Tempulli bregdetar (i ndërtuar në vitet 700–728 të e.s.) është emërtuar kështu pasi lartësohet mbi bregun e gjirit të Bengalit. Është një tempull strukturor, i ndërtuar me blloqe graniti, i datuar nga shekulli i VIII i e.s.. U ndërtua në një breg të gjirit të Bengalit në Mahabalipuram, një fshat në jug të Chennai-t në shtetin indian Tamil Nadu. Në kohën e ndërtimit të tij, fshati ishte një port i banuar gjatë mbretërimit të Narasimhavarmanit II të dinastisë Pallava.[1] Si pjesë e Grupit të monumenteve në Mahabalipuram, është klasifikuar si trashëgimi botërore e UNESCO-s që nga viti 1984.[2] Është një nga tempujt strukturorë më të vjetër të Indisë së jugut.[1]

Tempulli bregdetar, Mahabalipuram

Gjeografia Redakto

 
Kompleksi i tempullit bregdetar

Tempulli bregdetar është një kompleks prej tre tempujsh, një i madh dhe dy të vegjël, të vendosur në të djathtë të bregut të Coromandelit në gjirin e Bengalit në Mahabalipuram, që më parë njihej si Mamallapuram. Gjatë mbretërimit të Dinastisë Pallava ky ishte një qytet-port i mbretërisë së tyre që ata e sunduan nga Kanchipurami. U ndërtua nga ata kur ishte porti tregtar i mbretërisë Pallava.[3][4]

Historia Redakto

 
Tempulli bregdetar i Mamallapuramit

Lundruesit i dhanë emrin shtatë pagodat e Mahabalipuram Tempullit bregdetar kur ata e shikonin këtë strukturë të lartë në breg, pasi tempulli me gjasa ishte një pikë referimi për lundrimin e anijeve të tyre. Duke qenë se ai duket si një pagodë, emri u bë familjar për lundruesit.[5]

 
Gopuram në Mahabalipuram

Ky kompleks tempujsh strukturor ishte kulminimi i krijimeve arkitekturore që u nisën nga mbreti Narasimha Varma I (i njohur si Mammalla, që u bë dhe emri i qytetit Mamallapuram), në mes të shekullit të VII duke filluar me tempujt shpellor dhe rathat monolitike.[4][6] Edhe pse krijimi artistik i skalitjeve të strukturave ‘‘cut-in’’ dhe ‘‘cut-out’’ vazhdoi gjatë periudhave pasuese, siç shihet në shpellën Atiranachanda, Pidari rathat dhe shpellën e Tigrit, merita kryesore për elegancën arkitekturore të kompleksit të tempullit bregdetar në kategorinë e tempujve strukturorë i shkon mbretit Rajasimha (700–728 i e.s.), i njohur edhe si Narasimhavarmani II, i Dinastisë Pallava. Tashmë supozohet se ky kompleks tempullor ishte i fundit i një serie tempujsh që duket se ekzistonin në vijën bregdetare të zhytur; kjo mbështetet nga shfaqja e një konturi të tempujve simotra nga bregu gjatë cunamit të vitit 2004 që goditi këtë breg.[3][7] Arkitektura e Tempullit bregdetar u vazhdua nga Dinastia Chola (në tempujt që ata ndërtuan) që sunduan Tamil Nadu-në pasi mundën mbretërinë Pallava.[8]

Cunami i dhjetorit të vitit 2004 që goditi bregun e Coromandelit ekspozoi një tempull të vjetër të rrënuar ndërtuar tërësisht prej blloqesh graniti. Kjo ka rinovuar hamendësimet se Mahabalipurami ishte një pjesë shtatë pagodave të përshkruara në ditarët e evropianëve, nga të cilët gjashtë tempuj mbeten të zhytur në det. Cunami nxori në dritë edhe disa skulptura të vjetra luanësh, elefantësh dhe pallonjsh që dekoronin muret dhe tempujt gjatë periudhës Pallava në shekujt e VII dhe të VIII.[9]

