Xhelal Bajram Hajda (19.7.1967-6.11.1998), i njohur si "Kolonel Toni" si "Komandant Toni" e si "Toni" është i lindur më 19 korrik të vitit 1967. Ishte "sugar" (fëmijë i vogël) i nënë-Xhylës e cila kishte gjashtë fëmijë, pesë djemë dhe vetëm një vajzë.

Selajdin Mullabazi-Mici (në të majtë) dhe Xhelal Hajda-Toni (në të djathtë).

Edhe Hajdët e Rahavecit, por edhe dajallarët, Hotët e Krushës së Madhe, ishin të njohur për pjesëmarrjen e tyre aktive në të gjitha format e rezistencës që organizohej kundër pushtuesit serb. Ata, kishin rënë në altarin e lirisë pa u mbetur gjurmë as varr e as nishan. I ati, Bajram Hajda, ishte i biri i Sinanit të Xhelës nga zjarri i Halitit të njohur si Halit Hajda e Halit Aga.

Edhe Sinan Hajda ishte vrarë e zhdukur nga dora serbe, si pengesë për ndërtimin e ardhmërisë së Kosovës serbe e jugosllave.

Kështu Bajrami, herët mbeti pa të atin duke bartur mbi kurrizin e vet fëmijëror varfërinë, nga njëra anë, dhe të kaluaren e hidhur e të padëshirueshme për pushtetin e kohës, i cili për t'i thyer Hajdët moralisht, i denoncon herë pas herë, sipas etiketimeve që bëheshin dhe grackave që ua montonte pushteti serb.

Që t'u shmanget këtyre grackave, Bajram Hajda, i lodhur ekonomikisht me konfiskime e moralisht me denoncime të ndryshme, detyrohet që disa herë të ndërrojë lagjet, derisa largohet në fund të Rahavecit, në një fushë bri aksit rrugor Rahavec-Xërxë.

Jeta dhe veprimtaria e tij Redakto

Në këtë "Lagje të Re" lindi edhe Xhelali, prandaj këtu "larg rrëmujës e rrëmetit" edhe kaloi një fëmijëri të rehatshme, duke dëgjuar rrëfimet e të et për vuajtjet e familjes Hajda. për vuajtjet e rahavecasve dhe këngët për trimëritë e të parëve të familjes Hajda e Mullabazi.

Kështu, duke dëgjuar për të kaluaren heroike, duke u kujdesur që t'i ndihmonte të et dhe vëllezërve në punët bujqësore, Xhelal Hajda mbaron shkollën fillore në Rahavec, duke udhëtuar nga 12–15 km. në ditë. Në këtë qytet fillon t'i ndjekë mësimet në gjimnazin, që sot mban emrin e tij, por me që më 1983 i vdes i ati, Xhelali braktis mësimet në gjimnaz dhe si fëmijë përplaset me valët e Oqeanit të Mërgimit, duke i kaluar vitet më të bukura të rinisë larg vendlindjes, në fillim nëpër Kroaci e Slloveni, e më vonë në Zvicër, Gjermani e Itali. Shkollën e mesme e mbaroi në Rijekë të Kroacisë, kurse për të punuar, i bie kryq e tërthor Likës e Kordunit me vendqëndrime në Gospiq, Shibenik, Split e në Rijekë.

Si i ri dhe tejet dinamik, përherë mbetet kundërshtar i ligjeve jugosllave, prandaj edhe shpesh arrestohet dhe pas "vlerësimit të të gjitha rrethanave", i shqiptohet dënimi me burg në kohëzgjatje prej 5 vjetësh: afat ky të cilin Xhelali e kalon nëpër kazamatet jugosllave të Goli Otokut, të Lepogllavës, të Splitit e të Shibenikut.

Në Burgun e Lepogllavës u njoftua me Adem Demaçin për të cilin kishte respekt të veçantë. Pas vuajtjes pesëvjeçare të dënimit vendoset në Gospiq të Likës dhe këtu e gjeti lufta e popullit kroat kundër hordhive serbe, të cilat nën udhëheqjen e kapetan Draganit dhe të komandant Arkanit, sipas projekteve të Milan Martiqit bënë masakra në Kroaci.

