Wikipedia:Faqja kryesore/Artikulli i javës/2017/43
Avni Rustemi (Libohovë, 22 shtator 1895 - Tiranë, 23 prill 1924) ishte mësues, publicist, atentator dhe deputet shqiptar. Themelues dhe drejtues i shoqatës "Bashkimi" dhe anëtar i opozitës demokratike para Lëvizjes së qershorit. Mban titullin "Hero i Popullit".
Lindi 22 shtator 1895 në qytetin e Libohovës, në një familje ku i ati ishte qehaja i familjes së Arsllan-Pashalinjve, oxhakut të Libohovës. Mësimet fillore i mori në vendlindje dhe 12 vjeç e dërgojnë në Janinë për studime dhe pas 3-4 vjetësh, në Stamboll.
Më 1912 kishte bërë një vit në një kolegj pedagogjik të Gjenevës, ku kishte mësuar frëngjishten. Dy vjet më vonë, në kohën e Vidit, kishte luftuar kundër epirotëve në jug të vendit. Më 1915 ishte kthyer në Janinë për të studiuar në një shkollë izraelite dhe për mos ta harruar frëngjishten. Më 1917 u emërua mësues në Tepelenë. Në 1919 kishte hyrë student në kolegjin e Shën Mitër Korones, Itali.
Më 13 qershor 1920 vrau me atentat në Paris Esad Toptanin. I nderuari Anatole de Monzie', avokati i Avni Rustemit pas ndalimit, e cilësoi aktin si "krim pasional me nxitje të një populli të tërë". Libohoviti u lirua pas gjashtë muajsh para-burgim.