 
Hyjnitë Shiva dhe Parvathi

Megjithëse cunami i 26 dhjetorit 2004 që përfshiu Oqeanin indian goditi tempullin dhe kopshtin rrethues, Tempulli brengdetar nuk u dëmtua rëndë, pasi niveli i ujit u rikthye në nivelin normal brenda pak minutash. Ai dëmtoi themelet e bali peetam-it (altari flijues) përball tempullit, shkallët që të çojnë në platformë dhe faltoren e vogël me skulpturën e Varaha-s (derri i egër) në bazamentin e tempullit bregdetar. Duke qenë se themelet e tempullit janë mbi shkëmb të fortë graniti, ai mundi ti përballonte dallgët e krijuara nga cunami; mbrojtjet e ngritura rreth zonës së tempullit në vijën bregdetare po ashtu ndihmuan në mbrojtjen e tij.[10] Sipas dy mbishkrimeve të gjetura në pllakën e tempullit të vogël të Shivës, emrat e tre tempujve të përmendur ishin Kshatriyasimha Pallaveshvara-griham, Rajasimha Pallaveshvara-griham dhe Pllikondaruliya-devar. I gjithë kompleksi i tempujve quhej Jalashayana (vendosur në ujë). Kjo konfirmon se faltorja e Vishnu-t ishte faltorja e parë e ndërtuar këtu. Mbishkrimi mbi trarin e faltores së Vishnu-s përmend edhe këtë si Narapatisimha Pallava Vishnu Griha ku Narapatisimha është titulli i Rajasimha-s.[5]

Një arkeolog ka vërejtur se: "Duke e vendosur tempullin në skajin e bregut të detit, duke e ekspozuar atë ndaj rreziqeve të shmangshme, ndërtuesit me shumë gjasa kërkonin efekte teatrore."[11]

Festivali indian i kërcimit në Mamallapuram Redakto

Mamallapuram Dance Festival mbahet çdo vit gjatë në dhjetor-janar në Mamallapuram. Ky festival kërcimi është i organizuar nga Departmenti i Turizmit të qeverisë së Tamil Nadu-së. Eksponentë të Bharatanatyamit, Kuchipudit, Kathak-ut, Odissit, Mohini Attamit dhe Kathakalit performojnë përballë këtij sfondi të mahnitshëm skulpturash shkëmbore të dinastisë Pallava. Është një festival vibrant i kërcimit ku ndjekës të shumtë shijojnë këtë festivali një-mujor.[12]

 
Vishnu në pozicion të shtrirë

Legjenda Redakto

Pasi Tempulli bregdetar u identifikua fillimisht si pjesë e shtatë pagodave të Mahabalipuramit, një legjendë e lashtë hindu supozohej në zanafillë të këtyre pagodave në terma mitologjikë. Princi Hiranyakasipu refuzoi të adhuroi zotin Vishnu, ndërsa djali i princit Prahlada, e donte dhe ishte shumë i përkushtuar ndaj Vishnu-s dhe e kritikoi mungesën e besimit të babait të tij. Hiranyakasipu e përzuri Prahlada-n, por pastaj u zbut dhe e lejoi atë të kthehej në shtëpi. Baba dhe bir shpejt filluan të debatonin rreth natyrës së Vishnu-s. Kur Prahlada pohoi se Vishnu ishte i pranishëm kudo, duke përfshirë edhe në muret e shtëpisë së tyre, i ati godit një kolonë. Vishnu doli nga kolona në formën e një njeriu me kokë luani dhe e vrau Hiranyakasipu-n. Prahlada, menjëherë pas kësaj, u bë mbret dhe e quajti një nga djemtë Mahabali (ose Bali). Bali themeloi Mahabalipuramin në këtë sit.

