Adil Pireva
Jeta
RedaktoAdil PIREVA u lind më 21 Maj 1945 në Lupç të Poshtëm të komunës së Besianës (Podujevës). Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe në fshatrat Besi dhe Bardhosh (Jugoviq) të Prishtinës. Më 1959 u regjistrua në Shkollën Normale (pesëvjeçare) në Prishtinë, të cilën e kreu më 1964. Po këtë vit regjistrohet me korrespondencë në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, Dega e Albanologjisë, ku apsolvon më 1968. Njëherësh, në vitet shkollore 1964/68, katër vjet, krahas studimeve, punon si mësues dhe ligjëron gjuhën shqipe në shkollën fillore të vendlindjes.
Në shtator të vitit 1968 hyn në punë në “Rilindje” si gazetar, por pas tre muajsh burgoset si një nga organizatorët kryesorë të demonstratave studentore 27 nëntorit 1968. Pas daljes nga burgu, fill pas diplomimit në Degën e Albanologjisë (1972), ligjëron gjuhën shqipe dhe anglishte në shkollën fillore të Besisë, por pas katër muaj e gjysmë, regjimi i atëhershëm e heton dhe e dëbon nga puna në arsim.
Më 1973 dërgohet në shërbim ushtarak, kurse më 1974 gjen punë si përkthyes nga gjuha shqipe në atë serbokroate dhe anasjelltas në kombinatin agroindustrial "Agrokosova", ku punoi deri më 1991, kur u dëbua sërish nga puna nga regjimi serb. Më 1993 rikthehet në punë, pas 25 vjetësh, në "Rilindjen” e pavarësuar nga regjimi serb, në fillim si gazetar e pastaj si redaktor i fejtonistikës, ku punoi deri në ditën e bombardimeve të NATO-s, më 24 mars 1999, kur edhe mbyllet gazeta [1].
Pas çlirimit të Kosovës nga okupatori serb, punon si gazetar, redaktues dhe përkthyes i gjuhës anglishte në Qendrën për Informim të Kosovës (QIK). Ndërkaq, në korrik 2006, nga Kuvendi i Kosovës zgjidhet anëtar i Këshillit të Komisionit të Pavarur të Medieve [1].
Veprimtaria letrare
Redakto- "Gjashtëdhjeteteta Shqiptare" (1994)
- "Vite Shprese dhe Qëndrese, Kronikë e Çështjes së Kosovës '97, '98, '99" (2004)
- "Sprova Shqiptare" (2008)
- "Demonstratat e Para për Kosovën Republikë" (2016)
Veprimtaria Politike Atdhetare
RedaktoNë lëvizjen e organizuar kombëtare të rezistencës ka hyrë më 1964. Ka qenë anëtar i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, themeluar nga Adem Demaçi. Veprimtarinë politike atdhetare e ka vazhduar më pastaj në Grupin Politik studentor, i cili i ka organizuar demonstratat shqiptare më 27 Nëntor 1968 në Prishtinë, në Podujevë, në Ferizaj dhe në Gjilan. Burgoset më 11 Dhjetor 1968 dhe dënohet me pesë vjet burg, nga të cilat i vuan tri vjet në burgjet e Prishtinës, të Mitrovicës, të Nishit dhe të Mitrovicës së Sremit [1].
Më 1975 burgoset sërish, mbahet në arrest 25 orë, nuk dënohet, por mbetet vazhdimisht nën mbikëqyrjen e policisë. Më 2 Prill 1981, kur shpallet shtetrrethimi në Kosovë, burgoset dhe i vuan dy muaj izolim pa gjykim në burgun e Mitrovicës [1].
Me formimin e LDK-së, më 23 Dhjetor 1989, bëhet anëtar i saj. Më 1991, në Kuvendin e Parë, zgjidhet anëtar i Këshillit Qendror të LDK-së, kurse më 1994, në Kuvendin e Dytë, zgjidhet anëtar i Këshillit të Përgjithshëm dhe anëtar i Kryesisë së LDK-së. Në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të vitit 1998 zgjidhet deputet i LDK-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës, i zonës së parë të Prishtinës. Në zgjedhjet e para demokratike vendore të vitit 2000 zgjidhet anëtar i Asamblesë Komunale të Prishtinës. Ishte edhe anëtar i Komisionit për të burgosur dhe të zhdukur i administratës së UNMIK-ut, ku e përfaqësoi LDK-në [1].
Familja dhe Jeta tani
RedaktoAdil PIREVA është biri i Murat SEJDI PIREVËS, bujk dhe i Vahide Sahit GASHIT, amvise, nga fshati Majac, Podujevë. Rrjedh nga një familje e moçme atdhetare. Gjyshi, SEJDI RAMË PIREVA, i përgjigjet thirrjes së Isa BOLETINIT dhe me shumë llapjanë të tjerë vullnetarë, sikur edhe nga mbarë viset e tjera shqiptare, merr pjesë në mbrojtjen e Shkodrës në vitet 1912/13, ku bie dëshmor me armë në dorë në moshën 35-vjeçare, në luftë me serbomalazezët dhe as sot nuk i dihet varri, duke lënë pesë fëmijë jetimë. Ndërkaq, gjatë okupacionit gjerman, i ati, MURATI, qe internuar me punë të detyrueshme në xeheroren e Borit të Serbisë, prej nga kishte ikur së bashku me 15-16 shokë dhe pas dy javësh rrugëtimi nëpër Serbi, nëpër borë dhe acar, kthehet në fshatin e tij [1].
Adil Pireva jeton në Prishtinë prej vitit 1959. Më 1974 është martuar me Remzije Salih Bërnicën, infermiere, e lindur në Prishtinë më 1 qershor 1952 dhe me të ka katër fëmijë: Artanin(1976), Albanin (1978), Taulanten (1979) dhe Gurakuqin (1983). Është i lumtur dhe e ndien veten me fat që ka mbijetuar dhe e ka pritur shpalljen e Pavarësisë shumë të ëndërruar më 17 shkurt 2008 dhe pastaj edhe njohjen ndërkombëtare të Republikës së Kosovës. Është krenar që i ka dhënë kuptim jetës së vet duke vënë një gur sado të vogël në themelet e saj [1].
Referenca
Redakto[1] Pireva, Adil (2008). Sprova Shqiptare (në shqip). Prishtine: Faik Konica. fq. 462–464.