Albert Doja ka mbrojtur në vitin 1993 gradën e doktorit në "École des Hautes Études en Sciences Sociales" në Paris (Francë) në fushën e antropologjisë sociale. Në vitin 2004, fiton gradën e doktorit të habilituar në Universitetin Paris Descartes në fushën e sociologjisë dhe antropologjisë.

Në vitin 2008 ai fiton titullin "Profesor" dhënë nga Komisioni i Vlerësimit të Titujve Akademikë pranë Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe po atë vit zgjidhet Anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në fushën e antropologjisë.

Në vitin 2009 Albert Doja fiton kualifikimin “Profesor i universiteteve”, dhënë nga Këshilli Kombëtar i Universiteteve në Francë.[1] Pasi fiton konkursin kombëtar, me Dekret të Presidentit të Francës, në shtator 2011 emërohet Profesor titullar i Universiteteve në Université de Lille.[2]

Fushat e kërkimeve shkencoreRedakto

Interesat e tij kërkimore përfshijnë problematika të ndryshme teorike dhe praktike që lidhen me historinë e mendimit dhe teoritë socio-antropologjike, epistemologjinë e shkencave sociale, post-strukturalizmin dhe neo-strukturalizmin, antropologjinë e kulturës dhe të politikës së identitetit kulturor, fetar, gjinor, social dhe politik, manipulimet politike të kulturës, gjuhës, fesë dhe gjinisë, pushtetin e ideologjive, fesë dhe miteve në shoqëri dhe politikë, përkatësinë etnike dhe nacionalizmin, marrëdhëniet ndër-etnike, migrimet ndërkombëtare dhe komunikimet ndër-kulturore, antropologjinë e simbolizmit dhe të komunikimit, marrëdhëniet e shkëmbimit dhe sistemet e komunikimit në shoqëri dhe politikë, trashëgiminë kulturore, tranzicionin demokratik dhe transformimet shoqërore, çështje të modernitetit dhe post-modernizmit, prejardhjen e dijes dhe transmetimit të njohurive, teknikat e trupit, konceptin e personit, ndërtimin e gjinisë, farefisninë dhe rolin e teknologjive riprodhuese, shëndetit reproduktiv dhe planifikimit familjar.[3]

BotimetRedakto

Veç disa librave, Albert Doja ka botuar një numër të madh artikujsh shkencorë origjinalë, kryesisht në anglisht dhe në frengjisht, në revista ndërkombëtare peer-reviewed me bord redaktorial dhe me faktor impakti, si Journal of the History of Ideas; Social Science Information; Theory Culture & Society, Anthropology Today; Critique of Anthropology; Social Anthropology; History and Anthropology; Reviews in Anthropology; Anthropological Quarterly; Anthropos; European Legacy; Rural History Economy Society & Culture; Religion State & Society, Journal of Church & State, Numen, Journal of Family History, Onoma, etj.[4]
Një pjesë e vogël e botimeve të tij janë përkthyer edhe në shqip, si dhe në gjuhë të tjera europiane (gjermanisht, italisht, estonisht) apo edhe në gjuhët aziatike (vietnamisht, turqisht).

Kariera akademikeRedakto

Para emërimit të tij si Profesor i Sociologjisë dhe Antropologjisë në Université de Lille në Francë, Albert Doja ka punuar rregullisht në një numër universitetesh dhe institucionesh kërkimore ndërkombëtare dhe kombëtare, si Université de Provence Aix-marseille, Université de Paris-8, si dhe në Qendrën Kombëtare të Kerkimit Shkencor (CNRS) të Francës, apo University of Hull në Angli dhe University of Limerick në Irlandë. Në Shqipëri, ai ka punuar në Institutin e Kulturës Popullore, Universitetin e Durrësit, University of New York Tirana, Universitetin Europian të Tiranës dhe Universitetin e Korçës.

Që prej vitit 2004, Albert Doja është Honorary Research Fellow në departamentin e antropologjisë në University College London në Angli. Prej vitit 2010, ai është gjithashtu Anëtar i Bordit të ekspertëve të Fondit flamand për Kërkimet Shkencore në Belgjikë në fushat e shkencave sociale dhe politike.[5] Gjatë vitit 2017-2018, Albert Doja është edhe profesor vizitues në Universitetin e Harvardit.

Midis vlerësimeve të tjera në fushën e antropologjisë, Claude Lévi-Strauss i ka shkruar më 1 korrik 2006 një letër personale ku ka vlerësuar "shkallën e njohurive të thella", si dhe "rigorozitetin dhe rëndësinë dialektike të analizave" të tij, apo edhe "guximin dhe largpamësinë" e tij në trajtimin e problematikave antropologjike.[6]

BurimetRedakto

  1. ^ Liste de qualification aux fonctions de professeur des universités arrêtée en 2009 par le Conseil national des universités, JOURNAL OFFICIEL DE LA RÉPUBLIQUE FRANÇAISE n°0008 du 10 janvier 2010, texte n° 34
  2. ^ Décret du 29 septembre 2011 portant nomination, titularisation et affectation (enseignements supérieurs), JOURNAL OFFICIEL DE LA RÉPUBLIQUE FRANÇAISE n°0228 du 1 octobre 2011, texte n° 97.
  3. ^ "Albert Doja - Université de Lille" (në anglisht).
  4. ^ Lista e plotë e botimeve me lidhje përkatëse për shkarkime http://www.researcherid.com/rid/C-1637-2008
  5. ^ "Fonds Wetenschappelijk Onderzoek – Expertpanel Members" (në anglisht). Arkivuar nga origjinali origjinali më 27 gusht 2011. Marrë më 17 shtator 2011.
  6. ^ Letra me dorëshkrim të Claude Lévi-Strauss është botuar si ilustrim i një shkrimi përkujtimor mbi veprën dhe ndikimin e tij në mendimin shkencor dhe intelektual të shekullit njëzetë: Albert Doja, "Claude Lévi-Strauss (1908-2009): The apotheosis of heroic anthropology", Anthropology Today, vol. 26 (5), f. 20 doi:10.1111/j.1467-8322.2010.00758.x (http://hal.ccsd.cnrs.fr/halshs-00523837).