Agron Aliaj
Agron Aliaj (Delvinë, 30 tetor 1933 - Tiranë, 17 maj 2012) ka qenë një koreograf shqiptar.
Biografi
RedaktoPasioni për vallen dhe kërcimin lindën tek ai që në vogëli. Krijimi i grupit të valleve në Shtëpinë e Pionierëve në vitin 1946 në Tiranë nën drejtimin e mjeshtrit Panajot Kanaçi qe një nxitje për të. Ai është ndër të parët solistë të Filarmonisë Shqiptare (1948). Studimet e larta i kreu në shkollën koreografike pranë Teatrit Akademik të Moskës (1950-1956). Emërohet solist i parë i trupës së baletit të Teatrit të Operës dhe baletit ku realizoi me nivel të lartë artistik interpretativ disa kryerole të literaturës së baletit nacional dhe atij botëror: “Halili dhe Hajrija” (1963), “Delina” (1964), “Cuca e maleve” (1970) apo tek baletet klasike: “Kujdesi i kotë” (1957), “Romeo dhe Zhulieta” (1957), “Francesca da Rimini” (1962), “Lola” (1958), “Paganini” (1963), “Fadeta” (1960) etj. Aktiviteti artistik pasurohet me veprën e tij krijuese koreografike. Pas realizimit të shumë valleve dhe numrave koncertorë është autori i shumë baleteve kombëtare “Cuca e maleve” (1970), “Tokë e pamposhtur” (1977), “Para stuhisë” (1982), “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”, “Halili dhe Hajria”, (1966) si dhe baletet klasike “Zhizel” (1988), “Don Kishoti” (1990), “Romeo dhe Zhulieta” (1996), “Hirushja” (2002), “Katedralja e Parisit” (2003), “Liqeni i Mjellmave”, “Plaga e dhjete e Gjergj Elez Alise”, “Migjeniana”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Lumi i vdekur”, etj.
Për një periudhë të gjatë kohe deri në çastin e ndarjes nga jeta ka qenë pedagog në Akademinë e Dansit dhe Akademinë e Artit, Tiranë. Është nderuar me çmimin e Republikës dhe mban titullin e lartë “Artist i Popullit”.