Ungjilli (nga greqishtja ευαγγελιον evangelion - lajm i mirë, arabisht: إنجيل Inxhil) është në krishterim shpallja e lajmit të mirë të ardhjes së mbretërisë së Perëndisë nga Jezusi, të dashurisë, dhe të veprimtarisë shpëtuese të tij si edhe përmbledhja e katër librave të Besëlidhjes së Re të apostujve të Krishtit, Mateut, Markut, Lukës dhe Gjonit. Në të gjendet vepra, mësimet, dhe shumë informacione mbi Jezusin.

Shprehja "ungjill" u përdor nga Shën Pali, ndoshta përpara mbruajtjes dhe shkrimit të ungjijve kanonikë të Besëlidhjes së Re. Ai u kujton njerëzve besimtarë në Korint "për ungjillin që ua parathashë unë", nëpërmjet të cilit Pali pohoi, se ata do të shëlboheshin, duke theksuar shfaqjen e Krishtit pas Ringjalljes.

«...sepse Krishti vdiq për mëkatet tona sipas shkrimeve; Dhe se ai u varros; dhe se ai u ngrit përsëri ditën e tretë sipas shkrimit; Dhe se ai iu shfaq Kefas; pastaj të Dymbëdhjetë (apostujve): Pas kësaj, ai iu shfaq pesëqind vëllezërve njëherazi: një pjesë e madhe e tyre e mori këtë dhuratë, por disa kanë rënë në gjumë. Pas kësaj ai iu shfaq Jakovit, pastaj të gjithë apostujve. Të fundit, ai mu shfaq edhe mua, si një i lindur përtej kohës së tij

Përdorimi më i hershëm i ruajtur i fjalës "ungjill" (apo barasvlerësi evangelion) për të shënuar një lloj të veçantë shkrimesh daton në qindvjeçarin e dytë. Shën Justini (rr. 155) në apologjinë 1, 66 të tij shkruan: "... apostujt, në kujtimet e mbledhura prej tyre, të cilat quhen ungjij".