Mitet përmendin po ashtu se zotat ishin ziliqarë për elegancën arkitekturore të monumenteve të Mahablipuramit dhe si rezultat ata shkaktuan përmbytje, që mbuluan pjesën më të madhe të qytetit, përveç pak strukturave që shihen sot.[9]

Arkitektura Redakto

 
Shenjtërore në miniaturë

Planimetria Redakto

Të tre tempujt në kompleksin bregdetar janë ndërtuar në të njëjtën platformë. Të parë nga skaji verior, tempujt duken si kopje e Dharmaraja Rathas.[5] Tempulli kryesor, që është i drejtuar nga lindja në mënyrë që rrezet e diellit të shkëlqejnë te Shiva Linga në shenjtërore, është një tempull strukturor hindu me pesë kate në vend që të jetë tempull i skalitur në shkëmb siç janë monumentet e tjera në sit. I ndërtuar me shkëmbinj të skalitur graniti të bartur nga një gurore e afërt, ai është tempulli më i hershëm strukturor në Indinë e jugut. Struktura e tij piramidale është 18 metra i lartë dhe i vendosur mbi një platformë 15 metra2. Ndodhet një tempull i vogël përballë të cilit ishte veranda zanafillore.[13][14] Është i ndërtuar me granit vendor që është skalitur mjeshtërisht.[15] Tempulli bregdetar është edhe një nga tempujt më popullorë. Gërmime së fundmi kanë zbuluar struktura të reja nën rërë.[14][16]

Tempulli është një kombinim i tre faltoreve. Kryesorja i është kushtuar Shivas ashtu si faltorja e dytë më e vogël. Një faltore e tretë e vogël, midis dy të tjerave, i është kushtuar një Vishnu të shtrirë dhe mund të ketë pasur ujë të kanalizuar në tempull, që hynte në faltoren e Vishnu-t. Dy faltoret e Shivës kanë konfigurim drejtkëndor. Hyrja bëhet përmes një kupole transversale në formë voze gopuram. Dy shikharat kanë një projekt piramidal, secila e projektuar individualisht është e dallueshme me strehët e dala që projektojnë hije të errëta.[1] Muri i jashtëm i faltores së Vishnu-t dhe krahu i brendshëm i murit kufitar janë gjerësisht të skalitura me skulpturat e mëdha të Nandit.[13][17] Muret e jashtme të tempullit janë të ndarë nga gjysëm-kolonat në gjire, pjesa e poshtme e skalitur në një seri luanësh.[18]

 
Skulpturë guri

Veçoritë Redakto

Tempulli ka një garbhagriha (sanctum sanctorum) në të cilin është vendosur hyjnia Sivalinga, dhe një mandapa e vogël e rrethuar nga një mur i rënd i jashtëm me pak hapësirë midis për cirkumambulatorin (Parikrama). Mbrapa janë dy faltore të drejtuara në drejtime të kundërta. Faltorja e brendshme kushtuar Ksatriyasimnesvara-s arrihet nëpërmjet një kalimi ndërsa tjetra, kushtuar Vishnu-t, e drejtuar së jashtmi. Durga është ulur mbi luanin e saj vahana. Një faltore e vogël mund të ketë qenë në zgavrën e kraharorit të luanit.[14] Tempujt bregdetar të konfiguruar me dy faltoret e Shivës me atë të Vishnu-t në mes ilustron një përpjekje për të balancuar kërkesat e ndryshme fetare.[1] Çatitë e tempujve kanë zbukurim të ngjashëm me Pancha Rathat. Ato kanë majuce në majë, treguese të natyrës së saj funksionale fetare, pasi qe një tempull i përfunduar. Forma tetëkëndore e shikara-ve të dy tempujve kushtuar Shivas janë në stilin arkitekturor dravidian.[5] Poshtë kullave, muret e faltores janë kryesisht të zbrazët, pa ndonjë dekorim, por kolonat janë skalitur mbi baza ku janë vendosur luanë.[19] Dekorimet në faqet e jashtme të këtyre faltoreve janë të ngjashme me ato të Pancha Rathave, megjithëse për shkak të afërsisë me detin, janë pjesërisht të dëmtuara nga erozioni i erërave të kripura.[17]

