara/Annadhani" Vairavar. Në Karnataka, Bhairava është hyjnia supreme për bashkësinë, zakonisht i adresuar si "Gowdas", ku veçanërisht për kastën Gangadikara Gowda ai konsiderohet si kujdesues dhe ndëshkues. Gjatë Mahashivaratrit Bhairava adhurohet edhe nga një grup njerëzish në Kashmir. Reformatori hindu Adi Shankara ka shkruar një hymn mbi Kala Bhairavan e Kashit, që quhet Kala Bhairav Ashtakam.[6] Adhuruesit e tij marrin fije të zeza dhe i lidhin në dorë për siguruar mbrojtjen e tij. E gjithë atmosfera në Tempullin Kala Bhairava mes recitimit të mantrave është magjepsëse.[5] Në këtë tempull celebrohen festat e Rudrakshas, Shringarit, Annakutit dhe Bhairava Ashtamit, Dita e Bhairava Ashtamit (dita e tetë pas Purnimas) në muajin e Margashirshas është një ditë e rëndësishme për adhurimin e Kala Bhairavës. Ditët e diela, të marta, Ashtami dhe Chaturdasi konsiderohen shumë të rëndësishme për adhurimin e Kala Bhairavës. Një person që kryen cirkumambulacionin përreth Kala Bhairavës tetë herë çlirohet nga të gjitha mëkatet e kryera. Një besimtar që e adhuron Kala Bhairavën për gjashtë muaj arrin të gjitha tipet e siddhit.[7] Tempulli është i hapur nga ora 5:00 e mëngjesit deri në orën 1:30 të drekës dhe nga ora 4:30 mbasdite deri në orën 9:30 të darkës. Gjatë të dielave dhe të martave në tempull mblidhen shumë besimtarë. Rituali Mangla Aarti zhvillohet deri në orën 5:00 të mëngjesit, Madhyan Bhog Aarti zhvillohet deri në orën 1:30 të drekës, Sayankal Sapta Rishi Aarti zhvillohet deri në orën 8:30 të darkës dhe Shayan Aarti zhvillohet deri në orën 12:00 të mesnatës, kur tempulli mbyllet.[2]

Shiko edhe Redakto

Referime Redakto

  1. ^ "Elevation". Elevation finder. Marrë më 15 qershor 2015. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ a b c d e f "Kaal Bhairav". easternuptourism.com. Arkivuar nga origjinali më 10 shkurt 2017. Marrë më 25 janar 2017. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ a b c d "Kaal Bhairav Mandir". Varanasi.org. Marrë më 15 qershor 2015. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  4. ^ a b c d "Kaal Bhairav". Religious Portal. Arkivuar nga origjinali më 12 shtator 2018. Marrë më 15 qershor 2015. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  5. ^ a b Vishal Rathod. "TEMPLES OF VARANASI (KASHI): Kashi Vishwanath Temple, Visalakshi Temple and Kaalbhairav Temple". ghumakkar.com. Marrë më 25 janar 2017. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  6. ^ a b c "Kalbhairav Temple of Shiva". templeadvisor.com. Arkivuar nga origjinali më 20 maj 2017. Marrë më 25 janar 2017. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  7. ^ Kashi Khanda e Skanda Puranas. Gurumandala Granthamalaya Nr.XX, vol. IV, Kalkuta, 1961, kapitulli 31

Lidhje të jashtme Redakto