Në këto beteja kroate, Xhelal Hajda me emrin Xhevat Hajda, tashmë është me Fehmi e Xhevë Lladrofcin, me Bekim Berishën-Abenë, me Gëzim Hamzën-Piktorin, me Safet Abdullahun me Naim Malokun e Agim Çekun, ndërsa vazhdon të bashkëveprojë me Ton Markun, por edhe me shumë luftëtarë të tjerë që luftuan për lirinë e popullit kroat e boshnjak.

Mori pjesë së bashku me Gëzim Hamzën dhe Safet Abdullahun në ofensivat "Bljesak" dhe "Oluja", me ç'rast u shpërblye me "Dekoratën Oluja".

Lufta në Kosovë Redakto

Pas ndezjes së rezistencës së armatosur, pas "Flakës së Prekazit", më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, Xhelal Hajda vendos t'i përgjigjet Kosovës dhe Prekazit legjendar.

Braktis Kroacinë dhe Gospiqin e Likës, u bashkohet shokëve të luftës kroate dhe luftëtarëve të tjerë që vinin nga mërgata dhe kështu të gjithë për një, marrin rrugën për në Shqipëri.

Në aeroportin e Rinasit takohet me Naim Malokun, i cili duke i njohur raportet e Xhelal Hajdës me Ton Markun si dhe rekomandimin e këtij të fundit, e ripagëzoi me nofkën "Toni" dhe e udhëzoi që me grupin e parë, i cili do të futej në Kosovë, të depërtojë edhe Xhelal Hajda.

Pasi që grupi për nisje ishte i përgatitur (Mehedini e Naser Morina prej Gllarevës, Bedri Shala, Maliq Ndreca, Ajet Potera e shumë shokë) rrugëtohet për në Has, në mënyrë që të pajisen me armatim. Kështu, Xhelal Hajda njoftohet edhe me Xheladin Gashin-Plaku, e me vonë edhe me Haki Drenicën.

Vlahna dhe Cahani bëhen edhe dy çerdhe të rëndësishme të logjistikës, prandaj nisja duhej të ishte urgjente, sepse çdo vonesë për Tonin dhe grupin, bëhet e pakuptim, e paqartë dhe zbehëse për aspiratat që kishin.

Të gjithë dëshironin që sa më shpejt të futeshin në Kosovë, pasi që kishin bërë studime të hollësishme e të rëndësishme të terrenit përreth kufirit, sidomos pasi i kishte njohur mire fshatrat: Zogaj, Helshan, Golaj, Kalimash, Shënmëri, Shikaj, Gjinaj, Tregtan e Krumën si qendër për Vlahën e Cahan, si arterie për komunikime të mëtejshme krahas korridorit Bajram Curr-Rrasë e Zogut-Gllogjan.

Hyrja në Kosovë ishte imperativ pasi që sorrollatjet nëpër Shqipëri, në emër të përgatitjeve dhe të stërvitjeve të gjata e pengonin këtë dragua, këtë "djalosh të lindur me këmishë", prandaj Toni braktisi Shqipërinë, theu Pashtrikun Plak dhe arriti në Gllogjanin e Haradinajve, në mënyrë që të sistemohet në Shqiponjën e Agim Zenelit dhe kështu të fillojë karriera luftarake e Xhelal Hajdës në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Ditët e para të pranverës së vitit 1998, për Rrafshin e Dukagjinit, në përgjithësi, për Gllogjanin e Shqiponjën, në veçanti, e së andejmi edhe për Kullën legjendare të Haradinajve, pas Luanit të mbetur në Qafë-Mullar, janë të vështira, ngase tashmë ishte hartuar plani që të përsëritet Prekazi, të rrënohet Kulla e Qëndresës e të plandosen përdhe: Ramushi, Dauti, Shkelzeni e Enveri, të gjithë të fokusuar përherë nga pushteti serb.

Xhelal Hajda arrin në Rrafshin e Dukagjinit, pikërisht në momentin e fillimit të thyerjes së mitit serb mbi pathyeshmërinë e ushtrisë jugosllave dhe të forcave policore serbe me strukturat paramilitare sekrete të sigurimit publik, së bashku me qytetarët e armatosur serbë, ose në ditët e "Ngjalljes Shqiptare" pas decenies amullore të pacifizmit, dhe gjendet në krye të shokëve e në ballë të luftës në Zonën Operative të Rrafshit të Dukagjinit, në qendrat Gllogjan e Shqiponjë (ish-Jabllanicë), gjendet me Haradinajt, me Maliq Ndrecën, me Fadil Nimanin (Tigrin) e me Alush Agushin.