Veçoria më karakteristike e tempullit është paneli i Dharalinga-s dhe Somaskanda-s, që janë të vendosura në muret e brendshme të shenjtërores së tempullit të drejtuar nga lindja Kshatriyasimhesvara. Dharalinga është vendosur te garbhagriha, që është një formë katrore prej 3.7 metrash dhe e lartë 3.4. Dharalinga ose Shivalinga është në stilin Rajasimha, të skalitura në shkëmb të zi bazalti. Ka gjashtëmbëdhjetë fytyra me hulli të lehta për të krijuar një kurorë në krye. Porcioni i sipërm i linga-s është i dëmtuar. Lartësia e saj tërësore është 1.8 m me një këmbë të futur në themele për të siguruar qëndrueshmëri.[5] Në tempull gjendet një baso-reliev që paraqet një imazh familjar të Shivës dhe bashkëshortes së tij Parvati me fëmijën e tyre Kartikeya, krijuar në një pllakë guri, që është quajtur edhe paneli Somaskanada. Në verandën e hyrjes së tempullit shihen edhe dy panele të tjera të ngjashme. Ky tip paneli është paraqitur po ashtu në Dharmaraja Ratha-n e afërt të periudhës së Paramesvarvarmanit.[5][20][21] Ardhamantapa ose gjysëm-dhoma që është dhoma e parë para se të hyet në sanctum sanctorum, ka skulpturat e Brahmas në murin jugor dhe Vishnu-n në murin e saj verior. Në pjesën e mbrapme të murit verior të faltores kryesore shihen skulpturat e Shivës si Tripurantaka dhe Durgës. Në tempull gjendet edhe një kalim rrethor për të ecur në drejtimin orar përreth faltores kryesore.[5]

Tempulli më i vogël i Shivës mbrapa tempullit kryesor është një strukturë dy-katëshe me një kullë piramidale të shkallëzuar me një shikhara tetëkëndore të ndërtuar mbi një griva rrethore. Një kalasa dhe majuc janë vendosur sipër shikhara-s. Kuduse (projeksione në formë paktoi) dhe faltore të vogla janë pjesë e kornizës në të dy nivelet e strukturës. Një panel Somaskanda dekoron murin e mbrapëm të faltores së brendshme. Përballë kësaj faltoreje nuk ka mantapa (me gjasa i dëmtuar). Muret e jashtme paraqesin dy panele. Njëri quhet Ekapada-murti, një formë e Shivës me Brahmën dhe Vishnu-n duke dalë nga anët e tij. Paneli i dytë është ai i Nagaraja-s (mbreti i gjarprinjve) duke qëndruar poshtë një gjarpëri me pesë koka.[5]

Anantashayi Vishnu (pozicioni i shtrirë i Vishnu-s duke qëndruar mbi gjarprin Ananta) është i vendosur në një faltore të vogël drejtëkëndore midis tempullit të madh Kshatriyasimhesvara dhe tempullit Rajasimha Pallaveshvara. Vishnu është portretizuar me katër krahë, por atributet e tij mungojnë (të dëmtuara). Struktura e kullës drejtëkëndore të tempullit mungon. Dizajni tipik i kudus dhe faltores së vogël katrore janë pjesë e vendosjes së kornizës. Muret e jashtme kanë skalitje të Krishna-s duke vrarë demonin Kesi, Krishna-n duke kërcyer mbi Kaliya (gjarpri me shtatë koka) dhe Vishnu i ulur mbi mjetin e tij Garuda në aktin e shpëtimit të Ganjendra moksha-s (elefantit) nga goja e një krokodili. Mbishkrimi në shkrimin Grantha Pallava që është mbi tra e tregon atë si faltoren më të hershme të kompleksit.[5] I gjithë muri i përbërë që rrethon tempujt është skalitur me skulpturat e mëdha të Nandit, demi transportues i Shivës,[17] dhe po ashtu me Yali dhe Varaha (derra).[10]

