Sipas dokumenteve historike të kohës, në Gadishullin e Ballkanit u vranë qindra ushtarë të forcave franceze, të cilët padyshim mbronin dhe luftonin për interesat e shtetit të tyre... Jo pak prej tyre, sipas arkivave të kohës, u vranë dhe në Korçë. Qeveria franceze tregonte një kujdes shumë të madh për dëshmorët e saj edhe pse ishte luftë. Ajo vendosi t’i gruponte në një vend dhe kur lufta të përfundonte t’i tërhiqte drejt vendit të saj. Duke pasur marrëdhënie bashkëpunimi me parinë e Korçës dhe drejtuesit e lëvizjes patriotike të kohës, komanda ushtarake franceze mendoi që të krijonte varrezën e ushtarëve të vrarë në Korçë. Këshilli krahinor, që në atë kohë administronte Krahinën Autonome të Korçës, sipas dokumenteve që ruhen në muzeun e Korçës, dhuroi truallin ku do të ndërtohej varreza e ushtarëve francezë të rënë në Luftën e Parë Botërore. Ky truall ndodhej në veri të qytetit. Gjatë viteve të luftës në vazhdim, francezët sollën për prehje të përjetëshme në varrezat në periferi të Korçës të gjithë ushtarët e tyre të rënë në Gadishullin Ballkanik. Numri i tyre arriti në 640 vetë. Nuk ishin të gjithë me kombësi franceze, mbasi Franca mobilizoi gjatë viteve të kësaj lufte ushtarë edhe nga vendet që ishin koloni të saj. Për rrjedhojë, në këto varreza ka ushtarë me kombësi franceze, italiane, marokiene, algjeriane, koreane e deri edhe vietnameze etj...