Çezar Kurti u lind në vitin 1935. Ka kryer studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik 4 vjeçar (Gjuhë dhe Letërsi Ruse) më 1957 dhe në vitin 1964 kreu Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës. Punoi si redaktor-përkthyes në Agjencine Telegrafike Shqiptare deri kur u emërua pedagog në Universitetin Shtetëror në Tiranë në vitin 1962. Më 1973 u emërua shef i katedrës së gjuhës dhe letërsisë ruse. Në vitin 1976 për mungesë vigjilence dhe zbutje të luftës së klasave e larguan nga Universiteti dhe e dërguan me punë të detyruar në Minierën e Bakrrit në Kurbnesh të Mirditës, ku punoi si punëtor nëntoke. Në vitet 1981-1989 punoi si mësues në shkollën e Mesme të Maminasit në rrethin e Durrësit. Nga viti 1976, kur botoi përkthimin e tregimeve të Gallsworthit "Shpëtimi i Forsajtit", atij iu ndalua botimi për dhjetë vjet rresht.Në vitin 1985 mundi të botonte përkthimin e veprës së Eskilit "Prometeu i Lidhur", ndërsa në vitin 1989 redaktoi romanin e Tolstoit "Lufta dhe Paqja". Ka përkthyer dhe botuar në gjuhën shqipe disa vepra të letërsisë botërore, si "Ferri" të Dante Aligerit, "Kujtime nga Shtëpia e të Vdekurve" të Dostojevskit, "Toka e Njerëzve" të Antoin De Sent Exupery, "Zadigu ose Fati" të Volterit, 'Sonete' dhe 'Antoni dhe Kleopatra' të Shekspirit etj. Çeazr Kurti është autor i librave "Learn Alabanian - Mësoni Shqip" per lexuesit anglisht-dhe rusishtfoles dhe "Bashkëbisedues Shqip-Anglisht". Zoti Kurti është njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja: anglisht, rusisht, frëngjisht, italisht.