Leksi i Vinit
Aleksandër Kostandin Josifi i njohur si Leksi i Vinit (Elbasan, 1903 - 1974) ka qenë mbledhës i folklorit të qytetit të Elbasanit. Ka qenë po ashtu kompozues, shkrues dhe këngëtar i ahengut qytetar elbasanlli.
Aleksandër Kostandin Josifi | |
---|---|
U lind në | 1903 |
Vdiq | 1974 |
Kombësia | shqiptar |
Emrat e tjerë | Leksi Vini |
Profesioni | Folklorist |
Biografia
RedaktoU lind në lagjen Kala të Elbasanit, i biri i Kostandin Josifit, ku dhe ndoqi mësimet në shkollën e kishës së Shën Mërisë në lagjen "Kala".[1] Pas 1912-ës, në prag të Luftës Ballkanike, shkon dhe vazhdon shkollimin në Korfuz e më pas në Athinë. Në vitin 1919, Leksi është i regjistruar në një seminar fetar në Romë, Itali. Më 1922 kthehet në Elbasan, por largohet përsëri në Maqedoni për arsye ekonomike. Kthehet në Shqipëri dhe punon në Durrës për shumë vjet. Pas viteve 40-të ai kthehet në vendlindjen e tij në Elbasan. Pjesën më të madhe të jetës mbetet i papunë. Në moshën 60 vjeçare kur moshatarët e tij kishin dalë në pension detyrohet të punojë llustraxhi. Për këtë arsye e ndien veten të braktisur e të përbuzur nga njerëzit. Vdes i vetëm në Elbasan në një gjendje të vështirë ekonomike.
Vepra
RedaktoLeksi Vini e filloi krijimtarinë e tij në vitin 1919, në moshën 17 vjeç kur jetonte në Itali. Poezitë e tij të para janë “Tundu tokë” dhe “O flamur”. Gjatë kohës që qëndroi në itali, filloi të merret edhe me muzikë e kompozime. Ky pasion e shoqëroi për shumë kohë gjatë jetës së tij. Leksi nuk reshti së shkruari me kalimet e viteve. Shumë ngjarje të jetës së tij dëshmohen në poezitë që shkruan si vargjet e dashurisë për një vajzë vendase me emrin Marian, gjatë qëndrimit në Maqedoni, ose kur shkruan për normalisten nga Elbasani pas viteve 40-të.
Pasi kthehet në vendlidje, në vitet e para të çlirimit, Leksi punon vullnetarisht në Shtëpinë e Kulturës së qytetit. Në këtë periudhë ai krijon kontakt dhe bashkëpunim me mjeshtrin e muzikës Baki Kongolin, si dhe me muzikantë të tjerë si Gani Jahja, Kolë Popa, etj.
Leksi Vini është njeri me shumë pasione e i ziejnë në kokë shumë ide, të cilat i hedh në letër. Shkruan poezi, prozë dhe kompozon këngë edhe pse i mungon formimi muzikor. Mblodhi rreth 360 këngë të vjetra, prej të cilave me shumë interes janë 20 këngë dasme të zonës së Zaranikës, 600 përralla etj. Këngët e kompozuar prej tij janë të njohura dhe këndohen në ditët e sotme si: “ Moj dashnore të gjykoftë perëndia” , “Ke porta, ke porta të pret Leksi ty”, etj.[2] Ai gjithashtu, mbledh të dhëna interesante për zakonet e traditat në Elbasan, përshkruan dasmat, festat etj.
Leksi Vini ka lënë materiale të bollshme të krijimtarisë së tij, një kopje e të cilës ia ka dërguar Institutit të Gjuhësisë dhe Historisë.[3]
Botime për Leksi Vinin
RedaktoTitulli | Përshkrimi | Përgatiti |
---|---|---|
Anekdota, gojëdhëna, përralla | Anekdota, gojëdhëna e përralla të mbledhura nga Leksi Vini, të cilat përdoreshin në Elbasan e fshatrat përreth. Botim i finacuar nga Bashkia Elbasan. | Kreshnik Belegu, Ortenca Dakli |
Tradita zakonore në qytetin e Elbasanit | Një përshkrim i zakoneve e traditave në Elbasan, të mbledhura nga Leksi i Vinit . Botim i financuar nga Bashkia Elbasan. | Kreshnik Belegu, Ortenca Dakli |
-
Traditat zakonore në qytetin e Elbasanit mbledhur nga Leksi Vini
-
Anekdota, gojëdhëna. përralla të mbledhura nga Leksi Vini.
Referime
Redakto- ^ Tusha, Kastriot (2021). "Kënga popullore qytetare e Elbasanit dhe vendi i saj në trashëgiminë tonë kulturore" (PDF). Phd: 44–46.
- ^ Bashkia, Elbasan (2003). Elbasani Enciklopedi (bot. 1st). Elbasan: Sejko. fq. 637. ISBN 99927-962-1-9.
- ^ Vini, Leksi. Anekdota, gojëdhëna, përralla (bot. 1st). Naim Frashëri. fq. 4–5. ISBN 978-99927-38-91-7.