Ali Muka (Toshkëz, 10 dhjetor 1938 - 25 korrik 2022) ka qenë studjues shkencor i arkitekturës popullore.[1][2]

Biografia

Redakto

I ati ka qenë pjesëmarrës në Luftën Nacionalçlirimtare dhe më vonë ka kryer detyra të larta shtetërore. Shkollën fillore dhe atë tetëvjeçare i mbaroi në vendin e lindjes. Në vitet 1953-1957 ka kryer shkollën e mesme profesionale në Teknikumin e Ndërtimit në Tiranë, përfunduar me rezultate të shkëlqyera. Këtu u kualifikua “gjeometër teknik ndërtimi”. Nga shtatori i vitit 1960 e deri në korrik 1961 ka qenë me bursë shteti për studime të larta, dega "arkitekturë skene" në qytetin e Bratislavës (Çekosllovaki), por, pas një viti iu ndërprenë studimet për arsye konfliktesh midis dy shteteve. Nga viti 1961 (shtator) e deri në vitin 1966 (korrik) ka kryer studimet e larta në Fakultetin e Inxhinierisë së UT-së, ku ka dalë shkëlqyeshëm duke u diplomuar "inxhinier për ndërtime qytetare". Ky njeri i shquar në zotërimin e specialitetit të tij është përfshirë në veprimtari të ndryshme. Ka punuar si gjeometër (teknik zbatimi) dhe si markshedër (topograf miniere) në minierën e kromit në Bulqizë në vitet 1957- 1958. Nga shtatori i vitit 1958 e deri në shtator të vitit 1960, ka punuar si teknik zbatimi (përgjegjës sektori) në ish-ndërmarrjen e ndërtimit "21 Dhjetori" (Tiranë). Në vitet 1966-1969, ka punuar inxhinier zbatimi (drejtues kantieri) në Hidrocentralin e Vaut të Dejës (Shkodër). Në vitet 1970 deri më 2008, ka kryer detyrën e specialistit shkencor në etnologji, në departamentin me të njëjtin emër në Institutin e Historisë e Gjuhësisë (1970-1978), në Institutin e Historisë (në 1972-1979) dhe në atë të Kulturës Popullore (1979-2008) ku dhe doli në pension (2008). Edhe në vitet pas daljes në pension ai vazhdon të merret me kërkime shkencore, me botime studimesh të fushës së etnologjisë. Ali Muka ka kryer kualifikime pasuniversitare që kur mbaroi universitetin (1966) e në vazhdim, kur mori detyrën e etnologut. Bëri specializime të shumta. Ka marrë gradën e shkallës së parë "Kandidat i Shkencave" në etnologji në vitin 1981; me dosje të veprimtarisë shkencore ka marrë titullin "Bashkëpunëtor i Vjetër Shkencor" (e barabartë me "docent") në etnologji në vitin 1987; me mbrojtje disertacioni ka marrë gradën e dytë "Doktor i Shkencave" në etnologji në vitin 1991. Në sajë të arritjeve më të larta në veprimtarinë shkencore, më 1994 i jepet titulli "Profesor" në etnologji.

Referime

Redakto
  1. ^ Tirta, Mark (2018). "Ali Muka në 80-vjetorin e lindjes" (PDF). Antropologjia. 1 (1). Arkivuar nga origjinali (PDF) më 26 shkurt 2023. Marrë më 26 shkurt 2023.
  2. ^ "Ndahet nga jeta prof. dr. Ali Muka, studiues i njohur i arkitekturës popullore". ata.gov.al. 2022. Arkivuar nga origjinali më 26 shkurt 2023. Marrë më 26 shkurt 2023.