Në pikat më të nxehta luftarake, Toni harton strategjinë e bazuar në konceptet empirike të taktikës për operacionet në fshatrat e Rrafshit të Dukagjinit, me pikat përreth, në mënyrë që luftëtarët e lirisë të përballen me fuqinë më të madhe ushtarake të Ballkanit, e cila tërë mllefin për humbjet në linjat frontale do ta zbrazte mbi popullatën e pafajshme civile, taktikë kjo të cilën Toni e njihte nga masakrat serbe nëpër fshatrat e Likës, derisa ishte në luftërat e Kroacisë.

Dhe nuk u thye shpirtërisht as kur më 24 mars 1998, ra heroikisht bashkëluftëtari Himë Haradinaj i Gllogjanit, por as kur dëgjonte për fërkimet eventuale e për defetizmin e dështakëve. Komandanti Ramush Haradinaj, me të hetuar aftësitë strategjike që kishte Toni, e angazhoi në vendin e Shefit të Operativës dhe kështu Xhelal Hajda është i pranishëm në Shqiponjë e në Gllogjan.

Gjatë rrugëtimeve të shpeshta për në Shqipëri, përfitonte nga përvoja dhe njohuritë që kishin ekspertët e armatës shqiptare, prandaj më 20 prill të vitit 1998, e fillon luftën e parë frontale, së bashku me Fadil Nimanin-Tigrin e Dushkajës dhe sulmojnë së bashku armatën jugosllave në Digën e Liqenit të Radoniqit, ku u luftua katër ditë në mënyrë të pandërprerë.

Beteja më e lavdishme e këtyre ditëve mbetet Beteja në Sukën e Cërmjanit. Në fundin e prillit, Xhelal Hajda nëpërmjet Shqiponjës, Alush Agushit dhe Rexhep Selimit realizon kontaktet e para me Selajdin Mullabazin, që vepronte në Açarevë e Likoc.

Të dytë, së bashku, me ndihmën e Rexhep Selimit e të Sokol Bashotës, tentojnë që t'i afrohen Rahavecit. Kështu, në javën e parë të majit të vitit 1998, ata shkojnë në Drenoc të Anadrinit dhe kështu definitivisht i afrohen Rahavecit, njëri duke zbritur nga Prekazi legjendar nëpërmjet Ceravikut, e tjetri nga Gllogjani i Haradinajve nëpërmjet Shqiponjës dhe Toni e Mici bëhen dy emra, por një legjendë.

Lufta e Rahovecit Redakto

Më 8-9 qershor të vitit 1998, Xhelal Hajda, Selajdin Mullabazi dhe Gëzim Hamza, me ndihmën logjistike të Ismet Tarës, formojnë Shtabin Operativ Lokal për Batalionin e Rahavecit.

Selia e këtij shtabi ishte shkolla fillore e fshatit Astarzup, prej nga fillojnë edhe të gjitha aktivitetet konkrete për zgjerim e shtrirje në drejtim të Rahavecit, buzë aksit rrugor Malishevë-Rahavec, deri në "Arat e Dulës", "Kërsh të Keq" përkatësisht Majën e Vranstinës (tash Maja e Shkodranit).

Këtu transferohen luftëtarët e parë, të kyçur në Drenoc e në Drenicë: Hamdi Mullaliu, Luan Kleçka, Nazim Mushla, Fatmir Isma, Mehedin Isma, Skënder Shulina e Gëzim Hamza, por këtyre do t'u bashkohen në Astarzup edhe 100 luftëtarë të lirisë.

Prej shkollës fillore të Astarzupit, Shtabi i Xhelal Hajdës kalon në "Kërshin e Keq" dhe vendoset në "Lugun e Kërshit të Keq", ndërsa për rregullimin e infrastrukturës dhe një adaptim për nevojat e luftëtarëve, përkujdesej Gëzim Hamza, Xhelal Hajda, komandon me "Fluturimet e Dallëndysheve" (Kompania e logjistikës), koordinon pritjen e tyre në Shqiponjë, vazhdimin kah Gllogjani dhe përcjelljen për në Junik e Bajram Curr.