Pikëpamja islame Redakto

Përse Myslimanët nuk besojnë se kundërthëniet në Ungjij janë prej Zotit 1. Kriteri i moskundërthënies si cilësi e mesazhit hyjnor Kundërthëniet janë një tregues se ungjijtë në versionin e tyre zyrtar janë libra jo të një autori të vetëm (Zotit) por të disa autorëve të shumtë greqishtfolës, ndonjëherë me informacione dhe ide të kundërta me njëra tjetrën. Nëse autori i 4 ungjijve do të ishte vetëm një (Zoti), në faqet e këtyre librave nuk do të gjendeshin kundërthënie të rëndësishme. Kundërthënie të rëndësishme, janë ato të cilat ulin ndjeshëm apo rrafshojnë plotësisht besueshmërinë e të dërguarit të Zotit, dhe si rrjedhim vetë Zotit. Kundërthëniet pak të rëndësishme nuk janë fokusi kryesor i këtij artikulli. Për shembull, kundërthënia mes gjenealogjive (breznive) së Jezusit, në ungjijtë e Llukës (3:23-38) dhe Mateut (1:1-17), të cilat janë të papajtueshme, nuk janë në thelb të rëndësishme për besueshmërinë e Jezusit si profet pasi nuk janë fjalë të cilat autori pretendon se i ka thënë Jezusi. Në këtë rast mund të kemi të bëjmë me burime informacioni (gojëdhëna ose dokumenta) të ndryshme në lidhje me (në fakt jo vetë Jezusin, por) babain (adoptues), Jozefin, të cilat në vetvete nuk përmbajnë mesazhe me vlera morale apo rregulla mbi të cilat të ndërtohet një jetë e ndershme dhe marrëdhënie e shëndetshme familjare e shoqërore. Edhe pse kundërthënia tregon se këto gjenealogji autorëve nuk ua ka frymëzuar të dyve njëkohësisht Zoti, përsëri ato nuk cënojnë karakterin apo besueshmërinë e Jezusit si i dërguar i Zotit dhe përfaqësues i Tij tek bijtë e Izraelit në provincën romake të Palestinës. Një tjetër shembull i një kundërthënieje jo fort të rëndësishme, është ai i hyrjes së Jezusit në Jeruzalem. Sipas Markut (11:1-7) dhe Llukës (19:28-35), Jezusi hyn në qytet hipur mbi një kërriç. Sipas Mateut (21:1-7), Jezusi hyn në qytet hipur mbi një gomaricë dhe një kërriç, pra njëkohësisht mbi dy kafshë. Me shumë gjasa versioni i parë, ai i hipjes mbi një kërriç është i saktë pasi është më i arsyeshëm (dhe më dinjitoz), ndërsa versioni i dytë i Mateut edhe pse i realizueshëm nga njerëz me aftësi akrobatike të mira, më tepër duket si një keqkuptim apo ekzagjerim (spektakolar) nga ana e autorit. 2. Kundërthëniet serioze në ungjij Le të vijmë tek kundërthëniet e rëndësishme në ungjij, ato që në thelb cënojnë besueshmërinë dhe respektin që Jezusi meriton plotësisht, sipas myslimanëve. Në disa ungjij Jezusi paraqitet si person që kundërshton parimet që predikon, apo si nxitës i emocioneve ekstreme, të pakuptimta e të pajustifikueshme. Kjo është e pamundur për një profet. Sipas teologjisë islame, një profet urdhërohet nga Zoti të thotë gjithnjë të vërtetën dhe të drejtën, e cila u sjell dobi njerëzve, dhe ti zbatojë vetë i pari në çdo rast rregullat që u mëson njerëzve. 2.1. Zemërimi dhe ofendimi Kundërthënia e parë serioze, e rëndësishme për besueshmërinë dhe integritetin moral të çdo predikuesi, ka të bëjë me përputhjen e predikimit publik me sjelljen personale të tij. Në fillim të karrierës së tij të shkurtër profetike, në predikimin e mirënjohur në mal (Mateu 5:22), Jezusi kërcënon se kush zemërohet me dikë dhe e ofendon duke e quajtur budalla, meriton të gjykohet si mëkatar dhe të dënohet në ferr. Në fund të karrierës së tij profetike, sipas po Mateut (23:17) ai zemërohet me disa izraelitë hipokritë dhe i ofendon duke i quajtur budallenj. Sado hipokritë të kenë qenë këta vëllezërit e tij izraelitë, ai duhet të jepte shembull për ndjekësit e tij, duhet të mos zemërohej me ta e mos ti ofendonte. Nëse ai veproi në kundërshtim me predikimin e tij të mëhershëm, sipas Mateut, ai u bë paradoksalisht jo vetëm hipokrit, por dhe mëkatar që meritonte të gjykohej e dënohej në ferr. Kjo është e papranueshme për teologjinë islame, sipas së cilës profetët janë shembujt më të përkryer të respektimit të parimeve e rregullave hyjnore. Për këtë arsye, kjo kundërthënie mes predikimit të Jezusit dhe sjelljes (së pandehur) të tij nuk mund të konsiderohet si frymëzim hyjnor, por si një gabim njerëzor i përfshirë në ungjillin e Mateut. 