Monoliti i luanit Redakto

Brenda murit të përbërë të kompleksit të tempujve është ngritur skulptura monolitike e një luani pjesërisht të skalitur me një zgavër në kraharorin e tij. Në shpinën e luanit është paraqitur një imazh në miniaturë i Durgës, që është portretizuar si Mahishasurmardini. Goja e hapur e luanit thuhet se përfaqëson rolin e tij se mjeti i parapëlqyer i transportit të Durgës. Një gardiane femër me një hark është skalitur po ashtu në këmbët e luanit.[5]

Faltorja në miniaturë Redakto

 
Faltore në miniaturë në kompleksin e tempujve bregdetar

Në vitin 1990, Archaeological Survey of India (ASI) zbuloi një faltore në miniaturë me imazhin e Bhuvaraha-s në një rrethim si pus. Kjo daton nga periudha e mbretërimit të mbretit Pallava Narasimhavarman Mamalla (638–660 i e.s.). Është i rrethuar me një pus eliptik të ndërtuar gjatë periudhës së Rajasimha-s (700–728 i e.s.). Janë skalitur në shtratin shkëmbor që ka po ashtu dhe figurën e shtrirë të Vishnu-s në kompleksin e tempujve bregdetar.[22] Faltorja në miniaturë i është kushtuar po ashtu Shivës. Ka një bazë me gjashtëmbëdhjetë faqe që është skalitur nga shtrati shkëmbor. Muri rrethor dhe struktura janë të tipit strukturor. Gjysëm-kolonat kanë të portretizuar luanë. Është konsideruar si një tempull i veçuar unik dhe i pa parë në tempujt e tjerë të periudhës Pallava. Shikhara e tij rrethore i përket stilit vesara të arkitekturës. Shikhara është e ngritur mbi një griva rrethore, që ka kudus dhe maha-nasika në katër faqet e saj dhe çdo nasika ka një imazh të Ganeshas, ndërsa kalasa sipër shikharës mungon.[5] Skalitja e Bhuvaraha-s paraqet Vishnu-n të mishëruar si derr i egër. Ky imazh është një formë e pazakontë, ndryshe nga portretizimet e tjera të Varaha-s në rajone të tjera të vendit, nuk duket as Bhudevi as oqeani. Relievi ështënë formën e Varaha-s duke u zhytur në oqean për të shpëtuar Bhudevi-n ose nënën tokë. Simbolizmi i këtij akti vë në dukje mitin vetëm kur tempulli zhytet në ujë, pasi është poshtë nivelit të terrenit.[5] Skulptura shihet e thyer dhe baza ka një mbishkrim që paraqet titujt e mbretit Pallava Rajasimha. Muri që rrethon faltoren për parandaluar hyrjen e rërës nga deti ka gjithashtu mbishkrime në shtresën më të lartë, në shkrimin Pallava-Grantha, që e krahason mbretin me Arjuna-n.[5][22]

Konservimi Redakto

ASI ka ndërtuar mure valë-thyese përreth gjithë zonës brengdetare për të shpëtuar tempullin nga dëmtime të mëtejshme.[5] Strukturat e tempujve, të prekura nga stuhitë dhe erërat detare me përmbajtje kripe po mbrohen nga Archaeological Survey of India duke ndërtuar dallgëpritëse mbrojtëse, trajtuar me letër muri të butë dhe duke mbjellë pemë casurina përgjatë vijës së prekur bregdetare. Masa e butë përthith ujin e kripur dhe për më tepër trajtimi kimik i është bërë monumenteve për të ndalur dëmtimin. Ky lloj trajtimi është konsideruar gjithashtu si i përshtatshëm për të larguar ujin e depozituar brenda shkëmbit në mënyrë që të lejoi gurin të marr frymë dhe ta ruaj fortësinë e tij. Zona rreth tempujve bregdetar ka qenë e zbukuruar nëpërmjet degës së hortikulturës së ASI-t duke krijuar një lëndinë të gjelbër 11 akre (4.4 hektarë) rreth tempujve bregdetar. Pjesë e programit rehabilitues së zonës planifikuar nga Asi ishte dhe fiksimi i sinjalistikës me informacione mbi monumentet dhe duke krijuar kroje.[11]