Komandant Toni karakterizohej me aftësi të jashtëzakonshme operative dhe kooperative. Kishte një zotësi për punë ekipore; i liruar prej karrierizmit dhe egoizmit ushtarak dhe mbeti përherë i ushqyer me një altruizëm të pashoq, prandaj edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës u zhvillua shumë shpejt me shtrirje prej fshatrave të Anadrinit në drejtim të fshatrave të Hasit e të Dushkajës dhe kështu u sajua korridori logjistik nëpër kanionin e Remnikut dhe të Zhdredhës.

Xhelal Hajda përkujdesej për ruajtjen e kanaleve që e lidhnin Anadrinin me Zonën Operative të Rrafshit të Dukagjinit, ndërsa Selajdin Mullabazi, me ruajtjen e linjave nëpër Malishevë-Kijevë-Ceravik e Açarevë, kështu në garnizonin e batalionit "Arti" zënë të vijnë luftëtarët e Rrafshit të Dukagjinit dhe të Llapushës.

Më 17 korrik të vitit 1998, Beteja e Rahavecit, Xhelal Hajdën e zë në detyrat logjistike, prandaj me të marrë këtë lajm niset nëpërmjet Bajram Currit që t'i afrohet Gllogjanit e së andejmi edhe Rahavecit, por arrin pas tërheqjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbi Rrasat e Rahavecit, në drejtim të "Kërshit të Keq". Në fshatin Dragabil takohet me luftëtarët dhe së bashku me komandantët e formacioneve: "Lumi", "Çeliku", "Guri 3", "Pëllumbat" dhe me njësitet për intervenime të shpejta, strukturon istikamet në "Lugun e Shqipeve" më 25 korrik të vitit 1998 ku thehen forcat serbe dhe zbrapsen në Rahavec. Toni e merr sërish Majën e Shkodranit dhe synon Rahavecin.

Deri më 2 gusht të vitit 1998, Xhelal Hajda synon të marrë sërish Rahavecin, prandaj prej Malisheve zbret edhe një herë në fshatrat e Anadrinit, vendoset ne fshatin Hoçë e Vogël dhe depërton deri në Rrihjet e Rahavecit, duke shfrytëzuar Shpatijet e Hamocit dhe Rrapishtet.

Mirëpo, me batalionin e shpartalluar dhe me një logjistikë tashmë të dobësuar nuk ia arrin, prandaj vendos që sërish ta aktivizojë sektorin e logjistikës dhe depërton në Shqipëri për t'u riarmatosur.

Me t'u pajisur mirë braktis Vlahnën e Cahanin dhe më 21 shtator të vitit 1998, Xhelali, së bashku me Selajdin Mullabazin, gjendet në Qafë-Mullar të Pashtrikut dhe së andejmi, hap pas hapi zbret në fshatrat: Kushnin, Romajë, Rogovë dhe me të kaluar të Drinit të Bardhë me ushtarët e Zonës Operative të Rrafshit të Dukagjinit dhe me një pjesë të ushtarëve të Batalionit të Rahavecit, ku vendoset në fshatin Piranë, në familjen e vëllezërve Elshani (të bijëve të Rufat Elshanit) dhe kështu merr kontroll mbi aksin rrugor Prizren-Gjakovë, veçanërisht pjesën prej Tyrbes së Krushës së Vogël deri te Plepat e Celinës.

Së këndejmi, pretendon që të zgjerohet kah Celina, Rrapishtet, Hamocet dhe Rrihjet e Rahavecit, mirëpo për disa ditë vendoset në Krushën e Madhe, e pastaj kalon me të gjithë luftëtarët, në Zonën Operative të Rrafshit të Dukagjinit dhe sërish është me Ramushin, Dautin, Shkëlzenin, Maliqin, Togerin e Malën; sërish është në Shqiponjën e Agim Zenelit.

Mirëpo, në fshatrat Krushë e Madhe, Nagac, Celinë, Fortesë, Hoçë e Vogël, Brestos, Zaçisht, Apterushë, Reti e Samadraxhë, veç kishte rifilluar veprimi i luftëtarëve të lirisë, prandaj Xhelal Hajda e Selajdin Mullabazi kthehen në fshatrat e Anadrinit dhe në Nagac (ndërmjet Krushës së Madhe e Hoçës së Vogël) fillon konsolidimin e radhëve, kurse për vendin ku do të kazermohet sërish Ushtria Çlirimtare të Kosovës, zgjedh fshatin Reti, jo larg Rahavecit e jo larg Hoçës së Madhe, të mbushur përplot me paramilitarë të shfrenuar, të vendosur nëpër kishat e Hoçës së Madhe.

