Alan Mathison Turing [ˈælən ˈmæθɪsən ˈtjʊəɹɪŋ] (23 qershor 1912Londër ; † 7 qershor 1954 në Wilmslow, Cheshire) ishte një matematikan, logjikant, dhe kriptograf britanik. Ai pati shumë ndikim në zhvillimin e shkencës kompjuterike, duke formalizuar konceptet e "algoritmit" dhe "kompjutimit" me makinën Turing, e cila mund të konsiderohet model i kompjuterit me përdorim të përgjithshëm. Turingu konsiderohet gjerësisht të jetë babai i shkencave kompjuterike dhe inteligjencës artificiale.

Alan Turing

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Alan Turing punoi në Shkollën e Qeverisë për Kode dhe Shifra në Bleçli Parkë, qendra e Britanisë për thyerje të kodeve sekrete. Për një kohë ai ishte kreu i Hut 8, seksionit përgjegjës për kriptoanalizimin e komunikimeve të flotës detare gjermane. Ai hartoi një numër të teknikave për të thyer shifrat gjermane, duke përfshirë metodën bombe, një makinë elektromekanike që mund të gjente konfigurimet e makinës Enigma.

Turing formuloi versionin Turing të tezës Çurch-Turing, që thotë se çdo model kompjuterik ose është ekuivalent, ose një nënbashkësi e mundësive të një makine Turing. Me testin Turing, ai dha një kontribut te rëndësishëm (dhe deri diku ngacmues) në debatin mbi inteligjencën artificiale: nëse është e mundur që një makinë të jetë e ndërgjegjshme dhe të mendojë.

Pas luftës, ai punoi në Laboratorin Kombëtar të Fizikës, ku krijoi një nga dizajnët e para për programin e parë kompjuterik të ruajtur në memorie - Ace-in. Në vitin 1948 Turingu iu bashkua Laboratorit të Kompjutimit të Maks Njumanit në Universitetin e Mançesterit, ku ndihmoi në zhvillimin e kompjuterëve Mançester dhe fitoi interesim në biologjinë matematike. Ai shkroi një studim mbi bazën kimike të morfogjenezës, dhe parashikoi reaksionet kimike osiluese të tilla si reaksionet Belousov-Zhabotinsky, të cilat janë vëzhguar për herë të parë në vitet e 60-ta.

Homoseksualiteti i Turingut rezultoi në ndjekje penale në vitin 1952, kur aktet homoseksuale ishin ende të jashtëligjshme në Mbretërinë e Bashkuar. Ai pranoi trajtim me hormone femërore (tredhje kimike) si një alternativë ndaj burgut.

Turingu vdiq në vitin 1954, pak më shumë se dy javë para ditëlindjes së tij të 42-të, nga helmimi me cianid. Një hulumtim ka konstatuar se vdekja e tij ishte vetëvrasje; nëna e tij dhe disa të tjerë besonin se vdekja ishte aksidentale. Më 10 shtator 2009, pas një fushate në internet, kryeministri britanik Gordon Braun ka kërkuar ndjesë zyrtare publike në emër të qeverisë britanike për "mënyrën tmerrshme se si ai u trajtua". Që nga maji i vitit 2012 një projekt-ligj është përpara Dhomës së Lordëve i cili nëse miratohet do t'i jepte Turingut edhe falje ligjore pas vdekjes.

Çmimi Turing

Redakto


Për nder të tij është themeluar një çmimi vjetor i dhënë nga Shoqata për Makineri Kompjuterike (ACM) për "një individ të përzgjedhur për kontribute të natyrës teknike të bërë në komunitetin e informatikës". Thuhet se "kontributet duhet të jetë e qëndrueshme dhe me rëndësi të madhe teknike për fushën e kompjuterëve".[1] Çmim Turing është i njohur në përgjithësi si nderimi më i lartë në shkencat kompjuterike[2][3] dhe si "Çmimi Nobel për informatikë".[4][5]

Referime

Redakto
  1. ^ "A. M. Turing Award" (në anglisht). ACM. Arkivuar nga origjinali më 12 dhjetor 2009. Marrë më 2007-11-05.
  2. ^ Dasgupta, Sanjoy; Papadimitriou, Christos; Vazirani, Umesh (2008). Algorithms (në anglisht). McGraw-Hill. ISBN 978-0-07-352340-8.
  3. ^ Bibliography of Turing Award lectures Arkivuar 2 janar 2015 tek Wayback Machine, DBLP
  4. ^ Steven Geringer (27 korrik 2007). "ACM'S Turing Award Prize Raised To $250,000" (në anglisht). ACM press release. Arkivuar nga origjinali më 30 dhjetor 2008. Marrë më 2008-10-16.
  5. ^ See also: Brown, Bob (6 qershor 2011). "Why there's no Nobel Prize in Computing" (në anglisht). Network World. Marrë më 3 qershor 2015.

Lidhje të jashtme

Redakto
  Commons: Alan Turing – Mbledhja e fotografi dhe/apo video dhe materiale multimediale