2.2. Dashuria dhe urrejtja Në një tjetër predikim të rëndësishëm, i mirënjohur si ai në fushë, jo në mal (Llukës 6:27-36), Jezusi urdhëron ndjekësit e tij me diçka të padëgjuar më parë, në dukje tepër radikale dhe tejet e vështirë për tu zbatuar, obligimin për të dashur hasmin, atë që vjedh e të poshtëron, atë që të mashtron e të nëpërkëmb. Kleri i krishterë e trumbeton këtë mësim si thelbin e krishtërimit, pavarësisht se gjatë historisë 2 mijë vjeçare të Kishës, shumë klerikë kanë autorizuar dhe justifikuar inkuizicione, luftëra e genocid të përgjakshëm kundër vëllezërve të tyre të krishterë "heretikë", por edhe ndaj "kushërinjve" armiq hebrenj apo myslimanë. Ky urdhër është tepër ekstrem për myslimanët, të cilët janë të urdhëruar të jenë falës dhe të bëjnë durim ndaj fyerjeve dhe kundërshtive...por deri në një farë caku përtej të cilit lind obligimi për vetëmbrojtje dhe vënie të drejtësisë në vend. Poshtërimi, nëpërkëmbja, zullumi nuk mund të bëhen sehir apo tolerohen përjetësisht. Përkundrazi, indiferenca ose pranimi i tyre absolut janë mëkat i rëndë, siç është dhe mosveprimi me forcën që të ka falur Zoti ose të paktën duke folur kundër tyre, kur ekziston mundësia reale për të ndalur të keqen apo për ta pakësuar atë. Me gjasa, këtu kemi të bëjmë me një keqkuptim të mundshëm, apo gabim si pasojë e procesit të përkthimit të gjuhës aramaike të Jezusit në atë greke të ungjijve. Sikur ky predikim (i pandehur) i Jezusit për dashurinë totale me detyrim të armikut të mos mjaftonte, si një rrufe në qiellin pa re, në të njëjtin ungjill (Llukës 14:26), vjen një tjetër deklaratë më radikale. Nëse dikush do të jetë vërtetë një ndjekës i Jezusit, duhet patjetër të urrejë babanë dhe nënën, gruan dhe fëmijët, madje dhe jetën e vet. Si është e mundur? Dashuro me pahir deri në absurd hasmin maskara, dhe urrej ndërkohë, babanë e nënën që të kanë bërë kokën e rritur me sakrifica, gruan e fëmijët e pafajshëm që natyrshëm çdo prind i do më shumë se veten? Për ç'arsye vallë? Vallë nuk bëhesh dot ndjekës i Jezusit pa urryer familjarët e tu? Apo kështu na ka urdhëruar Zoti dhe nuk diskutohet? Për myslimanët, nuk ka asnjë mundësi që këto kundërthënie të jenë predikimet origjinale të Jezusit, aq më tepër urdhërat e Zotit për njerëzit besimtarë. Për më tepër, kjo bie ndesh me urdhërin hyjnor për ti dashur e nderuar prindërit (pjesë e 10 urdhërimeve të mirënjohura), dhe për neglizhencën e këtij urdhëri vetë Jezusi tjetërkund kishe kritikuar më herët disa izraelitë hipokritë të cilët i bënin bisht duke përdorur si justifikim përkushtimin "fetar" (Mateut 15:3-6). Me shumë gjasa bëhet fjalë përsëri për keqkuptime e keqpërkthime njerëzore të cilat nuk mund të pranohen symbyllurazi (e mendjembyllurazi) si frymëzim hyjnor. 2.3. Paqja dhe lufta Jezusi, ndryshe nga profetë të mëhershëm si Abrahami, Moisiu, Davidi dhe Elija të cilët kanë qenë të detyruar të përdorin forcën dhe shpatën, njihet si një nga profetët më paqësorë në Bibël. Në fakt, ai lëvdonte njerëzit paqësorë (Mateut 5:9) dhe i mësonte ndjekësit e tij që kudo që shkonin të përshëndesnin njerëzit me paqe (Llukës 10:5) (ngjashëm me përshëndetjen e myslimanëve "selam alejkum"). Por në të njëjtët ungjij (Mateut 10:34-36; Llukës 12:49,51-53), na sillet një thënie e çuditshme e Jezusit e cila përmbys plotësisht imazhin e Jezusit si njeri paqedashës, duke e portretizuar atë si një sherrndjellës i cili ka si mision personal shpatën, zjarrin, përçarjen dhe konfliktin, përfshirë madje dhe luftën mes nuseve e vjehrrave. E pabesueshme. Myslimanët nuk mund të besojnë që Jezusi kishte si dëshirë apo mision ndezjen e një lufte civile apo sherrin në familje. As të krishterët nuk e besojnë këtë gjë, vetëm se u mungon guximi të shprehin haptas qëndrimin e tyre kritik në lidhje me këtë kundërthënie kaq serioze. 3. Përfundim Myslimanët besojnë në Jezusin dhe e duan e respektojnë si të dërguar të Zotit, si shembull të ndershmërisë, mëshirës dhe përkushtimit ndaj Zotit. Ata besojnë se mesazhi i tij, ungjilli i predikuar prej tij, ishte jo nga mendja e tij por frymëzim hyjnor. Por fatkeqësisht, mesazhi origjinal aramaik nuk gjendet më i plotë në ungjijtë zyrtarë, të cilët përveç disa fragmenteve që mund ti atribuohen Jezusit (edhe pse të përkthyera në greqisht) kanë në ta material me pasaktësi dhe kundërthënie të cilat duhen shqyrtuar në mënyrë të ndershme intelektuale, jo për të ofenduar e mërzitur vëllezërit tanë shqiptarë të krishterë (e as për ti bërë ateistë), por për të mbrojtur nderin e profetëve dhe për të mos lejuar që besueshmëria e tyre të cënohet, sidomos nga njerëz të pafe që i kanë shpallur luftë besimit në Zot.

Ungjijtë kanonikë Redakto

Lidhje të jashtme Redakto

  • Shkrimet - një platformë për leximin dhe studimin e Biblës shqip