Në Reti fillon konsolidimi i radhëve të të katër batalioneve të Brigadës 124 Gani Paçarizi (i Drinasit, i Drenocit, i Rahavecit dhe i Lugut të Brestosit) dhe kështu fillon aktiviteti i tërë brigadës 124 Gani Paçarizi, në krye të të cilës ishin Mahir Hasanaj, epror e komandant i brigadës dhe Xhemali Gashi, zëvendës-komandanti.

Xhelal Hajda e Selajdin Mullabazi nuk pushojnë aktivitetin në logjistikë dhe dërgojnë grupe për t'u riarmatosur, mirëpo, edhe ndërmarrin aksione guerile, si në aksin rrugor Prizren-Gjakovë, ashtu edhe në rrugën Xërxë-Malishevë nëpër Rahavec.

Kështu, në analet e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë mbetur aksionet guerile si: sulmi te Ura e Bërnjakës, sulmi te Ura e Bardhasë, sulmi të Kryqi i Aliagës, beteja e Izbishtës, sulmi te Llazet e Qëndresës (ish-Randubravës) aksionet rreth pritjes së grupeve të armatosura që e thenin Pashtrikun dhe luftimet e tjera.

Tonin e Micin, si strategë, i karakterizonte konspiracioni, prandaj planet dhe itineraret e udhëtimeve nuk ia komunikonin askujt, por çdo gjë ndërmerrnin pasi të jenë konsultuar mirë reciprokisht dhe pasi t'i kenë përpunuar mirë te gjithë parametrat ushtarakë.

Forcat serbe të stacionuara në fshatrat: Hoçë e Madhe, Zaçisht e nëpër Rahavec, bënin përpjekje të njëpasnjëshme për të depërtuar në Reti, për ta rrethuar këtë fshat e për t'i zënë të gjallë Tonin e Micin.

Pas dështimeve dhe thyerjeve totale të forcave serbe në fshatrat e Lugut të Brestosit dhe në Fushat e Izbishtit, serbët shfrytëzojnë "Armëpushimin e tetorit" dhe arrijnë në fshatin Apterushë, madje edhe marrin nën kontroll rrugën makadame prej Rrihjeve të Rahavecit deri në Therandë. Nëpër këtë rrugë, sidomos në udhëkryqet: Hoçë e Madhe, Zaçisht, Apterushë e Samadraxhë, vendosin prita të përforcuara me patrulla mobile.

Më 6 nëntor të vitit 1998, nga Shqipëria arrin një grup i armatosur i luftëtarëve, të cilin deri në Krushë të Madhe e kishte shoqëruar Xhavit Elshani-Leopardi, e së andejmi grupin e kishin pranuar Xhelali e Selajdini.

Itinerari i grupit ishte: Reti-Samadraxhë-Dabërdelan-Pagarushë e për në Drenicë, pasi që kishte luftëtarë të Zonës Operative të Shalës. Mirëpo, te Kryqi i Apterushës, fillojnë luftimet.

Përjetësinë e marrin Xhelal Hajda-Toni, Selajdin Mullabazi-Mici, Bektesh Haliti, Hamdi Hajrizi e Nezir Ymeri, ndërsa mbijetojnë me shumë plagë në trup Lulzim Ymeri dhe Kujtim Saraçi, luftëtarët e lirisë të Zonës Operative të Shalës.

Sot, në vendin e rënies së Tonit me shokë, te Kryqi i Apterushës shkëlqen një lapidar për të pesë luftëtarët dhe pranë tij rrjedh një krua, kurse rivarrimet janë bërë në njëvjetorin e rënies, dhe Toni e Mici janë në krye të luftëtarëve të tyre në "Kopshtin e Dëshmorëve" të Rahavecit, Xhelal Hajda pranë Sadedin Hajdës, kurse Selajdin Mullabazi pranë Gëzim Mullabazit.

"Ty kolonel,

i madh sa Leka

Te Kryqi i Apterushës

të erdhi Deka.

Të erdhi Deka,

Të mbeti fjala

Kolonel Toni,

O Xhelal Hajda" (poezi)

Referimet Redakto

1.Prof.Dr. Sabahudin Cena

2.BalkanWeb

3.Vendbanimet e Kosovës II-Rahoveci