Aleksandër Beljajev
Aleksandër Romanoviç Beljajev (Rusisht : Aлекса́ндр Рома́нович Беля́ев, 1884-1942) ishte një autor rus (sovietik) i gjinisë të librave fantastiko-shkencor. Vepra e tij midis viteve 1920 dhe 1930 e bëri një prej figurave më të mëdha të letërsisë fantastiko-shkencore në ish-Bashkimin Sovjetik. Disa nga veprat e Beljajevit janë : Njeriu Amfib, Shitësi i Ajrit, Ariel, etj.
Jeta
RedaktoI lindur në Smolensk, në moshën 30 vjeçare u sëmur nga tuberkulozi. Kura doli e pasuksesshme dhe infeksioni u përhap në të gjithë shtyllën kurrizore, duke i sjellë paralizimin e këmbëve. Beljajevi vuante nga dhimbjet e vazhdueshme dhe qëndroi i paralizuar për gjashtë vjet. Në kërkim të kurës së duhur ai u shpërngul në Jaltë bashkë me nënën dhe dadon e tij. Gjatë pushimit në spital lexoi veprat e Zhyl Vern, H. G Uells, Kostantin Tsiolkovskit dhe filloi të shkruante poezi.
Në vitin 1922 arriti ta mposhtte sëmundjen e tij dhe në vitin 1923 u kthye në Moskë, ku filloi seriozisht aktivitetin e tij si një shkrimtar i novelave fantastiko-shkencore. Novela e tij e parë, Koka e Profesor Douellit (Голова Профессора Доуэля) u publikua në vitin 1925. Në vitin 1931 u vendos në Leningrad bashkë me gruan dhe vajzën e madhe, pasi vajza e vogël (gjashtë vjeç) kishte vdekur më 1930, nga meningjiti. Beljajevi u takua në Leningrad me H. G Uells, gjatë vizitës së tij në BRSS më 1934.
Vitet e fundit të jetës së tij, Beljajevi i kaloi në qytezën Pushkin (në periferi të Leningradit). Gjatë sulmit të Gjermanisë ndaj Bashkimin Sovjetik (Lufta e Dytë Botërore) ai refuzoi të evakuohej, pasi po merrte veten nga një operacion të cilit i ishte nënshtruar disa muaj më parë.
Ai vdiq nga uria në qytetin e Pushkinit më 1942, kur ishte akoma i pushtuar nga forcat naziste. Bashkëshortja dhe e bija, të cilat arritën të mbijetonin u çuan në një kamp përqëndrimi në Poloni. Vendi i saktë i varrimit nuk dihet. Në varrezën Kazanskoe të qytetit të Pushkinit është vendosur një memorial guri në vendin ku thuhet të jetë varrosur trupi i tij.