Çështja çame: Etapa e re (botim dygjuhësh: shqip dhe anglisht). Me autorë: Miranda Vickers – James Pettifer. Përktheu: Xhevdet Shehu. Shtëpia Botuese "Naimi". Tiranë, 2014. Faqet e librit 120.

"Marrëdhëniet greko-shqiptare rrezikohen seriozisht nga dështimi për të zgjidhur çështjen çame. Kjo çështje, natyrisht, nuk mund të zgjidhet vetëm mes Shqipërisë, Greqisë dhe organizatave që përfaqësojnë popullsinë çame. Një zgjidhje e drejtë dhe e qëndrueshme mund të arrihet vetëm me ndërmjetësimin ndërkombëtar, me mbështetje nga institucionet e BE-së dhe me udhëheqje të qartë nga Shtetet e Bashkuara". Në këtë konkluzion kanë arritur me ekspertizën e tyre studiuesit Miranda Vickers dhe James Pettifer, të njohur vitet e fundit për disa botime interesante për Ballkanin dhe veçmas për shqiptarët. Libri i tyre "Çështja çame: etapa e re", publikuar përmes një botimi dygjuhësh (anglisht dhe shqip me përkthim të Xhevdet Shehut) nga shtëpia botuese "Naimi", siç duket dhe nga titulli, merr në analizë zhvillimet e fundit të çështjes çame, ende e pazgjidhur nga diplomacia dhe politika.